LAJMI I FUNDIT:

Diapsalmata – ad se ipsum

Diapsalmata – ad se ipsum

Nga: Soren Kierkegaard
Përktheu: Adri Kalaja

Grandeur, savoir, renomée,
Amitie, Plaisir et bien
Tout n’est que vent, que fumée:
Pour mieux dire, tout n’est rien.[1]


Çfarë është poeti? Poeti është qenie e palumtur zemra e të cilit është çjerrë prej vuajtjeve të fshehta por buzët e të cilit janë kaq çuditshëm të formuara sa kur psherëtimat dhe të qarat arratisen prej tyre tingëllojnë si muzikë e bukur. Fati i tij është si ai i viktimave të pafat që tirani Phalaris i burgoste në një dem prej bronzi të zgavërt dhe ngadalë i torturonte mbi një zjarr të qëndrueshëm, qaravitjet e tyre nuk i arrinin dot veshët e tiranit dhe për pasojë nuk mundeshin të shkaktonin zemëratë në shpirtin e tij, kur i mbërrinin në vesh, i dukeshin si muzikë e ëmbël. Dhe njerëzia bëhen turmë rreth poetit dhe i thonë atij:  Këndo për ne një muzikë të afërt; kjo është si të thuash: “Shpresojmë që vuajtje të reja të mundojnë shpirtin tuaj por buzët tuaja të jenë aq të formuara sa më parë, të qarat vetëm do të na frikësonin, por muzika është me shije.” Dhe kritikët gjithashtu vinë dhe thonë “Goxha e saktë, kështu duhet të jetë sipas rregullave të estetikës.” Tani kuptohet që kritiku i ngjan një poeti deri në rrëzë të flokëve, atij vetëm i mungon vuajtja në zemrën e tij dhe muzika mbi buzët e tij. Prandaj, më mirë do të zgjidhja të isha pjesë e një turme me derra nga Amager dhe të kuptohesha nga llumi se të isha një poet dhe të keqkuptohesha nga njerëzit.

***

Pyetja e parë në më të hershmin dhe më përmbledhësin instruksion që një fëmijë është, siç të gjithë e dinë, kjo: Çfarë do marrë fëmija? Përgjigja është: da-da. Dhe me refleksione të tilla jeta fillon e megjithatë ka njerëz që e mohojnë mëkatin fillestar. Ndaj kujt fëmija i detyrohet mërzitë e para përveçse ndaj prindërve?

***

Preferoj të flas me fëmijë sepse akoma është e mundur të shpresosh se ato mund të bëhen qenie racionale. Për ato qe tashmë janë bërë të tilla, Zot i madh!

***

Sa absurdë që janë njerëzit! Ata kurrë nuk i përdorin liritë që kanë, ata kërkojnë atë që nuk kanë. Ata kanë liri mendimi dhe kërkojnë liri fjale.

***

Nuk më bën përshtypje asgjë. Nuk më intereson kalërimi sepse ai lloj ushtrimi është tepër i lodhshëm. Nuk më bëhet të ec, e ecura është shumë stresuese. Nuk më bëhet të shtrihem sepse përndryshe duhe të rri shtrirë dhe nuk më bëhet ta bëj as atë ose duhet të ngrihem prapë e as këtë të fundit nuk më bëhet ta bëj. Summa Summarum: nuk më bëhet të bëj asgjë.

***

Ka insekte të mirënjohura që vdesin në momentin e fekondimit. Kështu edhe me gjithë gëzimin, momentet më të gëzuara dhe supreme të kënaqësisë çiftohen me vdekjen.

***

Këshillë e testuar për autorët: Përcak-tojini reflektimet tuaja pa kujdes dhe printojini, duke korrektuar fletët prova, më shumë ide të mira do të zbulojnë veten gradualisht. Prandaj, bëhuni kurajozë, të gjithë ju që nuk keni guxuar akoma të publikoni diçka, madje dhe printimet e dala huq nuk duhen përbuzur dhe një autor i cili bëhet i shkathët nepërmjet këtyre të fundit duhet të shihet si legjitimisht i tillë.

***

Kjo është mangësia e të gjitha gjërave njerëzore, që objekti i dëshirës arrihet fillimisht përmes së kundërtës. Nuk do të flas për multitudën e tipave temperamentalë që i japin diçka për të bërë psikologëve (temperamenti melankolik ka sens të lartë të komikes, më entuziasti është zakonisht më idiliku, më i shthururi zakonisht më morali, më dyshuesi zakonisht më besimtari) do të thërras në vëmendje faktin që një lumturi e përjetshme kalon më përpara nga mëkati.

***

Përveç rrethit të zakonshëm të të njohurve të mi kam akoma një të besuar intim – melankolinë time. Në mes shendit, në mes të punës sime, ai më thërret dhe më merr veç, megjithëse unë jam akoma në trupin tim. Melankolia është dashnorja më besnike që kam njohur, çfarë mbetet për t’u pyetur atëherë, që ja kthej dashurinë.

***

Ka një të arsyetuar thashethemexhie e cila në pafundësinë e vet mban në kurriz të njëjtën relatë me rezultatin, ashtu si linja e pandërprerë e monarkëve egjiptianë mbajnë vlerën historike të rregjimeve të tyre.

***

Mosha e vjetër realizon ëndrrat e rinisë: Shikoni përshembull Dean Smith, në rininë e tij ai ndërtoi një azil për të çmendurit, në moshë të vjetur u burgos vetë aty.

***

Kur sheh se me çfarë thellësie hipokondriake një gjeneratë më e hershme anglezësh zbuloi ambiguitetin që përbën thelbin e të qeshurës, është e lehtë të të krijohet një ndjenjë ankthi. Dr. Hartley, përshembull bën një ndërhyrje të tillë: “Kur e qeshura fillimisht manifeston veten tek kërthiu është një e qarë e ngjizur, e ngacmuar prej dhimbjes ose nga një ndjenjë, dhimbja e përjetuar rishtazi dhe që shfaqet në intervale të shpeshta.” Po sikur çdo gjë në botë të ishte një keqkuptim, po sikur të qeshurat të ishin në të vërtetë lotë?

***

Ka raste kur dikujt i shkaktohet një ndjenjë e mërzisë së pafundme tek shikon një qenie njerëzore që qëndron vetëm në botë. Prandaj, ditën tjetër pashë një vajzë të varfër tek ecte në kishë, si për ta konfirmuar këtë.

***

Cornelius Nepos tregon një histori për një komandant i cili qe mbyllur në një fortresë me disa forca të konsiderueshme kavalerie. Ky urdhëronte që kuajt të kamxhikoheshin përditë, në mos ato do të lëndoheshin nga kaq shumë duke ndenjur në vend – prandaj i jetoj këto ditë si dikush i rrethuar; në mos më bën dëm kaq shumë i ndenjuri në vend, qaj paturpësisht.

***

Përsëris për brengën time atë çfarë Anglezi thotë për shtëpinë e vet: brenga ime i përket shtëpisë sime. Ka shumë që e shohin brengën si një prej levërdive të jetës.

***

Më duket sikur jam një gur shahu dhe kundërshtari im thotë: “ai gur nuk lëvizet”.

***

Arsyeja se pse Aladdin është kaq gjallërues ka të bëjë me faktin se kjo përrallë shpreh një guxim gjenial dhe njëherësh fëmijëror ndaj dëshirave ekstravagante.

***

Sa njerëz ka në epokën tonë të cilët vërtet guxojnë të shpresojnë, dëshirojnë dhe guxojnë t’i adresohen Natyrës me më shumë se një “të lutem” prej fëmije të sjellshëm apo me inatin e një shpirti të humbur? Sa njerëz ka atje të cilët në pikëpamjen e të ndjerit se njeriu është bërë në imazhin e zotit, diçka për të cilën epoka jonë flet shumë, kanë vërtet zë të komandës? Apo nuk jemi ne që qëndrojmë të gjithë aty si Nuredini duke u përkulur dhe kërkëllitur me frikën se mos pyesim shumë apo pak? Çdo kërkesë e mrekullueshme pak nga pak a nuk e redukton vetëm në një refleksion të sëmurë për egon duke kërkuar një gjë pas tjetrës, një art në të cilin jemi thelbësisht trajnuar?

***

Jam aq i rrudhur sa një sheva hebre, i dobët dhe i heshtur si një Daghesh lene; ndihem sikur një letër e printuar së prapthi në tubë dhe në të njëjtën kohë po aq i rëndësishëm sa një pasha me tre kokë, aq xheloz për veten time dhe mendimet e mia sa një bankë për kartmonedhat e saj dhe aq introvert sa çdo pronomen reflexium. Sikur fatkeqësitë dhe brengat të ishin si veprat e mira për të cilat ai që i kryen është i vetëdijshëm, në mënyrë që ata që i kryejnë e kanë marrë tashmë shpërblimin – nëse kjo bëhet e vërtetë për brengën atëherë do të isha më i lumturi i njerëzve; do i kisha marrë të gjitha telashet përpara dhe megjithatë të gjitha mbeten prapa.

***

Energjia e stërmadhe poetike e letërsisë popullore shprehet në vetvete, ndër gjëra të tjera, në forcën e saj dëshiruese. Dëshirat e epokës sonë janë, krahasuar me këto, të mërzitshme dhe mëkatare meqë ne dëshirojmë çka i përket komshiut. Letërsia popullore ishte fare mirë e vetëdijshme që fqinji zotëronte aq pak prej asaj që dëshironte sa ai prej të cilit e dëshironte. Dhe kur iu dha dëshirave mëkatare ato ishin kaq të tmerrshme sa t’i bënin njerëzit të dridheshin. Kjo dëshirë nuk e shet veten dhe aq lirë duke përllogaritur probabilitetet me arsye të kthjellët. Don Juan akoma ecën si kaposh në skenë me 1003 dashnoret e veta. Askush nuk guxon të buzëqeshë prej respektit për traditën e konsoliduar. Nëqoftëse do qe sjellë në mënyrë të ngjashme, ai do qe nxjerrë nga skena.

***

Në mënyrë të çuditshme u trishtova kur pashë një njeri të varfër duke ecur rrugëve me një pallto të vjetër të ngrënë me ngjyrë të lehtë jeshile në të verdhë. Më erdhi keq për të por gjëja që më preku mua më shumë ishte se ngjyra e palltos së tij më kujtoi përnjëherësh rezultatet e mia të para fëminore në artin fisnik të të pikturuarit. Kjo ngjyrë ishte, në mënyrë precize njëra prej nuancave të mia jetësore. Nuk është e trishtueshme që këto përzierje ngjyrash, të cilat i mendoj me shumë kënaqësi nuk gjenden askund në jetën reale; e gjithë bota i mendon të ashpra, të çuditshme, të përshtatshme vetëm për lojërat e Nurembergut. Ose, nëse ndokush rastis në to, ka gjithmonë diçka të pakënaqshme në lidhje me takimin, siç është rasti tani. Është gjithmonë dikush me vullnet të dobët, ose dikush që ka qenë i pafat, shkurt, dikush që e ndien veten të huaj në botë dhe bota nuk do ta pranojë. Dhe unë, që gjithmonë i kam pikturuar heronjtë e mi me këtë të paharrueshmen të verdhë në jeshile ngjyrën në pallton e tyre! A nuk ndodh kështu me të gjitha ngjyrat e përziera të fëmijërisë? Nuancat që jeta dikur kishte, gradualisht bëhen tepër të forta, të ashpra për sytë tanë të lodhur.

***

Në fund, dyert e fatit nuk happen së brendshmi. Duke hyrë me forcë dikush mund t’i sforcojë së jashtmi dhe për pasojë asgjë nuk mund të bëhet.

***

Kam kurajën; besoj; që të dyshoj çdo gjë. Kam kurajën; besoj; të luftoj me çdo gjë, por nuk e kam kurajën të di ndonjë gjë, as kurajën të zotëroj, të kem pranë diçka. Shumica e njerëzve ankohen që bota është kaq prozaike, që jeta nuk është romancë, ku mundësitë janë gjithmonë kaq tq favorshme. Ankohem që jeta nuk është si romanca, ku dikush kishte prindër kokëfortë dhe kukudhë e gogolë për të luftuar dhe princesha të magjepsura për të çliruar. Çfarë janë të gjithë këta armiq të marrë bashkë krahasuar me të zbehtët, këmbëngulëset forma nokturne me të cilat luftoj dhe të cilave i jap jetë dhe substancë.

***

Sa shterpë është shpirti dhe mendimi im dhe përgjithmonë i torturuar prej brerjeve, sensuale dhe torturuese! Mos duhet që shpirti im atëherë të rrijë gjuhëlidhur, mos duhet gjith të belbëzoj?

***

Për çfarë kam nevojë është një zë po aq penetrues sa syri i Lynceus, aq tmerrues sa psherëtima e gjigandëve, aq këmbëngulës sa zhurma e natyrës, aq tallës sa era e akullt e veriut, aq i lig sa ngacmimet e pashpirta të Echos, të një busulle nga basi më i thellë tek sopranoja më e butë, moduluar prej butësisë së shenjtë të pëshpërimës tek furia e dhunshme e inatit. Kjo është ajo çfarë kam nevojë në mënyrë që të marr frymë, të gjej shprehje për çfarë kam në mend, të trazoj të brendshmet e dhembshurisë dhe zemërimit tim. Por zëri im qendron në fyt ose shuhet tutje si bekimi mbi buzët e budallait.

***

Çfarë paralajmërohet? Çfarë do të sjellë e ardhmja? Nuk e di, nuk kam asnjë parandjenjë. Kur një merimangë rrëzohet nga një pikë e caktuar, në përputhje të plotë me natyrën e saj, gjithmonë sheh përpara vetes vetëm një hapësirë boshe ku nuk mund të gjejë pikëmbështetje pavarësisht sa shumë lëviz. Kështu ndodh edhe me me mua. Gjithmonë përpara meje një hapësirë bosh, çka më bën të eci përpara është një konsistencë e cila është tejkaluar. Kjo jetë është me shqetësime, e tmerrshme, e padurueshme.

***

Asnjë pjesë e jetës nuk është aq e bukur sa ditët e para të dashurisë, ku me çdo takim, me çdo shikim dikush tërheq diçka të re në shtëpi për ta gëzuar.

***

Pikëpamja ime jetësore është totalisht e pakuptimtë. Supozoj se një shpirt i lig më ka vendosur një palë syze mbi hundë, nga të cilat njëra lente është një tejqyrë tejet e fuqishme, tjetra, një lente zvogëluese me fuqi të njëjtë.

***

Dyshuesi është si maja e një kamxhiku, në majë për pak apo shumë kohë, në varësi të momentumit, por nuk mund të qëndrojë, aq i vogël sa një majë.

***

Ndër gjithë gjërat qesharake më duket më qesharakja të jesh i zënë me punë, i varur nga vaktet dhe i varur nga puna. Prandaj, kur shikoj një mizë që ulet në një moment kritik te hunda e një biznesmeni apo ta shoh të spërkatur nga një karrocë që i kalon afër me një ngut akoma më të madh, ose kur një urë e lëvizshme ngrihet përpara tij apo një tullë bien nga çatia dhe e lë të vdekur, atëherë qesh megjithë zemër. E kush mund të ketë çfarë ti bëjë të qeshurës? Çfarë do arrijnë këta matrapazë? A nuk janë ata si ajo shtëpiakja që kur shtëpinë e kishte në zjarr shpëtoi dorezat e furrës? Çfarë më shumë do të shpëtojnë nga zjarri i madh i jetës?

***

Në mënyrë të përgjithshme më mungon durimi për të jetuar. Nuk mund të shoh barin të rritet, por, meqë nuk mundem, nuk e vras mendjen ta shoh fare. Pikëpamjet e mia janë vëzhgimet e shkurtra të një shkollari udhëtues i cili vete përmes jetës me një nxitim të tepërt. Njerëzit thonë që stomaku i një zotërie mbushet përpara syve të tij; nuk e kam vënë kurrë re; sytë e mi janë të ngopur dhe në gatishmëri ndaj çdo gjëje, e megjithatë ndiej uri.

***

Më pyesni për çfarë të doni por mos më kërkoni arsye. Një vajze mund t’i falet nëse nuk është e zonja të japë shpjegime meqë thuhet se ajo jeton në ndjenjat e saj. Jo me mua. Përgjithësisht kam shumë arsye, dhe në shumë raste arsye kontradiktore të ndërsjella, për këtë shkak është e pamundur për mua të jap arsye. Duket që diçka ka shkuar keq me shkakun dhe afektin, sikur nuk venë tamam bashkë. Shkaqe të mëdha dhe të jashtëzakonshme ndonjëherë prodhojnë efekte të vogla dhe jo mbresëlënëse, ndonjëherë asnjë efekt; më pas ndonjëherë ndodh që një shkak fare i vogël prodhon një efekt kolosal.

***

Dhe tani kënaqësitë e pafajshme të jetës. Duhet pranuar se ato kanë vetëm një faj, që janë kaq të pafajshme. Për më tepër ato duhen kënaqur në mënyrë të moderuar. Kur doktori im më jep një dietë, ka njëfarësoj kuptimi; abstenoj prej ushqimeve të caktuara për një kohë specifike por të qenit dietik në dietë – do të thotë të kërkosh shumë.

***

Jeta është bërë një pije e hidhur për mua dhe megjithatë duhet ta marr si ilaç, ngadalë dhe pikë-pikë.

***

Askush nuk kthehet pas prej të vdekurve, askush nuk hyn në botë pa qarë. Askush nuk pyetet kur ka dëshirë të hyjë në jetë, askush nuk pyetet kur ka dëshirë të largohet.

***

Koha rrjedh, jeta është një valë, njerëzit thonë, dhe kështu me rradhë. Nuk e vë fare re. Koha rri në vend dhe unë me të bashkë. Të gjitha planet që bëj më përplasen në fytyrë. Kur do pështyja, do pështyja fytyrën time.

***

Kur zgjohem në mëngjes kthehem në shtrat sërish. Ndihem mirë në darkë kur fiki dritën dhe tërheq kuvertën mbi kokë. Më pas ngrihem sërish, shikoj rreth dhomës me kënaqësi të papërshkrueshme dhe, pastaj, natën e mirë, nën kuvertë.

***

Për çfarë duhem unë? Për çdo gjë apo asgjë? Kjo është një zgjuarsi e rrallë. Pyes veten nëse bota do e vlereësojë? Zoti e di nëse çupat punëtore që kërkojnë një pozicion pune si shërbyese gjejnë ndonjë vend ose, në mungesë të tij, diçka të çfarëdoshme.

***

Dikush duhet të jetë misterioz, jo vetëm ndaj të tjerëve, por ndaj vetes. E studio veten; kur bëhem i vetëdijshëm për këtë gjë, për të kaluar kohën ndezi një cigare dhe mendoj: Zoti di vetëm ç’ka kishte planifikuar për mua ose ç’ka kish në plan të bënte me mua.

***

Asnjë grua shtatëzënë nuk mund të ketë dëshira më të çuditshme apo më të paduruara se unë. Këto dëshira ndonjëherë kanë të bëjnë me gjërat më të zakonshme, ndonjëherë me më të lartësuarat, por janë në mënyrë të barabartë me pasionin momentar të shpirtit. Në këtë moment dëshiroj një tas me porrixh hikrre. Mbaj mend prej ditëve të shkollës qe ne gjithmonë hanim këtë të mërkurave. Mbaj mend sa i butë dhe sa i bardhë ishte kur shërbehej, gjalpi dukej sikur buzëqeshte, sa i ngrohtë dukej porrixhi, sa i uritur isha, sa i paduruar për t’u lejuar të rifilloj. Ah, një pjatë e tillë porrixhi! Do të jepja më shumë se trashëgiminë për të!

***

Magjistari Virgil dikur e ndau veten në shtatë copa të cilat, të zhytura nëpër kazanë për t’u zier përgjatë një jave në mënyrë që rinia e tij të rinovohej. Ai punësoi një burrë që të bënte roje në mënyrë që asnjë të mos ndërhynte. Por roja nuk mundi t’i rezistonte tundimit, ishte tepër herët, Virgjili u zhduk me një të qarë si fëmijë i vogël. Unë gjithashtu padyshim kam shikuar tepër shpejt tek kazani, kazani i jetës dhe zhvillimit historik dhe mesa duket asnjëherë nuk do të arrij të bëhem më shumë se fëmijë.

***

“Një burrë nuk duhet kurrë të humbasë kurajën, kur fati i keq shtohet në mënyrën më të frikshme për të, duket në qiell një dorë ndihmëse.” Kështu foli pastor Jesper Morten javën e kaluar. Tani kam marrë zakon të udhëtoj shpesh nën qiellin e hapur por nuk kam parë diçka të ngjashme. Disa ditë më përpara, megjithatë, gjatë një shëtitjeje, një fenomen i tillë zuri vend. Nuk qe ekzaktësisht një dorë por diçka si krah ajo që që u zgjat nga qielli. Fillova të mendoj. Kuptova që po të kishte qenë pastori këtu ai mund të kish qenë në gjendje të vendoste nëse ky ishte fenomeni të cilit ai iu referua. Kur po qëndroja aty mes mendimeve të mia mu drejtua një udhëtar. Duke bërë me gisht drejt qiellit më tha: “E shikon atë pellg? Janë tepër të rrallë në këto anë, ndonjëherë marrin shtëpi të tëra me vete.” “Zot na ruaj,”- mendova, “është ai vërtetë një pellg uji?”- dhe ja dhashë vrapit aq shpejt sa munda. Pyes veten se çfarë do të kish bërë pastori në vendin tim.

***

E ndaj kohën në mënyrën më poshtë! Gjysmën e kohës fle, gjysmën e kohës ëndërroj. Kurrë nuk ëndërroj kur fle, ajo do të ishte mëshirë sepse gjumi është arritja më e lartë e gjeniut.

***

Për t’u bërë njeri perfekt është, pas së gjithash ideali më i lartë njerëzor. Tani kam drithë, i cili duhet t’i hyjë në punë dikujt.

***

Rezultati i jetës sime është thjesht asgjë, një humor i caktuar, një ngjyrë e vetme. Rezultati im është si ai i një artisti i cili po planifikonte të pikturonte një pikturë të izraelitëve tek kalonin detin e kuq. Në fund të kësaj ai e pikturoi të gjithë murin e kuq duke shpjeguar se izraelitët kishin kaluar tashmë dhe egjiptianët qenë mbytur.

***

Natyra gjithsesi e njeh dinjitetin e njerëzisë. Kur do ti mbash zogjtë larg pemëve ndërtohet diçka që i ngjan njeriut dhe madje kjo ngjashmëri e zbehtë ndaj një qenieje njerëzore që një dordolec bart bëhet e mjaftueshme për të ngjallur respekt tek zogjtë.

***

Që dashuria të ketë rëndësi, ora e lindjes së saj duhet të ndriçohet nga hëna, ashtu si Apis, në mënyrë që të konsiderohen bletë të vërteta duhen të ndriçohen nga hëna. Ishte e nevojshme që hëna duhej të ndriçonte mbi lopën që do të lindte Apis në momentin e ngjizjes.

***

Prova më e mirë për mjerimin e ekzistencës është prova se ai rrjedh nga përsiatja e lavdeve të tij. Shumica e njerëzve ndjekin kënaqësinë me kaq nxitim sa i kalojnë shkitazi asaj. Ato sillen si ai xhuxhi i cili bënte rojë mbi një priceshë të kapur në kështjellën e tij. Një ditë ai po pushonte në zheg. Kur u zgjua një orë më vonë, princesha kishte ikur. Me shpejtësi ai veshi këpucët e tij shtatëlegëshe, me një hap e kapërceu dhe u gjend tepër larg saj.

***

Shpirti im është kaq i rëndë sa mendimi nuk mundet më ta mbajë, asnjë rrahje krahësh për ta ngritur në ether. Nëse lëviz, lëviz duke fshirë tokën si fluturimet e ulëta të zogjve kur një vetëtimë afrohet. Mbi qenien time më të brendshme aty lind një depresion, një ankth që paralajmëron një tërmet.

***

Jeta është kaq bosh dhe e pakuptimtë. – Varrosim një njeri, e përcjellim në varr, hedhim tre grushta dhe mbi të, ikim në varreza me një karrocë, kthehemi në shtëpi, ngushëllohemi duke menduar se kemi një jetë të gjatë përpara nesh. Sa kohë i bie të jetë shtatë herë shumëzuar me dhjetë vjet? Pse nuk e përfundojmë menjëherë, pse nuk rrimë dhe të ulemi në varr bashkë me të, dhe të hedhim me short për të parë kush do të jetë e fundmja qenie e palumtur e mbijetuar që do të hedhë tre grushtat e fundit të dheut mbi të fundmin e të vdekurve?

____________

[1]  Madhështi, dije, famë
Miqësi, kënaqshëm e mirë
Gjitha nuk janë veç erë, veç tym
Më mirë thënë, gjithë nuk është asgjë

/Gazeta “ExLibris”/