LAJMI I FUNDIT:

Lekë Tasi dhe piramida e përmbysur e vlerave

Lekë Tasi dhe piramida e përmbysur e vlerave
Lekë Tasi (foto: Agron Shala, 2019)

Nga: Mehmet Elezi

I imët, me sy të vegjël inteligjentë, me logjikë e kujtesë kristali. Edhe pak mbush nëntëdhjetë e pesë vjet! Libri i tij me kujtime “Grabjani rrëzë kodrave” (Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, 2018) e ka vendin në raftin e veprave si “Rrno vetëm për me tregue” e Atë Zef Pllumit. Mund të cilësohet edhe roman, ndonëse autori s’e shërben si të tillë. Minierë faktesh e imtësish plot jetë, nga internimi e burgjet, nga lufta, nga “liria” nën diktaturë. Në 506 faqe të ngjeshura s’e përsërit një herë veten, sadopak. “Grabjani” nuk shfryn mllef e urrejtje. Është shkruar me ftohtësinë e një vizitori të largët, të rryem.


Thua skëterra që përshkruan vlon diku në përtejbotë, aty ku u endën Dantja me Virgjilin, e jo mbi shpatullat e tij, të familjes së tij me shumë ndihmesë për Shqipërinë dhe të njerëzve që e rrethojnë. Nga kundroja morale, kjo mënyrë të shkruari e fisnikëron autorin. Nga kundroja profesionale, i jep seriozitet tregimit (“narracionit”) dhe e bën më të besueshëm, si letërsi dokumentare. Nuk vizaton me karbon. Tasi, piktor i penelit, shfaqet edhe si piktor i penës.

E derdh gjithë spektrin e ngjyrave. Edhe një hetues qëllon që i jep një këshillë me zë të ulët, edhe një i burgosur politik flirton me persekutorët. Fakte të tilla nuk e bëjnë më njerëzor regjimin, siç nuk e bëjnë më pak të fisme klasën e të përndjekurve politikë. Jeta nuk është kuti shahu me katrorë bardhë e zi. I mjafton një fakt i vockël, një imtësi, për të individualizuar personazhin. Si dhe për të përgjithësuar. Tefta rebele, kur e shtinë në “gaz” me duart pranguar pas shpine, sfidon natyrshëm, duke i porositur të vetët: “Merrni sandalen e bardhë te këpucari”.

Një shtatëmbëdhjetëvjeçar, që iu nxi jeta në internim, blen dy shalqinj, ia merr dikujt një thikë hua, futet në pyll e i ha të dy shalqinjtë, dhe pas disa minutash, hijen e tij të hollë e luhat era në degë: ai var veten. Një zonjë shtang me shkakun pse e rrasën në burg. Është akuzuar se vesh tesha të jashtme dhe ka thënë “çupat e mia dua t’i martoj me kosovarë”! Galeria ngrihet me figura historike të luftës, nacionalistë properëndimorë, si Mid’hat Frashëri, Koço Tasi e të tjerë, deri te karaktere të mëvonshme si studiuesi e intelektuali “maverick” Petro Zheji. Një personazh interesant është vetë qyteti i Shkodrës. Autori zhbiron mjeshtërisht në shpirtin e tij.

Rrezatimi i lirisë në Shkodër është i dendur, asimilues. Disa të ardhur aty tkurren, nuk guxojnë të tregojnë “historira trimërish, nga ato të luftës”. Mjedisi shkodran, “ajri dhe uji”, i mbysin me humorin e ironinë e butë, “që e kanë në gjak”. Njerëz të tjerë të njohur e të panjohur parakalojnë nëpër faqet e veprës. Malësorë, gra shqiptare, arixhinj, gra të huaja, të rrëzuar të regjimit, falltarë, fëmijë, të sëmurë psikikë, vajza të reja, përndjekës. Nuk është politikan Tasi, as historian. Por, bën analiza të thella, emancipuese, të zhvillimeve dhe gjendjeve (situatave). Si ndodhi, për shembull, që shqiptarët përfunduan nën një regjim si i Hoxhës? Shkakun s’e sheh vetëm te faktorët e jashtëm, te Jalta. E sheh edhe te “pasiviteti historik” i disa faktorëve politikë të brendshëm, jovizionarë. Natyrshëm i del një përcaktim për lirinë. Liria është “mundësia për të bërë të ndryshme njërën ditë nga tjetra”.

Përimtimet psikologjike të shtyjnë me e ngadalësue ritmin e leximit. Pas trembëdhjetë vjetësh burg të rëndë, një burrë fiton pafajësinë, por tashmë i dyzuar, i tjetërsuar, nuk është më vetvetja. Tutet me thanë jam dënuar pa faj, sepse gjykata e quajti fajtor. Tutet me thanë jam dënuar me faj, sepse i njëjti pushtet i dha pafajësinë. I dridhet buza kur kallëzon, as kështu, as ashtu, rrëshqet. Përsiatjet e dhimbshme për shoqërinë shqiptare të mpirë në diktaturë, vetvetiu i thërrasin edhe vetëdijes së sotme qytetare. Historia përsëritet. Gjuha e librit buron. Herë pas here buthtojnë fjalë e trajta të rralla, që i japin sharm fjalisë. “… nuk flisnin me shoqja-shoqen, ishin ‘idhnuar’”, – thotë për dy gra të huaja.

Dëgjon trajta të veçanta gjuhësore të bashkëvuajtësit, i krahason me trajtat e dëgjuara tjetërkund, arsyeton gjuhësisht për to. I dhemb “tharja” institucionale e gjuhës shqipe. Arsimi “po e krasit gjuhën nga e veçanta e idioma, gjëra që përbëjnë finesën e saj”. Bizneset ta pasurojnë xhepin, libra si “Grabjani …” ta pasurojnë shpirtin. Nëpër ekrane e gjithandej përlavdërohen gjithfarë mediokritetesh. Për vlera të njëmendta heshtet. Heshtet kur autorët nuk u përkasin klaneve të lidhura me zonjën e plotfuqishme PP (Pushtet-Pare). Zonja PP bën edhe protokollin e vlerave në art. Mungesa e vëmendjes së shoqërisë për vepra përnjëmend përfaqësuese dhemb. Në llumnajën e botimeve – version kulturor i tregut Gabi – humbin vepra të mëdha. Si në kohë përmbytjesh: kërçablat vijnë përkrye ujërave, gurët e rëndë fundohen. Dhe mbi ta institucionalizohet piramida e përmbysur e vlerave.