LAJMI I FUNDIT:

”Zgjidhja e krizës është në duart e LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së”

”Zgjidhja e krizës është në duart e LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së”

Shumica parlamentare në Maqedoni e përbërë nga social-demokratët e Zoran Zaevit dhe dy partitë shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, përkundër deklarimeve thuajse të përditshme për emërimin e kryetarit të Kuvendit, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret.

Nga ana tjetër, OBRM-PDUKM-ja e Nikolla Gruevskit mbetet në qëndrimin se me të gjitha forcat e mundshme do të kundërshtojë zgjedhjen e kryeparlamentarit për shkak të, siç thotë, platformës shqiptare me të cilën pretendon se rrënohet karakteri unitar i shtetit.


Në fakt, edhe debati i dy ditëve të fundit parlamentar po zhvillohet në këtë frymë me akuza nga më të ndryshmet ashtu siç u përcoll edhe javën e kaluar, para festës së Pashkëve.

“Kjo platformë, që tani po na imponohet, do të thotë ndryshim i plotë i marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës së vendit dhe rrënimin e karakterit unitar të shtetit”, ka deklaruar deputeti i OBRM-PDUKM-së, Ilija Dimovski, i cili thuajse në çdo seancë përsërit të njëjtin qëndrim.

Pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga deputetët e Lidhjes Social-Demokrate.

“Nuk ka asnjë platformë, kjo që ju pretendoni nuk ka asnjë të përbashkët me realitetin. Në fakt, ishte lideri i juaj Gruevski që diskutoi pikërisht mbi bazën e kësaj platforme, por nuk arriti të formojë Qeverinë. Platforma e vetme e shumicës së re është programi mbi punën e Qeverisë”, është kundërpërgjigjur deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.

Partitë shqiptare kryesisht janë të përmbajtura dhe rrallë paraqiten me fjalime. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha të martën se problemi duhet të zgjidhet mes dy partive maqedonase meqë sipas tij, BDI-ja ka kryer pjesën e saj të përgjegjësisë.

“Përgjegjësia kryesore tani bie mbi dy partitë politike më të mëdha maqedonase, LSDM dhe OBRM-PDUKM, që ato të kapërcejnë veten dhe para tyre të vendosin interesat shtetërore. Bashkimi Demokratik për Integrim i ka bërë të gjitha veprimet e duhura që janë kërkuar dhe nuk çfarë të bëjë më tepër. Pra, vlerësoj se kjo më tepër varet nga mirëkuptimi që duhet të gjejnë dy partitë politike maqedonase. Zgjedhjet e parakohshme nuk i shohim si zgjidhje së gjendjes në të cilën ndodhemi”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se përgjegjësia është e të gjitha partive të shumicës së re, të cilat duhet të marrin masa për kapërcimin e shpejtë të krizës.

“Ata e kanë obligim kushtetues të formojnë institucionet e këtij shteti. Ata duhet të përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit. Po ashtu me procedura parlamentare në bazë të rregullores dhe Kushtetutës, duhet të propozohet dhe të votohet Qeveria e re. Vlerësoj se shumica parlamentare i ka të gjithë mekanizmat juridikë që të formojë Qeverinë, por mungon vullneti, pra duhet të ketë një guxim më të madh për kapërcimin e krizës”, thotë për REL profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti.

Konstituimi i institucioneve po kërkohet në vazhdimësi edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Ish shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt, të martën, apeloi për respektimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e organeve të reja shtetërore. Paraprakisht këtë e kanë kërkuar edhe përfaqësues të tjerë të BE-së dhe SHBA-së.