LAJMI I FUNDIT:

Rotary Club Prishtina Garden, klubi më i ri i Rotary në Kosovë

Rotary Club Prishtina Garden, klubi më i ri i Rotary në Kosovë

Një ditë e veçantë për Kosovën, Shqipërinë, Distriktin 2485 dhe për Rotary International – klubi më i ri Rotary në Kosovë, Rotary Club Prishtina Garden tashmë edhe është zyrtarizuar.

Tani në Kosovë kemi 22 klube Rotary, derisa në Shqipëri 17 klube Rotary.


Nga 1 korriku 2024, Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen ne Distriktin 2485 dhe do të kenë kenë gjithsej 39 klube Rotary me 1150 anëtarë.

Për themelimin e Rotary Club Garden Prishtina, merita të veçanta kanë  Uwe Nowitzki dhe Lule Elezi.

Themelimi i Rotary Club Prishtina Garden është tejet inspirues për të gjithë Rotarianët në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.

Liderët Rotarianë të bashkuar në këtë klub Rotary shtojnë besimin se promovimi i shërbimit Rotary, kultura e komunikimit dhe shndërrimi i marrësit në dhënës do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin e vendit, instalimin e besimit në të bërit biznes dhe raporteve njerëzore në përgjithësi.

Rortary Club Prishtina Garden, sponzorohet nga Rotary Club Peja. Rotarianët Pejanë, në veçanti Neshad dhe Neba Asllani kanë marrë pjesë pothuaj në të gjitha takimet e rregullta javore të Rotary Club Prishtina Garden, qysh nga takimi i parë me 2 Nëntor 2022 deri në takimin e 65, ditën e zyrtarizimit, me 27 Prill, 2024.

Gjatë këtyre 18 muajve, Rotary Club Prishtina Garden i janë bashkuar 20 anëtarë, burra dhe gra lidere, kombëtarë dhe ndërkombëtarë nga nëntë kombe të ndryshme nga mbarë bota.

Shtimi i klubeve Rotary në Kosovë – mision i Rotary Club Peja

Sponzori, Rotary Club Peja, i uroi mirëseardhje Rotary Club Prishtina Garden në familjen Rotary duke ju premtuar se do të gëzojnë përkrahjen e tyre edhe në të ardhmen.

Sponzorimi dhe shtimi i klubeve dhe anëtarëve është mision i Rotary Club Peja qysh nga themelimi i Rotary Club Peja në vitin 2006.

Rotary Club Peja ka sponzoruar klubet Rotary në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Rotary Club Prishtina International, Rotary Club Garden Prishtina dhe bashkë sponzoruar Klubet Rotary në Gjilan dhe Viti. Afër 33 për qind të klubeve Rotary në Kosovë janë sponzoruar nga Rotary Club Peja. Andaj Rotary Club Peja me të drejtë quhet edhe inkubator i zhvillimit të Rotary-t në vendin tonë.

Rotarianët Pejanë theksuan se janë duke konsideruar sponzorimin edhe të klubeve të tjera të reja në Kosovë. Sponzorimi i klubeve të reja do të thotë vazhdimi i misionit të Rotarianëve Pejanë për zgjerimin e rrjetës dhe miqësisë Rotariane në Kosovë dhe në Distriktin 2485, Shqipëri-Kosovë.

Në këtë mbrëmje festive të zyrtarizimit, Rotary Club Peja, sponzor i klubit më të ri Rotary në Kosovë, i dorëzoi Uwe Nowitzki, Kryetarit të Rotary Club Prishtina Garden, Këmbanën dhe Çekanin Rotary, Flamurin “4 Way Test” dhe bënë pinjizimin (vendosjen e pinit Rotary) e anëtarëve të Rotary Club Prishtina Garden!

Rotary është organizatë e mrekullueshme, andaj inkurajohen liderët në biznes dhe profesion të kontaktojnë klubin Rotary në qytetin e tyre dhe shqyrtojnë mundësitë për anëtarësim.