LAJMI I FUNDIT:

Ndihmesë për rehabilitimin e toponimeve shqipe të Kosovës

Ndihmesë për rehabilitimin e toponimeve shqipe të Kosovës
Ilustrim

Nga: Skënder Gashi (botuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri” më 1999)

(Ky punim mbështetet vetëm pjesërisht në shkrimin Cili është arbanashki potok i vitit 1253, i botuar në të përditshmen Rilindja, më 12 shkurt 1977, fq. 14.)


ARBANASH për?

Ndonjë nga dokumente pakta të administratës së kishës mesjetare serbe (e cila në Kosovën e sotme ishte etabluar gjatë shek. 12) të shekullit 13, e që kanë të bëjnë me teritorin e sotëm të Kosovës ofron ndonjë thërmizë njoftimi mbi praninë e etnosit shqiptar në këtë pjesë të hapësirës etnike shqiptare. Janë këto pra kryesisht dëshmi të hartuara nga shkrues kishash serbe të urdhrave të sundimtarëve serbë të asaj kohe. Përveç që ndër dokumente të kësaj natyre dëshmohen njerëz që mbanin antroponime gjithshqiptare të formuara nga brumi leksiokor i shqipes (si p.sh. Bardh, Bushat, Bulk, Muzak e ndonjë tjetër) dhe trajta shqipe të antroponimeve të gjithëkrishtera (si, Gjin, Gjon, Lesh, Mëhill, Pal, Progon, Tanush etj.).dëshmohen edhe toponime të sajuara nga varianti sllav arbanas / arbanaš i emrit etnik të shqiptarëve.

I këtillë është p.sh. mikrotoponimi arbanaški potok, “përroi i arbanasëve”. Ky emër vendi përmendet në një kartë të lëshuar në vitet 1253-1254 të knjazit Miroslav të anës së Limit. Kjo kartë është në të vërtetë shumë vite më e vjetër se viti 1253 sepse varianti i parë i saj ishte humbur si pasojë e një sulmi bullgar mbi regjionin e Limit (unë nuk arrita fatkeqësisht që nga literatura ta mësoj se në ç’vit ndodhi ky sulm) dhe u përtëri nga sundimtarë të tjerë midis viteve 1253-1254. Sipas kësaj karte, knjazi Miroslav i kishte nën zotërim të vetin, përveç në anë të Limit, edhe dy katunde të Kosovës së sotme: Rakoshin në rrethina të Istogut dhe Krushevcin në periferi të Skënderajt.

Për katundin Krushevc dhe kufijt e tij, në kartë (sh. St. Stojanović, Stari srpski hrisovulji, akti, ljetopisi, tipici …, Spomenik SKA III, Beograd 1890, fq. 19), thuhet: “Selo Krkjušьvьcь ou Drьžkovыna, a meda jemou po djalju ou kamы ou tocilь, otoudju prešdьšse prajzь rjaku ou Slatьinju, otouda prjazь brьdo ou drjugju Slatinou, i otь Slatine na mlьinь, i otь mlыna ous-potokь, konь potoka pjutemь ou Vrьtolomjaniou crьkvь,,otjuda po djalu ou (I)lыniju crьkvь, otь djoda po djal(ou) ou Bolestыnju groblju, otь tjuda ou Grohotь, otь Grohota po djalu za Velije Pole, prjašdьšse ou d(ja)lь koi otь Krjuševьca grede, i ot djala u djalь kь Dvičju potokju, otь tjuda po djalju kь Arьbanašju Potokju u djalь, otь tjuda ou rjakjuo u Knьinju

[Katundin Krushevc në (S.G.regjionin) Dërshkovina ndërsa mexhët e tij nëpër mal deri në tocil, prej aty kalon nëpër lumë në Sllatinë, prej aty nëpër kodër në Sllatinën tjetër dhe nga Sllatina në mulli, dhe prej mullinit nëpër përrua, përtej përroit udhës e te Kisha e Bartolomeut, prej aty nëpër mal e te Kisha e Ilit, prej aty nëpër mal te Vorret e Bolestinit (SG. *Vorret e Murtajës ?), prej aty në Grohot, prej Grohotit nëpër mal pas *Fushës së Madhe duke kapërcyer nëpër malin që shkon kah Krushevci“ ]

Duke qenë se jetoj jashtë dhe nuk kam mundësi të bëj punë terreni në Kosovë, identifikimin e saktë të emërtimit të zhdukur e lë për më vonë, porse edhe të shpresoj se grupi i punës për riemërtimin e toponimisë së Kosovës do ta bëjë këtë para meje. Megjithatë, ka arsye të konstatohet se disa nga vendet që përmenden në këtë dokument i kanë ruajtur emrat e tyre deri në ditë tonat. Kështu, Krkjušьvьcь i dokumentit është Krushevci i sotëm; Dvičji potokь do të jetë përrua në afërsi të Deviqit të sotëm. Në dokument porse nuk është e qartë nëse Deviqi ishte vendbanim si gjithë të tjerët, apo kjo pjesë e tekstit ka të bëjë me manastirin e Deviqit. Knina e dokumentit ka të bëjë pas gjithë gjasësh me lumin Klina. Sa për identifikimin në terren të “përroit të arbanasëve” të vitit 1253 le të mjaftohemi me vetë atë që e ofron teksti i kartës (sh. më lartë). Përroi i arbanasëve do të jetë quajtur përroi a lumthi që buron në rrethina të Skënderajt dhe rrjedh afër manastirit të sotëm të Deviqit, ndërmjet katundeve Rezallë e Re e Tushilë, përbri Kopiliqit, Açarevës e Ujmirit dhe derdhet në Dri. Mbetet të shihet në aspektin gjuhësor nëse ka mundësi që nga apelativi i dëshmuar në trajtën sllave si tocilь mund të rrjedh emërtimi Tushilë i katundit. Megjithatë, së pakut ngjashmëria fonematike nuk është edhe krejt e rastit. Së këndejmi hë për hë kujtoj se Tushila mund të identifikohet me mikrotoponimin që e përmban apelativin tocilь dhe kështu do ta kishim edhe një emërtim më shumë, të vazhduar nga shek. 13.

Një çështje më vete që meriton të sqarohet është ajo se me cilët arbanasë ka të bëjë teksti: me një vendbanim *Arbanas në territorin e të cilit ishte edhe një përrua apo me një mikrotoponim i cili e ruan kujtimin për arbanasët në shërbim të manastirit të Deviqit apo ndoshta të një tbanishte të paemër të arbanasëve blegtorë e cila (tbanishtë) nuk është cilësuar, siç ndodhë rëndom në dokumentacionin kishtar serb, për katunь arbanasa. Kjo mundësi porse sikur bie poshtë për shkak të mungesës së ushtrimit nga arbërit të blegtorisë trans-humane, mungesë e kushtëzuar nga konfiguracioni që nuk e ka krahina e Drenicës për blegtori të këtij tipi. Fundja, në shkrimet kishtare serbe të shekujve 13-15 nuk ka as edhe një dëshmi të ekzistimit të institucionit të katunit siç ishte rasti me katunet e arbanasëve e të vllehëve në rrethina të Prizrenit (Malet e Sharit) dhe të Istogut (Bjeshkët e Nemuna). Mbetet, prandaj, më e besueshme se kemi të bëjmë me një vendbanim të zhdukur, që nga administrata serbe është quajtur Arbanas, sepse arbanasët vetë nuk do ta emërtonin vendbanimin e tyre me emrin etnik (të profesionit apo të përkatësisë konfesionale) të tyre. Për shkak të natyrës së punimit, këtu nuk do të trajtohet problematika e kuptimit të emrit etnik arbanas në dokumentacionin kishtar serb. Duke u mbështetur në rrethanën e ditur se kisha jo rrallë i zhvendoste të nënshtruarit e saj nga një vend në një tjetër, ka vend të supozohet se arbanasët tanë mund të kenë qenë blegtorë që kisha serbe do t’i ketë shpërngulur nga vise ku ata bënin jetën e blegtorëve për t’i vendosur në një zonë ku mund ketë pasur kushte për t’u marrë me bujqësi. Sido që të jetë, këtu kemi të bëjmë me një emërtim të dëshmuar Arbanas dhe ky mund të rehabilitohet (pas përcaktimit saktësisht në terren) duke e emërtuar kështu njërin nga vendbanimet më afër manastirit të Deviqit dhe Krushevcit nëpër të cilat apo afër të cilave kalon lumi Klina.

Në rastet kur flitet për emrat e vendbanimeve të dala nga emri etnik i një popullate rëndom shtrohet pyetja a kemi të bëjmë në këso rastesh me emra të një popullate të ngulitur aty me hir apo me dhunë, të huajë për shumicën e ambientit përreth, apo (edhe) me emërtime të një kategorie sociale të të njëjtit popull. Sa për ilustrim të mundësisë së parë le ta marrim p.sh. emrin Arbanas të vendbanimit në periferi të Zarës (Kroaci), për të cilin dihet se u themelua në shek. 17 nga shqiptarë të ikur nga katundet Larje, Brisk e Shestan, një katund Arbanas në regjionin e Toplicës në Serbi, sipas të cilit është quajtur edhe lumi Arbanaška reka dhe një tjetër në Bullgari, pa i përmendur këtu ngulitjet arbëreshe në Kalabri, të cilat e përmbajnë mbiemrin albanese apo degli Albanesi, apo ato në Turqi me atributin arnaut dhe emërtimet e tipit Vlahinje, çfarë ka edhe në Kosovë e të cilat janë forma të zgjeruara me prapashesën –inje nga emri etnik i vllehve.

I kësaj kategorie është p.sh. edhe emri i katundit të sotëm Sllovi i komunës së Lypianit. Dëshmia më e vjetër e përmendjes së këtij vendbanimi rrjedh nga viti 1331. Mbreti serb St. Dušan ia falte pirgut në Hilendar disa katunde, midis të cilave kishën e shën Mërisë në Lypian (“… u Lipljanьi …”) dhe katundin Slovinje bashkë me banorët e tij, me livadhet e me kosheret e bletëve të atij katundi qi i takonin kishës së Lypianit. (sh. Stojan Novaković, Zakonski spomenici srpskih država srednjega veka, Beograd, 1912, fq. 486). Po në trajtën Slovinje ky katund dëshmohet edhe në vitet 1336-1347, 1348, 1389-1398 e më vonë. Nga vitet 1655- 1574 dëshmohet trajta serbe e sotme Slovinje. Emri i këtij vendbanimi rrjedh nga emri etnik i sllavëve në trajtën serbe slovinь, i zgjeruar me prapashtesën –inje që tregon një kolektivitet si p.sh. emri shqip Shkini,-a “vend i shkieve“ apo dhe emri serb Vlahinje “vend i vllehëve”. Po nga emri slovinь, veçse në trajtën kroate të tij, është krijuar edhe i regjionit Slavonija e të ashtuquajturës Panonia kroate. Kjo trajtë është formuar në ndikimin e formës latine Sclavonia. Krahas trajtës latine, në mesjetë dëshmohet edhe trajta popullore sllave Slovinje, Slovinja, “vendi, toka e sllavëve”. Në dokumentacionin raguzas të mesjetës, emri i këtij regjioni del në trajtat Slovigna, Slovigne, Slovinia , Schlovinie dhe shënonte ndonjëherë jo vetëm Sllavoninë, porse edhe shtetin serb të Rashkës i cili herë – herë quhet edhe Servia / Serbia, Raška dhe Sclavonia. Kjo traditë u ndërpre nga fillimi i shek. 13 (sh. Mihailo J. Dinić, O nazivima srednjovekovne srpske države [Sklavonija, Srbija, Raška], Prilozi za književnost, jezik, istoriju i folklor, 1-2 (1966), fq. 28).Vendin e këtij emërtimi e zuri ai srьbinь. Edhe këtu duhet shtruar pra pyetjen cili ishte momenti që ndikoi në emërtimin kështu të një vendi të banuar nga sllavët. A mund të ketë ky emërtim lidhje me vendosjen e një bashkësie sllave në një mjedis të cilin vetëm diç më shumë se 200 vite para përmendjes së këtij katundi në dokumentacion zhupani i madh Stefan Nemanja i Rashkës e quante “tokë greke“ përkatësisht bizantine dhe që më 1198 nga ajo tokë i kishte pushtuar Llapin e Lypianin e deri edhe Pultin në Shqipërinë e Veriut (khs: a odь grьčske zemlje Labь s Lьplanjemь, […] a odь arьbanasь pilotь, sh. J. Šafarik, Pamatky drevniho pisemnctivi jihoslovanov, Dil predochazi serbal i vydal, Pragë, 1873, fq. 3). Duket se ka pak arsye të dyshohet se sllavët do ta kenë ndryshuar adetin që zgjerimin territorial e arritën (ndryshe nga perandoria romake dhe ajo turke) më shumë duke e marrë popullatën pas vetes dhe duke i kolonizuar menjëherë viset e pushtuara në fillim të shek. 12, atëherë kur nocioni slovinь nuk përdorej më për shënimin e etnisë sllave. Masa sllave e vendosur në afërsi të Ulkianës ilire, përkatësisht të Ulpianës romake – Lypenion-it bizantin (emrin e të cilit këta ia përshtatën gjuhës së vet, duke e barazuar me fjalën sllave lipa “bli-ri“ e cila vetëm fonematikisht është e përafërt me emrin parasllav) do të ketë pasur nevojë të shquhet nga pjesa tjetër e popullatës – qytetarë të Bizantit. Dhe, këtë e bënë duke e quajtur njërin nga vendbanimet e ngritura katundare me emrin etnik të tyre. Këtë traditë pushtetet serbe e zbatuan edhe me rastin e zgjerimeve territoriale në Vojvodinë dhe të ripushtimeve të Kosovës. Këtu i kanë rrënjët emrat e vendbanimeve si Srbica e Srbobran në Kosovë. Ky i fundit është riemërtim administrativ serb i vendbanimit që në krisobulën e Banjskës të viteve 1313/1318, e njohur edhe si Krisobula e Shën Stefanit quhej katunь blьgars’ki, “katuni i bullgarëve“ (sh. Lj. Kovačević, Svetostefanska hrisovulja, Spomenik SKA, IV, Beograd, 1890, fq. 8) dhe që nga popullata shqiptare quhet edhe sot e gjithë ditën Bugariq. dhe Srbobran në Vojvodinë .

BULKAJ në vend të POGRAGJË

(Ky punimth është variant i plotësuar lehtë i shkrimit tim “ Cili është katundi Bulkovce i vititn 1455”, të botuar në të përditshmen Rilindja, më 26.VIII. 1978, fq. 13)

Në defterin osman të regjistrimit të pronave të kryefamiljarëve të territorit nën zotërimin e Brankoviqëve, përmendet më 1455 edhe një vendbanim i quajtur Bulkovce (sh. Oblast Brankovića, Opširni katastarski popis iz 1455 godine, Sarajevo, 1972, fq. 89). Ky katund që asokohe kishte “13 shtëpi dhe 2 të pamartuar” bënte pjesë në timarin e njëfarë Muhamedit, të vëllait të Satit. Këtij timari i takonin: një katund, emri i të cilit i ka shpëtuar shkruesit; katundi i sotëm Marinë i Drenicës dhe katundi Bulkovce. Autorët që e përgatitën për shtyp këtë defter, e lejojnë mundësinë që ajo mungesë e emrit të katundit që s’është shënuar, të mund të plotësohet me emrin Kalica, i cili mbase ka të bëjë me katundin e sotëm Galica të Vushtrrisë.

Duke qenë se, jo vetëm në këtë defter, rendi i toponimeve në defter nuk është domosdo edhe rendi gjeografik i vendbanimeve të regjistruara, lejohet të thuhet se: është e sigurt se vendbanimi Buljkovce ishte dikund në krahinën e sotme të Drenicës apo të Llapushës. Se mund të ndodhej në regjionin e Drenicës mbase e dëshmon toponimi Marina e ndoshta edhe ai Kalica përkatësisht Galica, ndërsa se ky vend mund të ishte edhe përjasht krahinës së Drenicës e dëshmojnë disa raste kur përbrenda një timari ka katunde e prona që janë shumë largë njëra nga tjetra.

Duke e shënuar mikrotoponiminë e kaundeve të krahinës së Llapushës, një bashkëpunëtor i jashtëm i sektorit të onomastikës të Institutit Albanologjik të Prishtinës e shënoi në territorin e katundit të sotëm Pogragjë të anës së Klinës edhe mikrotoponimin Bulqet. Ky emër shenjon dy komplekse të mëdha, njërin me ara e tjetrin me livadhe në katundin Pogragjë. Jo vetëm përputhja e emrave Buljkovce / Bulqet porse, siç do të shihet më poshtë, edhe rrethana të tjera jashtëgjuhësore lejojnë të mendohet se emri Buljkovce i katundit të dëshmuar më 1455 u ruajt deri në ditë tonat në në emrin e këtyre dy komplekseve të tokës të katundit Pogragjë të Klinës. Kaundi Pogragjë i Klinës përmendet po me këtë emër, përveç më 1455 edhe më 1327, 1477, 1487, 1782, gjatë shek. XIX; më 1896/97 dhe më 1915. Mirëpo, asnjëra nga dëshmitë shkrimore nuk e ka atë forcë dokumentimi që do ta eleminonte mundësinë që Pogragja të mos ketë pasur edhe katundth, paralagje të vetën. Shkrimet me karakter regjistrimi të periudhës së sundimit osman nuk e njohin kategorinë e katundthit, paralagjes (siç e kishte p.sh. administrata kishëtare serbe), por vetëm atë të kytundit. Prandaj, kështu na del për në shumë vise, rezulton se administrata osmane i regjistronte për vendbanime më vete apo oikonime që sot janë lagje, vëllazëri e ndonjë katundi më të madh. Le ta përmendim sa për ilustrim në këtë kontekst vetëm rastin e katunit (sipas terminologjisë së administratës kishëtare serbe të mesjetës =vendbanim blegtorësh, tban) Magjerci që më 1348 (bashkë me katundet e tjera Bellogllavci, Flokovci, Çërnça, Caparci, Ginovcin e Novaci) cilësohej për katun arbanasa “katun i shqiptarëve”i cili nuk ekziston sot me atë emër. Mirëpo, në bazë të punës së bërë në terren, kolegu im Rexhep Doçi më njofton se mbi bazën e mikrotoponimisë dëshmohet se katundi Magjerci ishte pjesë e territorit të sotëm të katundit Gjinovc (midis Suharekë s e Prizrenit) me të cilin është bashkëshkrirë. Kështu do të ketë ndodhur edhe me katundin Buljkovce i cili me kohë do të jetë bashkëshkrirë me Pogragjën. Kjo bashkëshkrirje do të ketë ndodhur shumë shpejt pas vitit 1455, sepse një katund me emrin Blkovce nuk përmendet asnjëherë më në dokumentacion.

Një moment që mbase flet në të mirë të bashkëjetesës në popull të këtyre dy emërtimeve për dy vendbanime të veçanta, është edhe dëshmimi i antroponimit Bulkan (i bir i Milas-it) ndër banorët e katundit Buljkovce të vitit 1455 (sh.. Oblast Brankovića, Opširni katastarski popis iz 1455 godine, Sarajevo, 1972, fq. 89).Kjo rrethanë i dëshmon dy gjëra: së pari se popullata e këtij vendbanimi e kishte në përdorim shumë kohë para vitit 1455 antroponimin Bulk, përkatësisht Bulkan sdhe se Bulkani i vitit 1455 pas gjithë gashësh do ta ketë përtërirë këtë emër të trashëguar nga pararendës të tij të gjakut. Nëse qëndron kjo që u tha më lartë do të rezultonte se prania e këtij antroponimi dëshmon se toponimi Buljkovce është toponimizim i emrit të vëllazërisë që për pararendës e kishte një të quajtur Bulk. Duket se emri personal shqiptar Bulk është semantikisht i njëjtë me emrin Bushat. Ky i fundit (mbështetur mbi etmilogjinë e zgjidhur nga E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipe II, A – B, Tiranë, 1976, fq. 393) rrjedh nga apelativi bushat që përveç kuptimeve të tjera të ngjashme e ka edhe atë “tokë, tokë buke” që lidhet pra me punën bujqësore. Por, nga ky apelativ është zhvilluar edhe emri personal i përhapur gjerë ndër shqiptarët Bushat dhe i dëshmuar ndër të tjera edhe më 1330 dhe shumë toponime. Vetë fjala bujk (përsëri sipas prof. E. Çabejt, fq. 356) është një trajtë e zhvilluar sipas ligjeve fonetike të shqipes nga trajta më e vjetër bulk, ndërsa kjo vetë nga lat. bubulcus. E. Çabej sjell shembuj të dëshmimit të këtij apelativi si emër personal ndër banorët e rrethinës së Shkodrës (p.sh. Pali Bulko) së viteve 1416/1417.

Trajta bulk e ruajtur në variantin e dëshmuar Buljkovce të vendbanimit e ruan një gjendje të lashtë të togut konsonatik – lk –i cili përmbahet edhe në fjalën ulc (ieur. *ulkas) shq. “ ulk, ujk “e që dëshmohet tek emrat Ulciana (emër që kohën e sundimit romak u latinizua në Ulpiana), Ulcinium – Ulqini i sotëm, Ulcisia castra e Ulcirus Mons në Panoni dhe Ulca fluvius / emrat parasllavë të lumit Vuka dhe të qytetit Vukovar etj. Dëshmia më e vjetër e trajtës ulk në territorin e sotëm të Kosovës del në vitin …, Atëherë, njëri ndër 24 pleqnarët që merrnin pjesë në kontestin rreth mexhëve të katundeve Mamushë e Nistra ishte edhe banori David Buzulk nga katundi i sotëm Korish i Suharekës (sh. Aleksandar V. Solovev, Odabrani spomenici srpskog prava, Beograd, 1926 fq. 215).

Për hir të korrektësisë dhe plotnisë së këtij meditimi e do nevoja të trajtohet më gjerë trajta Bulqet e mikrotoponimit me të cilin e identifikuam katundin e zhdukur Buljkovce të vitit 1455. Kjo aqë më parë pse këto dy trajtat e emrit lejojnë edhe dy interpretime të ndryshme. Po u nisëm nga trajta e dëshmuar në vitin 1455, atëherë sqarimi im i toponimit si i dalë nga antroponimi Bulk i zgjeruar në emër vëllazërie me prapashtesën sllave kolektive –ovci do ta kishte kuptimin “pasardhësit e Bulkut, Bulkjat”. Po të nisemi nga trajta Bulqet e mikrotoponimit del sikur emri i vendbanimit nuk ka fort lidhje me antroponimin Bulk, të cilin unë e shoh si bazë të emërtimit. E. Çabej (libri i cituar më parë, fq. 356 –357) ka treguar se në veprat e autorëve tanë të vjetër si p.sh. Te Budi, fjala bulk del edhe në në trajtën e palatalizuar si bulq (khs. ashtu qi ndo i kalbenë bulqītë duoj ndë lamë) dhe ndër emra visesh si Bulqar, Bulqizë e Bulçésh dhe, mö 1485 Bulkija (katund në rrethina të Shkodrës, sh. Selami Pulaha, Defteri …) ndërsa në arbërishten e Italisë, nën ndikimin e fjalëformimit italian me prapashtesat –iere, –ere del edhe trajta bulqér për “bujk”. Mikrotoponimi Bulqet duket të jetë formuar nga trajta më e re (e palatalizuar) bulq e bulk (një fenomen që nuk i ka prekur edhe fjalët kumsht “hirrë e zier”nga më e vjetra klumsht let. Qumësht “tamël”; me kanë nga më e vjetra ‘me klanë, klenë, infinitivi i foljes jam) si shumës që shenjon komplekse tokash që i takonin katundit Bulk-,aj. Si i këtillë, emri Bulqet shenjon vende në rastin tonë ara e livadhe që u takonin bulqë ve përkatësisht bulkëve apo Bulkajve. Trajta Bulqet kujtoj se ka dalë më vonë (siç e tregon edhe fenomeni i palatalizimit), pas rrafshimit të dallimit të prerë midis strkturave sociale të feudalizmit midis bujkut e të blegtorit, përkatësisht territorializimit të katuneve blegtorale dhe pas zhdukjes nga përdorimi të antroponimit shqip Bulk, si rezultat i islamizimit dhe i marrjes së antroponimisë turke-orientale nga shqiptarët e islamizuar.

Në dritën e kësaj që u shtrua këtu shkurtazi, do të lejohej të nxirret përfundimi se: vendbanimi Buljkovce i vitit 1455 ekzistonte edhe para këtij viti si lagje përkatësisht vëllazëri e katundit Pogragjë – sado që shkrimet kishtare serbe nuk e kanë shënuar si të tillë. Ky toponim, në kujtesën e popullit do të ketë bashkëjetuar me atë Pogragjë porse me kohë, si rezultat i territorializimit, do të jetë mbuluar nga emri Pogragjë, ashtu siç ndodhi p.sh. me katunin Magjerci i cili u zhduk si emër vendbanimi më vete me të territorializuar të katunit Ginovci përkatësisht Gjinovc. Rrethana se dëshmia onomastike Bulqet e ruan kujtimin e ekzistimit të një vendbanimi më vete të cilin administratat e tjera nuk e shënuan më, por që edhe sot është emërtim aktiv dhe shënon një pjesë të mirë të tokës së bukës e të kullotës së katundit Pogragjë sikur e ka forcën ta bëjë jetën e tij të sërishme apo të “rehabilitohet” në vend të emrit me prejardhje të huaj Pogragjë. /Telegrafi/