LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon ‘lulëzimi’ i pompave të benzinës, shumë pika afër njëra-tjetrës pa kritere

Vazhdon ‘lulëzimi’ i pompave të benzinës, shumë pika afër njëra-tjetrës pa kritere

Në Kosovë po vazhdon të rritet numri ndërtimit të pompave të derivateve në vend e pa vend dhe në distancë të afërt me njëra-tjetrën.

Tregu i derivateve në vend është në rritje, pasi që në vendin tonë mungon ligji për të vendosur rregull për perimetrin ose distancën e pikave shitëse të derivateve.


Kjo ka bërë që kushdo që dëshiron mund të ndërtojë dhe hap një pompë të derivateve, përkundër që pak metra më larg është një tjetër pikë shitëse.

Kështu, është arritur të evidentohen mbi 50 pompa të derivateve që janë në funksion në dy drejtimet e rrugës Prishtinë-Pejë, ndërkaq ka edhe të tjera që janë në ndërtim e sipër.

Për këtë parregullësi, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përgjegjëse bën komunat. Ndërkaq, Shoqata e Naftëtarëve vlerëson se një ligj si në Bashkimin Evropian që do ta rregullonte distancën mes pompave, është i nevojshëm për vendin.

Megjithatë, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj paralajmëron se shumica prej këtyre pompave pas 1 janarit të vitit të ardhshëm nuk do të arrijnë të mbijetojnë se për shkak të liberalizimit të vizave do të ulet edhe kërkesa për derivate.

Nga MINT thonë se leja e ndërtimit dhe certifikata e përdorimit janë kompetencë e komunave për lokacionin e pikave shitëse të karburanteve.

“Sipas Ligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme, përkatësisht Udhëzimi Administrativ 15/2022, njëra ndër kriteret kryesore për t’u pajisur me leje për ushtrimin e veprimtarisë me produkte të naftës për pikat ekzistuese, është leja e ndërtimit – pëlqimi i lëshuar nga Komuna. Ndërsa, për pikat shitëse të ndërtuara pas hyrjes në fuqi të UA 15/2022 është certifikata e Përdorimit-Pranimi Teknik, referuar nenit 16 të UA, dispozitat kalimtare, pas afatit 24 muaj obligohen të gjitha pikat e karburanteve të posedojnë certifikatën e përdorimit. Leja e ndërtimit dhe certifikata e përdorimit janë kompetencë e komunave ku e kanë lokacionin pikat shitëse të karburanteve”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MINT.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani kërkon nga qeveria që sa më parë të marrë vendim për një ligj të ri që e cakton distancën mes pompave të derivateve.

Sipas tij, nuk ka nevojë të krijohen pika të tjera.

“Kërkesa ime ka qenë mos të lejohen të ndërtohen pika të karburantit, sepse jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika të karburanteve. Imazh i keq është për Kosovën sa pika të karburantit ka në Kosovë. Kërkoj nga qeveria që të merr vendim sa më parë, mos të lejohet të ndërtohen pika të karburantit. Deri më tani nuk është e rregulluar me ligj, por kam kërkuar që largësia të jetë sipas standardeve të BE-së. Është shqetësuese dhe e dhimbshme çfarë investime janë duke u bërë nëpër pika të karburantit çdo hap, çdo vend po hapen brenda natës e ditës. Pika të reja nuk ka nevojë të ndërtohen, nuk jam kundër kësaj, por le të jetë distanca e rregulluar”, thotë Berjani.

Ndërkaq, sa i përket çmimeve të ndryshmeve nëpër pompa, Berjani shprehet se kjo është sipas Kushtetutës për tregti të lirë, duke shtuar se Kosova është treg i lirë dhe liberal dhe gjithsesi se çmimet duhet të jenë të ndryshme.

Ish-ministri, Mulaj thotë se distanca duhet të jetë e rregulluar si në Bashkimin Evropian.

I njëjti, derisa bën thirrje të mos ndërtohen pika të reja, thotë se pas liberalizimiit të vizave do të ulet edhe konsumi i derivateve.

“Në Kosovë nuk është e rregulluar me ligj se sa duhet të jetë larg pompa prej pompës, ndërsa në vendet e BE-së kjo praktikë është e rregulluar. Në rrugë magjistrale dhe autostradat kombëtare mesatarja e largësisë është 10 kilometër, në Kosovë kjo nuk është e përcaktuar dhe në mënyrë individuale sipas kushteve që i kërkojnë komunat e ndryshme ngrit biznesin e vet, në këtë radhë edhe pompën e benzinës. Mirëpo, nuk është në interes të Kosovës të ketë kaq shumë pompa, por biznesi në një mënyrë e ka marrë këtë risk përsipër duke ndërtuar pompa të karburantit afër njëra-tjetrës dhe duke i krijuar konkurrencë njëra tjetrës në mënyrë jo të drejtë. Dhe nëse ndonjëherë krijohet rregull në tregtimin e karburanteve, shumica prej këtyre pompave nuk do të mbijetojnë tregut të lirë dhe do të falimentojnë për shkak se janë shumë afër njëra-tjetrës dhe nuk pres që të rritet kapaciteti konsumues në këtë drejtim, por do të zvogëlohet për shkak se edhe liberalizimi i vizave do të kemi shumë më pak konsum se prodhim në Kosovë, shitje”, thotë ai.

Mulaj derisa tregon sa do të duhej të ishte distanca, thotë se nevojitet një diskutim bashkë me pronarët e pompave dhe ekspertë të ndryshëm që të gjendej një zgjidhje e përbashkët për të gjithë.

“Do duhej të hapej një diskutim bashkë me pronarët e pompave dhe ekspertë të ndryshëm me qëllim që të arrihej tek një zgjidhje dhe të krijojnë një rregull për ndërtimin e pompave të reja, sepse pavarësisht se ka shumë, janë në ndërtim ende. Në qytet do duhej të ishte në 4 km largësia nga njëra tjetra, ndërsa në rrugë magjistrale apo nacionale 7 deri në 10 km largësia prej njëra tjetrës, ashtu sic është praktika në BE”, shton mes tjerash Mulaj.

Sipas Shoqatës së Naftëtarëve në vendin tonë operojnë mbi 750 pompa të derivateve. /KP/