LAJMI I FUNDIT:

Vendimi i Gjykatës Themelore nuk i konteston analizat për vajin e palmës

Vendimi i Gjykatës Themelore nuk i konteston analizat për vajin e palmës

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës dhe Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, i kanë dërguar për analiza disa produkte të qumështit që shiten në tregun e Kosovës, në Institutin për Mjekësi Veterinare në Shkup “Kirik i Metodi”. Nga këto analiza ka rezultuar se disa produkte të tri kompanive kosovare kanë përmbajtje të yndyrave bimore të padeklaruara në produktet e qumështit, gjë që ka bërë që kjo çështje të shkoj për trajtim në gjykata.

Kryetari i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Ramadan Memaj, është paditur nga kompanitë Bylmeti, Abi dhe Magic Ice, për dëmtim të tyre, si dhe kanë kërkuar që Memajt, t’i ndalohet që të flas në publik për produktet me vaj bimore.


Në një prononcim, Memaj ka thënë se Gjykata Themelore ka kundërshtuar sjelljen e një vendimi të tillë dhe se ai ka mbrojtur interesin publik.

“Tema për të cilën kam folur ishte me interes publik dhe tërësisht e bazuar në fakte. ABI dhe Magic Ice, pastaj janë ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila gjithashtu ka konfirmuar me aktvendim se Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte sjell vendim të drejtë. Pas sjelljes se këtyre vendimeve në seancën kryesore që është dashur të mbahej lidhur me dëmin ekonomik, ABI dhe Magic Ice kanë tërhequr padinë dhe seanca nuk është mbajtur fare”, tregon ai.

Po ashtu Ramadan Memaj, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk ka pranuar që ta shqyrtojë padinë e kompanisë Bylmeti.

“Kam marrë një njoftim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, se nuk është kompetente për të shqyrtuar dëmin ekonomik ndaj Bylmetit nga deklarimet e mia lidhur me yndyrat bimore sidomos ato me vaj palme në produktet e qumështit dhe lënda i është përcjellë Gjykatës Themelore në Prizren”, ka treguar Memaj .

Por, në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet së nuk kanë kompetencë juridike për t’u marrë me padinë e Bylmetit ndaj Ramadan Memajt.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, e vështroi kompetencën e saj lëndore në pajtim me nenin 17, 19, 29 dhe 392 b) të ligjit për procedurën kontestimore, dhe konstatoi se kjo çështje juridike nuk bie në kompetencë lëndore të kësaj gjykate, për shkak se në rastin konkret i padituri është person fizik”, theksohet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sa i përket kësaj çështje.

Kjo gjykatë ka rekomanduar që lënda për shqyrtim t’i dërgohet Gjykatës Themelore në Prizren për shqyrtim.

Ndërkaq, Drejtor ekzekutiv i kompanisë Bylmeti, Afrim Berisha, ka thënë se mos shqyrtimi i padisë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, do të ndikojë në zgjatjen e procesit.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit për çështje ekonomike, që ta shpall veten si jo kompetente për ketë rast dhe lëndën ta përcjell në Gjykatën Themelore në Prizren për shqyrtim, ne mendojmë se është e pa nevojshme dhe do të ndikon vetëm në stërzgjatje të procesit, siç jemi mësuar t’i shohim edhe proceset e tjera gjyqësore në Kosovë”, tha ai.

Berisha ka thënë se Bylmeti do të vazhdojë me hapat e tjerë ligjor. “Gjykata Themelore në Prishtinë- në Departamentin për çështje Ekonomike me Aktevendmin EK.nr.99/17, ka shpallur veten jo kompetent për të vendosur për kontestin ndërmjet paditësit SHPK ‘Bylmeti’ , në Fushë Kosovë dhe të paditurit Shoqërisë tregtare ‘Ajka’ me pronar Ramadan Memaj, lidhur me këtë çështje SHPK ‘Bylmeti’ do të shfrytëzoj mjetet juridike të ankimimit në Gjykatën e Apelit”, ka thënë Afrim Berisha drejtor Ekzekutiv i kompanisë Bylmeti.

Por, Ramadan Memaj ka treguar se Shoqata e Qumështorëve të Kosovës dhe Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit, kanë paditur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), për mos marrje të masave.

“Shoqatat kanë ngritur padi kundër AUV-së dhe këtyre kompanive në Prokurorinë Themelore dhe Prokurorin e Shtetit sepse konsiderojmë se AUV-ja ishte në dijeni të plotë lidhur me këto produkte dhe nuk i ndalonte ato, përkundër faktit se bëhej fjalë për mashtrim të madh të konsumatorëve dhe mbi të gjitha për rrezikim të shëndetit “, ka thënë Memaj .

Sipas tij, AUV-ja i ka të gjitha mundësitë që produktet me vaj bimorë dhe palme, t’i ndaloj dhe të pastroj tregun. “Për fat të keq vazhdon të mos e bëjë një gjë tillë edhe përkundër asaj se shembujt e ndalimit janë të panumërta në Evropë e po ashtu edhe në regjion, ku rasti më i freskët është në Shqipëri ku produktet e tilla janë ndaluar të tregtohen”, ka thënë Memaj.

Ramadan Memaj ka thënë se pret që edhe nga Gjykata Themelore në Prizren, që ta hedh poshtë këtë padi ndaj tij.

“Un nuk pres që edhe Gjykata Themelore në Prizren mund të ndërmerr ndonjë masë kundër meje, qoftë edhe si individ për shkak se një vendim i tillë eventual nuk do të kishte për bazë interesin publik në Kosovë dhe në këtë kuptim do të ishte tërësisht i pa drejtë. Kjo gjykatë nuk do të duhej të ndërmerr ndonjë vendim të tillë edhe për faktin se pikërisht në këtë gjykatë ekzistojnë padi kundër kompanive, të cilat kanë mashtruar konsumatorët me produkte qumështi, por të cilat kanë pasur vaj palme të padeklaruar”, ka thënë Ramadan Memaj.

Pas hedhjes poshtë të padisë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ramadan Memaj, ka treguar se do të konsultohet edhe me avokatin e tij, për hapat e tjerë që do t’i ndërmarrë.

Ndryshe, paditë kundër Ramadan Memajt kishin ardhur pas dërgimit të disa produkteve nga Shoqata e Qumështorëve të Kosovës dhe Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit, për analiza në Institutin për Mjekësi Veterinare në Shkup “Kiril i Metodi “, ku rezultoI se disa produkte të qumështit të kompanive ABI , Bylmeti dhe Magic Ice, kanë përmbajtje të yndyrave bimore të padeklaruara. /Telegrafi/