LAJMI I FUNDIT:

Serbia mban peng rreth dy miliardë euro të pensionistëve nga Kosova

Serbia mban peng rreth dy miliardë euro të pensionistëve nga Kosova

Fondi Pensional i Kosovës mbetet “i kidnapuar” nga Serbia që nga mbarimi i luftës. Kjo çështje, sikurse edhe shumë tjera, ka mbetur e pazgjidhur dhe e pa përfshirë në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dialogun që po e lehtëson Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesit e pensionistëve kërkojnë nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor që të bëhet presion mbi Serbinë që të zgjidhet çështja e kompensimit të pensioneve.


Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë. Ndërkaq, aktualisht llogariten se janë rreth 50 mijë pensionistë të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensim.

“Së pari, i jemi drejtuar Komitetit të Këshillit të Evropës, që në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg ta obligojë Serbinë që t’ua kthejë të gjitha pensionet, pensionistëve të Kosovës. Komiteti i Këshillit të Evropës e ka shqyrtuar kërkesën disa herë, kurse kërkesa e fundit është në shqyrtim e sipër”, thotë Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.

Pesimist për mundësimin e kthimit të Fondit Pensional shprehet Haki Berisha. Ai thotë se pavarësisht presioneve që po bëjnë autoritetet e Kosovës, Serbia nuk do ta kthejë borxhin.

“Serbia nuk respekton asnjë marrëveshje karshi Kosovës, madje as dëmshpërblimet e luftës”, thotë Berisha.

Kajtazi ndërkaq rikonfirmon premtimin e autoriteteve të Kosovës që kjo çështje të hyjë në agjendën e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Para 10 ditësh kam biseduar me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, dhe ministri ka iniciuar që përmes Qeverisë së Kosovës të forcohet kërkesa për shtrim në dialog të kësaj çështjeje”, thekson Kajtazi.

Ekspertë të çështjeve ekonomike theksojnë se kjo problematikë është dashur të zgjidhjet qysh moti. Naim Gashi shprehet se Serbia është nënshkruese e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e cila e njeh të drejtën e pensionimit.

“Kjo do të thotë se Serbia, përveç kthimit të Fondit Pensional me kamata (për mbajtjen e saj për 17 vjet) do të duhej njëkohësisht të fillonte të paguante të gjitha pensionet pensionistëve që kanë punuar. Por, unë mendoj se autoritetet vendore nuk kanë bërë mjaftueshëm që ta shtyjnë agjendën e kthimit të Fondit Pensional dhe fillimin e pagesës së pensioneve nga Serbia, as në bisedimet e Vjenës, as ato në Bruksel, por as gjatë bisedimeve me faktorin ndërkombëtar”.

Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën deri në dy miliardë euro. /REL/