LAJMI I FUNDIT:

‘Partitë politike i manipulojnë familjet nën rrezik social gjatë fushatave zgjedhore’ (Video)

‘Partitë politike i manipulojnë familjet nën rrezik social gjatë fushatave zgjedhore’ (Video)

Partitë politike i manipulojnë familjet nën rrezik social gjatë fushatave zgjedhore. Kështu konstatojnë nga organizata joqeveritare Civil – Qendra për liri.

“Partitë politike posaçërisht ato në pushtet premtojnë më shumë nga sa mund të realizojnë. Premtimet e tyre kanë afat të shkurtër dhe janë tejet populiste, manipulative dhe korruptive. Me këtë sjellje, qendrat politike të pushtetit, shkelin mbi dinjitetin e njeriut dhe e degradojnë dimensionin demokratik në procesin zgjedhor”, tha Xhabir Deralla.

Branimir Jovanovski, ekspert ekonomik, shpjegon se premtimet e partive politike, për shembull për rritjen e rrogave, në praktikë janë të parealizueshme.


“Kishte një parti e cila kishte një propozim për rritjen e rrogës minimale në 18.000 denarë. Kjo, vështruar në aspekt ekonomik, është shifër shumë e lartë sepse në këtë shtet rreth 70% e njerëzve kanë rroga të ulëta dhe me rritjen e rrogës minimale në ato nivele, mund të bëhet dëm më i madh”, u shpreh ai, njofton Tv 21.

Milla Carovska, njohëse e politikave sociale thotë se ndihma sociale duhet të rritet. Ajo shtoi se politika ekonomike dhe tatimore duhet të jenë të drejta, kurse për momentin, në Maqedoni kjo mungon.

“Subjekti i vetëm që para disa ditëve doli në eter dhe fliste se varfëria është zvogëluar është Enti Shtetëror i Statistikave. Sipas meje, kjo duhet të evidencohet si manipulim parazgjedhor. Nëse kemi qytetarë të cilët jetojnë me 14 denarë në ditë, atëherë si Enti Shtetëror i Statistikave llogarit se varfëria është zvogëluar?”, tha Carovska.

“CIVIL” zbaton vëzhgim gjithëpërfshirës dhe afatgjatë para zgjedhjeve dhe aktiviteteve të partive politike, vëzhgim për të drejtat e njeriut si dhe aspekte tjera të lidhura me fushatën zgjedhore. Qëllimi i këtij projekti është që të vihen nën thjerrëz të gjitha keqpërdorimet e mundshme të drejtësisë sociale. /Telegrafi/