LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Shteti e ka vrarë Astrit Deharin

Kurti: Shteti e ka vrarë Astrit Deharin

Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi sot një protestë para Burgut të Prizrenit, me moton “Drejtësi për Astritin”. Në këtë burg një javë më parë, në rrethana ende të pasqaruara, humbi jetën i paraburgosuri Astrit Dehari, njëherësh aktivist i Vetëvendosjes.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se kjo ditë jo vetëm që është pikëlluese, por më shumë se aq është zemëruese sepse, sipas tij, pushteti që ka kapur shtetin është përgjegjësi i vetëm për vdekjen e Astrit Deharit. Ai tha se drejtësia në Kosovë nuk është asgjë më shumë përveçse një vend i krimit.

“Astriti ishte i paraburgosur; pra, as dënim as aktakuzë. Është situatë tjetër kur vdes në burg një person i dënuar e në vuajtje të dënimit dhe është diçka krejtësisht ndryshe kur dikush vdes në paraburgim. Astriti, në paraburgim, jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht ishte i pafajshëm”, tha Kurti, duke shtuar se ai ka vdekur nga një mjet i fortë, “që është tërësisht i jashtëzakonshëm për vetëvrasje”.


Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe për 68 ditë kishte qëndruar i paraburgosur me akuzë për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës. /KP/