LAJMI I FUNDIT:

Njoftim për përdoruesit e autentifikimit dy faktorësh përmes numrave të IPKO-së

Njoftim për përdoruesit e autentifikimit dy faktorësh përmes numrave të IPKO-së

Zbatimi i kodit shtetëror, përfshinë po ashtu edhe përkrahjen e palëve online. Përveç përmbushjes së detyrimeve nga IPKO, ky proces përfshinë edhe njohjen e Kosovës dhe kodit +383 nga platformat online.

Për të rritur sigurinë e llogarive, shumë përdorues të mediave sociale dhe platformave të tjera online, kanë përdorur numrat me hyrjen +386 përmes autentifikimit apo verifikimit dy faktorësh dhe si rrjedhojë kanë pranuar nga një kod të ri, kurdo që janë kyçur në llogaritë e tyre.


Disa ofrues të shërbimeve në platformat online, siç janë Gmail, Facebook, etj., e kanë shtuar kodin e Kosovës +383 nëpër platformat e tyre. Për këto platforma, ju lutemi të përditësoni numrat tuaj nga +386 në +383.

Megjithatë, ende janë disa platforma të tjera online, si Twitter, LinkedIn, Instagram, etj., të cilat nuk e kanë vënë si opsion kodin e ri shtetëror të Kosovës +383. Shërbimet tjera të ofruesve të aplikacioneve globale, si PayPal, Amazon, AliExpress, etj., mund të jenë të afektuara nga ky ndryshim po ashtu. Prandaj, rekomandojmë të gjithë klientët e IPKO-së, të cilët përdorin numrin e tyre me kodin +386 përmes kanalit të Autentifikimit Dy Faktorësh, që të largojnë numrat nga këto platforma online dhe të gjejnë forma të tjera alternative në rritjen e sigurisë së llogarive të tyre, derisa këto platforma të njohin kodin tonë shtetëror telefonik.

Nëse nuk ndërrohet kodi në +383, apo nëse nuk zëvendësohen këta hapa të sigurisë me forma të tjera, atëherë rreziku është i lartë që ata të cilët nuk kanë përcjellë këto rekomandime, të mos mund të kyçen në llogaritë e tyre, pas datës 30 qershor 2019. Në rast që u pamundësohet kyçja në llogari, atëherë duhet që të kontaktojnë platformat individualisht, në mënyrë që t’u mundësohet kyçja.

Procesi i kodit shtetëror, përfshinë përfaqësimin dhe njohjen e vendit tonë ndërkombëtarisht, prandaj deri në njohjen e kodit shtetëror të Kosovës nga këto platforma, është e këshillueshme që të hiqen numrat nga këto platforma.

Siç ka vepruar deri më tash, IPKO do të vazhdojë të informojë klientët e saj për çfarëdo ndikimi apo sfide që mund të shfaqet si rrjedhojë e zbatimit të kodit shtetëror. Ky është projekti më i rëndësishëm në historinë e telekomunikimit, i cili përfshinë përmbushjen e të gjitha obligimeve shtetërore në këtë fushë dhe si e tillë kërkon përkrahjen e plotë të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces.

Artikull i sponzorizuar