LAJMI I FUNDIT:

Vintage, këndi londinez i Kërçovës

Vintage, këndi londinez i Kërçovës

Nëse rrjetet sociale përfaqësojnë jetën tonë virtuale duke na marrë një pjesë të konsiderueshme të kohës, lokalet janë ato që sinjifikojnë jetën tonë reale kolektive. Por edhe në këtë pikë, nuk mund të thuhet se gjërat kanë shkuar mbarë.

Si duket, ekziston një lloj tendence që gjërat të banalizohen, duke shkaktuar rrëmujë edhe në këto pak hapësira të komunikimit të drejtpërdrejtë në mes njerëzve. Megjithatë, gjithmonë ka një dritë në fund të tunelit. Këtu po sjellim një shembull pozitiv, që mund të jetë inspirim për shumicën prej nesh.

Në qytetin e Kërçovës ekziston një lokal që quhet Vintage Café. Një emër karakteristik dhe jo shumë i njohur për qytetarët e qyteteve të tjera. Ky lokal ka arritur të sinkronizojë semantikën e emrit me natyrën e vetë lokalit. Nëse “vintage” nënkupton cilësinë dhe origjinalitetin e gjësë, atëherë lirisht mund të themi se lokali në fjalë përfaqëson denjësisht emrin që mban. Vintage e ka thyer “rregullin” e të bërit dallim në mes “lokaleve shqiptare” dhe atyre “maqedonase”, sepse aty shkojnë qytetarë nga të gjitha komunitetet, maqedonas, shqiptarë, turq, romë e kështu me radhë.


Marija Lozanoska është autore librash. Ajo ka zgjedhur pikërisht këtë lokal për të promovuar romanin e saj të dytë dhe për të realizuar një set fotografish. Sipas saj, Vintage ka qenë lokali më i qëlluar, për shkak se ky ambient ndërthuret me vetë historinë e librit të saj.
Bashkëpunimi me lokalin Vintage filloi si rrjedhojë e foto-sesionit kushtuar romanin tim të dytë “Tjetra”. Kjo për shkak se enterieri i këtij lokali, ndërthuret në mënyrë të shkëlqyer me storjen e romanit. Ngjarja në roman zhvillohet në Londër, ndërkohë lokali posedon detaje të inspiruara pikërisht nga ky qytet, kështu që ndjenja përderisa je aty, është identike sikur të jesh në Londër. E zgjodha pikërisht këtë lokal sepse në radhë të parë vura re derën kryesore, e cila është e improvizuar në formën e një kabine telefoni të stilit londinez, por edhe për shkak të brendësisë së tij i cili të jep përshtypjen sikur ndodhesh në ndonjë qytet evropian. E kam patjetër të them se edhe shërbimi i stafit është i një niveli të lartë të cilët edhe projektin tim e pranuan me shumë kënaqësi. Bashkëpunimi me ta vazhdon edhe më tej, aty kemi xhiruar edhe emisione. Vazhdojmë të pimë kafenë tonë edhe atëherë kur duam të pushojmë, duke shijuar këtë ambient të jashtëzakonshëm.“, thotë autorja Marija Lozanoska.


Dardan Bajrami punon si menaxher në një kompani për transfer parash. Ai jeton në Shkup, por sa herë që shkon në Kërçove, pjesën më të madhe të kohës e kalon në këtë lokal.
Veten mund ta quaj si një ndër ato persona që kanë vizituar disa vende të Evropës dhe mendoj se edhe në aspekt të pikëpamjeve u përkas atyre njerëzve me mendësi kosmopolite. Periudha e studimeve në Vjenë për rreth 6 vite, më ka bërë të kuptoj se jeta është e bukur kur ka ndërthurje shijesh. Ky lokal është për të gjitha grup-moshat ku mund të ndjehesh rehat edhe nëse vjen me të afërm e familjarë”.

Ndërkohë, preferenca e Argjent Aliut, i punësuar në administratën e Komunës së Kërçovës, është që kohën e lirë ta kalojë duke diskutuar për ngjarjet politike.
“Miqtë gjithmonë më thonë se kohën që kalojmë bashkë për kafe, është pothuajse e pamundur që t’u ikim debateve, duke filluar që nga ato më të zakonshmet e deri tek ngjarjet aktuale politike. Për këtë arsye kam nevojë të ndodhem në një ambient pak më të qetë, ku në fokus do të jetë komunikimi mes miqsh, e jo toni i lartë i muzikës.”
Genc Mehmedi këtu është i angazhuar si kamarier, dhe rrëfen përshtypjet e tij në ambientin e punës:
Trajtimi që na bëhet këtu nga shefat është tjetërfare. Ndjehem i çmuar për punën që bëj, kjo është shumë e rëndësishme për motivacionin e një punëtori. Atë që do veçoja është ajo se në disa raste, fjala vjen, gjatë fundjavave, këtu shërbejmë me një veshje karakteristike, ja për shembull sot jemi veshur me një stil retro, të ngjashëm me atë të Çarli Çaplin-it”.

Nga ana tjetër, njëri nga pronarët e Vintage Café, tërheq një paralele në mes konsumatorit bashkëkohor dhe përmbushjen e kërkesave të tyre nga ana e këtij lokali.


“Vintage Café u hap si nevojë e kërkesës së avancuar të konsumatorëve. Ju e dini se sot klientela i përket një stadi tjetër, më të hapur nga pikëpamja e globalizimit. Nuk keni më klientë që vijnë nga rrethet apo qyteti dhe kaq. Ata në të shumtën e rasteve janë qytetarë që kanë lëvizur nëpër botë dhe kur vijnë në Kërçovë, kanë aftësinë dhe përvojën për të bërë krahasime të ndryshme me lokalet e kryeqendrave më të frekuentuara që kanë hasur gjithandej. Për këtë arsye, ne jemi munduar që të sjellim një lloj ambienti sadopak të përshtatshëm për ta, por edhe për të ofruar disa shërbime pak më speciale”.

Për kuriozitetin tuaj, një element shumë interesant që nuk ka se si të mos bie në sy, është një makinë e vendosur në mes të lokalit. Bëhet fjalë për një makinë shumë të vjetër e tipit Opel Olimpia, e prodhuar në vitin 1951. Kjo e njëjta është përdorur edhe në disa skena të filmit “Çlirimi i Shkupit” i regjisorit Danilo Sherbetxhija dhe Rade Sherbetxhija, një film që flet për një dramë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimin e Shkupit nga gjermanët.
Tashmë jo vetëm kërçovarët, por të gjithë ata që duan të vizitojnë këtë qytet të vogël por me shumë histori, kanë mundësinë të gjejnë qetësi në Vintage, një lokal me prestigj të lartë.