LAJMI I FUNDIT:

Draghi: Normat e ulëta të interesit nuk do të jenë të përhershme

Draghi: Normat e ulëta të interesit nuk do të jenë të përhershme

Banka Qendrore Europiane (BQK) është në dijeni të kostove në rritje të sektorit financiar prej politikave lehtësuese monetare, dhe mund të mos i mbajë normat negative të interesit edhe për shumë gjatë, thotë presidenti i institucionit Mario Draghi.

Ai i pranoi ankesat e huadhënësve, kryesisht në Gjermani, se normat e ulëta po reduktojnë fitimet e tyre. Banka Qendrore Europiane po studion opsione që të sigurojë zgjatjen e programit të printimit të parave prej 80 miliardë euro në muaj, të paktën deri në Mars 2017, pasi aktivet që mund të blihen në Gjermani po shterojnë.


Draghi tha se normat rekord të ulëta të interesit në Eurozonë nuk përbëjnë një “normale të re” dhe se zona e monedhës së përbashkët do të qëndrojë e cenueshme pa një union të plotë monetar dhe bankar.

“Do t’i heqim këto masa kur stabiliteti i çmimeve të ketë arritur në një rrugë të qëndrueshme, pa qenë nevoja për suport të jashtëzakonshëm monetar”, tha Draghi. Ai trajtoi gjithashtu kritikën e gjermanëve se BQE po dëmton kursimtarët.

“Disa kursyes mund të gjenden në vështirësi nga kjo periudhë e përkohshme e normave të ulëta të interesit. Megjithatë çfarëdo aktive financiare që kursyesit zotërojnë, në fund kthimi i tyre varet gjithnjë nga norma e rritjes së ekonomisë”, shton presidenti i BQE.

Euro është rritur lehtë nga sesioni i djeshëm tregtar, duke dalë nga niveli kritik prej 1.08 për dollarë. /Telegrafi/