LAJMI I FUNDIT:

PD padit anëtarët e KQZ dhe komisionerët e PS

PD padit anëtarët e KQZ dhe komisionerët e PS

Zbardhet kallëzimi i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Opozita i ka cilësuar ato si ilegjitime dhe ka kërkuar nga ana e Prokurorisë të hetojë krimin elektoral. Partia Demokratike në kallëzimin e saj ka paditur katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe komisionerët e Partisë Socialiste dhe zyrtarë të lartë.

Me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, PD i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore duke i shërbyer axhendës së saj personale për t’u emëruar Kryeprokurore dhe regjimit kriminal të Edi Ramës. Gjithashtu Bardhi në kallëzimin e tij u shpreh se edhe pse ka pasur shumë denoncime, gjatë kohës që ka drejtuar Arta Marku nuk ka pasur asnjë zyrtar apo politikan që të jetë hetuar nga drejtësia për krimet zgjedhore apo korrupsionin.


“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

Sipas Bardhit, mosveprimet e prokurorisë për dosjet e krimeve zgjedhore sjellin pasoja të rënda për vendin, duke shtuar se këto raste janë të përsëritura.

“Mosveprimi i prokurorisë për krimet zgjedhore të partisë në pushtet është i përsëritur. Ai ka prodhuar pasoja të rënda për demokracinë, duke kaluar nga një masakër elektorale tek një tjetër. Në dijeninë tonë, deri tani, prokuroria nuk ka guxuar as të marrë në pyetje personat kryesorë të përfshirë në dosjet penale të krimeve elektorale të viteve 2016 apo 2017, si Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu etj”, thuhet në letër. /Sot.al/