LAJMI I FUNDIT:

“Lumi i vdekur” dhe shkrimtari që i dha dimension tjetër gjinisë së romanit

“Lumi i vdekur” dhe shkrimtari që i dha dimension tjetër gjinisë së romanit
Jakov Xoxa

Nga: Majlinda Rama

Në letërsinë shqipe, Jakov Xoxa qëndron si një figurë e shquar, i njohur për kontributin e tij të çmuar në peizazhin letrar të vendit, të cilit i atribuohet një epokë letrare, ajo e romanit realist (në gjysmën e dytë të shek. XX), një zhanër letrar që pati vonesat e veta te ne, krahasuar me përvojën e romanit realist klasik në letërsinë evropiane.


I lindur më 15 prill 1923, në qytetin e Fierit, pasioni i Xoxës për të shkruarin dhe përkushtimi i tij në portretizimin e realiteteve shoqërore e sociale të vendit, lanë gjurmë të pashlyeshme në botën letrare të kohës, me jehonë edhe në ditët tona. Ndonëse karriera krijuese e Jakov Xoxës njeh disa lloje të mëparshme shkrimi, duke e shpërfaqur atë si poet, tregimtar dhe dramaturg, Xoxa do të ngjiste apogjeun e vet me kryeveprën voluminoze, “Lumi i vdekur”. Ky roman trepjesësh do të shënonte, arritje, jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për letërsinë shqipe. “Lumi i vdekur” e futi letërsinë shqipe në një drejtim të ri letrar, në përvojën e romanit realist klasik (ngjashëm me letërsinë evropiane të shekullit XIX që e vijoi rrugëtimin edhe në shekullin XX).

Në fakt, jo vetëm romani realist, por vetë romani si zhanër letrar, pati problemet e veta në Shqipëri. Ai u karakterizua nga një performancë e zbehtë, njohu zvarritje dhe “kapërcime etapash”, në ndryshim me përvojën që pati në Evropë, me një traditë disashekullore. Edhe ato pak prurje që i erdhën letërsisë shqipe, patën sfond historik, përmendim këtu romanin “Pse” të Sterjo Spasses apo “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit, që panë dritën e botimit në fillimvitet ‘30, por nuk e përmbushën dot hapësirën boshe të krijuar.

Letërsia që u zhvillua pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që u njoh si letërsi e socrealizmit, i ndërpreu marrëdhëniet me traditat letrare të mëparshme, të zhvilluara para luftës. Pas kësaj periudhe, bota letrare e kohës mëtoi të zhvillohej nën konvencat dhe tiparet e ngurta të realizmit socialist, pra me shkollën e vetë letrare, ku ideologjia dhe parimi letrar u panë si një e tërë. Kështu, romancierët që botuan në vitet ’50, ndonëse tentuan linja të romanit social, përmendim, Dhimitër Shuteriqin me “Çlirimtarët” në 1952, Sterjo Spassen me “Ata nuk ishin vetëm”, 1952, Fatmir Gjatën me romanin “Këneta” në 1959, të cilët i dhanë hapësira heroizmit të luftës për çlirimin e vendit dhe mesazhit për fuqizimin e socializmit.

Por, drejtimi i realizmit tek ne, nuk mbërriti të zhvillohej tamam, pra plotësisht, edhe për faktin se nuk arriti të merrte kohën e nevojshme për t’u zhvilluar, sepse siç dihet, me realizmin socialist letërsia do të vihen nën shinat e dogmës, me skema e teori letrare të inkuadruara në kallëpe fikse, çka e devijoi krijimin në një ngasje artifice. Si shkollë letrare për shkrimtarët nisën të shihen modele të realizmit socialist që vinin nga vendet e Bashkimit Sovjetik, duke qenë se një pjesë e mirë e shkrimtarëve dhe artistëve arsimoheshin në këto vende.

Kjo e bëri edhe më të lehtë dhe më të shpejtë pranimin e këtij modeli teorik. Shembuj për arritjet e artistike në këtë kohë, u mbajtën emra të njohur, si Maksim Gorki, Majakovski etj. Me pak fjalë, arti dhe letërsia u kthyen në instrumente të propagandës, duke frenuar zhvillimin natyral të letërsisë. Tanimë shkrimtarët u detyruan t’i shërbenin ideologjisë së kohës duke u kthyer në shërbestar të sistemit, çka përjashtoi në një formë qëndrimin ideo-emocional të autorit dhe e shtynë atë drejt një botëkuptimi të ri letrar. (Po i përmend këto për të kuptuar se në çfarë presioni punonin shkrimtarët dhe artistët). Ky detyrim për t’u bërë pjesë e këtyre kallëpeve/formateve të ngushta të këtij modeli, me qëllim përjetësimin artistik e letrar të kohës, natyrisht që pati ndikimet e veta, pasi humbi hapësira e lirisë krijuese të shkrimtarit.

Por, sikurse dihet, letërsia e mirë e kalon provën edhe në këto momente tensioni. E njëjta ndodhi edhe me Jakov Xoxën, i cili me fuqinë e talentit të madh, i thyeu rregullat. Me “Lumin e vdekur”, më tepër se realizmi si drejtim letrar, shkrimtarit duket se i interesonte njeriu, bashkë më tërë vërtetësinë e jetës së tij dhe, këtë, nxitet ta paraqesë sa qartë. Me “Lumin e vdekur”, 1965 (i cili njohu disa botime të pjesshme në shtypin e kohës, në revistën Nëntori 1961), shkrimtari i dha një dimension tjetër gjinisë së romanit, u dha liri psikologjike personazheve, duke na i paraqitur me ndjenjat dhe mendimet e veta, me dëshirat dhe aspiratat për jetën, me vizionin dhe individualitetin e tyre…dhe, siç thotë studiuesja Klara Kodra, “Jakov Xoxa me “Lumin e vdekur” i rikthehej realizmit kritik, ndonëse u detyrua ta fshihte atë nën pelerinën e realizmit socialist”.

Por, edhe kështu, “Lumi i vdekur” nuk i shpëtoi tërësisht censurës së kohës, dhe kjo shihet në rimarrjen për rishikim disa herë të romanit, pas botimit të parë. Kujtoj këtu që, në kujtimet e veta, “Koha e kujtimeve”, Prof. Nasho Jorgaqi, përmend një moment kur kritika letrare e kohës kish nisur sulmet ndaj shkrimtarit Xoxa qysh me botimin e vëllimit më tregime nën titullin “Novela”. “Por gëzimi im mori një goditje të papritur, kur pas pak kohësh lexova në shtyp një artikull të rreptë kritik për librin. Kritikohej për cene ideologjike për doza impresionizmi, madje kishte vërejtje dhe për anën artistike, megjithëse nuk mohohej talenti i autorit”. Këto sulme ndaj Jakov Xoxës do të vijonin edhe më pas, gjë që do ta bënte atë të tërhiqet tërësisht nga jeta intelektuale e Tiranës, për t’u mbyllur në Manastirin e Apolonisë.

Mjeshtëria e narrativës epike

Në romanet e tij, Jakov Xoxa pasqyroi jetën e myzeqarit në pragun e Luftës së Dytë Botërore, me gjithë kompleksitetin që vetë jeta e kohës ofronte, duke treguar me detaje mjedisin e Myzeqesë. Në fakt, kjo nënkuptonte krejt botën shqiptare të fundviteve ‘30, ku në mënyrë sintetike shkrimtari paraqet vuajtjet e fshatarësisë nën sundimit e mbretit Zog. Këtë e bën, gati se, me një përpikmëri pedante, ku bashkon përsosmërisht estetikën krijuese me teoritë letrare realiste. Shkrimtari arriti të sillte të plotë dramën jetësore të fshatarit, sjelljen e tregtarit, të pasurit, bejlerit, mizorinë dhe arrogancën e tyre, sagën e vuajtjeve të vendasve dhe atyre që emigrojnë, të varfërve dhe të pambrojturve, të cilët duket sikur i bashkon i njëjti fill, dhimbja e përbashkët kolektive.

Nëpërmjet realizimit artistik, shkrimtari ia ka dalë të na sjellë një roman me mendim filozofik popullor, ku mjeshtërisht arrin të portretizojë personazhe të jashtëzakonshëm. Jakov Xoxa, ngjashëm me Balzakun dhe Ibanezin, “Fshatarët” dhe “Kasollja”, ndërtoi një roman tjetër në traditën tonë të të shkruarit, me në qendër shtresën shoqërore të fshatarëve të varfër, ndaj të cilëve është besnik t’ia paraqesë lexuesit ashtu siç i njihte; të gjallë, të papërpunuar; nuk i fetishizon ata, as pretendon të krijojë heroin ideal, nuk nxitet as të prodhojë personazhe të ndarë në kampe, nuk nxitet të krijojë modele orientuese për shoqërinë, porse të paraqesë gjendjen e përgjithshme të shoqërisë. “Duket sikur gjithçka e ka gjetur të gatshme dhe vetëm se i duhej ta shkruajë”, është shprehur diku Aristotel Mici.

Njeriu i zakonshëm i Jakov Xoxës, është njeriu që udhëhiqet nga dëshira të jetë i mirë, madje ndonjëherë edhe me pretendime të përsosmërisë, por brutaliteti i shtypësve, ligjet e rrepta dhe represiviteti i sjelljes së shtresës së pasur, i ndryshon ata thuajse tërësisht, u tjetërson karakterin dhe, në disa raste, i bën të humbasin personalitetin. Mbijetesa për ta ka çmim të lartë, (“Mbijeto ose vdis!”), prandaj, shpresat se mund të arrijnë t’ia dalin me ndershmëri, për të siguruar bukën, bëhen gati iluzive, sapo koha i vë në sprova. Jeta u shfaqet me rregullat e veta të pamëshirshme. (Kemi parasysh këtu, orvatjet/lëkundjet e Pilo Shpiragut).

Boshti kryesor në të cilin vihen ngjarjet, siç dihet, janë dramat sociale të tri familjeve, asaj të Shpiragajve, një familje myzeqare e dëbuar nga beu, familja e Tafilajve, familja kosovare, po ashtu e dëbuar nga pushtuesi sllav, konkretisht gjenocidi serb dhe familja e Koz Dynjasë, një familje myzeqare. Në këtë roman, autori eksploron në ndërgjegjen kolektive, teksa na sjellë të kaluarën dhe të tashmen e familjeve shqiptare, këtej dhe andej kufirit. Përmes karakterit të personazheve, Pilo Shpiragu, Leks Shpiragu, Koz Dynjaja, Lip Gjanica, Suat Bej Vërdhoma etj., betejave dhe aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, uljeve, ngritjeve, dhimbjeve, Jakov Xoxa stigmatizon shtypësit, u bën sfidë normave dhe vihet përpjekje për të gjetur kuptimin e jetës dhe lirinë e individit, por edhe të shoqërisë në një botë të rreptë sociale.

Këtë e realizon me një narrativë që e tërheq lexuesin në një udhëtim emocional dhe intelektual të thellë. Romanin e karakterizojnë ngjarje të mprehta dhe komplekse, si në rrafshin jetësor e social, varfëria, pasuria, statusi shoqëror i secilit personazh, ashtu edhe në rrafshin emocional dhe atë shpirtëror siç është, dashuria, inati, ironia, vetironia apo përçmimi. Subjekti i veprës trajton dy linja paralele, që konsiderohen edhe si tema kryesore të tij. Së pari, jeta e vështirë e fshatarësisë dhe përpjekjet e tyre ekzistenciale, mes dilemave, të vënë përballë politikave të përfitimit dhe zhvatjes nga tregtarët dhe bejlerët, dhe nga ana tjetër, linja e dashurisë romantike mes djaloshit kosovar Adilit dhe vajzës myzeqare, Vitës, të cilët në një kuptim simbolizojnë bashkimin shpirtëror të dy vendeve.

Personazhet e “Lumit të vdekur” – modele të tipeve shoqërorë të kohës

“Lumi i vdekur”, nga pikëpamja narrative dhe përshkruese, është romani tipik shqiptar, që e trajton njeriun të plotë, me përjetime nga më të thjeshtat. Shkrimtari ka ditur të identifikojë karakteristikat e tyre fizike dhe emocionale, motivacionin e sjelljeve dhe konflikteve të tyre, parimet morale, ka ndërtuar karaktere, i ka sjellë ata me dobësitë dhe vlerat e veçanta, me lëkundjet psikologjike dhe ndjenjësore, ndonëse binte ndesh me parimin e realizmit socialist. Shohim personazhet: Pilo Shpiragu, Koz Dynjaja, Suat bej Vërdhoma dhe Vita etj. Pilo Shpiragu është figura më komplekse e romanit, është vizatimi i tipit shoqëror, i mendësisë së fshatarit, me luftë e përplasje të brendshme shpirtërore, me lëkundje, kundërshti, përplasje psikologjike e pasiguri.

Personazhi i tij është shëmbëllimi i njeriut të kohës, i pambrojtur. Portretizimi i tij bëhet nëpërmjet rrëfimit, por edhe përshkrimeve të hollësishme. Për të treguar se si shpërbëhej krenaria dhe dinjiteti njerëzor përballë mjerimit ekonomik, shkrimtari e vë personazhin e Pilo Shpiragut në dy situata sa të ngjashme, aq edhe diametralisht të ndryshme në një sens, por ajo që vihet në theks është qëndrimi i Pilos, i cili e bën lexuesin ta përjetojë këtë dramë të thellë, po aq sa vetë personazhi. Për ta ilustruar, kujtojmë njërën ngjarje; për të mbrojtur nderin e së shoqes, Piloja detyrohet të kryejë vepër penale, duke e plagosur Vërdhomën, i cili njihej për pasionet erotike të shfrenuara. Ky qëndrim i Pilos u bë shkak që beu ta përzinte nga fshati Grizë, bashkë me familjen. Ndonëse Piloja e dinte se ky do të ishte ekzekutimi ekonomik i tij, pranon të përballet me dinjitet, duke ruajtur nderin e familjes. Por në një moment tjetër, pasi u lodh dhe rraskapit për të mbijetuar, në një rrugë pa dalje, ai e humb arsyetimin, e kapërcen krenarinë, i harron çështjet e nderit dhe i përulet Suat Bej Vërdhomës, duke i dërguar të bijën si shërbyese në shtëpi, ndonëse i njihte sjelljet e beut.

Koz Dynjaja, personazh tjetër i romanit, është modeli i fshatarit pa prona. Ai njihet për zgjuarsinë, shquhet për sens të lartë humori dhe ironi, ndonjëherë edhe vetironi. Ai krijon dialogë, debate, hedh e pret romuze. Koz Dynjaja portretizohet me fuqi kundërshtuese dhe është i paepur për t’i sfiduar kundërshtarët. Me shpirt kryengritës ai reagon ndaj ndryshimeve shoqërore. Duke e njohur natyrën e tij rebele, të dërguarit e beut, që shkojnë për të marrë taksën, për të tretën e rosave të egra, në fillim shkojnë të Koz Dynjaja, “Ai është koka e fshatit, jo kryeplaku.

I duhet fërkuar koka që të ulet bishti”- shprehet Myftari i Veshnjës, njëri prej përfaqësuesve të Suat bej Vërdhomës). Ndërkohë, Suat Bej Vërdhoma, është modeli i beut, përfaqësues i shtresës së lartë. Në të, autori ka mishëruar njeriun që sundon, tiranin që nuk njeh respekt për qenien njerëzore, që flet me ton urdhërues, që fyen vartësit, bujqit. Ai është edhe djallëzor, edhe imoral, është fytyra e bejlerëve të kohës, në dialogët e të cilit, shkrimtari ka vënë një leksik të larmishëm, me një fjalor të zgjedhur.

Gruaja në roman – Vita

Femrat mbajnë, po ashtu, një peshë jo më pak të rëndësishme në roman. Prania e tyre, herë e dukshme, herë në hije e plotëson subjektin, duke i dhënë më shumë ngjyra jetës të zymtë e të varfër. Jakov Xoxa tregon se është mjeshtër edhe në këtë pikëpamje, ai depërton në shpirtin e gruas, i portretizon ato me një sentiment të jashtëzakonshëm, duke i mbajtur në si zë kryesor të narrativës në roman. Vita është një nga personazhet femra të romanit, e cila përfaqëson një figure të fortë, që përjeton një sërë sfidash dhe vuajtjesh në rrugëtimin e saj të jetës.

“Qe bërë nënë para se të bëhej nuse”, thotë autori. Pas vdekjes së nënës, roli i Vitës bëhet më i pranishëm, sepse ajo, edhe pse fare e re në moshë, mban përsipër gjithë barrën e madhe të familjes, duke u kujdesur për foshnjën jetime. Duke qenë në një ambient tipik rural provincial, e rrethuar me burra në familje e fshat, Vita nis t’i fshihet jetës, bukurinë e saj fillon ta shohë si kurthin e saj, prandaj edhe kërkon t’ia fsheh hiret syrit të botës. Në këtë mënyrë ajo kërkon të mbrojë edhe lirinë e vetes, që të mos përflitet dhe ngacmohet. Përshkrimet për zhvillimin e saj femëror, për mendimin tim janë ndër më emancipueset dhe të rralla në përvojën e prozës sonë, me një emocion drithërues.

Shohim fragmentin: “Si vajza e rritur në mes atyre djemve në moshë, ajo ndjente një lloj ndrojtje, turpi, për ato shenjat që me ditë po i piqeshin e me orë po i shquheshin. Andaj nisi, një nga një, t’ia fshehë botës: në fillim, nën qepallat e gjata si halë gruri, mbuloi sytë levarashë, pastaj zgjati fustanin nja dy gisht, për të fshehur kufijtë e kofshëve dhe më vonë, kur pa se s’po ia dilte me të ndrydhur e me të shtypur gjoksit që po shpërthente pa e pyetur, përtheu kurrizin përpara dhe mundi, një farë kohe, t’i bëjë ballë sulmit të moshës së bukur, por të paturpshme. Por a e dini?… Ajo sikur kishte bërë këto për të tërhequr edhe më tepër sytë e botës”.

Vita, po ashtu, është një vajzë me zemër të ndjeshme dhe shpirt të lirë. Si bija e Pilo Shpiragut, familje shumë e varfër, ajo e përjeton mjerimin dhe varfërinë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Megjithatë, nuk lejon që kushtet e vështira të pengojnë synimet dhe ëndrrat e saj për një jetë më të mirë. Ajo i jep lirinë vetes të dashurohet me Adilin, një personazh tjetër i rëndësishëm në roman. Kjo ndjenjë e pastër, është një ndriçim i jashtëzakonshëm në jetën e tyre të vështirë, por dhe një burim i shpresës për të dy. Pasioni i tyre rinor, që vjen me vrull e stuhi, është simbolika më e mirë, për të treguar se, edhe në atë jetë të tmerrshme, dashuritë shpërthejnë, ato nuk njohin konvenca shoqërore, porse lulëzojnë….

Dhe, Vita bekohet me këtë ndjenjë, ndër më të bukurat e universit njerëzor. Nëpërmjet karakterit të Vitës, Jakov Xoxa paraqet një portret të fuqishëm dhe të frymëzuar, të një gruaje që përfaqëson zërin e të gjitha grave që përballen me vështirësi dhe mbijetojnë në një mjedis të pamëshirshëm, luftojnë për synimet e tyre dhe gjejnë rrugën drejt vetërealizimit emocional e shpirtëror. Në të njëjtën kohë, shkrimtari ka gdhendur një galeri të gjerë personazhesh të grave, si, psh. Konxheja, Sofa, gruaja e hekurt që paraqitet si një burrneshë, me zërin që i dëgjohet dhe fjalën që i pret shpatë, Sanija, kosovarja që paraqitet me karakter të butë dhe bukuri të veçantë, po ashtu një vend të veçantë zë Dafina, që e mbron dhe inkurajon Vitën etj.

Metafora e lumit

Metafora e lumit është një tjetër gjetje e mrekullueshme e Xoxës. Ajo që vlen të përmendet është pikërisht ngjallja e lumit, moment që përbën edhe pikën kulmore të romanit. Përshkrimi i ngjalljes së tij është i mrekullueshëm, një befasi kompozicionale, me detaje nga më mbresëlënëset. Lumi që ngjallet paraqitet si kundërvënie e fuqishme stilistike ndaj vetë titullit të romanit “Lumi i vdekur”. Në mënyrë simbolike, lumi i vdekur, të cilin e krahasojnë me gjarprin, papritur, një ditë për çudinë e të gjithëve, shpërthen me një llahtari të paimagjinuar.

Dhe, nga një dëshmitar i mjerimit njerëzor të banorëve të vendosur rreth tij, si për ironi të fatit, zgjohet dhe vërshon. “E dëgjon? Është deti. Po rreh të ngjallë gjarprin”. Vërshimi i tij i papërmbajtshëm, deri në kufijtë e një legjende, sjell në vëmendje ndëshkimin që i bën natyra njeriut. Në njëfarë mënyre, është ky i fundit që e dëmton vazhdimisht natyrën, duke ndërhyrë e grabitur atë që është e saj, duke dezekuilibruar ligjet natyrore. Kjo drejtësi e vënë në vend, kështu, befasisht, sikur ndryshon edhe rrjedhën e ngjarjeve, si në rrafshin individual, ashtu edhe në rrafshin shoqëror.

“U ngjall lumi i vdekur, mjerë ne të gjallët”. Vërshimi i tij paraqitet me një situatë nga më tragjiket. Personazhet, Rrapi, Ndoni dhe Leksi me lebetitjen e tyre, me atë fjalor që përçon frikë prej një kataklizme natyrore, “Me forcat e egra e shkatërronjëse të natyrës” thotë autori, ndërsa më tej vazhdon, “Lumi ik, gjithë buçimë e batare, (ai sillte nëpër shtrat të tij grahmën e detit), e njeriu ndiq, gjithë gulçim e dhimbje, (ai sillte nëpër tru fytyrën e vdekjes), duke krijuar veprime, që zhvillohen në mënyrë paralele me njëra – tjetrën. Një metaforë kjo që na përshkruan tërbimin e lumit, i cili sikur qe i ngarkuar të sillte porosinë e detit të gjithëfuqishëm, përballë njeriut krejt të pafuqishëm për t’i bërë ballë zemërimit të natyrës. Ky fat në një mënyrë, unifikon njeriun, i cili, pa dallim shtrese sociale, bej apo bujk, është njësoj.

Stili dhe gjuha

Stili i të shkruarit të Xoxës karakterizohet nga përshkrime të gjalla dhe mprehtësi mbi detajet. Aftësia e autorit për të krijuar imazhe të vërteta, i lejon lexuesit të zhytet në botën që ai krijon, duke nxitur një lidhje të thellë emocionale me personazhet dhe përvojat e tyre. Në tërësi romanet e Jakov Xoxës, përfshi edhe “Jugën e bardhë” dhe “Lulen e kripës”, janë dëshmi e mjeshtërisë dhe angazhimit të tij për të portretizuar gjendjen njerëzore me ndershmëri dhe dhembshuri. Meqë përmendëm edhe dy romanet e tjerë të Xoxës, desha të ndaj një qasje interesante të bërë nga profesoresha Klara Kodra, e cila nxit kërshërinë, duke gjetur elemente të kozmogonisë tradicionale në romanet e Xoxës, teksa na paraqet: “Elementin UJË (“Lumi i vdekur”), elementin AJËR (“Juga e bardhë”) dhe tërthorazi elementin TOKË (“Lulja e kripës”), meqenëse te toka rriten lulet, sidoqë ishte fjala për një lule të pazakonshme.

Kjo sagë romanore të kujtonte sagat e fillimit të shekullit të njëzetë “Sagën e Forsajtve” të Gollsuorthit, “Budenbrokët” e Tomas Manit, “Veprën e Artamonovëve” të Maksim Gorkit”. Në romanin “Lumi e vdekur”, ritmi narrativ i shtruar, përshkrimet dhe dialogët plot ngjyrim, episodet dramatike, bota psikologjike e personazheve, ndërtimi sintaksor i frazave, fryma e poetikës – me metafora e figura stilistike të qëlluara, fuqia e epikës – me skena nga më dramatiket (ku nuk mungojnë edhe tragjeditë familjare), vërtetësia dhe detajet që përdorë për ta paraqitur atë, e kanë bërë Jakov Xoxën një individualitet të papërsëritshëm në letërsinë shqipe. Përveç tematikës së përzgjedhur, ndërtimit të fabulës, gërshetimit të shtyllave fabulare, ndërtimit të personazheve, një peshë të madhe mban gjuha që shkrimtari përdor. “Lumi i vdekur” ka një organizim gjuhësor të jashtëzakonshëm, shkrimtari i ka shfrytëzuar gati të tëra strukturat e mundshme leksikore.

Aq sa është e vështirë ta ndash se ku qëndron forma e ku përmbajtja, pasi ato absorbohen në një harmoni të skajshme me njëra – tjetrën dhe krijojnë artin elitar të fjalës. Komunikimi mes personazheve është organik, secili flet gjuhën e vetë, shqiptari i Kosovës flet gjuhën e tij, myzeqari gjuhën e vet, komponentë që krijojnë aureolën e komunikimit së Shqipërisë së madhe. Veçori e gjuhës artistike është fuqia shprehëse dhe tipizuese. Autori ka arritur të mbledhë dhe përdor fjalë të zonës, të cilat njihen pak ose nuk njihen fare në gjuhën letrare shqipe. Autori ka shfrytëzuar më së miri, dialektet, komunikimin e zhargonit e përditshëm, gjuhën profesionale të lidhur kryesisht me bujqësinë, nuk mungojnë barbarizma, krahinorizmat, të cilat vihen në funksion të stilistikës, psh.”qahajabashi”, “të kam rixha”, apo gjuha metaforike e një fuqie artistike të veçantë, “Përjashta jeta vazhdon të vetën”, “Qan qielli, ulërin deti, thërret toka”, shprehjet frazeologjike, “të kërcasë dajaku”, “i kishte futur xanxën”, “Kur të na vërë gërshërën e të na qethë”, “t’u bëftë në grykë”, “kuvendon si pasnesër” etj., epigrafët dhe sentencat e figurshme, “Gurin e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, por i gjallë e mban”, “Ditë e re, shpresë e re”, “Dale beg, se ka hendek!”, “Ah ky njeri i shkretë, rrënjë s’ka, por është lidhur me tokën si rrapi”, toponimet, një pjesë e të cilave emërtime lokale, vihen, po ashtu, në shërbim të dy funksioneve, tipizues dhe stilistik, të cilat nga pikëpamja narrative, duket sikur ndihmojnë në shpirtëzimin e vendeve.

Përmendim: Kodra e Shën Marinës, Kodra e Shën Marinës, shëllirës së Shënpjetrës, mali i Sazanit, vargu i gjatë i Karaburunit, lumin e Semanit, kodrinat e Ardenices, fushën e Myzeqesë së Madhe, etj. Më poshtë fragmenti: “Më të mëngjër, Kodra e Shën Marinës, si ngrihej me një samar të lartë të Kodra e Shën Marinës, e kurorëzohej me rrethin e blertë të ullinjve të shtëpisë së frëngut ulej ngadalë si një gjuhë e zgjatur që kërkon të lepijë kripën në dorën e shtrirë të shëllirës së Shënpjetrës dhe pasta vinte e tretej me një rrafshinë tjetër të gjerë, me detin e pakufi. Në këmbët e kësaj bote të re të mjegullt dhe të panjohur për të ngriheshin si karakoll mali i Sazanit dhe vargu i gjatë i Karaburunit”. Pasuria e madhe gjuhësore në romanin “Lumi i Vdekur” është dëshmi e pasurisë së ndjenjës dhe mendimit. Kur vjen fjala te gjuha dhe leksiku i Jakov Xoxës, vlen konstatimi i gjuhëtarit Androkli Kostallari, i cili ka zbuluar një regjistër leksikor mbi 10 mijë fjalë, ndërkohë që, një roman mund të mbajë një regjistër deri 4 mijë fjalë.

Dy fjalë në mbyllje

Jakov Xoxa, një ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës, sot nuk lexohet në shkolla, nuk studiohet mjeshtëria e madhe e rrëfimit të tij, nuk lexohet as gjuha që ai përdor, që duhej trajtuar si një aset kombëtar, nuk lexohen, sepse shkrimtari është i ndaluar aktualisht në tekstet shkollore, për arsye, natyrisht jashtëletrare. Prandaj, le të shërbejë ky 100 – vjetor për ta rilexuar dhe ridimensionuar në bazë të meritave artistike. Fëmijët tanë duhet ta njohin fuqinë e talentit të Jakov Xoxës, njohuritë e gjera teorike, punën krijuese të jashtëzakonshme, të cilat e pozicionojnë shkrimtarin, si nga shkrimtarët më të shquar të rrëfimit epik në letërsinë shqipe.

Të rinjtë duhet të dinë se Jakov Xoxa përcolli me mjeshtëri emocione shumë komplekse, duke u ofruar lexuesve një prozë social-psikologjike, ku në sfond u vu shpirtin njerëzor, betejat e tyre të përditshme dhe dinjitetin e natyrshëm, që ata ruajnë, pavarësisht rrethanave që prodhojnë regjimet represive e shtypëse, një mesazh që i përket çdo kohe. “Lumi i vdekur” shfaq aftësinë e Xoxës për të ndërthurur në një formë edhe ngjarjet historike me reflektimet e thella filozofike, duke krijuar një rrëfim thellësisht introspektiv që magjeps lexuesit.

Ky roman duhet të na shërbejë ta shohim Xoxën si një shkrimtar që mundi të lundronte në mënyrë të përsosur në kompleksitetin e ekzistencës njerëzore. Është një nga veprat e rralla realiste me elemente moderniste, që, në çdo kohë mund të pranojë lexime të reja në disa perspektiva leximi.