LAJMI I FUNDIT:

Zelensky falënderon Ramën: Na ndihmoni me stërvitjen e ushtarëve tanë

Zelensky falënderon Ramën: Na ndihmoni me stërvitjen e ushtarëve tanë

Presidenti i Ukrainës, Volodymur Zelensky, ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të cilin e ka falënderuar për qëndrimin që Shqipëria po mban lidhur me agresionin rus.

Këtë njoftim Zelensky e ka bërë të premten në llogarinë e tij në rrjetin social “X”.

“Fola me kryeministrin Edi Rama, për ta falënderuar për qëndrimin e vendosur të mbajtur nga Shqipëria ndaj agresionit rus kundër Ukrainës dhe për mbështetjen e dhënë vendit tonë në Këshillin e Sigurisë të OKB-së, si dhe për mbështetjen politike dhe atë të Mbrojtjes”, ka shkruar presidenti i Ukrainës.


Ai tutje ka thënë se Shqipëria ka marrë pjesë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos.

Zelensky ka theksuar se mbështetet në pjesëmarrjen aktive të partnerëve, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

“Përfaqësuesja shqiptare mori pjesë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos. Detyra jonë aktuale është të përgatitemi për Samitin Global të Paqes dhe ne mbështetemi në pjesëmarrjen aktive të partnerëve tanë, përfshirë Shqipërinë”.

“Diskutuam gjithashtu rreth mënyrave për të thelluar dialogun Ukrainë-Ballkan dhe për të çuar përpara bashkëpunimin tonë në mbrojtje. Theksova gjithashtu rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/