LAJMI I FUNDIT:

Refleksionet ekzistencialiste të një libri poetik

Refleksionet ekzistencialiste të një libri poetik

Nga: Bardh Frangu

Vështrim mbi librin me poezi “Gjendje neutrale”, të shkrimtarit dhe kritikut Ramadan Muslit, të cilin këto ditë e botoi shtëpia botuese “Rozafa”, në Prishtinë.


Libri me poezi “Gjendja neutrale”, i gjashti me radhë në opusin poetik të Ramadan Musliut, dëshmon një konsekuencë të autorit, përkatësisht një stil të formësuar që lehtësisht bëhet i dallueshëm nëpër të gjitha librat e tij. Si njohës i shkëlqyeshëm i teorisë së letërsisë, Dani nuk rrëmbehet pas emocionit, por mbështetet në racionalen, duke na dhënë kështu shenjat e një poezie moderne, e cila si e tillë shfaq tendenca të mendimit, në kuptimin e ndërtimit të refleksioneve ekzistencialiste, për të na i shpërfaqur kështu observimet e veta intelektuale mbi botën dhe shoqërinë. Në favor të kësaj janë edhe format e ndryshme të ndërtimit të vargut, përkatësisht të poezisë, si dhe shenjat poetike të cilat jo rrallë ndërtojnë një dozë hermetizmi të dukshëm.

Dani kujdeset që në gjuhën e tij poetike të zgjedhë figura të ndryshme letrare, ndër të cilat zë vend më shumë metafora, por në veçanti kujdes i shtuar i kushtohet hapësirës poetike, brenda së cilës nuk shfaqen imazhet si në pikturë, por që të shpeshtën shpërfaqen me asociacione të ndryshme për botën e jashtme dhe botën e brendshme të individit, i cili gjendjen neutrale e shënjon si pamundësi për të ikur nga zemra e gjërave, siç do të shprehet poeti në librin para këtij.

Shih për këtë, libri i konceptuar si tërësi nëpërmjet gjashtë cikleve, ciklin e parë e nisë me “Purgatoriumi im”, ku për shumë arsye spikatë poezia “Kënga e bufit”. Kjo poezi lirike që shpërfaqë dramën e individit është realizuar me vargje vërtet të bukura: “Kur jeta ishte e ëmbël/ këndonte dhe bilbili në kafaz/ dilte hëna në syprinën e një vale/ dhe përdridhej si balerinë”, për t’u përmbyllur me vargjet:”Kurse në atë trung/ të tharë të moshës/ bufi vazhdon/ këngën me hukamë”.

Cikli i dytë i titulluar “Hija e dheut” vetvetiu nënkupton se kemi të bëjmë me vargje për atdheun, ku spikatë figura e Bjetër Bogdanit, por ku nuk mungojnë as vargjet për dëshmorët e luftës së fundit si në poezinë “Gravurë në bronz”, të cilën e përmbyllë me vargjet në mënyrën më të mirë metaforike: “Tani prajshëm vizatojmë trajtat tona/ në të pergamenë të lëkurës sonë/ mbetur peng i të ardhmes që po tretet”.

Cikli i tretë është ndërtuar si interlud, kështu si edhe e ka emëruar autori. Në fakt interludi kështu na shfaqet në modelin e dramave antike, si diçka e ndërmjetme mes akteve në dramën e autorit që ndodhet në gjendjen neutrale. Sigurisht që si të tilla poezitë, t’i quajmë kushtimisht si të ndërmjetme në këtë libër, dallojnë edhe për nga gjuha, edhe për nga ndërtimi i vargut. Ky cikël përfshinë pesë poezi, të cilat janë ndërtuar në formë miniaturash, por që në fakt nuk janë të tilla. Që të pesë poezitë e këtij cikli janë ndërtuar me një rimë dhe ritëm të përkryer dhe si të tilla të sjellin një frymë tipike lasgushiane. Edhe ashtu të pesë poezitë janë ndërtuar me vetëm nga dhjetë vargje.

Sigurisht nuk do të jenë të pakët ata që do të mund t’i pëlqejnë më shumë këto poezi, shkaku i asaj që u tha më lart. Në poezinë e parë të këtij cikli “Kanarinë kristali”, ndeshim edhe këto vargje vërtet antologjike: “…trëndafili i syrit tim/ hijen time kur e pa/ qau dhembshëm dhe u tha”, si dhe vargjet në poezinë “Ëndërr rubini”: “Në guacë tani rri mbyllë/ tek më ndjek me sy një yll/ që rri varur n’rreze drite/ i molisur prej kësaj prite”. Ky cikël përbën dëshminë më të mirë se autori ka një shkathtësi poetike dhe si i tillë eksperimenton me forma dhe me shenja të ndryshme.

Cikli i katërt ka titullin e librit, pra gjendjen neutrale, ku spikatë poezia “Ngrohtësia e gjërave”, e cila dallon nga të tjerat pikërisht për imazhin e qartë që shfaq dhe për gjendjen e autorit në komunikim me gjërat që e rrethojnë e që në fakt shfaqen si gjymtyrë të shpirtit të tij, si në vargjet: “Në taketuke rrinë fjetur/ ngjyrat e hirit dhe psherëtimat/ e një goje të përgjumur/ në tryezë”, për t’u mbyllur me vargjet: “Dikush tha:/ mblidh çaklat e ik/ sa nuk të çeli lulja/ në ballë/ e nuk foli shtatorja prej fildishi/ mbi komodinë”.

Sigurisht që poezia “Gjendje neutrale”, sipas të cilës është titulluar ky cikël dhe libri në përgjithësi, ngërthen në vete gjendjen emocionale në nivel ekzistencial të autorit, e ku më ilustruese shfaqet në vargjet: “I mbyllur mbeta/ në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus/ çelësin e humbur për ta gjetur/ në një guackë”.

“Perdja e mëndafshtë” përbën ciklin e pestë të këtij libri, ku spikasin poezitë “Akti absurd”, “Gozhda e ndryshkur” dhe “Reja me purpur”. Veçmas kjo e fundit është një poezi e mbushur deng emocione dhe si e tillë ndoshta nga poezitë më të bukura në letrat tona kushtuar nënës. Klithma e poetit për humbjen e nënës, ndër të tjerash shprehet kështu: “Si ta qetësoj këtë shpirt të trazuar/ për fytyrën tënde/ të tretur në astral”.

Cikli i gjashtë, përkatësisht i fundit “Siluetë prej dylli” përbëhet nga shtatë poezi, ku spikatë poezia “Pluhuri fluoreshent në qiell”, poezia miniaturë “Nata e varrit” dhe “Trëndafili në plastmast”, e cila ndër të tjera dallon edhe për mënyrën e thyerjes së vargut.

Në përgjithësi poezitë e librit “Gjendje neutrale” dallohen për gjuhën e pastër dhe të përzgjedhur, e cila në këtë mënyrë edhe shënon kohën tonë si dhe për format e vargut dhe në veçanti për frymën më shumë të ftohtë se sa emotive, gjë kjo që edhe e karakterizon poezinë moderne. /Telegrafi/