LAJMI I FUNDIT:

Gara për kryeministër – sa vota kishin Avdullah Hoti dhe Enver Hoxhaj në zgjedhjet e kaluara?

Gara për kryeministër – sa vota kishin Avdullah Hoti dhe Enver Hoxhaj në zgjedhjet e kaluara?

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës, ishin në garë për të fituar vetëm një ulëse në Kuvend, ndërsa tani që të dy po synojnë postin e kryeministrit.

Partia Demokratike e Kosovës, është partia e parë që ka bërë zyrtare që kryetari në detyrë, Enver Hoxhaj, do të jetë kandidati i tyre për kryeministër të Kosovës, transmeton Telegrafi.

Enver Hoxhaj në zgjedhjet e kaluara parlamentare në vitin 2019 kishte marrë 11 mijë e 52 vota, kurse PDK ishe radhitur e treta si më e votuara. PDK kishte fituar në Kuvendin e Kosovës 24 ulëse.


Pas PDK-së, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë zyrtare emrin e kandidatit për kryeministër. LDK në mbledhjen e mbajtur ditën e martë, ka vendosur që Avdullah Hoti t’i hyjë garës për kryeministër.

Avdullah Hoti në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019 kishe grumbulluar 26 mijë e 94 vota, ndërkaq LDK kishte dal partia e dytë, ku kishte fituar 28 vende në Kuvend.

Në garë për kryeministër në zgjedhjet e kaluar ishte edhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurti në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 183 mijë e 952 vota, ndërsa Haradinaj 76 mijë e 163 vota.

LVV ishte partia më e votuar, duke fituar 29 vende në Kuvend, kurse AAK radhitej e katërta me 13 ulëse të fituara. Ndryshe, LVV dhe AAK ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatin për kryeministër.

Qeveria Hoti u rrëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë shpall të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kësaj qeverie, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Kushtetuesja ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

Osmani tashmë ka përfunduar takimet me krerët e partive politike dhe kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku është diskutuar për zgjedhje. U.d e presidentes ka bërë të ditur se zgjedhjet do të shpallen sapo aktgjykimi t’u dorëzohet palëve. /Telegrafi/