LAJMI I FUNDIT:

“The Sopranos” nisi si komedi që portretizonte nënën e skenaristit!

“The Sopranos” nisi si komedi që portretizonte nënën e skenaristit!

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

“Duhet të shkruash për nënën. Nëna është paraja në bankë”.


Përkitazi me frymëzimin e habitshëm për dramën e tij novatore të krimit, skenaristi dhe producenti i The Sopranos, David Chase, këtë fjali ia tha gazetarit të BBC-së, Mark Lawson, në një intervistë të gjatë të vitit 2006.

Siç ka thënë ai, prej kohësh gruaja e tij Denise ishte e bindur se nëna e tij ishte burim i humorit abnormal dhe se edhe të tjerët do të donin ta shihnin. Nuk ishte e vetmja që këtë e mendonte: kolegët me të cilët punonte në shfaqjet televizive, ia thanë të njëjtën gjë kur i dëgjuan historitë e tij për nënën, por u mundua të dinte se si t’i përkthente ato në ekran. “Thash: ‘Pse dikush do të donte ta shihte këtë? Një producent televiziv me një soj të nënës së çmendur dhe autoritare’? Kurrë nuk ia kushtova shumë vëmendjen. Pastaj, diçka më shtyri të mendoj se mund të ishte qesharake të shkruaja një rrëfim për një djalë që është shumë më i ashpër se unë. Shumë më mashkullor, më i rreptë, më i egër, me të gjitha ato gjërat … dhe me një nënë si e imja. Mendova se mund të jetë interesante nëse djali është mafioz i cili e vendos nënën e vet në një shtëpi të pleqve dhe se për këtë ajo dëshiron ta vrasë. Ndërkaq, përmes terapisë ai e kupton se armiku i tij i vërtetë në bandë – jo vetëm në jetën e tij, por në dinamikën e tij të brendshme – është nëna. Kjo do të jetë një komedi e mirë”.

Dhe, këtu është gjeneza e një prej dramave më të vlerësuara televizive të të gjitha kohërave.

The Sopranos ishte thjesht më shumë se një shfaqje krimi; ishte fenomen kulturor. Në historinë komplekse të jetës së trazuar të bosit të mafies, Tony Soprano, e përshkruan një burrë që vuan nga sulmet e tilla të panikut të ligështimit, teksa përballet me angazhimet e përditshme familjare, me demonët e fëmijërisë së trazuar dhe realitetit e punës së tij të përditshme brutale dhe të rrezikshme, aq sa kërkon terapi te psikiatria Jennifer Melfi.

David Chase ka shkuar vetë në terapi. “Mendoj se kisha shumë ankth. Nëna ime i shqetësoi që të gjithë”, ka thënë ai. Edhe pse nëna e tij, ndryshe nga nëna e Tonyt, Livia, nuk shkoi kurrë aq larg sa të lidhte kontratë për të, ajo ishte e prirë ndaj ndryshimeve të dhunshme të humorit gjatë gjithë fëmijërisë së tij dhe ai shpeshherë ndihej i frikësuar prej saj. Kujtoi se një herë u ndalua të shkojë në shkollë për shkak të dëborës dhe se e mërziti nënën kur u ankua se nuk kishte organo elektrike për të luajtur.

“Në fund, doli nga kuzhina me një thikë dhe tha: ‘Do të ta nxjerr syrin’! Dhe, disi këtë e mendonte. Pra, isha disi: “Ua! OK’! Jo se ajo do ta kishte bërë këtë ndonjëherë”.

The Sopranos e përdori terapinë si kornizë për të hulumtuar dhe për të lejuar audiencën që të ketë empati me antiheroin e tij me të meta të mëdha dhe moralisht të komprometuar – i cili luhej nga James Gandolfini. Kjo e shfaqi jo thjesht si mafioz të pamëshirshëm, por si bashkëshort dhe baba të pambrojtur të mbërthyer në një krizë aq të thellë ekzistenciale saqë ndonjëherë mund ta humbte vetëdijen.

Ky portretizim i nuancuar shtrihej në të gjithë kastin. Aktorët nuk ishin thjesht duke luajtur personazhe të aksioneve, një grua, një nënë ose një vrasës të paguar që do të çonte para komplotin, por rrumbullakosën njerëzit me betejat, motivimet dhe problemet e brendshme.

Fokusi në nënndërgjegjen e Tonyt dhe psikikën e personazheve të tij ia mundësoi serisë të kalojë në narracionin jolinear duke përdorur rikthimet, halucinacionet dhe sekuencat ëndrrave për të analizuar trazirat e brendshme, duke i sfiduar konvencionet e televizionit tradicional të asaj kohe.

Kjo ia mundësoi shfaqjes të trajtonte temat më të gjera të shëndetit mendor, të identitetit, familjes dhe fuqisë me një shtresë realiste dhe të thellësisë që rrallë shihet në seritë televizive amerikane. Rrëfimi i nuancuar nënkuptonte se nuk ishte thjesht dramë krimi, por pasqyrim i shoqërisë amerikane dhe kompleksitetit të gjendjes njerëzore. Te shikuesit kishte jehonë refuzimi për t’i ofruar audiencës përgjigje të lehta ose zgjidhje morale, ndërsa në të njëjtën kohë i sfidoi ata të përballeshin me vlerësimet dhe paragjykimet e veta.

Për vlerat e realizimit kinematografik dhe harqet narrative që angazhuan audiencën dhe përmbysën pritjet e tyre, seria u bë hit i madh komercial dhe i çmuar nga kritika, duke fituar 22 çmime Emi [Emmy] dhe pesë Globe të Arta [Golden Globe].

Çelësi i dy sezoneve të para të dramës ishte Livia, e luajtur nga Nancy Marchand, ngjashmëria e së cilës me nënën e Chaseit u vërejt nga pjesa tjetër e familjes së tij.

“Të gjithë të afërmit e mi, menjëherë vërejtjen … sapo e panë serinë dhe thanë: ‘O Zot, kjo është tezja Norma’”, ka thënë ai.

Me raste është portretizim i egër i një nëne nga Ferri, e cila është qesharake, por edhe e çrregullt dhe e mbrapshtë. Faji është tema që shtrihet në gjithë serinë The Sopranos, por skenaristi tha se nuk ndihej keq që e shfaqi nënën e vet në këtë aspekt.

“E paraqita këtë pamje komike të nënës sime. E paraqita në transmetim dhe ajo u bë personazh i dashur. Pra, kurrë nuk jam ndier fajtor. Të gjithë e donin Livian. E donin atë, ashtu siç kishte parashikuar gruaja ime. Ishte qesharake, ishte e egër, thoshte çdo budallallëk që i binde në mend dhe nuk mund ta them saktë numrin e njerëzve, të mijëra njerëzve që thoshin: ‘O Zot! Halla ime Maria është kështu’! ‘Nëna ime është e tillë’! ‘’Gjyshja ime është kështu’! ‘Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. E ke paraqitur tezen time’! ‘E ke paraqitur nënën time’. Kështu që nuk u ndjeva fajtor, sepse ashiqare e kam trajtuar një lloj të caktuar të gruas”. /Telegrafi/