LAJMI I FUNDIT:

Bie besimi i bizneseve

Bie besimi i bizneseve

Ekonomia e Kosovës bazuar në hulumtimin “Indikatori matës ne biznes në tremujorin e katër të vitit 2016” pavarësisht ndikimeve sezonale pati performancë të mirë u vlerësua sot nga kreu i Odës, Safet Gërxhaliu.

“Gjendja e përgjithshme e bizneseve në Kosovë këtë tremujorë, është vlerësuar të jetë pozitive. Gjendja është e njëjtë me TM paraprak, e manifestuar me një rritje të lehtë të pritshmërive të bizneseve në dy muajt e fundit. Gati gjysma e bizneseve vlerësojnë gjendje të kënaqshme; 18% si gjendje e pakënaqshme e aktivitetit të tyre biznesor”, tha kreu Safet Gërxhaliu.


Duke prezantuar hulumtimin, Berat Rukiqi, këshilltar strategjik në OEK tha se pritjet për punësim janë mjaftë optimiste në këtë TM, pavarësisht efektit sezonal, po aq sa pritshmëritë për aktivitet biznesor konsiderueshëm më të mirë për 6 muajt e ardhshëm.

“Sektori i tregtisë me shumicë ka tregtuar një përmirësim të lehtë në këtë TM krahasuar me TM paraprak, pasuar nga ai sektori i prodhimit. Pavarësisht pritjeve optimiste për punësim, sektori i shërbimeve pësoi një rënie të lehtë të aktivitetit biznesor në këtë TM”, tha Rukiqi.

Ai theksoi se pritjet për të ardhmen janë optimiste për të gjithë sektorët. Pritjet më me ndikim priten të jenë në sektorin e ndërtimit, pasuar nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë me shumicë. Nga ana tjetër, sektori i tregtisë me pakicë dhe ai i prodhimit presin ekzaktësisht gjendje të njëjtë edhe për 6 muajt pasues.

Indikatori i konfidencës ka shënuar një rënie prej 5.2% këtë tremujorë. Besimi i bizneseve po vazhdon të bie nga tremujori në tremujor. Konfidenca e bizneseve në këtë periudhë është 5.5.

Është viti i katërt që Oda Ekonomike e Kosovës e përkrahur nga GIZ-i Gjerman organizon ketë hulumtim në të cilin janë të përfshira 401 ndërmarrjeve dhe që përfshin katër sektor :Tregti (shumicë dhe pakicë ndaras); Prodhim (përpunimi i ushqimit; riciklimi; përpunimi i drurit, metaleve dhe materialit ndërtimor); Ndërtimtari; dhe Shërbime (transporti, shërbime profesionale dhe hoteleri).

Hulumtimi është realizuar në pjesën e dytë të muajit dhjetor 2016.

Ndryshe ky hulumtim realizohet në më shumë se 100 shtete, është i dizajnuar nga ekspertët gjerman të Institutit IFO dhe përdoret nga qeveritë e shumë vendeve për marrjen e vendimeve dhe parashikimin e treguesve ekonomik. /Telegrafi/