LAJMI I FUNDIT:

Viti 1950: Tradhtia e madhe

Viti 1950: Tradhtia e madhe
Enver Hoxha

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1950?

Shqipëria në vitin 1950 i kishte 1.2 milion banorë. Vendi bëhet me Kushtetutë të re. Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ishte Omer Nishani. Enver Hoxha ishte kryeministër, ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Jashtëm.


Pas gjykimit dhe ekzekutimit të Koçi Xoxes dhe spastrimeve brenda radhëve të Partisë së Punës, Enver Hoxha i prish definitivisht marrëdhëniet me “vëllezërit jugosllavë”. Jugosllavia kundërpërgjigjet duke e anuluar Traktatin e Miqësisë dhe duke tërhequr, më 1950, misionin e saj diplomatik nga Tirana.

Pas Jugosllavisë, lulëzojnë raportet me Bashkimin Sovjetik. Ekonomia e Shqipërisë tash varej nga “zemërgjerësia” e Josif Stalinit dhe e kredive që Blloku lindor ia ofronte. E, këto kredi nuk është se nuk sollën ndryshime, sidomos në edukim e në sistemin shëndetësor, gjë që reflektohet me uljen e vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura dhe uljen e analfabetizmit.

Nëna dhe fëmija (pamje nga Shqipëria e vitit 1950)

Sidoqoftë, Shqipëria ishte nën diktaturë mizore dhe populli ishte i pakënaqur. Prandaj, amerikanët, e sidomos britanikët, nisin përgatitjet për ta përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Operacioni quhej “Operation Valuable Fiend” dhe ishte aq sekret sa që për të nuk dinin as presidenti amerikan Harry Truman e as kryeministri britanik Clement Attlee. Nëse plani do të kishte sukses, mendohej të përsëritej pastaj edhe në vendet tjera satelite të Bashkimit Sovjetik.

Për këtë operacion u angazhuan Julian Amery, Bill McLean dhe David Smiley. Që të tre këta kishin shërbyer në Shqipëri (si oficerë ndërlidhës britanikë) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë operacion u pajtuan edhe kundërshtarët e regjimit komunist shqiptar, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Sait Kryeziu dhe Abaz Kupi. Për diversantë u rekrutuan fillimisht 30 shqiptarë, ndërsa ushtrimet u kryen në Maltë.

“Të gjithë mbanin uniformë ushtarake britanike, por asnjë nga ta nuk dinte anglisht. Gjatë vikendit dilnin në Rabbat dhe Mdina që ishin afër nga Fort Bingemma, por shkonin edhe më larg sikur në Sliemma ku kishte dyqane dhe restorante. Nga kujtimet e pjesëmarrësve dhe nga shënimet e kohës merret vesh që diversantët shkonin në grupe të mëdha në qytet dhe flisnin një gjuhë të çuditshme. Ishin të zhurmshëm, por nuk krijonin probleme sikur ushtarët tjerë, pasi që nuk pinin alkool. Ishin shumë të disiplinuar. Megjithatë, arrestoheshin nga policia ushtarake për një shkak gati qesharak: sepse në qytet dilnin me atlete. Kur arrestoheshin, nuk flitnin asgjë se kështu ishte urdhri. Pastaj, shkonte Smiley ose dikush nga oficerët e lartë dhe i lironte. Ky ishte një problem i madh pasi që përsëritej shpesh. Nuk i vishnin këpucët dot. Ishte dashur që për ta të sigurohej një transport i veçantë dhe të urdhërohej policia ushtarake që të mos i bezdiste më, pa marrë parasysh se çka kishin mbathur”, thotë studiuesi Daut Dauti. “Me 28 tetor 1949, pas ushtrimeve disa javëshe që u bënë nën diellin parcelues, ishte nisur grupi i parë për në Shqipëri. Pastaj vazhduan grupet tjera. Harry Hodgkinson, i cili në këtë kohë ishte i angazhuar në seksionin e shërbimit të inteligjencës britanike që mbulonte Adriatikun (Shqipërinë dhe Jugosllavinë), tregonte që as departamenti i tij nuk dinte për operacionin. Por, departamenti kishte urdhër që agjentët të rrinin syçelë, sepse mund të kërkohej ndihma e tyre”.

Spiuni i dyfishtë, Kim Philby

Megjithatë, gjërat shkuan si mos më keq dhe më 1950 ky operacion dështon. Do të dështojë edhe një tentim tjetër më 1952. Njeriu që e tradhtoi operacionin ishte brenda shërbimit sekret britanik (MI6). Ai quhej Kim Philby. Në Shqipëri diversantët u kapën dhe u gjykuan publikisht si armiq të popullit. Pasi operacioni ishte sekret, bota mendonte se këto raste ishin të montuara. Ky dështim më vonë do të njihet si Tradhtia e Madhe.

Ndërkohë, në Kosovë vazhdon rezistenca anti-jugosllave. Më 1949 formohet organizata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por, pa u konsoliduar mirë, dekonspirohet më 1950 dhe një gjyq kundër disa anëtarëve të arrestuar mbahet më 24, 25 dhe 26 korrik. Se sa mizor ishte regjimi i Titos në Kosovë, e dëshmon fakti se njëri nga të dënuarit ishte bujku Shaban Mazreku, nga Sopini i Suharekës, që u dënua me 101 vjet burg.

Kur është fjala te Tito, më 1950 ai e viziton për herë të parë Kosovën.

Më 1950 lindën aktori dhe regjisori i njohur i teatrit, Agim Qirjaqi; regjisori i filmit, Kujtim Çashku; albanologu i shquar kanadez, Robert Elsie; një prej karikaturistëve më të njohur të Kosovës, Agim Qena; si dhe studiuesi i njohur – profesori dhe akademiku Sabri Hamiti.

Pazari i vjetër i Prishtinës

Ngjarjet që shënuan botën më 1950, janë: nga fuqitë e mëdha njihet Republika Popullore e Kinës; ShBA-ja zhvillon bombën hidrogjenike; në Gjermaninë lindore formohet shërbimi sekret Stasi… Por, dy janë ngjarjet më të rëndësishme: më 5 maj 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe të çelikut. Kjo iniciativë që do të njihet si Deklarata e Schumanit, bën të formohet Komuniteti Evropian për Qymyr dhe Çelik që ishte institucioni i parë evropian mbikombëtar që do t’ia hap rrugën formimit të asaj që më vonë do të njihet si Unioni Evropian. Ndërkaq, më 25 korrik 1950 nis Lufta e Koresë. Ajo do të zgjasë tre vjet e një muaj e dy ditë dhe do të lë afro një milion të vdekur e të lënduar (si dhe afro 400 mijë të zhdukur). Po ashtu, Koreja do të ndahet në dy shtete: Në Korenë komuniste të Veriut dhe Korenë demokratike të Jugut. Edhe 70 vjet pas, vendi mbetet i ndarë në dy pjesë të armiqësuara.

Më 1950 lindin këngëtarët Billy Ocean, Peter Gabriel, Stevie Wonder dhe Tom Petty; aktorët Bill Murray dhe Ed Harris; politikani Janez Drnovsek që ishte kryetari i Presidencës së Jugosllavisë, si dhe kryeministër e president i Sllovenisë; miliarderi Richard Branson; arkitektja Zaha Hadid… dhe, një nga themeluesit e kompanisë Apple – projektuesi i kompjuterëve Apple I dhe Apple II që do ta ndryshojnë përgjithmonë botën – Steve Wozniak.

Pamje nga Lufta e Koresë

Në vitin 1950 vdiq George Orwell. Për të është mirë të thuhen ca fjalë sepse është ndër të rrallët emra të njohur të kohës së tij që arsyetonte epitetin e intelektualit. Ai luftonte për atë që besonte. Madje, mund të konsiderohet si utopist, meqë, siç shkruante Paul Johnson tek “Intelektualët”, “besonte që në fëmijëri se bota mund të ndryshohej me forcën e intelektit”. Si socialist-utopist (që i takonte shtresës së mesme të lartë), donte të njihte nga afër shtresën punëtore, për fatin e të cilëve shqetësohej. Punoi si pjatalarës, jetoi me të pastrehët, punoi si argat e banoi pranë familjeve të varfra në një qytezë industriale. Madje, kur më 1936 shpërtheu Lufta Civile në Spanjë, nuk jepte mbështetje morale si intelektualët tjerë, por shkoi aty ku duhej – për të luftuar për drejtësinë që u tha se po shkelej. Kështu, ai donte të zhvishej jo veç nga kapitalizmi, por edhe nga çdo formë e sundimit të njeriut mbi njeriun.

“Doja të zbrisja mes të shtypurve, të prekja fundin, të isha njëri nga ta, të rreshtohesha përkrah tyre e kundër tiranëve”, ka thënë Orwell. Si intelektual i sinqertë që ishte, besonte se bota do t’ia dalë të shndërrohet në një shoqëri të mirë socialiste, por nuk besonte assesi te dogma komuniste që përfaqësohej nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) – totalitarizmi dhe ekonomia e centralizuar. Kështu, nga një antikapitalist i madh, pas zhgënjimeve që përjetoi në Spanjë – ku me gruan iu bashkua palës republikane (që luftonte regjimin fashist të Francisco Francos) – u bë antikomunist dhe kritikuesi më i madh i gënjeshtrave të komunizmit rus, të diktaturës, të kultit të personalitetit, të kufizimit të lirisë e të kontrollit të mendjes nga propaganda e këtij sistemi. Këto qëndrime ai i paraqet në dy prej veprave më të mëdha të pjesës së dytë të shekullit XX: “Ferma e kafshëve” dhe “1984”. /Telegrafi/

Gerge Orwell