LAJMI I FUNDIT:

Muza e të gjithëve!

Muza e të gjithëve!
Bettina von Arnim

Njihte Marksin, Betovenin, Robert dhe Klara Shumanin, vëllezërit Grim, Listin e të tjerë, duke e kthyer kështu në një revolucion të romantizmit femëror.

Nga: Georg Perdota
Përktheu: Jola Tasellari


Ajo ngjalli kureshtjen e Napoleon Bonapartit dhe bënte shëtitje intime me Marksin [Karl Marx], ruante një pasion të veçantë për Gëten [Johann Wolfgang Von Goethe] i cili ia shndërroi dëshirën e zjarrtë në një raport të stërzgjatur letërkëmbimi, dhe ishte muza e Betovenit [Ludwig van Beethoven]. Shumani [Robert Schumann] dhe Bramsi [Johannes Brahms] i dedikuan këngë, kurse Vëllezërit Grim një botim të përrallave të tyre.

Kush ishte kjo grua e jashtëzakonshme?

Emri i saj ishte Elizabeth Brentano, ndryshe njihej si Betina [Bettina]. Ishte motra e Klemensit [Clements Brentano], poeti i njohur, dhe gruaja e një tjetër poeti – von Arnimit [Achim von Armin], të cilit ia lindi njëmbëdhjetë fëmijë. Nuk shkroi kurrë poezi, megjithatë shkrimet e saj habitën e mrekulluan lexuesit. Gjithashtu edhe kompozonte.  Dy këngët e saj të para u shfaqën nën pseudonimin “Beans Beor” (bekim, jam e bekuar). Duke iu qasur kompozimit përmes pikëpamjes letrare, disa nga këngët iu publikuan përgjatë jetës. Kompozitorët e rinj e virtuozë, si Listi [Franz Liszt], Joahimi [Joseph Joachim], Korneliusi [Peter Cornelius] dhe Kinkeli [Johanna Kinkel], e admironin si mikeshë të Gëtes e të Betovenit, dhe ndikimi i saj mbi muzikantët e rinj kishte rëndësi të lartë. Ajo ishte një “muzë e lartësuar, një lëvizje letrare e drejtuar prej një gruaje, njëherazi figura më përfaqësuese e shekullit të romantizmit”.

Betina lindi në Frankfurt në vitin 1785 dhe e ëma kishte qenë dashuria e parë e Gëtes. Kur ajo vdiq, Betinën e dërguan në manastir dhe gradualisht, Klemensi, vëllai i saj i marrë i cili njëherë kishte me lyer ngjyrë blu tërë dhomën, nga dyshemeja te tavani, përfshirë tapetin, perdet, mobilet dhe fytyrën e vet, u bë udhëheqësi i saj. Klemensi dhe miku i tij, Akim von Arnimi, me ndihmesë të madhe nga Betina, mblodhën poezi popullore të cilat i publikuan gradualisht si teza mbi Romantizmin Gjerman, Des Knaben Wunderhorn. Betina kish’ qenë gjithnjë rebele dhe dashuria e saj e parë ishte një vajzë pesë vite më e madhe, të cilën e njohu në manastir. Kur ishte njëzet e një vjeçe, e prezantuan me Gëten, dhe kur ai e pyeti se çfarë i interesonte, iu përgjigj: Asgjë nuk më intereson veç teje. Mesa duket,  iu shtri në prehër, i hodhi krahët në qafë dhe e zuri gjumi. Qartazi donte të bëhej muza e tij, ndoshta edhe më tepër. Në një letër i shkroi: Kam qenë xheloze dhe nganjëherë e kam ndiere veten si subjekt të poezive tuaja, ndaj pse t’ia privoj vetes lumturinë? Çfarë realiteti më të lartësuar ka se ëndrra? Gëte, mbi tridhjetë vjet më i madh, nuk dinte si ta përballonte, kështu që letrat e saj i shndërronte në materiale për librat dhe poezitë e veta, por e shmangu intimitetin.

Rreth viteve 1810, Betina ishte njohur me një tjetër artist të madh të kohës, Betoveni. Sipas vetë memoareve të saj, një ditë, ndërkohë që Betoveni po punonte në piano, i vendosa duart mbi supe. U kthye me inat, vetëm për të gjetur një grua të re e tërheqëse, që i foli në vesh: Më quajnë Brentano. Dukshëm, Betoveni u magjeps prej sjelljes së saj dhe bashkë kultivuan një miqësi të ngushtë, por kurrë nuk qenë partnerë. Ishte sigurisht e vendosur për t’i bërë bashkë Gëten dhe Betovenin, gjë që ndodhi në një takim të vetëm e jo të lehtë. Në letrat e saj citonte vazhdimisht Betovenin dhe Gëten, por të gjitha fjalët ishin shpikjet e saj. Adhuruesit sugjerojnë se Betina krijoi zhanrit e vet letrar, romanin epistolar.

Ndikimi i Betinës u ndie përmes Evropës Qendrore dhe kjo përfshiu mbështetjen për Kinkelin, kompozitoren, shkrimtaren, pianisten dhe mësuesen e muzikës që publikoi rreth shtatëdhjetë këngë për këndim e piano. Pasi i shpëtoi të shoqit abuzues, ajo jetoi me Betina von Arnimin për muaj të tërë dhe e ndihmoi me projekte kompozimi dhe përkthimi. Koleksioni i saj i parë me gjashtë këngë u publikua nën titullin “J. Mathieux”, dedikuar mentorit të saj, ndërsa kritiku Ludvig Relshtab [Ludwig Rellstab] sugjeron se shpejt do të bëhet e njohur dhe e respektuar. Betina bëri fushatë të palodhur kundër antisemitizmit, shkroi disa libra politikë shumë të rrezikshëm për çështjen e çlirimit nga sundimi prus dhe madje u damkos si komuniste. Libri i saj i fundit, Biseda me djajtë, gati e shkatërroi financiarisht dhe, duke vështruar bustin e Gëtes, ndërroi jetë në shtratin e saj në moshën shtatëdhjetë e katër vjeçare. Dijetarë dhe kritikë bashkohen me mendimin se Betina von Arnim ishte e veçantë në një shekull plot me figura ekstravagante. Ishte muza e të gjithëve, kërkoi dashuri nga çdokush, por nuk ishte asgjë më shumë se njeriu i vetes. Krijimi i saj më i madh ishte vetvetja! /Gazeta “ExLibris”/