LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitari Ajeti: Salih Mustafën nuk e kam parë në Zllash në prill të vitit 1999

Dëshmitari Ajeti: Salih Mustafën nuk e kam parë në Zllash në prill të vitit 1999

Dëshmitari i 13 i mbrojtjes së Salih Mustafës, Muhamet Ajeti ka folur para turpit gjykues në Hagë për periudhën e shpërnguljes nga Prishtina për në fshatin Zllash dhe bartjen e të plagosurve në prill të vitit 1999.

Ai ka thënë se në këtë periudhë nuk e ka takuar Salih Mustafën në Zllash dhe se aty nuk ka parë apo dëgjuar për persona të ndaluar.


Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius von Bone, dëshmitari ka deklaruar se më 30 ose 31 mars të vitit 1999 është larguar nga Prishtina dhe ka shkuar në Zllash përmes rrugëve malore.

“Nëse nuk gaboj data 30 ose 31 mars 1999 e kam lëshuar Prishtinën. Këto janë dy data të mundshme, nuk mund të them cila është qind për qind. Kemi shkuar në këmbë. Kemi shkuar me disa ushtarë të tjerë me të cilët jemi takuar në Prishtinë, e kemi lëshuar Prishtinën dhe kemi shkuar në Zllash, kemi qenë një numër nuk e di saktë, ndoshta 10-15 vetë, nuk më kujtohet detaje sa ushtarë kemi qenë por me disa ushtarë kemi shkuar në Zllash”, ka thënë Ajeti.

I pyetur pse kanë zgjedhur Zllashin që të shkojnë aty, dëshmitari ka thënë sepse atje ishte një pjesë e madhe e UÇK-së të cilët ishin nga Zona Operative e Llapit.

Ai ka thënë se në Zllash janë vendosur në një shtëpi, e cila sipas tij ishte rreth 800 metra larg nga shkolla e fshatit.

“Kur kemi arrit në Zllash në atë shtëpi më kujtohet që ka qenë oborri plot njerëz, merreshin me popullatën, me vendosjen e tyre, ashtu ka qenë njëfarë katrahure, ka pasur plot njerëz, 50 ose 60 njerëz kanë qenë, gra, fëmijë, ushtarë, kur kemi arrit datën 30 ose 31 mars. Në atë shtëpi ka qenë oborri plot njerëz duke i vendosur nëpër dhoma që kishin arrit para neve”, ka thënë dëshmitari.

Ajeti ka thënë se brenda atij oborri kanë qenë dy shtëpi të vjetra.

Ndërsa nga Zllashi, dëshmitari ka deklaruar se ishte larguar të nesërmen për të takuar familjen e tij, të cilët ishin vendosur në fshatin Keqekollë.

“Aty kam qëndruar te dajtë dy ditë ose tri mandej jam kthyer në Zllash dhe kohën tjetër derisa ka nisur ofensiva në fshatin Viti, kam qëndruar herë pas here, ka ndodhur kam qëndru ditën në Zllash, kam shkuar me bujt prapë te dajtë se nuk ka qenë larg, për shkak se shtëpitë e mbingarkuara me popullatë, pothuajse më shumë kam qëndruar të dajtë por ditën kam ardhur shumicën e kohës në Zllash deri në fillimin e ofensivës në Viti të Marecit”, ka thënë Ajeti.

Ai ka thënë se ofensiva në Viti kishte filluar më 16 prill dhe sipas tij nga kjo datë ai kishte qëndruar në Viti deri më datën 20 të atij muaji.

Ndërsa më 20 prill ai ka thënë se është kthyer në Zllash me disa të plagosur dhe se aty tashmë ishte improvizuar një spital.

“Nuk më kujtohet kur është transformuar në spital por e di që diku 20 prill kur kemi ardhur me të plagosur i kemi vendosur këtu, këtu ka qenë doktoresha Teuta, disa të tjerë, kishin qenë duke u marrë sepse kishin arrit disa të plagosur para meje, spital nuk mundesh me i thënë por është shndërruar në spital”, ka thënë ai.

Gjatë dëshmisë së tij Ajeti ka thënë se në asnjë prej ndërtesave në Zllash nuk ka parë që bëhej roje.