LAJMI I FUNDIT:

Idromeno edhe sot ruan misterin që pret të zbulohet

Idromeno edhe sot ruan misterin që pret të zbulohet

Nga: Edi Rama

Kolë Idromeno, autori i Xhokondës shqiptare, “Motra Tone”, lindi në Shkodër, më 15 gusht 1860.

Idromeno ishte sa piktor, po aq fotograf, sa skenograf po aq skulptor, sa arkitekt po aq edhe zotërues i artit epistolar dhe partiturave muzikore.


Ishte geg nga Saraçët e t’amblit, po aq sa arvanit nga Idromenot e lisit. Amalgamë e hatashme e Shqipërisë bizantine dhe asaj romane. Përkatësinë e dyfishtë ndaj dy universeve të një gjaku, e kishte të skalitur në emrin e tij të pagëzimit, Spiridhon, shenjti mirëbërës i Korfuzit, njësoj i veneruar, si nga ortodoksët po ashtu edhe nga katolikët.

Midis katedrales katolike të Korfuzit dhe rrugës që të çon në pallatin e vjetër të familjes stradiote Riki, aty ku janë mbledhur galeritë e piktorëve dhe antikuarëve, ndodhet edhe sot rruga Idromeno, dëshmi e gurrës së pandërprerë krijuese që rrodhi në dejet e kësaj familje arbëreshe, pargaliote dhe hidriote dhe që Korfuzit, krenarisë së Sinjorisë venedikase, i dha dhaskalë e klerikë të ndershëm.

Gjithë kjo sintezë adriatiko-joniane ngjizi, bashkë me talentin e dhënë nga Zoti, Idromenon e “Motrës Tone” dhe mrekullive të tjera plastike që njohim apo ende jo sa duhet. Por, edhe Idromenon e orkestrës Daullja te Palok Kurtit, Idromenon e Dritëshkronjës me të njëjtin emër dhe Idromenon e eksperimentit të “theatrit elektrik”, belbëzim i kinemave të para.

Figurë jashtëzakonisht tërheqëse dhe gur këndor në artet shqiptare, Kolë Idromeno e ruan edhe sot e gjithë ditën misterin e tij që veç pret të zbulohet e të kundrohet në vijim, në ndërkohën që bashkë me Luçianon, drejtorin ekcentrik e pasionant të muzeut “Marubi”, shpëtimtar i mijëra filmave të aparatit fotografik të dinastisë së madhe shkodrane e evropiane të Marubëve, po punojmë për Muzeun Idromeno, i cili do t’i shtohet Shkodrës si një destinacion kulturor, akademik e turistik.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori