LAJMI I FUNDIT:

Vlerësimi i riskut si masë parandaluese për aksidentet në vendet e punës

Vlerësimi i riskut si masë parandaluese për aksidentet në vendet e punës
Pamje nga protesta për aksidentet në vendet e punës | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Në Kosovë vlerësimi i riskut është i rregulluar me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe rregulloren për mënyrën e përgatitjes së dokumentit për vlerësimin e riskut.

Sipas Ligjit, “risku nënkupton mundësinë që të punësuarit t’i shkaktohet plagë, sëmundje ose probleme shëndetësore të menjëhershme apo të mëvonshme, si rezultat i ekspozimit në ambientin e punës ku paraqiten elemente të dëmshme kimike, fizike dhe biologjike, mjeteve të punës dhe makinerive pa pajisje mbrojtëse dhe të pasigurta për përdorim, mënyrës së gabuar të përdorimit të mjeteve të punës dhe makinerive si dhe mënyrës së gabuar të organizimit të punës”.


Bazuar në metodologjinë e Zyrës Evropiane të Statistikave, për të dhënat e aksidenteve në punë në 100 mijë të punësuar, në Kosovë mesatarisht aksidentohen 40 në 100 mijë të punësuar, ndërsa vdesin 6.3 aksidentuar.

Besnik Beqiri ka qenë i punësuar në kombinatin “Trepça” dhe gjatë punës ishte aksidentuar në minierën e Kishnicës. Ai thekson se nuk ka qenë i informuar dhe trajnuar aspak lidhur me riskun që po i kanosej në vendin e punës dhe si pasojë e kësaj kishte këputur ashtin e dorës së djathtë.

“Ne kemi filluar punën në terren, por para se të nisemi atje nuk e kemi marr trajnimin e duhur për kushtet dhe rreziqet e punës. Është dashur të trajnohemi dhe pastaj të fillojmë punën. E ka të këputur ashtin e dorës së djathtë në tre vende, ku shkallën e invaliditetit e kam 65 për qind. Nga sigurimi jam kompensuar me vetëm një pjesë të dëmit, ndërsa për pjesën më të madhe e kam marr vendimin, por ende nuk i kam marr paratë. Pas lëndimit, në pushim kam qenë nga viti 2013 deri më 2018 dhe jam duke punuar si kujdestar i apelit në Artanë”, tregon Besniku në një bisedë për Telegrafin.

Minatorët e kombinatit “Trepça” | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Për ekspertin e sigurisë në punë, Minir Curri, ndërtimtaria, energjetika, bujqësia dhe industria, janë sektorët më problematik lidhur me riskun në vendin e punës.

Curri shton se vlerësimi i këtij risku, punëdhënësit kosovarë e konsiderojnë si taksë e jo si kulturë dhe sipas tij, vlerësimi i riskut ka përfitim ekonomik, social dhe moral.

“Për fat të keq shumica e punëdhënësve kosovarë në mungesë të kulturës së punës, vlerësimin e riskut, e konsiderojnë si taksë e jo si obligim ligjor, i cili ka tri përfitime në tri aspekte; ekonomik, social dhe moral. Sektorët më problematik janë ato të ndërtimtarisë dhe bujqësisë, por nuk përjashtohet edhe ai i industrisë”, tha për Telegrafin, eksperti Curri.

Ai shton se vlerësimi i riskut duhet të rishikohet herë pas here.

“Po që se risku nuk rishikohet herë pas here, atëherë rreziqet e ulëta mund të shndërrohen nga një kafshë e dashur shtëpiake në një luan vrasës. Kjo është një vijë shumë e hollë ndarëse në mes tyre”, paralajmëron ai.

Bizneset thonë se me vlerësimin e riskut, lehtësohen përgjegjësitë karshi punëtorëve.

Milazim Hoxha, menaxher në Hoxha Invest Group, për Telegrafin thotë se ky vlerësim është për të mirën e biznesit.

“Vlerësimi i riskut në vendin e punës është për të mirën e kompanisë dhe emrin e saj, por edhe për të mirën e punëtorëve. Këtë e bëjmë në mënyrë periodike, në çdo gjashtë muaj apo një vit, varësisht ndryshimit të punëtorëve. Te punëtorët rezulton një gjendje më e mirë, thjeshtë një mbrojtje më e mirë, ku paraprakisht vlerëson dhe dihen rreziqet. Është një përgjegjësi e madhe ndaj punëtorëve që të kenë siguri, po ashtu edhe një përgjegjësi që na lehtësohet neve si kompani kur e bëjmë vlerësimin e riskut”, tregon Hoxha.

Pamjet nga ndërtimet në Prishtinë | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ushtruesi i detyrës së drejtuesit të Inspektoratit të Punës (IPK), Valon Leci, për Telegrafin thotë se vlerësimi i riskut në vendin e punës është detyrim juridik të cilin duhet ta kryejnë të gjithë punëdhënësit.

“Vlerësimi i riskut në vendin e punës është detyrim juridik, të cilin duhet ta kryejnë të gjithë punëdhënësit. Me legjislacionin në fuqi, janë personat juridik të licencuar që kanë kompetencë të përgatisin dokumentin për vlerësimin e riskut duke konstatuar riskun në vend të punës si dhe për të dhënë rekomandimet e duhura për zbritjen e nivelit te riskut, mundësisht në risk të papërfillshëm, sepse vendi i punës me zero risk nuk ekziston”, thotë Leci.

Ai thotë se mandati i IPK-së është që të mbikëqyrë nëse vlerësimi i riskut në vendin e punës është bërë sipas legjislacionit.

“Inspektorati i Punës ka mandat që të mbikëqyrë nëse vlerësimi i riskut në punë është bërë sipas legjislacionit gjatë inspektimeve që kryen. Natyrisht ky proces është proces i ri dhe vazhdimisht duhet të avancohet. Inspektorati i Punës është në dispozicion dhe ofron bashkëpunim shumë korrekt për të gjithë akterët e interesuar që të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë”, sqaron ai.

Lidhur me numrin e inspektimeve në terren, IPK njofton se gjatë vitit 2018 në 315 raste ka obliguar të bëhet vlerësimi i riskut në vendin e punës.

“Gjatë vitit 2018, nga vizitat në terren, Inspektorati i Punës ka obliguar në 315 raste që të bëhet vlerësimi i riskut në vendin e punës. Në 61 raste të inspektimeve ka obliguar punëdhënësit që t’iu mbajnë trajnime punëtorëve për sigurinë në vendin e punës, në 13 raste punëdhënësit janë obliguar të caktojnë referente për siguri në pune, ndërsa në 439 raste punëdhënësit janë obliguar që të pajisin punëtoret me pajisje personale mbrojtëse”, thuhet në raportin “Siguria në punë, mbrojtja e shëndetit dhe ambientit të punës”.

Raporti vjetor i Inspektoratit të Punës, viti 2018

Tutje në raport tregohet se në planin emergjent për evakuim dhe shpëtim, gjatë kësaj periudhe janë aftësuar 356 punëtorë për ndihmën e parë.

“Në shërbimin e mbrojtjes kundër zjarrit gjatë vitit 2018 janë ofruar 650 shërbime, në dy raste është bërë sigurimi, shënimi dhe ndriçimi i daljeve emergjente, ndërsa 356 punëtorë janë aftësuar për ndihmën e parë”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Inspektorati i Punës për këtë vit tregon se 147 raste të aksidenteve në vendin e punës janë trajtuar.

“Në vitin 2018 kemi pasur të lajmëruara dhe të trajtuara 147 raste të aksidenteve në vend të punës. Për pasojë të këtyre aksidenteve, 125 raste kanë përfunduar me lëndime të punëtorëve në punë dhe 22 raste të vdekjeve në punë”, vijon raporti.

Subjekti juridik që ofron shërbime të sigurisë dhe shëndetit në punë “B&M”, tregon se cilat janë proceduar që duhet ndiqen në vlerësimin e riskut në vendin e punës.

“Krijo program për vlerësimin e riskut, strukturo vlerësimin, mblidh informata, identifiko rreziqet, identifiko ata të cilët i ekspozohen riskut, identifiko mënyrën se si ata i ekspozohen riskut, vlerëso nivelin e riskut në kushtet aktuale, kontrollo masat e kontrollit në vend a janë adekuate për të kontrolluar riskun, shiko për opsione të cilat do e eliminojnë ose kontrollojnë riskun, vendos për kontrollet e përshtatshme shtesë dhe jepu prioritet aksioneve, zbato kontrollet, regjistro vlerësimin e riskut, vlerëso efikasitetin e kontrolleve dhe rishiko vlerësimin e riskut në mënyrë periodike”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Telegrafin.

Po ashtu, kompania shpjegon se punëdhënësi vlerësimin e riskut duhet ta bëjë për secilën pozitë.

“Punëdhënësi vlerësimin e riskut duhet bëre një herë për secilën pozitë të punës dhe duhet të rishikohet bazuar në shkallen e riskut atëherë kur punësohen punëtorë të rijnë, përdoret makineri e re, përdoren materiale të reja, ndryshojnë procedurat e punës, në rast incidenti, në rast ndryshimi te legjislacionit ose zbatimit të standardeve të reja. Po që se nuk ka ndryshime nga të cekurat më lartë, atëherë punëdhënësi duhet ta bënë rishikimin së paku në çdo tre vite”, sqaron për Telegrafin, “B&M”.

Siguria në vendin e punës

Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë thotë se barra kryesore, si ajo organizative ashtu dhe ajo financiare, për të krijuar kushte të punës të sigurta dhe të shëndetshme i bie punëdhënësit. Ky i fundit duhet që për secilin objekt të punës të përcaktojë daljet emergjente, planin për evakuim, si dhe hapësirat për pushim.

Më tutje, punëdhënësi duhet që të informojë dhe trajnojë të punësuarit se si të mbrohen nga rreziqet e punës dhe si të përdorin pajisjet mbrojtëse.

Sipas nenit 10 të Ligjit, punëdhënësi gjithashtu cakton persona përgjegjës brenda personelit të cilët janë përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë në punë. Ndryshe me shtetet rajonale ku është kërkesë ligjore që në kompani të formohen këshille të sigurisë dhe shëndetit në punë, një gjë e tillë nuk kërkohet në Kosovë.

Ndërsa, neni 25 i Ligjit në fjalë, Inspektorati i Punës është institucioni kyç përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave. Dënimet për shkeljen e Ligjit apo neglizhencën e tij janë në të holla. Gjobat janë nga 500 deri në 35 mijë euro, varësisht nga shkelja.

Rregullorja për Kërkesat Minimale të Sigurisë dhe Shëndetit në Vendin e Punës, punëdhënësi ka për detyrë të sigurojë se rrugët për daljen emergjente janë të lira. Gjithmonë, mjetet teknike të punës janë të mirëmbajtura, pajisjet janë të sigurta dhe eliminojnë apo parandalojnë rreziqet si dhe ambienti dhe mjetet e punës janë të pastra në çdo kohë.

Në Kodin Penal të Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me një deri në 10 vite burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej një deri në 12 vjet burgim. /Telegrafi/

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.