LAJMI I FUNDIT:

Kur Rasim Thaçi ishte 18 vjeç: Në maturë vallëzonim mashkulli me mashkull!

Kur Rasim Thaçi ishte 18 vjeç: Në maturë vallëzonim mashkulli me mashkull!

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri” (shtojcën “Jeta”), në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –

Përgatiti: Luljeta Tahiraj


“Në moshën 18-vjeçare e kam pasur një dashuri. E ka pasur emrin Zyrafete dhe, merreni me mend, kur bisedoja me të, trupi më bëhej flakë dhe skuqesha nga turpi”. Për humoristin Rasim Thaçi-Cima, nuk ka nevojë për ndonjë prezentim të veçantë. Të gjithë e njohim. Por, cila ishte e kaluara e tij? Çka bënte kur i kishte 18 vjet? Çfarë ëndërronte? Ai ka shumë gjëra të thotë sa i përket moshës 18-vjeçare: për dashuritë, problemet, humorin, shkollën, ëndrrat e asaj kohe, argëtimet, sportin …

Mua, si 18-vjeçar kanë pas filluar të më dalin mustaqet, mjekra dhe po në ato vite kisha dëshirë të filloja të rruhesha, por nëna gjithnjë më thoshte: “Mos gabo të rruhesh djali im, se do të ngopesh ‘lesh’!”, e unë nuk e merrja vesh dot, sepse kisha dëshirë, por edhe ëndërroja të bëhem si ndonjë artist. Në atë kohë e kam pasur idhull Bekim Fehmiun, i cili ka pasur mjekër. Tani më ka rënë në mend se nëna e ka pasur shumë mirë se me të vërtetë më ka dalë për hunde ‘leshi’, se jo zhiletat, jo andej e jo këndej …

Atëherë, në atë kohën tonë, janë dëgjuar shumë “Bitellsat” dhe ka qenë shumë interesant të dëgjonim muzikë. Unë edhe njërin ndër ta e kam pasur idhull, e ai ka qenë Rigo Star, që u binte tupanëve.

Kam qenë marrëzisht i dashuruar

Gjatë asaj moshe kam qenë në shkollë të mesme, pra pak para se ta përfundoja maturën. Kam qenë në Shkollën e Mesme Teknike, në degën e ndërtimtarisë. Këtë degë nuk e kam dashur fare, por babai im më dërgoi për interesa të veta. Unë kisha dëshirë që të shkoja në aktrim ose në edukatë fizike, që më vonë ajo u realizua, por babai im nuk më pyeti kah i kam ‘dajtë’ e më detyroi që të shkoja në këtë shkollë. E përfundova këtë shkollë vetëm për hir të tij.

Atëherë kam pasur edhe disa momente dashurie. Kam qenë i dashuruar marrëzisht në një vajzë, e cila e ka pasur emrin Zade sa që, vetëm një “Po” ta thoshte, unë do të fluturoja dhe ndoshta sot do të isha ndonjë lloj shpendi, por ajo nuk më tha asgjë dhe unë mbeta pa fluturuar.

Gjatë asaj moshe e kam pasur edhe një dashuri tjetër, e cila e ka pasur emrin Zyrafete dhe, merreni me mend, kur bisedoja me të, trupi më bëhej flakë dhe skuqesha nga turpi. Aq ka qenë turp saqë vetëm dorën t’ia prekja ka qenë katastrofë, se ta lëmë po t’i thoja “Oj ti çikë, unë t’du!“ dhe nëse e merrja rezultatin: “Valla edhe unë ty t’du!” atëherë me muaj nuk kam mundur të fle se çfarë më ka thënë, pra duke menduar dhe fantazuar. E, ta zëmë, pastaj po të pasonte puthja … nuk ka pasur shans, ka mundur të më bie të fikët 40 herë. Pra, ajo kohë ka qenë shumë e vështirë. Dhe, sa i përket dashurisë me Zyrafeten, unë sherri i saj pata mbetur me dy të dobëta. Kam qenë nxënës shumë i mirë dhe gati e humba vitin për të. Më mjaftoi që mbeta për vjeshtë, por … ajo më ngrehte për hunde “jo të dua”, “jo s’të dua” … e në fund mezi e përballova atë dashuri.

Në atë kohë ka qenë një lloj diktature në shkollë dhe mund të them se ka qenë një disiplinë shumë e madhe. Aq ka qenë diktaturë e madhe sa që pesë kilometra afër shkollës kush ka pirë duhan e kanë përjashtuar nga shkolla, e të mos flas më për në shkollë.

Probleme kemi bërë edhe atëherë, por me një ndryshim krejtësisht tjetër nga rinia e sotme, pra padisiplinën e kemi pasur në një mënyrë tjetër.

Unë kam qenë një prej atyre, që i kam bërë të gjithë të qeshin dhe në fund gjithmonë kam pasur pasoja.

Një prej atyre problemeve ka qenë edhe një problem në klasë, ku afër vendit të profesoreshës ishte një “birë” dhe unë gjithnjë profesoreshës sime ia afroja ulësen aty, për t’u ulur. Kur ulej profesoresha, ia qëllonte atij vendi dhe lakohej ulësja dhe ajo pastaj rrëzohej. Shumë herë e bënin edhe të tjerët, por mua prapë më mbetej faji pa më pyetur dhe pasi që më rrihnin mirë, tregonin se nuk e kam bërë unë, por dikush tjetër. Më vonë më kërkonin falje, ndërsa rrahjen që e ‘haja’ nuk ka lidhje, se isha mësuar.

Pra, nuk kemi guxuar të bënim probleme të mëdha, nga diktatura. Unë me siguri se isha bërë më i madh, por për shkak të frikës nuk jam rritur më shumë. Nuk kemi guxuar as të flasim lirisht me profesorin.

Mbrëmja e maturës, pa femra …

Kemi mbajtur edhe mbrëmje të maturës dhe të them të drejtën sot më dhimbset vetja çfarë mbrëmje të maturës kemi mbajtur. Sikur të mbanin rinia e sotme një mbrëmje të tillë, me siguri se të gjithëve do t’u binin flokët në tokë.

Ja si dukej ajo mbrëmje: ka qenë harmonika, tupani dhe klarineti, por pa asnjë femër. A keni dëgjuar ndonjëherë që të mbahet mbrëmja pa asnjë femër?! E, ne të shkretit, vallëzonim mashkulli me mashkull. Merreni me mend të vallëzojnë meshkujt njëri me tjetrin. E pabesueshme, por e vërtetë. Kjo ka qenë ajo kohë, por interesant, ne prapëseprapë kemi qenë të kënaqur.

Në atë kohë kemi dalë edhe në “korzo”. Po t’ia shikoni sot këmbët atyre të gjeneratës sime, të cilët i kanë këpucët numër 48-49, me siguri se të gjithë i kanë nyjat e ënjtura duke u shëtitur në ‘korzo’, ngase atëherë ajo ka qenë shumë në formë.

Rrinim aty dhe u parkonim para ish-hotelit ‘Bozhur’, e tani që është ‘Iliria’. Aty rrinim me orë të tëra duke shikuar.

Prej 10 mijë vetave sa dilnim, më së shumti kanë dalë 5-6 femra, të cilat kanë qenë mjaft të këqija dhe atyre u dukej vetja se ishin mbretëresha. Ne të tjerët ishim të gjithë meshkuj e ndoshta edhe për këtë u dukej atyre vetja mbretëresha.

Para hotelit ‘Iliria’ ka qenë një dru i hollë e që tani është bërë i trashë, ku është rritur i shkreti, i ‘dredhuar’ duke u mbështetur ne në të, domethënë vetëm kemi humbur kohë pa lidhje.

Një pjesë tjetër të argëtimit e kam pasur edhe gjatë aktiviteteve sportive, pra kam qenë sportist, ku më vonë u bëra edhe futbollist. Mund të them se shkaku i futbollit edhe u martova vonë, derisa më thanë shokët ‘Hej, o kali, martohu se mbete pa u martuar!’, e unë i shkreti mendoja se tërë jetën më duhet ta kaloj duke luajtur vetëm futboll.

Unë kam qenë një futbollist i shkolluar dhe i kam kryer të gjitha kategoritë: pionier, junior dhe senior. Kam arritur të luaj për ‘Flamurtarin’, disa vjet, më vonë edhe në klubin futbollistik ‘Prishtina’. Në “Prishtinë” nuk kam arritur standarde, ngase edhe atëherë ishin serbët, ai nacionalizmi i verbuar …

Sportin e kam dashur shumë, diçka në ekstrem. Nuk kam pasur fat, sepse me aftësitë që i kam pasur dhe dëshirën e madhe për të luajtur futboll (por, edhe kam luajtur, kam qenë talent), dhe sikur të isha në atë kohë diku në vendet perëndimore, qind për qind do t’ia kisha parë hairin – për sa i përket problemeve financiare, për një kohë të gjatë nuk kisha pasur problem. Por, ja fati.

Ka qenë kohë e komitetit, e socializmit dhe kanë qenë njerëzit e paraparë se kush të përparojë e kush jo.

Diskoteka dhe kafeteri në atë kohë nuk ka pasur. Merreni me mend, tani kur po kërkoj makiato ose kapuçino, po mendoj se atëherë nuk kam ditur se çka është kjo dhe nuk ka pasur shans një gjë e tillë të ekzistojë në atë kohë. Atë kohë vetëm çaja të “rusit” kemi pirë; kur hynim në çajtore pinim nga 20-30 çaja të rëndë e pastaj tërë natën nuk mund të flinim, sytë kapsoll na bëheshin. Vonë dikur është hapur një lloj diskoteke për here të parë, në bodrumin e ish-“Bozhurit”, por në atë kohë më duket se nuk i kam pasur 18-vjet.

Kjo ka qenë jeta ime gjatë asaj moshe, pra sporti, futbolli, korzoja … Nuk ka pasur tjetër argëtim.

Fillimi i karrierës

Si 18-vjeçar, sa i përket aktrimit, patëm filluar diçka me Xhemil Vraniqin, me Zenel Tufën, ndërsa Leci atëherë nuk ka qenë. E patëm dhënë një skeç humoristik në Qendrën e Pionierëve, e ajo pjesë humoristike është quajtur ”Trutë e papjekura”. Unë e kam luajtur rolin e një nxënësi, ku e gjithë ngjarja është shtjelluar rreth profesorit dhe nxënësve. Kjo ka qenë vetëm për pionierë, ku mblidheshin shumë të rinj deri në moshën 18-vjeçare. Kjo pjesë është shfaqur edhe nëpër të gjitha shkollat e mesme. Regjinë e pat bërë Xhemil Vraniqi dhe shfaqja qe pritur shumë mirë nga publiku, ndoshta edhe pse kishte të bënte me problemet në shkollë.

Kemi pasur mjaft suksese, mirëpo më vonë Xhemili shkoi në Francë dhe u desh ta ndërpremë punën.

Ky ka qenë fillimi i karrierës sime.

Pastaj, nuk kam vazhduar diç tjetër, sepse atëherë nuk ke mundur të depërtosh nëse nuk e ke babën ndonjë funksionar. Gjithmonë fëmijët e funksionarëve shkonin nëpër vende ku duhej, kurse unë jo.

Humor kam bërë vetëm nëpër dasma, nëpër oda, kështu privatisht, por edhe kur bëheshim bashkë me shokë.

Unë kam qenë ajo figura kryesore, që më duhej t’i zbavitja të tjerët. Ka pasur raste kur unë kam qenë i sëmurë apo i nervozuar dhe nuk kam mundur të bëj humor. Më detyronin që gjithsesi të bëja humor. Dhe, më duhej t’i argëtoja ashtu siç isha, i sëmurë, me grip …

Më kujtohet se një kohë të gjatë e kam pasur xhaxhain tim të sëmurë dhe mua më patën caktuar që të kujdesem rreth tij. Por, interesant para se të vdiste filloi të xhelozojë, ndoshta pse e shihte vdekjen me sy. Nuk na lente rehat që të argëtoheshim. Gjithmonë më thoshte që të qëndroj pranë tij. Më kërkonte shpeshherë llokum: ”Rasim, ma jep një llokum!”, e unë e merrja llokumin e kërrk në gojë të tij. Pastaj më thoshte, “Ngritëm më lart”, jo “Rregulloma jastëkun tani”, jo “Dua të ulem”, pastaj jo “Lëshomë poshtë se jam mpirë!“, e prapë pas 10 minutash kërkonte ta dërgoj në WC …

I kam ruajtur lopët …

Këtu, në Prishtinë, kam ardhur si i ri, mirëpo tre muaj të pushimeve më duhej që të shkoja në fshat dhe kur shkoja atje bëhesha fshatar tipik.

Unë atje i kam ruajtur buallicat, lopët, qetë, pelat … natë e ditë, bile-bile aq u pata shoqëruar sa që e pata mësuar gjuhën e tyre dhe e dija se kur e qortonte bualli buallicën (bualli është burri i buallicës), apo kur e kritikonin kishkin (kishki është djali i tyre). Shumë herë edhe flisja me to dhe i kuptoja kur më lusnin që t’i lejoj edhe pak për të ngrënë.

Të them të drejtën, më shumë më ka pëlqyer ajo jetë atje në fshat. Kur kthehesha në Prishtinë, mezi adaptohesha.

Ëndrra ime, gjatë tërë kohës, ka qenë që të bëhem futbollist, por në të njëjtën kohë kam dëshiruar të bëhem aktor. Më dhimbset vetja, sa i përket humorit që nuk kam filluar së paku 10 vjet më herët.

Më vonë, me ardhjen e disa drejtorëve dhe të Mustafë Halilit, filloi të zbutet sistemi, ku edhe filluam të merrnim pjesë unë, Leci dhe Qumili. Pra, nuk kam filluar në moshën 18-vjeçare, por shumë më vonë, diku rreth moshës 30-vjeçare. Por, prapë mund të them se jam i kënaqur me atë çfarë kam arritur dhe në jetën time nuk më ka mbetur asnjë tjetër merak, sepse më janë realizuar të gjitha – edhe pse me vonesë disa gjëra, apo ndoshta edhe kam lindur në kohë pak të hershme të atij sistemi.

Unë jam një humorist i lindur, jo me shkollë, por i natyrshëm.

Duhet të mendojmë për rininë

Krahasimi me të kaluarën dhe të sotmen është i papërshkruar. Është ndryshim tepër i madh, si në veshje, si në ushqim, si në muzikë, pra për 180 shkallë ndryshim. Po të kthehesha në atë moshë, kur i kam pasur 18-vjet, dhe menjëherë të kthehesha në këtë kohë,  ku jam tash, nuk kisha mundur të jetoja, nuk kisha ditur si të gjendesha, sepse tani edhe humori është tjetër dhe rinia tani i kanë krejt disa “fore” të tjera – e edhe mënyra e të ecurit është ndryshe. Mua më duket kështu, ndoshta pse tani i kam bërë disa vjet.

Më parë kanë qenë në modë farmerkat e ngushta ose të gjera poshtë, e rinia e sotme veshin diçka sikurse “tirqi” dhe i lëshojnë pantallonat deri poshtë. Mua kjo nuk më pëlqen, por ndoshta edhe djali im vesh diç të tillë, por prapë nuk më pëlqen.

Mënyra e sjelljeve dhe mënyra e jetesës e rinisë së sotme, pra atyre të moshës 18-vjeçare me ato vitet tona të kaluara, është si nata me ditë. Nuk po them në atë aspekt se nuk dinë të sillen, por kjo pjesë e rinisë ka filluar të merret me disa gjëra të këqija, si për shembull droga. E, droga është gjëja më e poshtër që ekziston, se është më shumë se kancer për këtë rini. Unë nuk e fajësoj rininë e sotme, ngase ata nuk kanë se ku të zbaviten, sepse në vend që problemet e tyre t’i eliminojnë duke u marrë me sport apo diçka tjetër, ata e gjejnë argëtimin në këtë mënyrë të poshtër. E, nuk e dinë se kjo është katastrofale, e pashërueshme dhe vdekjeprurëse.

Pra, ne duhet të mendojmë për ta se tani është koha dhe momenti që të ndërmerret diçka.

Ajo që nuk pajtohem me rininë e sotme, e sidomos me ata të moshës 18-vjeçare, është se tani këta të rinj nuk kanë shumë ndjenja shpirtërore, çka do të thotë se e bëjnë normale atë që kalojnë sot me një tjetër, nesër me një tjetër, paradite me një, pasdite me tjetër …

Atëherë, kur i ke thënë dikujt se të dua, ose kur të ka thënë dikush ty, e ke dashur dhe të ka dashur sinqerisht, pra ka pasur dashuri të sinqertë, kurse sot krejt ndryshe. Për këtë arsye tani ka edhe shumë ndarje, sepse nuk martohen me dashuri të sinqertë.

Ajo që më ka pëlqyer më së shumti gjatë asaj moshe ka qenë se ka pasur sinqeritet më të madh. Gënjeshtra nuk ka pasur, ka pasur edhe respekt më të madh. E, sot i riu të shikon drejt në sy duke të thënë: ‘Ku je plak, ku je cirkus, ku je Rasim plaku, ku je leshkuq …? E hëngre edhe ti, shkove …’! Çfarë respekti është ky kur i thua më të moshuarit kështu?

Kjo kohë po shkon aq shpejt, saqë nganjëherë më duket se jam në ëndërr. Dhe, në atë kohë, në ato vite, ato gjëra kurrë nuk do të mundem t’i harroj, ngase kemi ditur të bëhemi të lumtur me aq sa kemi pasur mundësi. /Telegrafi/