LAJMI I FUNDIT:

Partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në tryezën e LDK-së, PDK po mendohet

Partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në tryezën e LDK-së, PDK po mendohet

Lidhja Demokratike e Kosovës, nesër do t’i bashkojë partitë politike në pozitë dhe opozitë në tryezën e thirrur për të diskutuar rreth situatës aktuale politike dhe mundësinë e dakordimit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Pjesëmarrjen në këtë tryezë e kanë konfirmuar të gjitha partitë politike, në pozitë dhe opozitë, përveç Partisë Demokratike të Kosovës.

Rreth një tavoline do të ulen përfaqësuesit e partive politike në të cilën do të paraqiten qëndrimet e tyre rreth situatës politike dhe mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.


Megjithatë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, për KosovaPress, ka thënë se nesër do ta bëjnë publik qëndrimin e tyre nëse do të jenë pjesë e kësaj tryeze apo jo.

“Nesër do ta bëjmë publik qëndrimin nëse do të jemi pjesë e kësaj tryeze”, tha shkurt Krasniqi.

Pjesëmarrjen në tryezën e LDK-së e ka konfirmuar deputeti i Vetëvendosje Glauk Konjufca.

Në këtë tryezë sipas Konjufcës do të paraqesin qëndrimin e tyre politik dhe gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, meqë sipas tij, kjo Qeveri është e papërgjegjshme.

“Vetëvendosje mendon që tash, qëndrimi politik është se kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme e cila më mirë është të shkoj në shtëpi sa më shpejt që të kemi përfundim të mandatit të kësaj Qeverie. Natyrisht kur shtrohet pyetja se çka i bie kjo, kjo i bie që të fillojmë me LDK-në mbledhjen e 52 nënshkrimeve shqiptare për rrëzimin e kësaj Qeverie dhe pastaj kushdo që t’i bashkohet rrëzimi të kësaj Qeverie jemi të hapur. Unë mendoj se fundi i kësaj qeverie është shumë afër dhe e vetmja zgjidhje është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. LVV është plotësisht e gatshme për këtë opsion. Më duket që edhe LDK ka qëndrim në këtë pozicion,. Prandaj nesër do të shohim se si do t’i koordinojmë veprimet tona. Pra VV konfirmon pjesëmarrjen në këtë tryezë”, tha Konjufca.

Pjesë e kësaj tryeze do të jetë edhe partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ahmet Isufi, tha se aty do t’i shpalosin qëndrimet rreth këtyre çështjeve.

“Ne do të marrim pjesë në tryezë sepse janë tema që kërkojnë një konsensus dhe normalisht aty do t’i shtrojmë pikëpamjet tona edhe lidhur me platformën e cila është përgatitur rreth bisedimeve të ardhshme me Serbinë por edhe tema tjera që mund të dalin në tryezë…Po do ta theksojmë edhe aty qëndrimin, megjithatë, nuk është koha e zgjedhjeve, sepse kemi pasur tash zgjedhje dhe Kosova s’ka komoditet të shkoj në zgjedhje çdo gjashtë muaj. Njëkohësisht nuk ka gatishmëri as nga partitë politike, por është e drejtë e opozitë që gjithmonë të kërkoj zgjedhje dhe korrigjim të Qeverisë”, u shpreh Isufi.

Pjesë e tryezës do të jenë edhe përfaqësues të Nismës Socialdemokrate të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi, tha se duhet të heqin logjikën e mos takimeve, prandaj do të jenë pjesë e tryezës së thirrur nga LDK-ja.

“Aty do ta themi çdo gjë që mendojmë dhe besojmë që duhet të bëhet në Kosovë. Nuk mendoj që sot duhet ta them atë që do ta them nesër. Varësisht nga diskutimet, i dëgjojmë njëherë organizatorët që e kanë ftuar takimin dhe aty do t’i shfaqim qëndrimet tona. Por duhet njëherë e mirë t’i heqim logjiken e mos takimeve. Sepse shumë më mirë është ta takohemi dhe të mos pajtohemi, se sa mos të takohemi”, theksoi Sherifi.

I pyetur nëse janë pro opsionit për zgjedhje të parakohshme, Sherifi theksoi se zgjedhjet nuk ka ende një vit që janë mbajtur dhe Kosova nuk ka histori të tillë të zgjedhjeve çdo gjashtë muaj, por mesatarja në Kosovë është tri vjet, prandaj ka pëlqyer të presin që edhe kjo Qeveri t’i ketë mbush se paku tri vite sa edhe qeveritë e kaluara.

Ndryshe Lidhja Demokratike e Kosovës nesër do të mbajë tryezë ku janë të ftuar të gjitha partitë politike në të cilën do të diskutohet edhe për siç kanë thënë ‘datën e zgjedhjeve’.