LAJMI I FUNDIT:

I vrarë prej çmimit Nobel!

I vrarë prej çmimit Nobel!

Nga: Fatbardh Rustemi

Pavarësisht titullit: “Kur sunduesit grinden”, lexuesi nuk sheh ndonjë grindje, ngaqë despoti shkarkon një zemërim të kontrolluar, duke ofruar një humanizëm të shtirur, ndërsa apostulli vetëpërmbahet me sforco, duke rrezikuar prestigj. Gjithsesi, shtjellat e penguara të shpirtit do e krijonin tallazin e mëpastajmë: më shumë si thashethemnajë, sesa një rrëmet fatesh njerëzore, ku më i fituar duket se del Stalini. Kush ia bëri këtë nder diktatorit? Sigurisht ata që urrenin të famshmin për hir të lavdishmit. “Njerëzit duken si të shtypur nga vetja e tyre, nga zbulimi i kreshnikut brenda vetes… Me plot gojën mund të thuhet se brenda secilit shpalosen dy revolucione, njëri i vetes së vetë, tjetri i përgjithshmi”, shkruan Pasternaku tek “Doktor Zhivago”. Kreshniku i ulur galiç në shpirtin e bolshevikut diktohet nga revolucioni i përgjithshëm, i cili priret nga grandomania, gjithnjë me koston e zvogëlimit të individit para turmës, duke favorizuar megallomanët dhe mitomanët.

Për të tillët Balzoku do thoshte: “Brenda një titani fshihet një xhuxh”. Kështu që: “Ecte vetëm treni, ndërsa koha mbetej në vend”. Historia e telefonatës së mistershme prej tre minutash e Stalinit me Pasternakun u amplifikua aq shumë, sa hamendjet morën përparësi, sikurse janë dhe 13 versionet e parashtruara në libër, ku investiguesi i mbush boshllëqet e fakteve me të vërtetat e jetës së tij. Kësisoj kemi një “mbivendosje pronarësh”: Pasternak-Kadare.


Nuk është pa shkak që pikërisht tani të vjen në mend libri “Refleksione” me bashkautorë: Edi Ramën dhe Ardian Klosin, ku miqtë shpallin secili armikun e tyre. Rama shënjestron Enver Hoxhën, ndërsa Klosi ka për target Kadarenë. Si një vazhdimësi kjo e dëshmisë së françeskanit at Zef Pllumi, i cili nuk e fsheh dakortësinë e tij kur bën publike një rrëfim të Trebeshinës: “Dëgjo Pater”, më tha Kasem Trebeshina, “tek ne, shteti ose Enver Hoxha, bëri Ismail Kadarenë: ashtu si dhe Ismaili bëri Enver Hoxhën. Mjerimi i vjen sot Shqipërisë nga këta të dy, për kultin e të cilëve shpenzohet një pjesë e mirë e gjithë buxhetit shtetëror”. Nëse në librat e shenjtë thuhet se Zoti e krijoi njeriun nga balta, kjo nuk i jep të drejtë askujt që ta përdori baltën në dëm të njeriut. Në çka referuam më sipër, rishfaqet binjakëzimi Stalin-Pasternak, në variantin shqiptar Enver Hoxha-Kadare. Për ta mbrojtur nga kritizerët partiakë, thoshim dikur se “Kadare është Enver Hoxha i letërsisë” dhe, mesa duket, rrëfimtarët e paskan marrë seriozisht këtë.

“Ti je i përshtatshëm për një akuzë dhe duhet të jetosh në maskën e një tjetri”, shprehet në librin e tij me kujtime Spartak Ngjela, i cili e njeh mirë terrorin psikologjik të instancave vigjilente të shtetit me mbështetje të denigruesëve, ku dallohen inferiorët e veshur me pushtet, të etur për gjyqe publike, që kishin për qëllim “pushkatimin moral”. Nuk gjen një të dytë nga Kadare që të jetë i përshtatshëm për një akuzë, si dje nga gallofët, po ashtu edhe sot nga mitomanët. Ndërsa për kushtin e dytë, të shpëtimit të vetes, duke jetuar në maskën e një tjetri Kadare e zgjidhi gjirokastritëshe duke i ofruar diktatorit “maskën korrigjuese” të cilën stalinisti e refuzoi, por që i shërbeu autorit për të shpëtuar kokën. Me këtë refuzim të diktatorit, shkrimtari del i dështuar në “bërjen” e Enver Hoxhës. Nëse do e merrnim të mirëqenë të anasjelltën se Enver Hoxhës ia paska arritur të bëjë Kadarenë, atij do t`i faleshin kushedi sesa kusure dhe do i ishim mirënjohës. Por, hapet një avaz: meqë Kadare qënkish investim i Hoxhës, po letërsia mediokre e realizmit socialist, bekimin e kujt pati?! Kush po ia bën këtë nder diktatorit? Gjithkush që e shet dogmën si “tezë shkencore” (në fakt, ishte CIA amerikane dhe MI6 angleze e cila shpenzoi miliona dollarë për botimin e miliona kopjeve të “Doktor Zhivagos”, sikurse loboi për t`i dhënë çmimin Nobel, Pasternakut).

E dashura e Pasternakut, Olga Ivinskaja, në librin e saj me kujtime “A captive of time” (Një robeshë e kohës) ka pohuar: midis Stalinit dhe Pasternakut ka patur një duel të heshtur, ndonëse i pabesueshëm në dukje. Kjo e dhënë lë të kuptosh se Zeusi bolshevik nuk duhet të ketë patur për objektiv të rrufeve të tij Mandelshtamin, por Pasternakun, pavarësisht se gjëmimat i sollën gjeminë të parit. Përjetimi i romanit si grindje sunduesish vjen për së largu, si një jehonë e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp”. Konkretisht: “Pse grindeni, more djem, u thotë të gjithëve. Pse s`i gëzoni në paqe të mirat e Olimpit? Kurse prapa krahëve, u fut spica të gjithëve”. Në librin “Kur sunduesit grinden” ky lloj spicaraku, kritizeri, nuk shfaqet por duhet marrë me mend, pasi është kjo lloj vemje, që i rrëzon shtyllat e tempulliut duke i brejtur, pa nevojën e Jasonit. Merimangës çdo ushqim që t`i japësh ajo e kthen në helm (sipas statistikave, më shumë njerëz vdesin prej pickimit të insekteve, sesa nga kafshimi i egërsirave apo i peshkaqenëve). Sa e sa vuajnë dhe vdesin pa e ditur se kush i vret, thotë Ayn Rand.

“Zeusi është shtylla, ti këtë e di. Armiqtë e tij kanë nisur prapë të lëvizin. Grindja midis jush, për fat të keq, u zgjoi shumë shpresa. Kanë nisur të venë prapë pas darkave si dikur… E sheh, pra, se grindja juaj ndodhi vërtet në një kohë të papërshtatshme?” Këto janë fjalët që Hermesi i thotë Prometeut duke i kërkuar pajtim me tiranin, por ky i kthehet: “S`ka mirëkuptim midis dy hyjnive, kur njeri gdhihet në shtratin me pupla e tjetri lidhur me pranga”. Këto pranga do viheshin së pari tek Mandelshtami, dhe më pas tek e dashura e Pasternakut, Olga Ivinskaja, derisa të vinte dita që nobelisti të shtrihej në krevatin e ngushtë prej ushtari, i vrarë prej çmimit Nobel. Galileut ia kursyen turrën e druve, por inkuizitori e shëtit në bodrumin e xhelatit, duke i treguar veglat e torturave.

Ishte Stalini, që, në mënyrë të njëanshme ndërpret bisedën, duke mbyllur telefonin me nervozizëm, ndërsa Pasternaku i fyer kërkon rilidhje telefonike me “malokun e Kremlinit”, gjë që i refuzohet. I shpërfillur merr pëlqimin e shefit të kabinetit, Haxhi Kroi në variantin shqiptar, nëse i lejohet që bisedën me sunduesin e parë t`ua bënte të njohur dhe të tjerëve. Mundesh, ishte përgjigjja. Është i rëndësishëm ky fakt, s`di pse anashkalohet që burimi i vetëm i gjithë atij treminutëshi është vetë Pasternaku. A mund t`i manipulonte ai të vërteta e telefonatës së mistershme? Fakti që ai la shteg të hidhen dyshime ndaj personit të tij, i bën nder pa shtuar dhe këtë tjetrën: deformimi i fjalëve të Stalinit ishte me kosto të lartë rreziku për të. Por, shkrimtarin e ndjek mallkimi i zotave antikë: ta thotë të vërtetën dhe ajo të mos i besohet. Përhapësi i vetëm i lajmit do e humbte rëndësinë rrugës, pasi gojë më gojë do shtoheshin versionet dhe ai do gjendje në pozita inkriminuese, me peshën e kryqit për t`u kryqëzuar. Edhe e shoqja e Osip Madelshtamit, Nadezhda, e cila ndalet gjatë në librin e saj “Hope against hope” (Shpresa kundër shpresës), e mëson ngjarjen nga goja e Pasternakut, por nuk ngurron të pyesë: pse Stalini telefonoi Pasternakun për arrestimin e kolegut të tij dhe jo një tjetër? Është interesante teksa lexon kujtimet e të dyjave grave, njëra nga pozita e gruas dhe tjetra nga ajo e së dashurës, mëdyshesh duke mos ditur se kush ngjit më shumë: vetëdija e së parës apo pasioni i së dytës?

Reagimet në shtyp ndaj librit të Kadaresë u përqendruan më së shumti të zbulonin se me kë është Kadareja: me Mandelshtamin apo me Pasternakun? Kot që lodheni: nuk është me asnjërin, veçse me të vërtetat e veta të cilat gjen rast dhe i përfshin në libër, duke marrë shkas nga telefonata e mistershme. “Nuk mund të shkatërrohet një mister, nëse nuk identifikohet krimineli edhe për njeriun me idiot”, shkruan Salman Ruzhdie. “Të vrasin shokët, se u bën hije”, do thoshte Mitrush Kuteli në një rast të ngjashëm. Kështu që vrasësit ndodhen rreth teje me identitete të fshehura. Nëse u bën hije, ata shndërrohen në hiena dhe të vihen pas si irenitë e antikitetit grek. “Atje në Peredjelkino, në katin përdhes të daçës së tij, i shtrirë në shtratin e ngushtë si prej ushtari, po jepte shpirt, i vrarë prej çmimit Nobel, Boris Pasternaku”, shkruan pretendenti për çmimin Nobel, Ismail Kadare, duke shkaktuar habi se si mund të vritesh prej famës duke u pasuar me pyetje: kush janë vrasësit “imagjinarë” të nobelistit? “Ku je, o i vrarë?”, do thoshte vlonjati në një rast të ngjashëm, ku vrasësi mund të fshihet pas krimit shtetëror apo marrëzisë kolektive. “Nëse do ta shkatërrosh një njeri, mvishi një faj”, thotë Ayn Rand. Përherë është më e lehtë të shkatërrohet një njeri duke i mveshur atij një faj, se sa të shkatërrosh një mistër, duke identifikuar kriminelin.

Askush nuk pyet se kush e vrau Pasternakun, por të gjithë duan të dinë se kush e internoi Mandelshtamin? Mandelshtami është internuar dy herë. E para pas telefonatës së mistershme të Stalinit me Pasternakun, ngaqë poeti ra prehë e një denoncimi. Sipas Nadezhda Mandelshtamit, denoncuesi i poetit dyshohet të ketë qenë Aleksej Tolstoi. Shkak u bë një pëllëmbë që shokët e Aleksejt, në prani dhe me pëlqim të tijin e fyen Mandelshtamin duke e goditur dhe ky e merr hakun tek Aleksej, duke e turpëruar në një mexhlisë elitarësh. E gjitha kjo dihet, thuhet, por nuk merret seriozisht, ngaqë insistohet se shtymën e fundit poetit ia ka dhënë kolegu, Pasternak, i cili dogji shansin që Stalini i ofroi atij për të shpëtuar poetin e arrestuar. Fill pas bisedës telefonike me Stalinin, sipas dëshmive të kohës, Pasternaku shkon tek Buharini në ndihmë të kolegut, i cili bëri shumëçka ta ndihmonte dhe ia arriti, ta shpëtonte nga së paku nga Gulaku.

Ndërsa sunduesit flisnin, Mandelshtami ishte me pranga në duar, sikurse Visar Zhitin kur e ëma trokiste derë më derë për ta shpëtuar. Një grup fshatarësh, një ditë të ftohtë dimri zbritën nga fshati Vilë për në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit, duke kërkuar lirimin e poetit Visar Zhiti. Kryetari i degës u tha: “Po më kërkoni ta liroj, por jeni në vendin e gabuar pasi unë kam në dorë vetëm çelësin e prangave dhe për mundin tuaj nuk do ia shtrëngoj fort. Çelësin e derës nuk e kam unë, çelësi i derës është në Tiranë, shkoni dhe merreni çelësin atje lart te Partia dhe unë do t’ua liroj mësuesin”. Pasternaku nuk kishte as çelsat e prangave, as çelsat e derës së qelisë. Poeti Visar Zhiti nuk mund të mos tërhiqej nga fabula e librit dhe, në një shkrim të tijin deklaron se Kadare është me Mandelshtamin dhe, për të na bindur, kujton nënën e tij, e cila i kërkon shkrimtarit: ta ndihmonte për ta shpëtuar të birin nga burgu dhe Kadare i keqardhur ndjehet i pafuqishëm për ta bërë këtë. Kjo dëshmi e Visarit nuk është provë e bindjes së tij se Kadare është me Mandelshtamin, për më tepër kur dy prej kundërshtarëve më të egër të tij kanë qenë nga radhët e shkrimtarëve të burgosur, si Kasem Trebeshina dhe Kapllan Resuli. Si Kadare dhe Pasternak kishin veçse “çelësat e kashtës”, kështu që mbi ta nuk mund të rëndojë pesha e kryqit.

Pas dy vitesh internimi, jo burgosje, Mandelshtami i kthehet jetës normale, duke shkruar dhe botuar, sikurse dihet edhe një poezi glorofikuese për diktatorin, “Odë për Stalinin”. Fatal për Osip Mandelshatamin ishte viti 1937 i njohur si Spastrimi i Madh, ku shkrimtarucë të provincës, “të shtypur nga kreshniku që mbanin brenda vetes”, e sulmuan poetin në shtyp, fillimisht në një gazetë lokale dhe më pas në ato qendrore të Moskës, duke e akuzuar atë për pikëpamje anti-sovjetike (kështu u sulmua dhe poeti Faslli Haliti, fillimisht në gazetën lokale “Shkëndija” të Lushnjës dhe në ato qendroret më pas, ku Ramiz Alia i del për zot dhe e lë në baltë).

Të gjithë merren me Pasternakun dhe askush nuk i përmend vrasësit e vërtetë të Mandelshtamit, shkrimtarucët të kudondodhur kur për ty bie ora e ligë. Në po këtë vit kur Mandelshtami u çua në internim, Bashkimi i Shkrimtarëve Sovjetikë kërkoi nga të gjithë anëtarët që të shtonin emrat e tyre në një deklaratë e cila mbështeste dënimin me vdekje të mareshalit Mikhail Tukachevski. Pasternaku refuzoi ta nënshkruante deklaratën, pavarësisht kërcënimeve. Po i dilte krah mareshalit, kur kishte lënë në baltë poetin? Thuhet se Stalini e ka hequr nga lista e ekzekutimit, Borisin, duke deklaruar: “Lëreni vetëm atë budalla të shenjtë”! Por, Spastrimit të Madh nuk do t`i shpëtonin miq të tjerë të Pasternakut (kur në Shqipëri u dënuan ushtarakët, Kadare shkroi poemën “Pashallarët e kuq” që i hapi telashe regjimit dhe atij vetë, sa të burgosurit politikë prisnin t`u bashkohej autori në qeli).

“Askush nuk e kishte ndërgjegjen të pastër, gjithsecili kishte arsye të plota ta ndjente veten fajtor, kriminel të fshehur, mashtrues ta pademaskuar. Me t`u paraqitur rasti, vetëdemaskimi shpërthente jashtë, i papërmbajtshëm, shpalosej deri në skajshmëri. Njerëzia fantazonte, i vërsulej vetes së vetë jo vetëm nga frika, por ngaqë e tilla ishte prirja e përgjithshme, e sëmur, për të shkatërruar, dhe bëhej me vullnetin e lirë të gjithsecilit, nga prirja e përgjithshme për të gjykuar veten”. Kjo ishte gjendja e kllapisë, e jermit: në kohërat e “terrorit të kuq” dhe të “terrorit të bardhë” gjatë Luftës Civile e përshkruar mrekullisht nga Pasternaku tek “Doktor Zhivago”. I gjithë ky gjykim i vetes nuk rezultoi si një katarsis. Duhej të kalonin shumë vite për të arritur tek “shkrirja e akujve” dhe “bashkekzistenca paqësore” që për Pasternakun do të rezultonin si vitet më të zeza për të.

Interesant është fakti që “komisar i popullit” gjatë Luftës Civile, i gjithë asaj batërdie që përshkruhet në roman ishte Trocki, ndërsa Stalini rrinte i tërhequr, duke pritur rastin e volitshëm t`i merrte të gjitha trofetë sikurse qe dhe ndërrimi i emrit të Caricinit në “Stalingrad”. Pikërisht në këtë atmosferë deziluzioni: “Ashtu vetiu, doktor Zhivago u gjend as me ta e as me këta. Nga njëri breg u largua, në tjetrin nuk u ankorua”, duke na kujtuar Grigor Melehovin e Shohollovit tek “Doni i qetë” i cili e hedh pushkën duke mos qenë me asnjërën palë. Pikërisht të mos qënit me “asnjë palë”,është më e rënda, nëse ti do anoje nga njëra anë. Këtë asnjanësi shfaqi i ndodhur midis Stalinit dhe Mandelshtamit. Ndërsa një personazh i Kadaresë shprehet: “Unë isha mbrojtësi dhe shkelësi i kufirit”.

Përkundër deheroizimit të Doktor Zhivagos apo Grigor Melehovit, Kadare shfaq një protagonizëm pa mëdyshje, sipas motos: respekto ligjet dhe shkel rregullat. Mbrojti autorësinë e Eposit të Kreshnikëve, sikurse shkeli parimet e metodës së realizmit socialist, themi ne që e duam. Ndërsa, kundërshtarët thonë se ai u bë beniamin i Hoxhës për një biletë avioni. Kadareja, nuk ka dilema, nuk ka mëdyshje, por nga pozita e mbrojtësit ai nuk u bë me dogmat, demodetë, por me autoktonin, sikurse nga pozita e shkelësit të kufirit ai nuk u bë me ekstravagantët, ekzibicionistët, sharlatanët, por me modernen dhe novatoren. Atë e diktonte talenti dhe jo bindjet. Kadareja nuk e kishte luksin që letërsia ruse i jepte Pasternakut, e cila bënte dhe pa “Doktor Zhivagon”. Kadare guxoi pa bërë trimin. Nëse ai do ishte vetëm “mbrojtësi i kufirit” do kishim një Llazar Siliqi. Nëse do bënte “shkelësin e kufirit” do shtohej edhe një Arshi Pipa të cilët të marrë së bashku janë shumë larg Ismail Kadaresë. Jo më kot, Dritero Agolli do e quante Kadarenë një fenomen, kundrejt të tjerëve që mjaftoheshin me një “talent i madh”.

Gjithsesi, në këtë mort shkrimtarësh nuk mund të mos tërheq vëmendje profecia e Mandelshtamit, i cili është shprehur: “Vetëm në Rusi poezia respektohet, duke marrë jetë njerëzish. A ka një vend tjetër ku poezia të jetë kaq e përshtatshme për një vrasje”? I ndërgjegjshëm për rreziqet që mund të vijnë prej poezisë, me një guxim prej të marri, ai shkruan kundër “malokut të Kremlinit”, e cila ende nuk mund të quhet trimëri përderisa është në dorëshkrim dhe ai ia lexon vetëm shokëve. Meqë fajet na i paska poezia, po i referohem vargjeve satanike të Mandelshtamit: “Rrojmë pa nuhatur vendin poshtë këmbëve tona…/ aty ndërmendim malokun kaukazian…/ dhe fjalët okë të rënda bartin të vërteta,/ qeshin mustaqet prej brumbulli dhe ndrisin kambalet e tij./ E përreth tij një zukanë shefash me qafë të hollë./ Përkënaqet me shërbime njerëzish gjysmakë./ Çdo vdekje për të është një trofe…!”Ky është portreti i Stalini i përshkruar nga poeti i barakës së internimit. Në çastet e prangosjes, zor se do t’i ketë shkuar në mend se tirani do ia falte gjithë këtë portretizim ferrian. Trofeja në duart e Stalinit tashmë kishte emrin e Mandelshtamit (Demjan Bjedni, poet agjitator, i spiunuar nga sekretari i tij, kishte shkruar në ditarin personal: “Nuk i dhuroj libra Stalinit se ai i bën pis me gishtat gjithë yndyrë”, gjithsesi ia kaloi paq).

Sipas Olga Ivinskajs, Mandelshtami ia kishte lexuar poezinë Pasternakut dhe ky i alarmuar i kishte thënë: “Unë nuk e dëgjova këtë, ju nuk duhet t`ma recitonit! Gjëra të tmerrshme dhe të rënda kanë për të ndodhur tani! Kam frikë se dhe muret kanë vesh, madje dhe këto stola në bulevard janë të aftë t`i dëgjojnë dhe t`i rrëfejnë këto. Kështu flaki, unë s`kam dëgjuar gjë”! Pasternaku e parandjeu tmerrin që pritej të ndodhte dhe kur ky ndodhi, bëri të paditurin: “Unë s`kam dëgjuar gjë” e barazvlefshme kjo me: “Unë pak e njoh atë”. Duke thënë që jemi të ndryshëm, ai pohonte një realitet artistik, pavarësisht se në kontekstin e ngjarjeve ky i daçës duket se e lë në baltë atë të barakës. Të ndryshëm nga që ishin të njëjtë në origjinën e tyre: hebreje.

Katër vjet më parë se të ndodhte telefonata e mistershme Stalin-Pasternak, e pretenduar kjo: si një shans i shkuar dëm në shpëtimin e poetit të arrestuar, kishte ndodhur një gjëmë edhe më e madhe, ku poezia kishte vetëvrarë fillimisht Eseninin dhe më pas Majakovskin. Edhe këta i vrau poezia, nga që shpirti i saj rebel nuk pajtohej me prozaizmin e dogmave dhe klisheve (në kohën e Carit veç Pushkinit dhe Lermotovit, u internua dhe Dostojevski etj.). Kështu që shkrimtarët dhe artistët i kanë të hapura llogaritë me të gjitha regjimet, qofshin ato dhe demokratike. “Gotën e hidhur të së djeshmes/ Me pikëllimin e sotëm e mbushim”, shkruan Pasternaku në një nga poezitë e tija.

Edhe Pushkini ka shkruar një poezi anti-car, i përmendur dhe në libër. Përplasja u shmang falë një miku të përbashkët të carit dhe poetit, i cili në çastet e bastisjes së policisë zëvendësoi në dorëshkrim emrin e car Aleksandrit me atë të Napoleonit. Me sa duket ky rol i kërkohet edhe Pasternakut. Lermontovi internohet për poezinë kushtuar vdekjes së Pushkinit me vargje si këto: “Grumbulluar rreth një froni, ku lakmitari dhe xhelati vret lirinë, gjeniun dhe lavdinë”. Shihni aleancën e “lakmitarit” me “xhelatin” të cilët vrasin tre njëherësh: “lirinë”, “gjeninë” dhe “lavdinë”, me të cilat është gatuar shpirti rebel i poetit (në vitin 1977, një austronom rus zbuloi një planet të vogël, të cilit i vuri emrin e Osip Mandelshtamit). Tek “lakmitari” janë shokët që të vrasin, ngaqë u bën hije, ndërsa tek “xhelati” po dihet: tirani, diktatori dhe autokrati të pretenduar si të lavdishmit. Dueli i përjetshëm i të lavdishmëve me të famshmit është përtej kohërave dhe regjimeve. “Nuk pata presion vetëm nga shteti, por dhe nga kolegët e mi. Presionet e ushtruara nga shkrimtarët ishin të tmerrshme. Ata nuk pranonin një letërsi të re”, shkruan Kadare në librin “Kohë barbare”.

Gjatë leximit të librit të ndjek pyetja: si mundet që një kurorëzim aq i lakmuar, sikurse çmimi Nobel, të të kthehet ty në një dënim kapital? “I shtrirë në shtratin e ngushtë si prej ushtari, po jepte shpirt, i vrarë prej çmimit Nobel, Boris Pasternaku”. Vdiq apo e vranë? Në skicën “Prometeu” e vitit 1990, Kadare shkruan: “Natyrisht që në netët e mija të pagjuma përpiqem të mbrohem me anë dialogësh apo fjalimesh të përfytyruara përpara turmës njerëzore. Në qoftë se unë do të hiqja dorë nga çdo kujdes për të mbrojtur veten time, për një bujë apo skandal të çastit do të vetëshkatërrohesha, ç`shpresë do të mbetej për ju? Vuaj në heshtje, në kohën që të tjerët më dinë të lumtur”. Fakti që shkrimtari lihet i vetëm përballë turmës dhe, në kushtet e braktisjes sonë bën gjithçka për të shpëtuar veten, lind pyetja: ku ishe ti Adam? Duhet t`ia njohim vetes këtë dobësi të pështirë: përherë bashkë për të rrëzuar tjetrin dhe secili sheh bythën e vet, kur tjetri shkon në gijotinë. Kjo nuk është kuturisje, me shtysa të dyshimtë narcizmi, se bashkë me mua shkatërrohet dhe shpresa juaj, në fakt, ky është një shans që të jepet ty: për t`u bërë më stuhinë dhe jo me qoshen e ngrohtë. “Të vërtetën e kërkojnë vetëm vetmitarët, vetëm ata janë të zotët t`i presin lidhjet me njerëzit që s`e duan mjaftueshëm të vërtetën”, shkruan Pasternaku tek “Doktor Zhivago”, duke i dhënë zemër stoicizmit të tij (Nëse krahasojmë poezinë e Mandelshtamit kundër “malokut të Kremlinit” me dënimin që Hrushovi i bëri Stalinit duke dënuar krimet dhe kultin e tij, sikurse i dogji dhe kufomën, vihemi përpara një realiteti të çuditshëm ku Hrushovi na del më anti-komunist dhe më anti-stalinist nga Mandelshtami?! Por, habia shtohet kur mendon që Pasternaku u dënua njëherësh me Stalinin?! Është koha, kur flitej për “shkrirje të akujve”, ndërsa shkrimtari ngriu kallkan në daçën e tij?).

Nëse do ta shijosh librin e fundit të Kadaresë “Kur sunduesit grinden” duhet t`i rikthehesh novelës “Muzgu i perëndive të stepës”, në mos dhe “Eskili, ky humbës i madh”, pasi raporteve të shkrimtarit me tiranin i duhen bashkëngjitur dhe ato me vendin e tij, të cilat kanë këtë dimension dramatik: “Ti, i vetëm, përballë vendit tënd, që të shan e të ulërin mu në fytyrë, me urrejtje dhe dashuri të bërë njësh”, shkruan Kadare për Pasternakun i demonizuar në vendin e tij. E nënvizojmë: “i vetëm përballë vendit tënd” (Mandelshtami mbeti i vetëm përballë tiranit, ndërsa Pasternaku i vetëm përballë vendit të tij. Kush është më i nëmuri?).

I vetmuar ishte dhe Eskili, i cili e lëshon veten deri në këtë pikë: “Do t`i digjte dorëshkrimet që kishte në shtëpi, projektet, skicat e tragjedive të ardhshme, gjithçka, gjithçka. Në djall të vente Greqia (lexo: Shqipëria) bashkë me grekërit (shqiptarët). Vend zemërngushtë, mosmirënjohës, kujtesshkurtër. Ai qe përpjekur ta bënte të pavdekshme, po ajo s`e meritonte. Ai donte të ikte sa më larg që këndej… Do të merrte arratinë”, shkruan Kadare tek “Eskili, ky humbës i madh”, duke paralajmëruar dhe ikjen e tij.

Në diktaturë njihej “pushkatimi moral”, ku ti i demaskuari e shtyje jetën, si një i liruar me kusht. Janë të njohura mbledhjet autodafe kundër shkrimtarit, linçimet masive kundër tij. Quhej i përkëdhelur, pse nuk përfundoi si Mandelshtami, pasi vuajtjet nga pozita e Pasternakut i njihen si privilegje. Mitingjet kundër Pasternakut për të refuzuar çmimin Nobel ishin përballje me vendin e tij, ndërsa telefonata treminutëshe kishte për viktimë Mandelshtamin përballë Stalinit. Pra, vala goditëse kundër poetëve vinte nga drejtime të ndryshme, por që i ndjek i njëjti fat: Mandelshtamin e vret poezia, sikurse e kishte parashikuar, ndërsa Pasternakun, edhe më keq: çmimi Nobel. Të parit i respektohet vuajtja, ndërsa të dytit i shpërfillet ajo ngaqë i shpëtoi burgut, kështu që “baraka e internimit” shfaqet si kontrast fajësie ndaj “daçës” së tij. Sepse askush nuk llogaritë dëmet e “pushkatimit moral”, i mbledhjeve autodafe.

Nevoja për një bashkëshoqërim librash, në rastin tonë “Kur sunduesit grinden” me “Muzgu i perëndive të stepës”, shton këndvështrimet ndaj autorit, rrit shkallën e vrojtimeve, ballafaqon Ismailin e djeshëm me Kadarenë e sotëm dhe brenda teje shtohen shanset për të qenë i drejtë me të. Duhet pranuar që Kadare është shkrimtari, që i hyhet kollaj në hak. Kënaqësitë më të mëdha Kadare i ruan për ata që dinë të futen në të fshehtat e tij, nëse duan të shkatërrojnë misterin e mveshjes së fajit. Nëse ambiguiteti i kohës së diktaturës i shërbente autorit për t`u mbrojtur nga “kokëtrashët e regjimit”, ambiguiteti i sotëm vazhdon të jetë një masë mbrojtëse ndaj sojit të “lëmimit idjotesk”.

Edhe në kohën e “lirisë së fjalës” ambiguiteti nuk dilka jashtë kohe? Kohërat mund të zbuten, por egërsia ndaj një shkrimtari shtohet në vartësi të suksesit. Një regjim i dështuar ka një mori dështakësh, të cilët: me verbërinë e tyre qorrollepsën popullin, ndaj prania e një të famshmi ua bën edhe më të hidhur rrëzimin, për më tepër që: “Mjerimi i vjen sot Shqipërisë nga këta të dy (Enver Hoxha-Ismail Kadare) për kultin e të cilëve shpenzohet një pjesë e mirë e gjithë buxhetit shtetëror”. E thënë ndryshe: na e rrëzuat të lavdishmin tonë, atëherë pse të mos rrëzohet dhe i famshmi juaj, për më tepër që nuk e honepsin dhe këta të përvuajturit? Sepse: “Një monument unë ngrita, që duart dot s`e ngrenë. Një monument ngritur jo duarsh, por shpirtrash, thotë poeti. Pra, një shtatore që kurrkush s`e sheh, veç budallenjve”.

Është fjala për monumentin që poeti i ngre vetes qysh në ngjallje, ngritur veçse me shpirt, ndërkohë që duart e skulptorëve gdhendin dhe derdhin në bronz monumente pseudosh e tiranësh. Kërkon përgjigje pyetja: pse të vetmit që e shohin këtë statujë shpirtrash, na qënkshin budallenjtë? Njësoj si të pyesësh: pse mbretin lakuriq e pa vetëm fëmija? Nuk është se të tjerët nuk e shohin, por ndryshe nga budallenjtë, shejtan budallenjtë nuk duan ta pranojnë. “Secili ëndërronte ta shëmbte shtatoren e tjetrit, për të ngritur të vetën.”-Kadare “Kur sunduesit grinden”. Sa qesharake ta mendosh, pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, turma të kërkonte rrëzimin e monumenti të poetit! Ku do ta gjente? “Një monument ngritur jo duarsh, por shpirtrash.” Në fakt, demonstruesit mbanin në duar portretin e shkrimtarit Ismail Kadare, duke dëshmuar para gjithë botës se shkrimtari ishte njësh me ta. Edhe Pasternaku vetë do t`ia kishte zili këtë fat, Kadaresë.

Autori në një kapitull të librit risjell në vëmendjen tonë historinë e botimit të novelës “Muzgu i perëndive të stepës”, përballjen me redaktorin e trembur dhe frikën e tij si autor, pasi e di se çfarë kontrabandon mes rreshtave. I mësuar të kalkulojë mesazhe për shoqërinë e së nesërmes, ai luan me rrezikun. “Një ditë i kisha bërë pyetjen vetes: po ty, pse të tërheq aq shumë ai triminutsh?”-i bisedës telefonike të Stalinit me Pasternakun. “Si mund të shpjegohej kjo xaxa ime: nderim, qoftë dhe i tërthortë, bashkëtelefonuesish, për njërin prej të dyve, Pasternakun apo, ruajna Zot, për Stalinin. Apo ndoshta një mister që lidhej ndoshta me njërin prej tyre. Me të dy, ndoshta. Për të mos thënë me mua vetë”.

Pra, xanxa e interesimit për bisedën triminutshe, sikundër e thamë më herët: ka si shtysë veten. Indirekt ndjehet i përfshirë në atë ngjarje, sikur me qenë ngjarja e tij. Pretendim i ekzagjeruar apo një përfshirje e natyrshme? Për mua ky mbetet një nga librat më të vështirë të Kadaresë për të qenë i besueshëm, sepse fut aq shumë nga vetja, ku lë përshtypjen, sikur i manipulon ngjarjet në interes të martirizimit të vetes, kur kundërshtarët nuk rreshtin së akuzuari si posedues privilegjesh. “E njëjësoja apo s`e njëjësoja vetveten me Pasternakun?”, ishte e vetmja gjë që shqetësonte redaktorin e novelës “Muzgu i perëndive të stepës”. Dhe ja përgjigja: “Në të vërtetë po të vinte puna te ngjashmëria (midis Moskës dhe Tiranës) shumë gjëra ngjanin, për të mos thënë gjithçka. Dhe ishte e kuptueshme, kishim qenë kaq kohë një familje. Me të njëjtat zakone, huqe, quaje si t`i doje… Le të ngjanin sa të donin, gati sa s`thirra me zë. Thelbi ishte… Kryesorja ishte që unë të mos ngjaja. Unë të mos ngjaja, përsërita me vete. Me Pasternakun dhe me askënd”.

Cili origjinal do t`i lejonte vetes: fatin e kopjes? Dhe e vetmja gjë ku ai, me kalimin e kohës, mund të ngjante me sivëllaun e tij do qe çmimi Nobel, gjithë përngjashmëritë e tjera edhe sikur të përputheshin, nuk do sillnin ndonjë konfigurim të ri. Nëse do të pranonim versionin e ngjashmërisë me Pasternakun, gjithë përputhjet e tjera kalojnë në plan të dytë dhe libri nuk do të ngjallte interes. (Ramiz Alinë po e quanin Gorbaçov). A është Kadare një viktimë e mundshme e çmimit Nobel, duke e mbajtur tiro pas tij, prit e s`ka? Fatmirësisht, rreziku për të qenë një viktimë për Kadarenë, ka kaluar njëherë e përgjithmonë. Ai u mësua të shohë poshtë këmbëve ata që deshën ta vinin në gjunjë. Çështja nuk shtrohet më se sa krenar është ai me veten e tij, por se sa krenar bëhemi ne nga të qënit ai një shkrimtar i madh, i famshëm? Të mos harrojmë, dërgatën e shqiptarëve, që, me një ndjenjë të lartë lehtësimi, i çuan Viktor Emanuelit III, kurorën e mbretit të Shqipërisë, vetëm e vetëm që ajo kurorë të mos ishte në kokën e bashkatdhetarit të tyre.

“Muzgu i perëndive të stepës” dhe “Kur sunduesit grinden” duhen marrë si vazhdime të njëri-tjetrit, sepse kështu hidhet dritë në qëllimin final të librit, i përforcuar me detaje autobiografike. Ajo që i bashkon të dy librat është Moska dhe Pasternaku. Libri i parë u botua në vitin 1978 dhe autori shkruan për ngjarjet në vitin 1958, kur Ismaili ishte student në Moskë, i cili kujton mitingjet e studentëve kundër Pasternakut, si dhe presionin në rritje për të refuzuar çmimin Nobel. Libri i dytë u botua më 2018-ën për vitin 1934, i fokusuar në telefonatën e mistershme të Stalinit me Pasternakun. Studenti i dikurshëm tani është një shkrimtar me famë botërore. Çuditërisht, mitingjet anti-Pasternak bëheshin në një kohë kur luftohej “kulti i Stalinit” dhe autori i përshkruan ngjarjet nga një vend si Shqipëria e cila kishte refuzuar të zbutej në stalinizmin e saj. Meqë libri i parë u shkrua në diktaturë dhe i dyti tani në demokraci, u takon kritizerëve të shkrimtarit, të gjejnë se ku dallon “Muzgu i perëndive të stepës” me gjasa i realizmit socialist me “Kur sunduesit grinden” të letërsisë së sotme e pretenduar postmoderniste?

Në librat e Kadaresë nuk gjen as socrealizëm as postmodernizëm (nuk ishte Gorki ai që shpiku metodën e realizmit socialist, por një aparatçik si Zhdanovi; romani “Nënë” i Gorkit është sikurse “Dasma” e Kadaresë, pa peshë në korpusin e krijimtarisë së tyre). Kadare s`ka luhatje në sqimën e tij, s`ka preferenca izmash, duke qenë përherë novator në tradicionalen e vet. Ndryshimet e kohërave, me metamorfoza apo me “xhaketa të kthyera”, janë protagonizma hileqarësh. Kadare shkruan sikurse ka shkruar, kështu që stili i shkrimtarit triumfoi mbi metodën. Dhe, kjo është një fitore e madhe personale e lirisë së tij, falë fuqisë hyjnore të talentit. Të tjerët që s`arritën ta fitonin betejën me metodën, ta shohin të keqen tek pafuqia e talentit. Metodat janë për përdoruesit dhe jo për eksploruesit. Të ishte prej metodës Magelani duhej të shkonte në Indi, por shpirti i aventurës e çoi në Amerikë.

Ajo që i bashkon “Muzgun e perëndive të stepës” me “Kur sunduesit grinden” është fati i dy shkrimtarëve “të vetëm përballë vendit të tyre, që i shan, i ulëret mu në fytyrë me urrejtje dhe dashuri të bërë njësh”. Pasternakut: “Ktheje atë çmim të nëmur (Nobelin) sa s`është vonë” dhe vazhdon si jehonë tek Kadareja: “Ktheje atë helm sa s`është vonë”. Kështu ishin sjellë dhe grekërit me Eskilin. E vështirë të gjesh se kush rëndon më shumë, linçimi i vendit apo tërbimi i diktatorit. Pasternaku e pësoi prej linçimit, ndërsa Mandelshtami prej tërbimit. Që të dy janë viktima, por të parit i kujtohen vetëm privilegjet, ndërsa të dytit vuajtja. “Kur njerëzit nuk janë të lirë gjithmonë idealizojnë skllavërinë e tyre”, shkruan Pasternaku. Sot nuk ka pikëllimë më të madh sesa kur sheh skllevër në liri, të cilët i mban peng e kaluara. Ky soji erdhi në kohën e re duke përfituar nga “revoluvioni i përgjithshëm”, duke mos patur brenda vetes “revolucionin e tij”, që për disa vegjetohet si evolucion: prit gomar të mbijë bar.

Që Kadare ta meritojë përfshirjen në bujën e asaj telefonate të mistershme i duhet karta morale. Dhe ja testi: “Ke qenë në atë miting? Ke uluritur kundër tij (Pasternakut)? Asnjëherë. Ç`bëje ndërkaq, kur të tjerët ulurinin? Vështroja një vajzë të përlotur. Kujtoja se ishte mbesa e tij. Ti vjen pas kaq vitesh për ta parë përsëri? Të duket se mitingu vazhdon? Ndoshta… Në Moskë a në Tiranë është e njëjta zhurmë që s`rresht”. Po në Tiranë kundër kujt? Kuptohet vetvetiu kundër pretendentit për Nobelin. “Në një nga ëndrrat, pasi e kalova duke u zvarritur në Sheshin Pushkin, i gjeta shumicën e studentëve në miting. Pothuajse e dija, megjithatë s`mund të them se nuk u befasova kur pashë në pankarta emrin tim. E fill pas kësaj, nisa të dëgjoj përherë e më qartë klithmat kundër meje”. Siç shihet në qendër të sulmeve është herë rusi dhe herë shqiptari, ku ngjarjet janë po ato veçse ndryshojnë kryeqytetet. Dhe, ku bazohet kjo ngjashmëri me njerëz dhe ngjarje reale? “Dhe s`mund të thosha se s`kisha punë me të (Pasternakun). Ne të gjithë kishim patur punë me të. Dhe do të kishim gjithmonë ngaqë ishim i njëjti fis, ai i shkrimtarëve”.

Në novelën “Muzgu i perëndive të stepës” Kadare tregon se si gjendej midis Pasternakut dhe shtetit komunist, ku i duhet të zgjidhte: “Ose me poetin kundër shtetit. Ose me shtetin kundër poetit. Ose asnjanës, me askënd”. Në novelë, “perënditë e stepës” janë në muzgun e tyre, në rënie. A është i përfshirë dhe Pasternaku në rënien e “perëndive të stepës”? Pasternaku ishte në muzgun e jetës dhe në agim e veprës së tij. Si mund të dyshohet se Pasternaku ishte kundër Mandelshtamit duke mbajtur anën e shtetit, kur në pozitën e kolegut do të gjendej dhe ai vetë, në mos më keq? “Në një mbledhje të përfytyruar të krejtë kampit socialist, ende të papërçarë, pas fjalëve: shokë, shtete, vende vëllezër komunist, na ka dalë një hall i madh me një poetin tonë, të përkëdhelur nga borgjezia botërore. Na jepni një këshillë ç`duhet të bëjmë me të?”, shtron pyetjen shkrimtari duke vënë në plan të parë veten, ngaqë nuk vuan nga kompleksi i modestisë fallco.

Pasternaku vdiq atë mot, kur Shqipëria u shkëput nga “kampi socialist”, i vrarë nga çmimi Nobel. “Një shkrimtar ka vdekur, i cili së bashku me Pushkinin, Dostojevskin dhe Tolstoin bëjnë pjesë në lavdinë e letërsisë ruse. Ne mund të mos bjemë dakort me të në çdo gjë, megjithatë të gjithë ne i jemi borxhli në mirënjohje dhe të një shembulli nderi të palodhur, për ndërgjegjen e pakorruptueshme, për figurimin e vetes në detyrën heroike të shkrimtarit”, janë fjalët përcjellëse këto të profesor Asmus, në varrimin e Pasternakut, në kushtet e një përgjimi policor. Përmendur kjo referencë në librin “A captive of time” të Olga Ivinskajs. “Një zemër e korruptuar nuk dua të më dojë”, shprehet një nga personazhet e Molierit në komedinë “Mizantropi”. Veçse një ndërgjigje e pakorruptuar si ajo e Pastërnakut mund të shkruante kështu: “Nuk njoh doktrinë tjetër që të qendrojë aq shumë e mbyllur në vetvete, të jetë aq larg fakteve, sa marksizmi. Ç`nuk bëjnë për t`i kthyer krahët së vërtetës”, dhe për pasojë kemi këtë reflektim: “Revolucionin e kam ngrohur prej vitesh me shpirtin tim, tani kam mendimin se me dhunë asgjë nuk arrihet”. Nëpër këdo dy faza, “ngrohja e revolucioni me shpirtin tim” dhe të distancimit nga dhuna e tij, shtrihet e gjithë jetë e Pasternakut, duke hedhur tej peshën e kreshnikut i ulur galiç në shpirtin e njerëzve, përkundër Majakovskit, që e pësoi nga dvojniku.

“- Daja yt thotë për Pasternakun (Kadarenë) fjalët më të zeza, apo jo?

Alla bëri ‘po’ me kokë.

– Për Stalinin (Enver Hoxhën) ai gjithashtu thotë fjalët më të zeza, a?

– Po -tha Alla hutueshëm. – Kurse Pasternaku vetë flet zi e më zi për Stalinin. Domethënë daja yt (Trebeshina, at Zef Pllumi, Klosi, Lubonja, Resuli) dhe Pasternaku (Kadare) kanë të njëjtin mendim për Stalinin apo jo? Atëherë, në bazë të këtij silogjizmi të thjeshtë, daja yt dhe Pasternakun nuk duhet ta urrejnë njëri-tjetrin, përkundrazi?

– Ohu – ia bëri ajo. – Është një mishmash i tillë në vendin tonë.” (Ismail Kadare “Muzgu i perëndive të stepës”) Ky mishmash vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sado i pashpirt që të tregohesh, inkuizitor qofsh apo jezuit, mitoman apo megalloman, kritizer a vesveseli, nuk ke për ta rrëzuar kurrë monumenti e ngritur me shpirt. Çdo gjë tjetër e ngritur me duar, mund ta rrëzojnë duart. /Revista “ExLibris”/