LAJMI I FUNDIT:

Çfarë më mësoi kukulla çekosllovake për lumturinë dhe anën e errët të saj

Çfarë më mësoi kukulla çekosllovake për lumturinë dhe anën e errët të saj
Lea Ypi

Nga: Lea Ypi / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur isha fëmijë në Shqipërinë komuniste, lumturia quhej Anjushka. Anjushka ishte kukulla e madhe çekosllovake që u përkiste fqinjëve të mi. Ata ishin anëtarë partie që njëherë u lejuan të udhëtojnë në Pragë dhe me vete e sollën Anjushkën, për ta dekoruar dhomën e tyre të gjumit. Nuk ishte në shitje në asnjë dyqan shqiptar.


Kishte flokë të trasha dhe të zeza të bëra top mbrapa, ndërsa veshur kishte një fustan sateni me pamje perandorake e të zbukuruar me dantella. Buzët e saj ishin të kuqe të ndezura dhe kishte sy të kaltër të mbyllët dhe qerpikë të gjatë e të errët që ia jepnin një shprehje të përgjumur. Me madhështi rrinte ulur në shtrat, me pjesët e fustanit të shpalosura mbi dyshek, duke u dhënë mobileve të thjeshta komuniste një freski solemne habsburge. E shikoja me orë të tëra, me dëshirën për ta prekur. Ndonjëherë, ulesha në një karrige pranë pragut të dhomës së gjumit – që ishte afër saj aq sa më lejohej të shkoja – dhe bisedonim nëse një ditë do të donte të bëhej lodër dhe jo të mbetej stoli.

Pas rënies së komunizmit, shumë njerëz filluan t’i përmirësojnë shtëpitë e veta dhe të blejnë krevate dhe dollapë të rinj të stilit perëndimor. Koha e Anjushkës gjithashtu mbaroi, dhe fqinjët e mi pyetën nëse do të më pëlqente që ta kem atë kukullën. “Ti e doje shumë kur ishe i vogël”, thanë ata. Por, nuk e doja më. Ndoshta isha shumë e vjetër për lodra. Ndoshta ishte e vështirë të paramendohej vendosja e Anjushkës perandorake diku tjetër, pos në maje të shtratit të thjeshtë komunist të fqinjëve të mi. Por, ndoshta edhe sepse ka diçka shqetësuese në kujtesën e dëshirave të mëdha, të cilat me kalimin e kohës zbehen sikur të mos kishin qenë kurrë aq të mëdha ose sikur të mos kishin qenë kurrë tonat.

A e përfaqësonte Anjushka vërtet lumturinë, apo është në natyrën e lumturisë që, ideja jonë për të, të përqendrohet në ato gjërat që për nga natyra janë të paarritshme?

Poeti gjerman Johann W Goethe mendonte kështu. Lumturia, ka thënë ai, është topi pas të cilit vrapojmë sa herë që rrotullohet dhe që e shtyjmë me këmbë kur ndalon. Top apo kukull, më duket i besueshëm këndvështrimi i tij. Jam e hutuar kur kërkimi i lumturisë paraqitet si një lloj i instinktit të qartë, që të gjithë ne supozohet ta ndajmë me njëri-tjetrin. Merreni si shembull thënien e famshme që vendosej në fanellat e njerëzve në Shqipëri, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e që shoqërohej nga një fytyrë e verdhë e buzëqeshur: “Mos u shqetëso, ji i lumtur”. Pse? Është e vështirë të shihet se çfarë do të mbetet nga lumturia kur t’ia hiqni brengën. Çdo veprim përfshin një përzierje të dyshimit për vetveten, të përpjekjeve të papajtueshme, të tundimit nga e keqja, të mungesës së besimit për kënaqësinë. Nëse shmangeni nga e gjitha kjo gjatë kërkimit të lumturisë, dikush mezi mund të thotë se ajo që mbetet mund të jetë lumturi.

Gjërat bëhen edhe më të ndërlikuara (dhe disi më shqetësuese) kur kërkimi i lumturisë shtrohet nga një qëllimi individual, për t’u bërë pastaj themel i jetës politike. Merreni deklaratën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilën paraqitet si “vërtetë e vetëkuptueshme”, si e drejtë e patjetërsueshme me të cilën garantohen të gjithë njerëzit. Ndonjë kritik mund të pohojë se këtu është një problem thelbësor që ka të bëjë me përjashtimin. Saktësia historike e këtij gjykimi, në mënyrë filozofike pasqyrohet me të metat e teorisë morale që promovon “lumturinë më të madhe të numrit më të madh”. Kjo është një prej fjalive më të famshme të Jeremy Benthamit, të babait themeltar të utilitarizmit dhe një prej ndikuesve më të mëdhenj në mendimin ekonomik liberal. Por, çfarë mund të thuhet për numrin më të vogël, mund të pyesni? Po për ata që nuk e dinë se çfarë është lumturia e tyre? A mund të matet lumturia? A mundet vërtet të ndiqet lumturia e një personi, pa i shkaktuar mjerim një tjetri? Po sikur të ishte në natyrën e lumturisë që ta përmbledh kënaqësinë e dëshirave që janë gjithmonë krahasuese dhe relative, dhe rastësisht shkatërruese?

Ekziston vetëm një këndvështrim i lumturisë që mua më duket bindës – por është bindës vetëm sepse nuk ka të bëjë fare me lumturinë. Filozofi prusian Immanuel Kant, pohoi se lumturia nuk mund të jetë kurrë parim udhëzues i veprimit; më së shumti është diçka që mund të shpresojmë ta shijojmë, nëse i përmbushim detyrat tona. E bëjmë atë që është e drejtë, vetëm sepse është gjëja e duhur për ta bërë, por jo në pritje të shpërblimeve. Lumturia mundet (ose jo) të vijë si rezultat i sjelljes së virtytshme, por njeriu nuk duhet ta bëjë kusht për të ditur se si të veprojë.

Disa këtë pikëpamje e shohin si goxha të trishtueshme, si goxha protestante, ose të dy këto. A nuk e zbrazim gëzimin nga jeta, pyesin ata, nëse e kthejmë marrëdhënien tonë me të tjerët në një listë detyrimesh morale që ndjenjat dhe kënaqësinë i vë në rend të dytë?

Por, gjithmonë e kam parë këtë pikëpamje si çliruese dhe fuqizuese. Përqendroheni në botën si tërësi dhe angazhohuni me të tjerët, të vetëdijshëm për kufijtë tuaj, duke e ditur arbitraritetin e prirjeve dhe të pasigurisë së dëshirave. E inkurajon njeriun të pranojë brengën dhe ta vlerësojë përpjekjen, dhe ta kërkojë kuptimin e jetës përtej kënaqësisë individuale. Gjithashtu, mendoj se kjo aspak nuk është e trishtueshme. Dhe, gjithsesi, çfarë mund të jetë më e frikshme se “Mos u shqetëso, ji i lumtur”, urdhri për të ndjekur diçka që sipas definicionit është e paarritshme? /Telegrafi/