Keqpërdorimi seksual me të mitur në mesin e veprave penale më të shpeshta, deri në 20 vjet burg për pedofilët në Kosovë Një person me inicialet A.Rr nga Ferizaj kishte dhunuar seksualisht një vajzë 15-vjeçare.

Nga ai dhunim e mitura kishte ngelur shtatzënë. Frytin e kësaj marrëdhënieje ajo e lindi në tetor të vitit 2018. E rastet e tilla të dhunimit të të miturve nuk janë të rralla.

Policia e Kosovës përmes një përgjigje elektronike, për portalin rtv21.tv ka treguar se 123 raste të pedofilisë janë shënuar vetëm në dy vitet e fundit në Kosovë.

Në vitin 2017 në polici janë paraqitur gjithsej 62 raste të pedofilisë, ndërsa në vitin 2018 janë paraqitur 61 raste të tilla.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati tha se veprat penale të keqpërdorimit seksual në precedentin gjyqësore të Republikës së Kosovës janë në mesin e veprave penale më të shpeshta.

“Në doktrinën penale konsideroj se janë veprat penale më shqetësuese, duke u bazuar në atë se kategoria e subjekteve ndaj të cilave shprehet kjo formë kriminale është jashtëzakonisht e ndjeshme, pra personat e mitur dhe si e tillë legjislacioni penal parashikon sanksion penal të lartë për autorët e këtyre veprave penale”, tha Damati.

Ai për rtv21 tregoi se dënimi për personat që abuzojnë seksualisht me të mitur mund të jetë deri 20 vjet heqje lirie.

“Më specifikisht neni 235 përkufizon me nënparagrafët e saj elementet e veprës penale dhe lartësinë e dënimit, konkretisht për veprën e dhunimit ndaj personit të mitur parashikon sanksion penal nga 5 deri në 20 vite burgim, ndërsa nënparagfët vijues lidhur me sulmin seksual ndaj personit të mitur parashikon sanksion penal nga 5 deri në 10 vite burgim”, u shpreh Musa Damati.

Avokati theksoi se vetëm marrëdhënia seksuale me personin e mitur me apo pa vullnetin e saj, inkriminohet dhe parashikohet sanksioni penal për autorët e saj.

“E rëndësishme të kjo formë e veprës penale është të theksohet fakti krucial se për të ekzistuar figura e kësaj vepre penale nuk është e domosdoshme që të ekzistojë dhunimi apo sulmi apo jo vullneti i personit të mitur, por edhe pa ekzistimin e këtyre formave kriminale, vetëm marrëdhënia seksuale me personin e mitur me apo pa vullnetin e saj, inkriminohet dhe parashikohet sanksioni penal për autorët e saj”, theksoi Damati.

Pedofilia është çrregullim që raportohet më shumë në mesin e meshkujve, derisa në mesin e femrave pedofilia është më pak e raportuar, ka treguar për portalin rtv21.tv Imri Zabeli, Specialist i Psikologjisë Klinike.

Sipas psikologut klinik, Imri Zabelit për ketë ka supozime se kjo mund të ndodhë për shkak të mundësisë më të madhe që pedofilia në mesin e femrave të zhvillohet në mjedise diskrete dhe me më shumë vështirësi për tu identifikuar.

Specialisti i Psikologjisë Klinike, Imri Zabeli sqaroi edhe shkakun e mundshëm të pedofilisë.

“Pedofilia hyn në grupin e çrregullimeve të parafilive, që kanë të bëjnë me çrregullime që karakterizohen nga interesi i vazhdueshëm seksual në aspekte tjera dhe jo në interesimin në stimulin gjenital. Pedofilia duke qenë çrregullim, nuk dihen çfarë e shkakton në te vërtetë. Ka te dhëna shkencore se çrregullimet pedofilike janë gjetur me shumë tek personat që në fëmijërinë e tyre kanë qenë të abuzuar seksualisht, kanë pasur kufij te pa definuar te raporteve seksuale, si dhe tek personat që kanë komorbiditet me sëmundjet te tjera mendore, çrregullim te personalitetit apo abuzimit me substanca” u shpreh Zabeli.

Zabeli tha se viktimat (te miturit), ka raste që kërkojnë trajtim te psikologu, ndonëse këto raste nuk janë të shpeshta. Por, sipas tij ka më shumë raste kur viktimat e pedofilisë kërkojnë trajtim në moshë të rritur, pra siç thotë ai kur kanë arritur maturimin e mjaftueshëm dhe përjetimet e të qenit të abuzuar indikojnë mirëqenien e tyre.

“Viktimat e pedofilisë që kërkojnë trajtim janë të ndërlidhura me shumë faktorë, klima në familje, prej nga vjen ushtruesi i pedofilisë si dhe mjedisi social ku jeton viktima. Zakonisht kërkesa për trajtim vjen nga familja apo nga fëmija përmes familjes si dhe me rekomandimin e institucioneve shëndetësore” u shpreh ai.

Ndërsa rastet e personave që vuajnë nga çrregullimet e pedofilisë, siç shpjegoi psikologu, kërkojnë trajtim kryesisht në mjediset e burgjeve gjatë vuajtjes së dënimit.

“Janë më të rralla rastet që personat që vuajnë nga çrregullimi i pedofilisë të kërkojnë trajtim vullnetar jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit”, u shpreh Zabeli.

Sipas policisë në vitin e kaluar janë raportuar tri raste të nxitjes së akteve seksuale, prekjes apo aktiviteteve nga personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet. Në vitin 2018 janë paraqitur 7 raste të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi. Përderisa në vitin paraprak pra 2017 janë raportuar 6 raste të tilla.