LAJMI I FUNDIT:

Synimet e subjekteve politike në zgjedhjet lokale

Para ca ditësh, saktësisht 15 shtatori 2009, ishte dita e fundit për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre të cilët do të garojnë për anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetar komune për zgjedhjet lokale të cilët do të mbahen me 15 nëntor 2009.

Do të ceki synimet e subjekteve kryesore politike parlamentare në Kosovë në zgjedhjet lokale 2009, e që janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja), Aleanca për Kosovën e Re (AKR-ja) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD-ja).


PDK-ja në zgjedhjet lokale do të synojë medoemos të ruaj rezultatin e arritur nga zgjedhjet e vitit 2007, në të cilin doli fituese në shumicën e komunave të Kosovës si në nivel të kryetarëve të komunave ashtu edhe të kuvendeve komunale.

Edhe pse gjatë mandatit aktual qeverisës komunal kanë arritur suksese vetëm në infrastrukturën rrugore dhe shkollore, gjegjësisht në ndërtimin e rrugëve dhe shkollave të reja, e i cili ishte premtimi i programit qeverisës qendror të PDK-së në zgjedhjet e vitit 2007, nga ana tjetër konfliktet e tyre brenda partiake nëpër degët nëpër Kosovë, e sidomos ato më të theksuara në degët e Prizrenit dhe Gjilanit, që janë hasur që në fillim të qeverisjes së tyre komunale, e kanë zbehur tej mase rezultatet e synuara të tyre.

Në vend se për dy vjet qeverisje të japin maksimumin e tyre drejt realizimit të programeve të tyre zgjedhore, për të treguar veten e tyre para elektoratit, të suksesshëm dhe për të përfituar edhe një mandat qeverisës katërvjeçar, ata janë katandisur në mes vete, ashtu që ju kanoset rreziku i humbjes së pushtetit lokal në disa komuna të caktuara.

Për shkak të këtyre fërkimeve të brendshme brenda partiake, lideri i saj politik Hashim Thaçi ishte i detyruar të bëjë kompromise të caktuara, duke rikandiduar edhe për një mandat kryetarët aktualë në të cilin PDK-ja ka fituar komunat, përveç Bajram Rexhepit i cili hoqi dorë vetë prej rikandidimit.

Se sa do të jetë i suksesshëm ky kompromis i liderit të PDK-së do të shihet nga rezultatet e arritura në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2007. Sido që të jetë do të apostrofojë fjalët e një kolegut tim: ”PDK-ja shumë më e fortë ishte gjersa ishte në opozitë, tani po shihet që akoma nuk ka qenë e përgatitur për të qeverisur dhe menaxhuar me komunat në Kosovë”.

LDK- ja do të synojë që në zgjedhjet lokale 2009 të nisi të rikthejë imazhin e saj të dikurshëm, si parti kryesore e Kosovës me një traditë më të gjatë partiake. Kjo do të shërbejë asaj për të parë veten e saj, ku gjendet, dhe se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2011, të rikthej pozitën e saj të dikurshme, si parti numër një në Kosovë.

Synimi i saj kryesor do të jetë mbajtja e pushtetit lokal në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, si dhe kthimin e dy qendrave rajonale të saja të dikurshme (Prizren, Gjilan apo Mitrovicë) si dhe tre komunave tjera të Kosovës, që do të ishte shenjë e rimëkëmbjes së saj politike, pas disfatës së pësuar në zgjedhjet e vitit 2007 në të tria nivelet, si në nivelin qendror, komunal dhe kryetar komune.

Edhe po që se eventualisht arrin këtë sukses, ky do të jetë më tepër rezultat i mos përgatitjes qeverisëse komunale dhe fërkimeve aktuale brenda PDK-së, se sa i ndonjë fryme të re brenda LDK-së, edhe pse me të madhe është trumbetuar për reforma brenda saj, dhe freskimin e radhëve të saja me anëtar dhe kuadro të reja, pas përplasjeve që ndodhën në Kuvendin e saj të fundit zgjedhor, kjo për momentin mbeti vetëm fjalë në letër, ndoshta pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009 do të ketë shenja edhe të zbatimit në praktikë të reformave të parapara.

AAK-ja, nga të gjitha partitë tjera aktuale politike, ka treguar një aktivitet të shtuar gjatë kësaj periudhe dyvjeçare, e cila ka investuar me të madhe drejt afrimit dhe kyçjes së anëtarëve, kuadrove dhe personaliteteve të njohura në gjirin e saj, dhe se pritet që të shënojë rezultatet e duhura në krahasim me zgjedhjet e kaluara të vitit 2007, dhe se sipas mendimit tim do të jetë e vetmja që do të ketë një rritje të shtuar dhe rikthimi i saj në pozitën e tretë në skenën aktuale politike kosovare.

Synimi i saj kryesor do të jetë në këto zgjedhje lokale, mbajtja e pushtetit aktual komunal në tre komuna (Pejë, Gjakovë dhe Deçan), si dhe fitimi i tre komunave tjera në Kosovë, jashtë rrafshit të Dukagjinit, që do të ishte një rezultat solid si dhe një shtytje e fortë drejt përgatitjes dhe arritjes së rezultateve edhe më të mira në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vitin 2011.

AKR-ja si subjekt i ri politik që doli në skenën politike kosovare dhe korrjes së rezultateve mjaft të suksesshme në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2007, me ç’rast edhe e legjitimoi veten si lider politik Behgjet Pacolli.

AKR-ja në vend se të vazhdojë me aktivitetet e saja drejt zgjerimit dhe masivizimit të saj nëpër Kosovë, u kaplua me vetëkënaqësi, duke u renditur me qëndrimet e saja politike herë me pozitën e herë me opozitën, sipas nevojës apo momentit aktual.

Relacioni qendra-baza pothuajse u këput fare, duke i lënë degët e saja në mëshirën e tyre, fare pa treguar interesim dhe investim të mëtutjeshëm drejt konsolidimit dhe zgjerimit të mëtutjemë.

Lideri i saj politik, Behgjet Pacolli, apo më mirë me thënë bashkëpunëtorët e tij e “tradhtuan” dhe e neglizhuan këtë aspekt, lënia pas dore e degëve, dhe se për një kohë të shkurtër si rezultat i kësaj neglizhence kemi braktisje të dhjetëra e dhjetëra rasteve të radhëve të AKR-së si dhe kalime të tyre nëpër subjekte tjera politike, që nga tre deputetët e Kuvendit të Kosovës, e të mos flasim për kryetar degësh, nëndegësh, anëtar të kryesive të degëve e nëndegëve, drejtorëve të drejtorateve të caktuar si dhe anëtarëve të kuvendeve komunale.

Kjo si pasojë do të sjell medoemos rezultate shumë të ulëta në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 kundruall atyre rezultateve mjaft të mira të arritura në zgjedhjet e vitit 2007.

LDD-ja si subjekt i ri politik që doli në skenën politike nga përçarjet e brendshme në Kuvendin zgjedhor të fundit të LDK-së në vitin 2006, do të synojë të mbajë rezultatet e arritura gjatë zgjedhjeve të vitit 2007.

Synimi saj kryesor do të jetë medoemos fitimi bile i një komune të vetme në Kosovë në të cilin do të aplikojë qeverisjen e saj komunale, në të kundërtën i kanoset rreziku drejt kthimit apo bashkimit të anëtarësisë të saj drejt LDK-së, rasti i prononcimit të Berim Ramosaj.

Edhe koalicionin e arritur në mes AKR-së e LDD-së duhet parë në atë aspekt, më tepër drejt mbajtjes së pozitave të tyre në skenën aktuale politike kosovare.