LAJMI I FUNDIT:

Skënderbeu dhe flamuri kuqezi nën mistikën e numrit “33” – simbolit të masonëve!

Skënderbeu dhe flamuri kuqezi nën mistikën e numrit “33” – simbolit të masonëve!

Albert Hitoaliaj

Në vitin 1468, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut, Ferdinandi i Aragonës i dërgon një letër së vesë së Heroit. Me këtë rast, në letër shkruhet “Scandalibech”. Serembe mendon se kemi të bëjmë me një kriptogram të jashtëzakonshëm…

“Scandalibech” është një fjali konvencionale, e cila duhet ta shpërthejë substancën e saj në secilën germë në vetvete, germë nismëtare, kuptimore, kumtmbartëse. Gjithë misteri lidhet me lehtësinë e të lexuarit nga e djathta në të majtë, pra në të kundërt, sipas leximit arab dhe jo atij latin.


Kemi të bëjmë me këto germa iniciale të mëdha : H. C. E. B. I. L. A. D. N. A. C. S.
Duke plotësuar germat nistore me fjalë latine, formojmë përfundimisht, ultimisht, konkretisht, fuqimisht, lehtësisht, mrekullisht dhe marrëzisht, këtë fjali : HUMILITER CORNU EPISTOLAE BARBARIS IN LOCO ANGUSTO DOMINI NOSTRAE ALBANIAE CELAT SEPULERUM. Një përkthim i lirë i kësaj latinishteje hieronimase, na njofton se Zoti i Shqipërisë (pra Gjergj Kastriot Skendërbeu) e ka të vendosur salmën (kufomën) në një vend të ngushtë pranë altarit, në krah, ku lexohet Epistula.

Cila Epistula (Letra)? Një Epistula biblike si ato të Shën Palit, apo një Epistula Testamentum, e vetë Skënderbeut?

Serembe nuk e ftillëzon enigmën e Epistulas. Këtu nis terri. E padepërtueshmja. Mbase Serembe ishte frymëzuar nga Kabala, ku kombinimi i germave përfton krijesa fantazmagorike. Një shkrimtar entuziast do ta besonte, do të thurte subjektin tronditës, ku përtej të Pabesueshmes gjallon e Besueshmja.

Por, një shkrimtar i tillë nuk ka lindur ende. Për fatin e mirë shkrimtarët mediokër janë indiferente, trillet e dijes për ta janë kotësi shqetësuese, bezdisëse. Serembe shpiku një ide, bëri piedestalin për një monument të mangët, parashtroi, por nuk vërtetoi. Këmbënguli, por nuk gjeti dot asgjë. Hodhi një fishekzjarr, por terri nuk u tërhoq. Parandjeu, bëri një nisje, por nuk arriti. Skeptikët nuk guxuan ta mëshironin, as ta përkëdhelnin. Skënderbeu i gjallë ishte pa varr. Por, edhe pas vdekjes nuk i duhet varri. Varri? Një rrobë e gardërobës funerare? S’ka nevojë heroi për këtë rrobë simbolike” (Moikom Zeqo, Vdekja e Gjergj Kastriotit, Tiranë: Zenit, 2018, f. 40-41 ).

Ky fragment kaq grishës, i shkëputur nga botimi i studiuesit Moikom Zeqo, gërsheton në brendësi mistiken me tokësoren. Moikomi ngjan si një “orakull” i lashtë i dheut të tij. E interpreton kohën në një mënyrë të harruar: zbërthen simbolikën, dhe nga ana tjetër u vendos simbole orientuese ngjarjeve, personave, historisë. Përmes stilit të tij të veçantë, ai arrin të zbulojë një gjeometri krejt të paparë të realitetit, me trajektore mistike, që pikëpriten dhe na japin figura që mund të dallohen vetëm me kaleidoskopin e tij. Këtë grafikë të padukshme ai e zbulon edhe te Serembe. Skicën që portretizon anën e padukshme të historisë, atë matanë perdes së tokësores, që ka lidhje me Heroin tonë kombëtar, Moikomi e beson. Sikundër edhe Serembe. Por, a mund të ekzistojë një shkencë sekretesh, e cila të flasë përmes gjuhës së enigmave historike? Ngjan se këtë gjuhë enigmash, Moikomi, e sheh si ndonjë frymëzim të mundshëm të Serembes, nga “Kabala”. Ky pikëshikim meriton vëmendje.

Ndoshta do të duhej një hulumtim më i plotë mbi dimensionin mistik të Gjergj Kastriotit. Por, teksa përmendet, me vend, Kabala si misticizëm linguistik, për të krahasuar këtë enigmë linguistike, mundemi që këtë nivel misticizmi mbi Skënderbeun, ta kërkojmë edhe te “Gematria”. Pra, enigmën linguistike, të përpiqemi ta kryqëzojmë me mistikën numerike. Të kuptohemi drejt: nuk është aspak përpjekje për të gjetur “lidhje” të Skënderbeut me Kabalën apo Gematrian, në vetvete. Gematria është një nga mënyrat hebraike për të zbuluar kuptimet e fshehta të teksteve kanonike etj., përmes tjetërsimit të germave në numra. Çdo germe i përket një numër i caktuar. Metoda e përllogaritjes numerike të germave, e përdorur nga hebrenjtë, ka si përdorues më të lashtë akoma, grekët e vjetër dhe babilonasit. Kjo është numerologjia, e cila lidh në një sistem të vetëm, hyjnoren me tokësoren; universin e brendshëm të njeriut me universin e yjësive. Nëse në fillim ishte Fjala/zëri/tingulli, në zemër të këtij vibrimi të pashtershëm universal qëndronte, qëndron dhe do të qëndrojë numri.

Numri, vibrimi dhe gjeometria universale apo e shenjtë – këta janë tharmi i një trinie të pakohë, e cila, përshkruhej kështu nga Pitagora: “Numri sundon gjithësinë”. Ky sundim universal na bën të barabartë: njerëz edhe yje, nën një parim unik universal, nën një ligjësi të vetme, nën një skicë të pandërprerë gjeometrike universale. Në thelb, kjo është studiuar në tërësi nga shkollat e mendimit ezoterik, përmes sistemeve të tyre të njohurive okulte.

Mora shkas nga interpretimi i Serembes prej Moikomit, i cili ngacmon këtë metodologji “kabaliste” të gërmimit për kuptimet e fshehura, për të sjellë në vëmendje disa përkime numerike rastësore (?!) që lidhen me figurën e Gjergj Kastriotit.

Numerologjia njeh përdorime sistemesh të ndryshme. Sistemi kaldeas apo kaldean, është sistemi më i lashtë i numerologjisë. Kaldeasit apo babilonasit e dikurshëm përparuan shumë në artet e praktikës së magjisë dhe studimit të çështjeve magjike të natyrës. Ata u thelluan shumë në studimin e astronomisë për të arritur zbulimin e të ardhmes përmes yjeve, gjë që ne e quajmë astrologji. “Bab-ilu”, Porta e Perëndisë, apo Babeli i famshëm i kullës së përprishjes të gjuhës së njeriut, i përket kësaj popullsie, e cila përdorte këtë sistem numerologjie. Sipas këtij sistemi numerologjie, germat konvertohen në tetë numra, nga njëshi deri te teta – numra të cilët përputhen me sistemin diellor babilonas, i cili njihte tetë planetë, përfshirë këtu edhe Hënën. Numri 3 i këtij sistemi është ai që i përket Jupiterit.

Nëse llogarisim sipas kësaj mënyre, shkurtesën GCS (Georgius Castriotus Scanderbeg), del numri 333 dhe totali 9; ndërsa po sipas kësaj mënyre llogaritjeje, nga emri Scanderbeg del numri 33. Emri “Skenderbe” jep numrin 33. Emri “Iskanderbeg” jep edhe ai numrin 33, kurse “Georgius” jep numrin 30, që është përsëri rrjedhim i numrit tre, por bashkëtingëlloret “G” dhe “S” që hapin dhe mbyllin emrin, krijojnë numrin 33. Nëse do të kërkonim një numër që do të ishte simbolik për Skënderbeun, sipas kësaj mënyrë përllogaritje, ai do të ishte numri 33.

Më datë 28.11.1443, Skënderbeu ngriti flamurin më shqipen dykrenore dhe mbolli idenë e pavarësisë shqiptare, e cila do të vulosej në po të njëjtën datë, në vitin 1912, nga më i famshmi prej fisit Vloraj, Ismail Qemal bej Vlora. Nëse shohim datën e parë të ngritjes së flamurit, numrat e saj të mbledhur deri në nxjerrjen e një numri të vetëm janë 2+8 / 1+1 / 1+4+4+3, që në vetvete sjellin 1.2.3, apo shumën 6. Por, nëse llogarisim emrin “Ismail Vloraj”, ai jep numrin 33. Përdorimi i mbiemrave në Vlorë shoqërohet gjithnjë me një germë “j” nga pas dhe ai ishte një Vloraj. Por, nëse llogarisim versionin “Ismail bej Vlora”, i cili jep numrin 40, mund ta gjejmë atë të shoqëruar me llogaritjen e emrit “Gjergj Kastrioti”, i cili po ashtu jep numrin 40. Përkimet duket se nuk mbarojnë me kaq. Llogaritja e emrit “Ismail Qemali” dhe “Ismail Kemal”, jep numrin 28. Ndërsa shuma e vitit kur Skendërbeu ngriti flamurin, “1+4+4+3”, jep numrin “12”, që si për ironi është 12-ta e Pavarësisë.

E si për të mos përfunduar këtu, edhe flamuri kombëtar, me shqipe dykrenore, është pjesë e këtyre përkimeve. Nëse llogarisim emrin “shqipe” ai jep numrin 23, por fjala “dykrenore” jep përsëri numrin 33, e të dyja bashkë na japin tre treshat: 333. Numri 3, sipas tabelave të numerologjisë kaldease, i përket Jupiterit, i cili në mitologji shoqërohet me Zeusin. Skënderbeu vulën e tij sekrete e kishte me tematikën erotike të Zeusit dhe Ledës: atij Zeusi pellazgjik dodonas, që sipas Homerit mbretëronte në Dodonën dimërkeqe. Nëse llogarisim versionin “Dodonea” të emrit ai jep përsëri numrin 33.

E si për t’i vendosur “vulën” me numrin 33, data e ngritjes së flamurit është pikëtakimi i trajektores historike. Skënderbeu e ngriti flamurin më 28 nëntor, kur kishin mbetur edhe 33 ditë nga mbyllja e vitit 1443. Por, ngritja e flamurit kombëtar nga Ismail Qemali dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, – në rrjedhën e rastësive të mësipërme – përkon me një vit të brishtë. Shqipëria u shpall e pavarur në vitin e brishtë 1912, që do të thotë se ai vit kishte një ditë më shumë se të tjerët, gjë që siç dihet, përsëritet çdo katër vjet. Më 28 nëntor 1912, Shqipëria u shpall e pavarur. Kjo ndodhi në ditën e 333-të të vitit, kur ky vit donte edhe 33 ditë të tjera për tu mbyllur. Cila mund të ishte pamja e saktë e flamurit që u ngrit atë ditë?

Studiuesi vlonjat Pirro Stefa, disa vite më parë ka siguruar një kartolinë të vjetër (ose kartë postale në terminologjinë e kohës), të botuar nga Spiridon Ilo (firmëtar i aktit të Pavarësisë Kombëtare) në vitin 1920, ndërkohë që ky i fundit largohej sërish në emigrim, në Boston (SHBA). Sipas studiuesit Stefa, kartolina riprodhon saktësisht flamurin origjinal. Spiridoni, me origjinë nga Korça, jetonte prej vitesh në Bukuresht dhe kishte afërsi familjare me korçaren Marigo Posio (mbiemri i vajzërisë Poçi). Ka historianë që mendojnë se flamuri që u ngrit në Vlorë, ishte i njëjti që zbukuronte fasadën e “Hotel Kontinental” në Bukuresht. Versionet e qëndisjes janë dy: zonja Marigo qëndisi vetëm thekët dhe zonja Marigo e qëndisi edhe pjesën e trupit të shqiponjës. Sido që të jetë, Spiridon Ilo kishte mundësi që të riprodhonte saktësisht, variantin e saktë të flamurit, në kartolinën e tij. Ç’rëndësi do të kishte që të dinim nëse ky flamur i Spiridon Ilos, të ishte riprodhim i saktë i formës së origjinalit? Versioni i Spiridon Ilos përmban edhe ai në vetvete një përkim numerik thuajse të pabesueshëm, po qe se marrim parasysh të gjitha rastësitë e deritanishme. Në një artikull të vitit 2012, Agim Morina sjell një vëzhgim interesant mbi këtë formë të Flamurit të Pavarësisë, i cili është ai i kartolinës së Ilos:

“Qysh i vogël derisa lexoja historinë e popullit shqiptar, jam mahnit me pamjen e shqiponjës së vitit 1912 në nji reprodukim të dobët fotografik në librin e historisë. Ajo shqiponjë më dukej ma e fuqishme, ma elegante dhe ma krenare, sidomos kur e krahasoja me shqiponjën që valonte në flamurët zyrtarë. I shtytun prej kësaj dëshire për me e pa në ngjyra ma të forta dhe ma të qarta, pata ba disa herë disa kopje të kësaj shqiponje. Në punë e sipër më duhej doemos me e pa me shumë kujdes çdo detal e me numëru çdo flatër të shqiponjës. Dhe kjo, doemos, më solli në nji përfundim të papritun: pendlat e krahëve të shqiponjës më dolën me qenë 14+14 që bashkë bajnë 28! Natyrisht, mendja më shkoi te dita 28 e nandorit, në të cilin qe ngritë flamuri ynë në Vlonë. Mendova se mund me qenë rastësi, por kur numërova edhe pendlat e bishtit të shqiponjës dhe më dolën 11 atëherë fillova me mendu se këtu ka diçka ma të ndërgjegjshme sepse dilte dita 28 dhe muji 11. Mandej, m’u duk e kotë me kërku edhe vitin 1912, sepse kjo ishte e pamundun. Mirëpo, si duket nuk kishte qenë krejt e pamundun për dizajnerin! Kur numërova kreshtat në qafët e dy krenave të shqiponjës më dolën 6+6 që bajnë 12. D.m.th. dizajneri i shqiponjës e kishte shkurtu vjetin 1912 në 12. U gëzova shumë që flamuri ynë ishte qëndisë dhe ishte dizajnu me aq dashuri e kujdes. Ky përfundimin ndihmon edhe në anën historike për me dijtë ma me saktësi çashtjen e datës se kur ishte vendosë me u ngritë flamuri. Dizajnimi çon kah ideja se ose data 28 Nandor ka qenë e paracaktume dhe e dijtun disa kohë ma parë, ose flamuri asht qëndisë mbrenda nji nate derisa Ismail Qemali udhëtonte për në Vlonë. Sidoqoftë, kjo gja le t’u mbetet për shqyrtim historianëve” (Agim Morina, “Simbolika e shqiponjës në vitin 1912”, Dervina.com, 2012).

Nëse mbledhim numrat që janë vendosur sipas renditjes së flatrave/pendëve të shqiponjës së flamurit kombëtar të ngritur më 1912 në Vlorë, do të kishim një përkim tjetër: (2+8).11.12. Shuma të tre grupeve do të ishte: 10+11+12. Del përsëri numri 33.

Po ç’përfaqëson numri 33 apo numri 333. Ka material të bollshëm mbi mistikën e këtyre numrave. Ka raste që informacioni dhe interpretimet janë qesharake e jobindëse, ashtu siç ka raste që interpretimet mund të të fusin në mendime. Nuk do i sjell të gjitha në këtë shkrim pasi është e pamundur dhe do të mbusheshin faqe të tëra. Të gjitha sa thamë mund t’i trajtojmë siç thotë Ajnshtaini: “Ka vetëm dy mënyra për ta jetuar jetën: Çdo gjë është një mrekulli ose asgjë nuk është një mrekulli”.

Po mjaftohem të sjell dy qasje simbolike. Masonët (Frimasoneria) e kanë si simbol të tyre numrin 33 e madje të shoqëruar edhe me trekëndëshin barabrinjës dhe shqipen dykrenore. Ndër shumë e shumë lidhje e interpretime që i bëjnë këtij numri me shoqëritë sekrete, më duket i vlefshëm për tu përmendur këtu, ai i krahasimit me vertebrat e shtyllës kurrizore njerëzore. Njeriu ka 33 vertebra. Këto janë simboli i shkallëve të masonerisë, i ngritjes drejt nivelit sipëror, atij me numrin 33. Shkalla 33 është më e larta e lozhës masonike. Ritualet e masonëve shumë studiues i lidhin me tempullarët dhe, këta të fundit, kishin marrë një pjesë të praktikave nga sofizmi. Jeniçerët po ashtu ishin praktikues të sufizmit, pasi ishin bektashinj. Fuqia shpirtërore, tejkalimi i fuqive fizike të njeriut normal, kryerja e veprimeve të mrekullueshme apo njohja e atyre elementeve që më pas i përdor edhe alkimia mund të gjurmohen te këto rituale që vinin kushedi se nga ku e kushedi se nga ç’thellësira antike. Duke ju kthyer rishtas simbolikës së vertebrave, numrit 33, mund të shohim se shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali, është ndërtimi i shtyllës kurrizore kombëtare. Kjo është ngjizur me frymën mistike dhe pavarësisht historisë tragjike të Shqipërisë, ngjan me një strukturë e cila do na mbajë gjatë më këmbë. Jemi një popull i mbijetuar, e ky është akt force. Mbijetesa tregon se kemi shtyllë kurrizore.

Nëse simboli i parë ishte qëndrueshmëria, ai dyti është drita. Masa e Diellit, sipas NASA-s është 333.000 herë më e madhe se sa ajo e Tokës. Numri 333 i Skënderbeut, është numri 333 i yllit tonë gravitacional kombëtar, rreth të cilit do të rrotullohet përjetë identiteti dhe ngjizja jonë kombëtare. Ai është drita e lirisë dhe ashtu si Dielli, ajo dritë dhe ky simbol kombëtar, janë të patjetërsueshëm, të pazëvendësueshëm e të pashkatërrueshëm. Janë burim frymëzimi, shprese dhe jete, – sepse janë simboli pozitivizmi universal, simbol triumfi mbi fuqitë shkatërruese. Mbetet të përsëritet edhe një 33 e tretë dhe shqiptarët do të ngrihen përsëri në dritë!

Në trend Kultura

Më shumë
Thënie të Frojdit: Treguesi i parë i idiotësisë, është mungesa e plotë e turpit!

Thënie të Frojdit: Treguesi i parë i idiotësisë, është mungesa e plotë e turpit!

Fjala+
Thënie të Sokratit: Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit!

Thënie të Sokratit: Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit!

Fjala+
ÇORAPET

ÇORAPET

Fjala+
Dashuritë e Titos: X gra, X fëmijë!

Dashuritë e Titos: X gra, X fëmijë!

Kulture
Pse jemi kaq të tmerruar nga e panjohura?

Pse jemi kaq të tmerruar nga e panjohura?

Kulture
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Kalo në kategori