LAJMI I FUNDIT:

Ministri i Jashtëm ukrainas thotë se pakot me bombë dhe me sy kafshësh u dërguan në gjashtë vende evropiane

Ministri i Jashtëm ukrainas thotë se pakot me bombë dhe me sy kafshësh u dërguan në gjashtë vende evropiane

Ambasadat dhe konsullatat e Ukrainës në gjashtë vende evropiane kanë marrë pako që përmbanin eksploziv dhe sy kafshësh në ditët e fundit, tha ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Në një intervistë për CNN, Kuleba tha se më shumë se një duzinë letrash iu ishin dërguar diplomatëve ukrainas në ambasadat e Kievit në Hungari, Holandë, Poloni, Kroaci, Itali dhe Austri, transmeton Telegrafi.


Ai tha se kishte pasur 17 raste të ambasadave që kishin pranuar ose letra bombë, letra bomba false ose letra që përmbanin pjesë kafshësh, duke përfshirë sytë e lopëve dhe derrave.

“Nisi me një shpërthim në ambasadën e Ukrainës në Spanjë. Por ajo që pasoi këtë shpërthim ishte më e çuditshme, madje do të thosha e sëmurë”.

Zyrtari ukrainas tha gjithashtu se pakot ishin “të njomura në një lëng me ngjyrë karakteristike dhe kishin një erë përkatëse” dhe ishin duke u ekzaminuar.

Diku tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko shkroi në Facebook se “pakot e përgjakshme” u pranuan nga ambasadat ukrainase si dhe nga konsullatat në Napoli, Itali; Krakov, Poloni dhe qytetin çek të Brno-s.

Nikolenko tha se pakot arritën kur një paketë që përmbante një mjet shpërthyes e dërguar në ambasadën e Ukrainës në Madrid, u ndez pas hapjes të mërkurën dhe lëndoi një punonjës.

Ministria e Brendshme e Spanjës tha se policia evakuoi ambasadën e Madridit të premten pasi u zbulua një pako tjetër e dyshuar. /Telegrafi/