LAJMI I FUNDIT:

Alo Radio Kitrra! Alo Bekim Lumi, lajmërohu…

Alo Radio Kitrra! Alo Bekim Lumi, lajmërohu…

E pabesueshme! U ba një javë që Bekim Lumi na përgjon nga lartë! Këtë mungesë desha ta ndaj me ju me disa kujtime që e sjellin një komunikim te veçantë me të…

Afrim Demiri


Ashtu siç ka ditur, t’i estetizoj ndjenjat për të bukurën, Bekim Lumi deri në frymën e fundit të tij është munduar ta estetizojë dhembjen dhe nëpërmjet një humori të krijojë qasjen e tij autentike transcedentale, me të cilën kapërcente ditët e ngujimit dhe krijonte më herët lidhjen me botën përtejshme. Në këtë vegim shigjetar, shpeshherë sa therës edhe vrasës, lajmet për kulturën I shihte si një freskim të shpirtit, derisa ato për politikën i merrte si një kutërbim të ndonjë kontejneri të pazbrazur në rrugën e Matit, ku jetonte. Për më shumë se dy vite, herë më shpesh e herë më rrallë , varësisht prej vendit të mjekimit, unë si padiktueshëm nga një domosdo e pashmangshme, u shndërrova në një ciceron të tij për ngjarjet kulturore.

“Hajde të lutem lajmërohu, korrespodenti I Radio Kitrrës”, më thirrte në telefon, derisa qëndronte në Rekë të Allagës, Bjeshkëve të Rugovës dhe ngjitej në maje të Hajles. Ashtu dita-ditës e krijoi në mënyrë virtuale “Radio Kitrrën”, si një stacion nga cili i merrte lajmet për rrjedhat kulturore.

Kishte kohë që ai jetonte i rrethuar me kitrrat mes pishave shekullore dhe ato i kishte shndërruar në shenjë të fatit të tij, për mbijetesë. Unë përpiqesha t’i sistematizoja “blloqet e lajmeve” nga provinca jonë e rrafshtë e shpesh ato i kriposja me elemente globale dhe me prerje të ndryshme soc-kultuore. Për ta mbajtur të informuar, i nisja për në bjeshkë, tek ai. “Mirë shumë, por shumë po e thekson gjuhën standarde; liroje fjalinë dhe shtrije të folurit; fol më ngadalë”, më thoshte.

Më tregonte se i ishte kthyer leximit të veprave për Skënderbeun dhe i dhimbte shpirti që të gjitha librat për të i ishin djegur me rastin e djegies së bibliotekës së tij prej mëse 3000 librash gjatë luftës. E lajmëroja se ia kisha siguruar stripin e parë për Skënderbeun nga Adem Zaplluzha , pastaj Kanunin e Skënderbeut, një botim të veçantë, si dhe për botimet e reja që dilnin për Skënderbeun. Kishte plane që ta zgjeronte studimin e tij karahasimtar në mes të gërshetimit të elementeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit si dhe të veprës së Shkespirit, sidomos tek Hamleti dhe Makbethi, siç kishte vepruar edhe tek drama e tij “Këmisha e gjakut”. Ai e konsideronte vetën jo vetëm skënderbegas, por edhe një skenderbegolog, sepse kishte njohuri të shumta. Eh, shumë mirë e priti botimin e profesorit japonez Kazuhiko Yamamoto për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Veprën e tij “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”, e lexoi me një frymë dhe nxirrte paralelen me studimin e tij.

Nuk ishte e lehtë të flisje me të për shumë aspekte kulturore, sepse ai përpos qasjes origjinale, posedonte shumë njohuri dhe fakte dhe ato i shpaloste me një gjuhë shumë simbolike.

Me të filluar realizmin e dramës së fundit “Arturo Ui”, e cila arriti ta mbajë në jetë, si ma e mira terapi e mundshme, ai kishte në konceptin e tij regjisorial idenë që të fuste një skenë, ku nga gramafoni do të dëgjohej muzika e tij e përzgjedhur drejtpërdrejtë. Mua më ra shorti të kërkoja një gramafon të tillë sa më të vjetër i cili është në gjendje të rregullt dhe i cili do ta rikthente sentimentin e një kohe. Në kërkim e sipër, gjithandej nëpër Kosovë, humoristi ferizajas Quza e krijoi një batutë që, kur ia tregova, i erdhi shumë mirë. “Hajt bre, mos u merakosni se keni me gjet gramafonin. Derisa e kemi gjeneralin, mos u mërzitni për gramafonin”, duke aluduar në filmin “Gjeneral gramafoni” që Bekimi e donte shumë. Bekimi ishte gjenerali i teatrit tonë.

“Hajde Afrim, çka po thonë lajmet; lirohu prej konspiracionit tënd politik; kapërceje shoqërinë civile dhe gazetarinë e përditshme”, më thoshte derisa i flisja edhe për repertorin e BITEF-it dhe disa forma të teatrit total. “Teatri mbetet kutia magjike. Nëse botës ia marrim klasikën, atë e zhvendosim në një rrafsh jo real”, më thoshte dhe humbej pastaj në shpjegimet pse i fut detajet nga jeta e jonë tradicionale dhe ato i vendosë në funksion shumëdimensional, duke krijuar melodinë e një rapsodie të përjetshme.

Anashkalimin e kulturës nga politika e shihte si një masë mbrojtëse të politikës triviale, si një ikje , fshehje nga mëkati. “Vetëm në dritë të kulturës ata e shohin dimensionin e tyre të vërtetë, xhuxh”, thoshte për politikanët.

Poezia ishte për të xixëllonja që e shëtiste në humnerat e artit, për ta ndriçuar ai pastaj me disiplinën e tij skenike, çdo skutë të asaj kutie. “Mos tento ta emërtosh teatrin tim. Mos ia fut kot, si shumëkush tjetër… Duhet nisur që nga poetika e tij, pastaj nëpërmjet klasikës e deri tek absurdi”, thoshte pa dashtë me i ngjitë emër. Kapërcimin e koncepteve teorike nuk e shihte si modë, as si snobizëm, por si nevojë të shprehjes skenike.

Si ish-gazetar i kulturës në Evropën e Lirë, me tregonte për sfidat dhe ndjente keqardhje se si kolegët gazetarë të kulturës shpesh reflektonin mungesa të mëdha të shijes estetike.

Bekimi ishte një arkë që sa të dukej se nuk ka çelës që e hap, sa të shpalosej me sinqeritetin më të madh. Atëherë kur i lexoja disa krijime të fundit poetike, i bindur se ai moti ka heq dorë nga poezia, ngadalë në një fletore të veçantë i nxirrte poezitë e tij dhe m’i jepte. Pasi i lexova me një frymë, diku ta dridhte mishin elementi i baladës, e sa frynte një erë e sertë surealiste, i thash: “Bekim, më fundose, më kompleksove”. Ai me humor ma kthehu: “Jo, t’bana tokë”, duke dashtë me m’dhanë shenjë tërthorazi: “Mos m’i harro poezitë, kur unë një ditë nuk do të jem”.

Këtë shkrim të shkruar nën emocionet e ndarjes së dhembshme dhe te frikshme nuk kam si mos ta mbylli me thirrjen ne stacionin virtual të tij Radio Kitrra: “Alo Radio Kitrra, Alo Bekim Lumi, lajmërohu, është ky raportimi im më i rëndë, asgjë nuk po ndodhë, veç emocionet kanë shpërthye për mungesën tënde në ylber dhembjesh”.