LAJMI I FUNDIT:

Një ”rrënojë” e bukur, një ndërtesë e mrekullueshme: Për Teatrin

Një ”rrënojë” e bukur, një ndërtesë e mrekullueshme: Për Teatrin

Artan Raça

Më 1971, në luftën për pavarësinë e Bangladeshit, ndërtesa e Asamblesë Kombëtare në Dhaka e ndërtuar më 1962 në mes të një liqeni, shpëton për mrekulli dhe për rastësi nga shkatërrimi, sepse bombarduesit e morën atë për një ndërtesë historike. Projektuesi i kësaj vepre, ndoshta më e mira e jetës së tij, ishte Louis Kahn, një nga parimet e të cilit ishte: rrënoja të bukura, ndërtesa të mrekullueshme, që, midis të tjerave, mund të kuptohet se vlera e një objekti arkitekturor apo prova e kohës për të, është bukuria me të cilën ai plaket; kjo e bën atë një objekt të mrekullueshëm.


Nga ana tjetër, sot më 2018 në Tiranë, në emër të progresit, ndërtesa e Circolo Skanderbegut, sot Teatri Kombëtar, ndërtuar më 1939 nga Pater Costruzioni Edili Speciali di Milano, rrezikon të prishet sepse për fatin e saj të keq iu duket si një ndërtesë historike. Si e tillë, duhet të them që në fillim se kjo ndërtesë, edhe pse pa asnjë përkujdesje, është një ”rrënojë” e bukur e për rrjedhojë, një ndërtesë e mrekullueshme. Me bukurinë e plakjes së saj ajo ka kaluar provën e kohës, prandaj mendoj se duhet të ruhet e të restaurohet. Në fakt, kjo ndërtesë mendoj se është nga më modernet e gjithë trashëgimisë italiane në Tiranë. Pa dashur të hyj në analizë të thellë arkitekturore, unë nuk mendoj se ajo arrin të jetë një vepër futuriste.

Kjo lloj arkitekture nuk arriti të materializojë asnjë vepër të tillë edhe nga vetë hartuesi i manifestit të arkitekturës futuriste Antonio Sant’Elia, por është mëse e vërtetë, se idetë e proklamuara prej tij patën më shumë rëndësi dhe ndikim në Evropë se vetë lëvizja futuriste. Pra, mund të themi se nëse autori i saj është Giulio Bertè, influenca e këtyre ideve te kjo vepër është tejet më e ndjeshme se te të gjitha veprat e bashkëkohësve të vet në Tiranë.

Arkitektura para së gjithash është ide, ndërsa teknologjia nuk është gjithçka. E parë si e tillë, edhe pse pa shumë pretendime, kjo vepër mendoj se i lë prapa edhe projektet tepër akademike dhe monumentale të kompleksit të ministrive si dhe të Universitetit të Bosios. Ajo qëndron më afër modernizmit se këto të fundit. E ndërtuar në shpinë të kompleksit të ministrive, me përulësi, thjeshtësi, përmasë njerëzore, me një arkitekturë të lehtë dhe të depërtueshme, ky kompleks është një hapësirë arkitektonike, e cila shkrihet në një hapësirë urbane në sheshin para tij e natyrshëm deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke i dhënë një vlerë të veçantë projektuese boshit, nga të rrallat tashmë të mbijetuara në këtë qytet.

Këtu qëndron një nga elementet më moderne të kësaj arkitekture, e cila, në ndryshim nga objektet e tjera të arkitekturës monumentale italiane te ne, me shumë shkallë e detaje, kërkon të jetë e thjeshtë e lidhur me tokën dhe e integruar me mjedisin përreth. Nga ana tjetër, ky objekt dhe objektet e tjera të arkitekturës italiane janë vepra, që i përkasin epokës së adoleshencës së arkitekturës sonë, asaj të paraluftës që lidhet me Mbretërinë, vepra që na mësuan më shumë se asnjë tjetër dashurinë për detajin dhe arkitekturën në përgjithësi.

Por, arsyeja themelore përse ky objekt duhet të restaurohet dhe realisht ai mund të restaurohet, duke e sjellë në ditët e bukurisë së rinisë së tij, pra, kjo arsye nuk qëndron te forma arkitekturore, por te kujtesa që kjo formë ruan brenda saj. “Qytetet janë vende të shkëmbimit”, thotë Calvino, “por shkëmbimet nuk janë vetëm shkëmbime mallrash, por janë shkëmbime fjalësh, dëshirash dhe kujtimesh”.

Teatri, ashtu si edhe Kinemaja, janë objekte që prodhojnë marrëdhënie dhe infektojnë në një masë tepër të madhe jetën e qytetit dhe të njerëzve të tij. Duke pranuar metaforën arkitekturore se përdoruesit e parë të arkitekturës nuk janë ata që e banojnë, por ata që janë jashtë saj, mund të themi se Teatri Kombëtar ka krijuar një marrëdhënie të gjatë dhe të përhershme me qytetin dhe njerëzit dhe e gjithë kjo marrëdhënie materializohet te kjo ndërtesë dhe te ky kompleks, prishja e të cilit do të merrte me vete tërë këtë histori dhe do të krijonte një boshllëk tepër të madh, që nuk mund ta mbushë asnjë masë e re betoni.

Mjafton të kujtojmë skenën e filmit “Nuovo Cinema Paradiso” të Tornatores për të kuptuar boshllëkun dhe trishtimin që lë prapa prishja e objekteve të tilla në qytet dhe në jetët e njerëzve, një metaforë kinematografike, të cilën ky qytet e ka provuar më shumë se një herë. Pra, duke gjykuar ruajtjen e këtij kompleksi si gjënë parësore, nuk jam fare i interesuar për atë që propozohet të vijë prapa.

Së pari, sepse ashtu si thotë Manzoni, jo gjithmonë ajo që vjen prapa është progres, por dhe sepse për njerëzit joprofesionistë (por nganjëherë edhe për ata), si edhe për ata që marrin vendime, simulacra e asaj që do të ndërtohet kur në pyetje është prishja apo jo e asaj që ekziston, është tepër e rrezikshme dhe joshëse. Shock and Awe, është një taktikë ushtarake e bazuar mbi demonstrimin e fuqisë dërrmuese dhe shfaqjeve spektakolare të forcës për të paralizuar perceptimin e kundërshtarit në fushën e betejës dhe për të shkatërruar vullnetin e tij për të luftuar.

Këtë lloj efekti ka edhe projekti i propozuar nga një prej arkitektëve më të paguar sot në botë. As më shumë e as më pak, por një anestezi tërësore për njerëzit e pafamiljarizuar me arkitekturën, për të mos ndierë dhimbjen e gjymtyrës që po të presin. Edhe kjo një deja vu për Tiranën, kur projekti i ri “joshës” për kohën e vet i Muzeut Kombëtar anestizoi mendjet e arkitektëve dhe të vendimmarrjes për të hedhur në erë me lehtësinë më të madhe dhe pa ndierë asnjë dhimbje ndërtesën e ish- Bashkisë së Tiranës, duke i dhënë një goditje të pariparueshme sheshit “Skënderbej” dhe qytetit, të cilin ai nuk ka arritur ta riparojë dhe e vuan ende.

Nga ana tjetër, ndërtesa e Teatrit në rezistencën e vet dhe të njerëzve për të mos u prishur, ka nxjerrë në sipërfaqe kriza dhe probleme arkitekturore dhe jo vetëm. Ajo që kritiku Bruno Zevi e quan injoranca popullore ndaj arkitekturës dhe mosinteresimi ndaj saj po e bën edhe më të vështirë administrimin e qytetit dhe kritikën ndaj komercializimit të hapësirave publike.

“Çdonjëri është padron për të mbyllur radion dhe për t’u bërë bisht koncerteve, kinemasë edhe teatrit apo të mos lexojë një libër”, vazhdon Zevi, “por askush nuk mund të mbyllë sytë përpara ndërtesave, të cilat formojnë skenën e jetës qytetare dhe lënë shenjën e njeriut në qytete dhe peizazh”. Gjithashtu, debati mbi Teatrin ka nxjerrë në sipërfaqe një krizë përfaqësimi dhe pamundësinë për të kuptuar e dëgjuar vox populin. Qytete të lumtura e të suksesshme në Evropë rezulton se janë ato, që kanë në bazë të zhvillimit të tyre konsensusin, se ato janë krijime kolektive, vepra korale.

Berati dhe Gjirokastra janë dëshmi të një kryevepre arti kolektiv nga shqiptarët, ku në themel të bukurisë së tyre në fund të fundit janë konsensusi apo e thënë shqip mirëkuptimi. Këto qytete rrezatojnë edhe sot dashurinë ndaj arkitekturës, qetësinë që duhet për të bërë qytete të mira dhe të qëndrueshme pa pasur nevojë për archistar-ë apo gjeni, por thjesht për njerëz me common sense. Por, kriza me e trishtueshme dhe çarmatosëse është ajo e filantropizmit.

Qytetet në një pjesë të madhe janë ndërtuar edhe prej filantropizmit. Ajo që filantropi Thoma Turtulli bëri për qytetin e Korçës duke i dhuruar asaj bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren na tregon se në çfarë niveli të ulët është kapitalizmi shqiptar dhe shoqëria e rritur prej tij, duke na turpëruar rëndë, teksa shohim që duhet t’i heqim qytetit copa kujtese dhe ndërtesa për të ngritur një Teatër të ri, atë që e ka bërë njëqind vjet më parë një shqiptar, duke e bërë Korçën jo rastësisht një nga qytetet më evropianë të vendit.

Por, qytetet, edhe pse në ditët e tyre më të këqija, kanë disa qeliza staminale që nuk i lënë të vdesin lehtë. Unë mendoj se keqkuptimi qëndron në mosndërgjegjësimin e kuptueshëm të atyre që janë për ta prishur te mirësia që rrezaton kjo ndërtesë dhe këtu e shikoj edhe burimin e konsensusit, sepse është një gjë mëse e natyrshme të mos kuptosh përfitimet e një arkitekture të mirë, sepse siç thotë arkitekti tjetër italian, Carlo Scarpa, kur arkitektura është e tillë (e mirë), ai që e dëgjon dhe e shikon atë i merr benefitet e saj pa e kuptuar.