LAJMI I FUNDIT:

Asimetria e një krimi

“Në të dyja rastet bëhet fjalë për zhdukjen e një popullsie, në rastin e Holakustit nëpërmjet vrasjeve sistematike, edhe në rastin e Kosovës në radhë të parë nëpërmjet dëbimeve dhe vrasjeve kolektive dhe veçanërisht nëpërmjet kërcënimeve me vrasje masive. Serbët shkojnë në fshatrat shqiptare dhe paralajmërojnë shqiptarët: ose zhdukuni ose do t’u vrasim të gjithëve” – Daniel Goldhagen, historian amerikan

Luftërat në ish-Jugosllavi mes viteve 1991 dhe 1999 nuk ishin luftëra religjionesh, as erupsione të pashmangshme të urrejtjes shekullore të popujve të armiqësuar, ato më tepër mund të kuptohen si rezultat i dështimit gjatë transformimit nga një shoqëri socialiste në atë demokratike, dhe si rrjedhojë e Serbisë për të krijuar një shtet centralist, të dominuar ekskluzivisht nga serbët. Planimetritë serbe të viteve tetëdhjetë për krijimin e një Serbie të Madhe nën petkun e Jugosllavisë, në kokat e aq shumë njerëzve nuk do të kishin qarkulluar fantazmat nacionaliste dhe nuk do të ndodhnin aq luftëra dhe krime të rënda.
Masakra e Prekazit, ajo e Reçakut dhe vrasje të tjera në masë në Kosovës e ish- Jugosllavi, ashtu si Srebrenica në Bosnje, Vukovari në Kroaci, janë simbole të krimit serb ndaj popullit shqiptar, boshnjak dhe kroat. Ato janë krimet më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ato na kujtojnë tmerrin dhe turpin e shtetit serb. Për këtë Serbia mban një përgjegjësi historike të vazhdueshme, e cila është tërësisht e pavarur nga faji personal. Bota nuk duhet të lejojë që krime të tilla të përsëriten ndonjëherë.

Shtrohet pyetja, cili do të jetë presidenti i parë serb që do të marrë guximin të flas në Kosovë dhe do të pranojë përgjegjësinë e Serbisë për krimet ndaj shqiptarëve, ashtu si presidenti gjerman që mori guximin të flas në Aushvic në ceremonitë përkujtimore të viktimave të nacionalsocializmit në ish-kampin e përqendrimit në Poloni. Sigurisht, për të ndodhur kjo, për të bërë një hark politik mes të kaluarës dhe të sotmes gjermanëve ju desh shumë kohë, shumë dekada dhe shumë mund dhe shumë përkrahje edhe nga jashtë. Për të ndodhur kjo në Ballkan mbase duhet më shumë kohë dhe më shumë drejtësi. Për mendimin tim, qasja e deritanishme e qendrave ndërkombëtare të vendosjes nuk ka qenë krejt e qëlluar, nuk është goditur problemi në thelb, Serbia është dashur të ndihmohet dhe të detyrohet që të përballet me të kaluar për shkak të përmasave të jashtëzakonshme të krimeve monstruoze serbe, të cilat nuk ishin parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë kontekst, edhe qasja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me 25 janar, përkatësisht miratimi i raportit të senatorit zviceran Dick Marty, në të cilin ngrihen pretendime ndaj disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e organeve njerëzore, nuk i ndihmon as drejtësisë dhe as përballjes kritike me ta kaluarën. Por, vëmendja që i kushtuan mediet këtij raporti dhe rezoluta e KE-së sigurisht se e dëmtojnë Kosovën, në planin e brendshëm dhe në atë të jashtëm, veçanërisht edhe në drejtim të negociatave për anëtarësim në KE që zhvillohen në plan afatgjatë. Prandaj, në këtë moment nuk është në interes të Kosovës dhe të shqiptarëve të prolongohet çështja e zbardhjes të të gjithave akuzave të ngritura nga senatori Marty. Sa kohë nuk janë sqaruar akuzat, edhe dëmi politik që del prej kësaj është jashtëzakonisht i madh. Nisur nga kjo, është në interesin e Kosovës dhe të Shqipërisë që të bëhet një hetim i mirëfilltë i gjithanshëm i akuzave të pretenduara, të fillohet me urgjencë një bashkëpunim intensiv e i gjithanshëm midis autoritetet vendore dhe EULEX-it, dhe në këtë mënyrë t ë ndriçohet gjithçka dhe kjo çështje të mbyllet një herë e përgjithmonë.

“Të dhënat e shumta” për të cilat pretendohet në raport, nuk janë prova në kuptimin juridik. Edhe Këshilli i Evropës nuk është një organ juridik që të merrte pjesë në këtë mënyrë në një hetim gjyqësor. Edhe raportuesi i ngarkuar i Këshillit të Evropës zoti Dick Marty, ka mbledhur fjalë që qarkullojnë prej kohësh, dhe i ka vendosur këto në agjendën e politikës. Prandaj, duhet pasur kujdes dhe duhet tërhiqet një linjë shumë e qartë mes procedimit politik dhe atij juridik dhe ligjor, dhe duhet bërë një ndarje mes këtyre të dyjave. Kjo duhet bërë sepse fillimisht bëhet fjalë për një dënim para kohe nga pikëpamja politike, pa pasur prova të qarta për këtë. “Provat janë të dhëna konkrete të dëshmitarëve, deponime e të tjera si këto, por jo fjalë që dëgjohen nga njerëz të ndryshëm, të cilët nga ana e tyre i kanë dëgjuar po këto fjalë nga njerëz të tjerë para dhjetë vitesh. Kjo nuk konsiderohet provë,” thotë Eksperti juridik për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Gracit në Austri, Prof. Dr. Joseph Marko, duke shtuar se “nuk mund edhe të përjashtohet që mund të bëhet fjalë për një fushatë politike kundër Hashim Thaçit”.

Në anën tjetër, z. Marty në fjalën e tij para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, natyrisht mbrojti raportin e tij, ndërsa vuri theksin në reagimet që ka nxitur raporti duke theksuar se “ai nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit shqiptar”, por, sipas tij ka të bëjë me “të drejtat e njeriut”. Mund të jetë kështu, që z. Marty të jetë një luftëtar kaq i zellshëm i të drejtave të njeriut, por qasja e tij duket shumë selektive dhe paragjykuese, sepse ai në rend të parë kërkon që çështja të filloj, jo nga koka, por nga bishti. Nuk e mohon askush se mund të ketë patur ndonjë krim mbi baza individuale dhe të hakmarrjes, por kjo nuk ka të bëjë më shkeljen e të drejtave të njeriut, por më shumë si rrjedhojë dhe reaksion i vuajtjes së njerëzve gjatë luftës në Kosovë. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë fare me të drejtat e njeriut, por ato përdoren si alibi për të goditur Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Po të ishte ndryshe, ne në vend të raportit të Dick Martyt dhe rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për “krime nga Kosova”, do të kishim një raport për krimet dhe gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, i cili ishte i mbështetur mbi planimetri dhe projekte të hartuara nga qarqet e larta shtetërore serbe, si Memorandumi i Akademisë Serbe (1986) dhe plani i koduar “Patkoi” (1998) për dëbimin kolektiv të shqiptarëve. Dhe po të prisnim qendrat ndërkombëtare të vendosjes dhe NATO deri sa z. Marty të kujtohej se zhdukja e një populli të tërë është jo vetëm shkelje e të drejtave të njeriut, por një formë e ngjashme e gjenocidit çfarë e përjetuan hebrenjtë nga Hitleri dhe Gebelsi, shqiptarët do të ishin akoma nëpër kampe refugjatësh. Kur asokohe rrezikohej zhbërja e një populli, kam dëgjuar shumë emra të kenë reaguar, por z. Marty po e dëgjoj tek tani, bile me një grumbull të “dhënash”, që më shumë i ngjasojnë thashethemeve të dëgjuar këtu e njëmbëdhjetë vjet me radhë.

Sigurisht, askush nuk mund të justifikoj sjelljet e gabuara të vetë shqiptarëve, por të bësh raporte dhe rezoluta të tilla, kur njerëzit ende i kanë të freskëta kujtimet e krimeve shtetërore serbe, ndërsa serbët edhe më tej ndihen krenarë për krimet mbi shqiptarë dhe luftën e tyre në Kosovë, është njësoj si të amnistosh gjermanët për krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, të mos u kërkohesh atyre të kenë qëndrim kritik për të kaluarën naziste, por të drejtosh gishtin nga çekët, polakët e të tjerë për dëbimin dhe vrasjen e pjesëtarëve të pakicës gjermane nga vendet e tyre menjëherë pas luftës. Veprimet e Dick Martyt, edhe pse nuk prezantohen kështu, janë një tendencë e dukshme për të bërë simetri dhe paralele midis krimit të organizuar shtetëror serb dhe disa krimeve individuale të bëra, qoftë gjatë luftës apo pas saj. Prandaj, është e padrejtë t’u kërkosh nga shqiptarëve t’ i harrojnë vuajtjet dhe krimet që u shkaktoi shteti serb, aq më tepër kur dihet se krimet e tilla nuk kanë ndodhur vetëm në luftën e fundit, por që nga vitet 1877/1878, atëherë kur filloi të impelmentohet ideja nacionaliste për krijimin e Serbisë së Madhe. Me një fjalë, konfliktet në Ballkan, përkatësisht nuk mund të kuptohen pa sfondin e tyre historik. Projekti i Titos që Jugosllavia e dytë e themeluar prej tij në vitin 1946 të bëhet vatër e “vëllazërim-bashkimit” e kombeve dhe kombësive dështoi.

Siç dihet projektuesit e planimetrive antishqiptare në Beograd në vazhdimësi ndërtoheshin mbi një metodologji, mitologji, gjuhë dhe përmbajtje skajshmërisht raciste, antishqiptare, duke iu referuar “metodave të kolonizimit të Toplicës dhe Kosanicës pas vitit 1878, kur shqiptarët u dëbuan nga serbët prej këtyre rajoneve (Çubrilloviq, Elaborati për shpërnguljen e shqiptarëve, 7 mars 1937), dhe intencave “që të pastrohen gjermanët, hungarezët nga Vojvodina e shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia” (Çubrilloviq, “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re”, 3 nëntor 1944), dhe synimet serbomëdha në vitet 80-ta të shekullit të kaluar (Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave e të Arteve, 1986, mitologjia më voluminoze politike, e cila është krijuar ndonjëherë për opinionin serb dhe që u bënë katalizator i katër luftërave të Milosheviqit.
Nga marsi i vitit 1998 e deri në qershor 1999, gjashtë decenie pas Thirrjes s e Çubrilloviqit nga vitit 1937: “Të digjen fshatrat dhe lagjet shqiptare”, udhëzimet e Çubrilloviqit u zbatuan në vepër nga ana e udhëheqjes serbe nën Milosheviqin: fjalë pas fjale, paragraf pas paragrafi.

Në luftën e fundit të Kosovës me 1998/1999 qarqet shtetërore serbe, që synonin dëbimin kolektiv të shqiptarëve nga Kosova, ashtu si në të kaluarën u veprua nga jugosllavit e vjetra e të reja. Dhe pikërisht, ky ishte motivi që çoi në intervenimin e NATO-s në Kosovë. Dhe kur publikut ndërkombëtar, dhe kundërshtarëve të intervenimit, në këtë mes edhe Dick Martyt, duhej t’i qartësoheshin motivet e angazhimit ushtarak të Perëndimit në Kosovë, ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, për herë të parë bëri publik një plan sekret serb me emrin “Operacioni Patkoi”, sipas të cilit Beogradi qysh prej një kohe të gjatë kishte planifikuar dëbimin me dhunë të shqiptarëve. Kjo nuk ndodhi për herë të parë në konfliktin e Kosovës, por qysh gjatë luftës së Bosnjës dhe ishte motiv dominues i politikës serbe që nga faza e parë e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në dekadën e fundit të shekullit XX. Ky ishte nazizmi serb, i cili natyrisht se ishte i ndryshëm me atë gjerman, por ata të dy janë shkaktar të vrasjeve në masë dhe fajtorë për një sërë krimesh të tjera.

Në librin e tij shumë të njohur, “Ekzekutuesit e vullnetshëm të Hitlerit”, por edhe të kontestuar, historiani amerikan Daniel Goldhagen e paraqet holokaust-in si “projekt nacional gjerman“. Sipas tij edhe në rastin e Kosovës kishte shenja dhe ngjashmëri mes asaj që bëri Hitleri me hebrenj dhe Milosheviqi me shqiptarët dhe popujt tjerë të Jugosllavisë dhe se mund të flitej për përgjegjësi kolektive, pasi, përveç strukturave shtetërore e politike, ishin të involvuar edhe qytetarë të rëndomtë serbë. Edhe Hitleri dhe Millosheviqi filluan krimet e tyre në emër të ideologjisë, e cila zhvlerëson jetët e të tjerëve dhe duke u nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët, nëse ata u dalin përpara në rrugë. “Natyrisht, në ideologjitë e tyre ekzistojnë dallime të jashtëzakonshme, dhe në atë çfarë ka bërë Hitleri dhe çfarë po bën tani Millosheviqi. Megjithatë, ata janë vrasës në masë dhe të dytë motivuan shumë njerëz për t’ i mbështetur planet e tyre ideologjike”, konstatonte me 1999 Goldhagen.

Hulumtimet moderne kanë treguar se parakusht për krime masive cilësohet pjesëmarrja aktive e shumë pjesëtarëve të një shoqërie dhe përkrahja pasive e shumicës së mjedisit gjegjës. Mjerisht, deri tani nuk ka pasur as në shtypin e Perëndimit ndonjë analizë të mirëfilltë përkitazi me elaboratet dhe projekte nacionaliste serbe, analiza të cilat do të ishin një kontribut i çmueshëm për vlerësimin e ndikimit të tyre, jo vetëm në politikat shtetërore, por edhe mbi popullatën serbe, si dhe pasojat e tyre edhe mbi kombet e tjera të Ballkanit. Kjo mosnjohje, shpeshherë ka shkaktuar keqkuptime, kufizime për trajtimin e gjenezës së problemeve në ish-Jugosllavi, dhe si pasojë edhe adresimin e të keqes vetëm në periudhën e Milosheviqit. Dhe tani kjo propagandë në disa mediume ndërkombëtare, e provokuar me raportin e Dick Martyt, fare pak ka të bëjë me drejtësinë, me shumë shkon në drejtim të “futjes në një thes” të të gjithë ballkanasve, të krijimit të një lloj simetri artificiale për gjithë atë që ka ndodhë në Ballkan në luftërat e viteve 90-të të shekullit XX, të cilat ndodhën në rend të parë si pasojë e politikës nacionaliste të Milosheviqit dhe synimeve të tij për realizimin e ideologjisë së tij serbomadhe.

Dhe derisa serbët ende ndjejnë një lloj krenarie dhe heroizmi për luftën e tyre në Kosovë, e cila gëzoi edhe mbështetjen e shumicës së popullatës serbe, është cinizëm dhe fyerje të dëgjosh Dick Martyn dhe bashkëmendimtarët e tij si angazhohen për drejtësi dhe të drejtat e njeriut. Ky përdorim i standardeve të dyfishta për atë që ka ndodhur në hapësirën e ish-Jugosllavisë, është i pakuptueshëm për popujt që kanë vuajtur nga dhuna dhe represioni i egër i shtetit serb dhe me të drejtë përbënë një përpjekje për të krijuar një simetri artificiale mes krimit të organizuar shtetëror dhe abuzimeve individuale, të cilat janë të pashmangshme në çdo luftë. Ndaj, parë nga ky këndvështrim, ekziston rreziku që me apo pa qëllim, t’i behët një shërbim i keq drejtësisë dhe mbi të gjitha pamundësohet të bëhet një hark politik mes të kaluarës dhe të sotmes dhe një përballje kritike me të kaluarën, si dhe tejkalim i “kulturës së krimit”, që ballkanasit e perceptojnë edhe më tej si një lloj heroizmi dhe si një justifikim patriotik në realizimin e agjendave nacionale.

Veç kësaj, këto veprime të Dick Martyt duken pak të pakuptueshme, kur në Serbi ende nuk ka gatishmëri të zbardhet fati i mbi një mijë shqiptarëve, të cilët ose u ekzekutuan në masë ose u kidnapuan kah fundi i luftës, qoftë nëpër vendbanimet e tyre, qoftë nëpër burgjet serbe. Ta bësh tani temë dhe çështje “përndjekjen” e serbëve në përfundim të luftës në Kosovë, indirekt do të thotë të amnistosh një regjim dhe një shtet që ka bërë krime dhe vrasje në masë. Për më tepër, është një tendencë për të bërë një simetri midis krimit të organizuar shtetëror serb dhe disa vrasjeve individuale të shqiptarëve. Po të ndiqej kjo logjikë, atëherë krimet e gjermanëve nazist do të ishin barazuar me krimet që ndodhën ndaj tyre në periudhën e pas luftës. Po kështu, te kërkosh nga shqiptarët t´i harrojnë vuajtjet dhe krimet që u shkaktoi regjimi represiv i Milosheviqit, ashtu si regjimet pararendëse serbe, është jo vetëm një padrejtësi, por edhe tendencë për ta fshirë kujtesën, pa të cilën nuk mund të ketë të ardhme. Me të drejtë, presidentit gjerman Christian Wulff, gjatë vizitës së tij në ish-kampin e përqendrimit në Aushvic, ka thënë: “Kujtimi, përkujtimi dhe zija nuk e paralizojnë jetën, nuk e bllokojnë të ardhmen, por pikërisht ato e bëjnë të mundur të ardhmen”.

(Autori është doktorant në Universitetin e Bremenit/Gjermani)