LAJMI I FUNDIT:

Vasily Grossmani dhe e vërteta e pamëshirshme e luftës

Vasily Grossmani dhe e vërteta e pamëshirshme e luftës

Nga: John Thornhill / Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kur në fund të verës së vitit 1943, Ushtria e Kuqe futej në Ukrainë, Vasily Grossman u mbërthye nga gëzimi dhe nga një parandjenjë e keqe kur rihyri në atdheun e vet. Romancieri që u bë korrespodent lufte u ngroh sërish me “frymën e butë të Ukrainës” në fytyrë dhe me pamjen ndjellëse të plepave të gjatë, të kasolleve të bardha dhe gardheve të thurura në fshat. Por, pas dy vjetëve të pushtimit nazist, mëmëdheun e gjeti të plagosur nga “zjarri dhe nga lotët”, të gëlltitur nga “trishtimi dhe zemërimi”.

U trondit kur e pa shkatërrimin – teksa kalonte nëpër qytetet që i njihte mirë nga ditët e paraluftës (emrat e të cilëve sot janë të njohur për ne, shkaku i konfliktit të fundit në Ukrainë): Donetski (atëherë i quajtur Stalino) ku Grossman kishte punuar si inxhinier i minierave të qymyrit; Kievi, kryeqyteti ukrainas me kupolat e arta ku ishte martuar me të dashurën e tij Anna Petrovna Matsyuk; dhe Odesa, porti kulturalisht i pasur i Detit të Zi ku kishin jetuar shumë të afërm hebrenj – nga ana e nënës – e që më vonë u masakruan.

“Kur pleqtë dëgjojnë fjalë ruse, vrapojnë t’i takojnë trupat e të qajnë në heshtje, pa mundur ta thonë asnjë fjalë. Gratë e vjetra fshatare thonë me habi: ‘Menduam se kur do ta takojmë ushtrinë tonë, do të këndonim e do të qeshnim, por ka aq pikëllim në zemrat tona, prandaj lotët rrjedhin”, ka shkruar ai.

Nuk ka kontrast më të zymtë mes fushatës fitimtare të Ushtrisë së Kuqe në Ukrainën e vitit 1943 dhe të pushtimit të presidentit Vladimir Putin në vitin 2022. Duke iu referuar triumfeve të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, presidenti rus e teproi me lidhjet vëllazërore mes dy popujve sllavë dhe me simetrinë historike të një ushtrie ruse që e “çliron” popullin ukrainas nga kontrolli i supozuar i neo-nazistëve. Siç shkroi Putini në një ese të zjarrtë (sektive në aspektin historik) për Ukrainën – të botuar korrikun e kaluar – rusët dhe ukrainasit për shekuj të tjerë kanë qenë të lidhur përmes sprovave, sukseseve dhe fitoreve të përbashkëta. “Bashkë kemi qenë gjithmonë dhe do të jemi shumë herë më të fortë e më të suksesshëm. Sepse, jemi një popull.”

Por, përveç disa zonave separatiste në Ukrainën lindore që janë pro-Moskës e që kanë mirëpritur ndërhyrjen e Putinit, realiteti doli krejt ndryshe. Para konfliktit të fundit, një sondazh ukrainas i publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar na tregoi se 72 për qind e të anketuarve e konsideronin Rusinë si “shtet armiqësor”. Kanë qenë të jashtëzakonshme mosbindja, guximi dhe ndjenja kombëtare e ukrainasve përballë sulmit të pamëshirshëm. Vëllazëria e vetme e shfaqur mes rusëve dhe ukrainasve, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ngjan asaj mes Kainit dhe Abelit.

Ka gjithmonë arsye të mira për ta lexuar Grossman, por pak herë kjo ka jehonë si sot. Si bir krenar i Ukrainës, i rrëpirë nga kultura ruse, Grossmani ishte njëkohësisht kronist i fitoreve më të mëdha të Bashkimit Sovjetik dhe vëzhgues symprehtë i disa prej krimeve më të errëta. Më mirë se shumica do t’i kishte kuptuar identitetet e ndara, lojalitetet e ndara dhe armiqësitë historike që shtrihen në themelin e konfliktit aktual. Në të vërtetë, ai i shprehi shumë nga to.

I lindur në inteligjencën hebraike ukrainase, në Berdyçiv në vitin 1905, Grossmani u rrit në një epokë të trazirave vrastare, duke jetuar përmes Revolucionit Rus, Luftës Civile, Terrorit të Urisë në Ukrainë, spastrimeve staliniste, Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit nazist.

Si korrespondent lufte për gazetën e ushtrisë, “Krasnaya Zvezda” (Ylli i Kuq) – nga viti 1941-1945 – Grossmani i kaloi më shumë se një mijë ditë duke raportuar nga vijat e frontit. Nga atje e raportoi “të vërtetën e pamëshirshme të luftës”, tmerrin e luftës, zemrat e thyera dhe heroizmin. Rrëfimet e tij për rrethimin epik të Stalingradit, përplasjen titanike të tankeve në Kursk dhe betejën e egër të fundit për Berlinin, lexuesin e çojnë drejt e në vijën e parë. Në veçanti, raportimi i tij për luftimet e egra në Stalingrad – në dimrin e vitit 1942 – na jep një paraqitje të shkurtër të asaj se si duhet të jetë sot Kharkivi dhe Mariupoli, teksa këto qytete ukrainase po goditen nga predhat ruse.

Ishte pamje e tmerrshme kur e shihje Stalingradin duke u zhdukur mes “tymit, pluhurit, zjarrit”, shkruante Grossman, por ishte akoma më e tmerrshme ta shihje një fëmijë gjashtëvjeçar të shtypur nga rrënojat. “Ka në forcë që nga hiri mund t’i ringjallë qytetet e mëdha, por asnjë fuqi në botë nuk është në gjendje t’i çojë lartë qerpikët e lehtë të një fëmije të vdekur.”

Si romancier, Grossmani e transformoi këtë enciklopedi të përvojës te “Jeta dhe fati”, një nga romanet më të mëdha të shekullit XX që i bën jehonë “Luftës dhe paqes” së Leo Tolstoit. Duke kaluar mes dramës së vijës së parë dhe të jetëve të shkatërruara në frontin e brendshëm, me qasje tolstoiane e përshkruan fytyrën njerëzore të luftës teksa qytetarët e zakonshëm ishin të ndarë mes të këqijave binjake të nazizmit dhe të stalinizmit, të kampit të përqendrimit dhe të gulagut.

Si viktimë – po aq sa dëshmitar i historisë – shkrimet e Grossmanit na flasin gjithashtu për fatin tragjik të Ukrainës dhe në veçanti të komunitetit të saj hebraik. Romani i tij i fundit (i papërfunduar), “Gjithçka rrjedh”, përmban kujtime grafike të Terrorit të Urisë që iu shkaktua Ukrainës në fillim të viteve 1930. Kolektivizimi i detyruar i bujqësisë nga Stalini dhe fushata e tij brutale kundër fshatarësisë më të pasur, të njohur si kulakë, shkaktoi vdekjen e pothuajse katër milionë ukrainasve dhe është njohur si Holodomor (duke i kombinuar fjalët për holod – uri, dhe mor – shfarosje). .

E keqja më e madhe do të vinte në Luftën e Dytë Botërore kur ushtritë naziste dhe sovjetike e kthyen Ukrainën në fushëbeteje gjigante e ku skuadrat SS të vdekjes bredhin poshtë e përpjetë duke e vrarë popullsinë hebraike, përfshirë nënën e dashur 70-vjeçare të Grossmanin – mësuese e gjuhës frënge.

Grossman nuk shkroi për vdekjen e nënës së tij, në asnjë nga raportet në gazeta. Por, në përvjetorin e nëntë dhe të njëzetë të vrasjes së saj, ia dedikoi dy letra prekëse, sikur të ishte gjallë. Në të dytën – që u zbulua pas vdekjes së tij – shkruante se në përkujtimin për të ia kishte kushtuar “Jetën dhe fatin”. “Nuk kam frikë nga asgjëja, sepse dashuria jote është me mua dhe sepse dashuria ime është përgjithmonë me ty”, ka shkruar në përmbylljen prekëse. Në një nga kapitujt më prekës të “Jetës dhe fati”, që i bën jehonë kësaj korrespondence imagjinare, personazhi pjesërisht autobiografik, Viktor Shtrum, merr një letër lamtumire nga nëna që deklaron se “askush nuk ka forcë ta shkatërrojë” dashurinë e saj.

Vlerësohet se 6-8 milionë ukrainas u vranë në konflikt, rreth një e pesta e popullsisë së paraluftës – përfshirë këtu 600 mijë hebrenj. Grossmani ishte një nga reporterët e parë që i kuptoi përmasat dhe të këqijat e Holokaustit nazist. Artikulli i tij, “Ferri i Treblinkës”, u citua si dëshmi në gjyqet e Nurembergut.

Trashëgimia kryesore e humanistit Grossman është këmbëngulja dhe rrëfimi i së vërtetës. Si shkrimtar në kohën sovjetike, ishte shumë i kufizuar nga ajo se çfarë mund të botonte, por megjithatë ishte i përcaktuar ta bënte të njohur të vërtetën e tij. Në këtë aspekt e personifikon luftën e pandërprerë mes dy koncepteve të së vërtetës në kulturën ruse: mes asaj pravda (e vërteta e përkohshme njerëzore) dhe istina (e vërteta e përjetshme e Zotit).

Ashtu si të gjithë shkrimtarët tjerë të botuar në kohën e tij, Grossmani u detyrua të përshtatej me diktatet e socrealizmit. Por, ndryshe nga shumë shkrimtarë tjerë, ai gjithashtu e përkrahte një formë të realizmit humanist, siç thotë Julia Volokhova, studiuese e letërsisë që jeton në Moskë. “Trashëgimia e tij ngjalli dhe vazhdon të ngjallë mosmarrëveshje të zjarrta mes lexuesve dhe kritikëve. Janë pothuajse në pole të kundërta vlerësimet për personalitetin të tij dhe për arritjet e tij krijuese”, thotë ajo.

I parë shpesh nga prizmi i Luftës së Ftohtë, Grossmani u akuzua për shpifje ndaj regjimit sovjetik ose për bashkëpunim me regjimin. Disa e admiruan stilin e tij tolstoian, të tjerët e akuzuan për patos të tepruar dhe për tendencën për të moralizuar. Por, Volokhova thotë se Grossmani refuzoi të kapej me ndonjë lëvizje letrare apo me ndonjë grup politik, ndaj mund të konsiderohet si “shkrimtar realist”. “Kjo është arsyeja se pse është shkrimtar ‘shumë i pakëndshëm’”, thotë ajo.

Ironia e hidhur është se Grossmani ka marrë shumë vlerësime dhe shiti më shumë se shtatë milionë libra teksa shkruante përbrenda kufijve të propagandës sovjetike. Por, vdiq i rrënuar meqë autoritetet sovjetike e ndaluan kryeveprën e tij, “Jeta dhe fati”, ku i kishte derdhur ndjenjat e vërteta. “Në librin tim ka faqe të hidhura dhe tragjike”, pranoi Grossman në një letër drejtuar Nikita Khrushchevit, liderit të atëhershëm sovjetik. “Ndoshta është e vështirë t’i lexosh. Më besoni, nuk ishte më pak e vështirë për mua për t’i shkruar ato. Por, thjesht më duhej t’i shkruaja ato”.

Në një përpjekje të kotë për ta liruar librin e “arrestuar”, Grossmanin e takoi Mikhail Suslovin, ideologun kryesor të Partisë Komuniste. Rrëfimi i Grossmanit – për takimin e tyre në vitin 1962 – e përmbledh përplasjen mes kuptimeve të ndryshme të së vërtetës. “Shkrimtarët tanë sovjetikë duhet të prodhojnë vetëm atë që është e nevojshme dhe e dobishme për shoqërinë”, ka thënë Suslov. “Pse duhet që librin tuaj t’ia shtojmë bombave atomike që armiqtë tanë po përgatiten t’i lëshojnë kundër nesh”?

Dy vjet më vonë, Grossmani vdiq nga kanceri në stomak, në moshën 58-vjeçare. 24 vjet më vonë, në grahmat e fundit të Bashkimit Sovjetit, më në fund u botua “Jeta dhe fati”.

Teksa Putinizmi po lëvizë gjithnjë e më shumë me ritmin e daulleve të stalinizmit, Grossmani sërish nuk favorizohet nga Kremlini. “Ka mijëra mënyra në të cilat Grossmani nuk përshtatet me Rusinë e Putinit”, thotë Robert Chandler, i cili në anglisht i ka përkthyer shumë prej shkrimeve të tij.

“Në faqet e ‘Gjithçka rrjedh’, Grossmanin flet për ‘shpirtin skllav rus’. Por, shkroi nga dhimbja dhe nga dashuria për Rusinë. Ishte shumë patriot. Por, nacionalistët e shohin si perëndimor, si rusofob hebraik”.

Megjithatë, lexuesit tjerë të shumtë, në heshtje vazhdojnë të frymëzohen nga Grossmani – si një flamurtar për një Rusi më paqësore, më liberale e që mendon edhe për të tjerët. Chandleri e kujton një bisedë që dikur ka pasur me një nga themelueset e “Memorialit” – organizatës ruse për të drejta të njeriut (tani e ndaluar) – Arseny Roginsky, e cila me shumë mundim u përpoq të regjistronte detajet e çdo viktime të stalinizmit. Pasi Chandleri u prezantua si përkthyesi anglez i Grossmanit, Roginsky u gëzua dhe thjesht tha: “Është shkrimtari ynë”.

Te “Vasily Grossmani dhe shekulli sovjetik”, biografja Alexandra Popoff ka shkruar se romancieri kishte jetuar në kohën më të keqe të mundshme për një humanist, pacifist dhe internacionalist, gjë që i bënë shkrimet e tij edhe më interesante. “Në qendër të bindjeve të Grossmanit ishte ideja se njerëzimi dhe dhembshuria do të mbizotërojnë ndaj dhunës dhe tiranisë”, shkroi Popoff.

Dorëshkrimi i “Jetës dhe fatit” përfundimisht u kontrabandua nga Bashkimi Sovjetik dhe u botua në Rusi në vitin 1988 gjatë epokës së glasnostit. Për një kohë të shkurtë pati interesim të madh për shkrimet e Grossmanit, ashtu siç kishte për ato të shkrimtarëve tjerë të rizbuluar nga koha e Stalinit, si Alexander Solzhenitsyn dhe Varlam Shalamov.

Regjisori rus i teatrit, Lev Dodin, duke paralajmëruar për “dështimin e kujtesës njerëzore”, e ka bërë një përshtatje të mrekullueshme teatrale të “Jetës dhe fatit” në Teatrin “Maly” në Shën Petersburg. “Historia e Grossmanit nuk ka të bëjë vetëm me fashizmin, komunizmin apo antisemitizmin”, ka thënë Dodin më 2018, para se shfaqja të bartej në Londër. “Bëhet fjalë për çdo lloj totalitarizmi”.

“Dallon tmerri specifik në këtë apo në atë vend, në këtë a në atë kontinent, por mendoj se gjithë kjo mund të na çojë në një tragjedi të madhe”, paralajmëroi ai.

Megjithatë, viteve të fundit zëri i Grossman u zbeh pasi Stalini çdo herë e më shumë rehabilitohej nga regjimi i Putinit, si udhëheqës i madh lufte. Korrikun e kaluar, Putini e miratoi një ligj që e bën të paligjshëm barazimin e “qëllimeve dhe vendimeve” të lidershipit sovjetik dhe nazist gjatë luftës dhe mohimin e “misionit humanitar të Bashkimit Sovjetik në çlirimin e vendeve të Evropës”. Chandlero reagon: “Këto ditë Grossmani nuk vlerësohet e as nuk lexohet shumë, në vetë Rusinë”.

Megjithatë, gjatë gjashtë viteve të mia të raportimit për “Financial Times” nga Moska – në vitet 1990 – shpesh i hasja jehonat e humanizmit të Grossmanit. Dhe, edhe sot, kur po e shohim një tjetër luftë brutale që po e shkatërron popullin e shumëvuajtur të Ukrainës, është e habitshme se si reziston fryma e tij. Një violinist në një bodrum të Kievit filmohet duke interpretuar një melodi prekëse që më pas është marrë nga 93 muzikantë tjerë anembanë botës. Nënat në qytetin polak të Pshemisël i lanë karrocat e fëmijëve në platformën e stacionit dhe vazhduan me mirëseardhjen e ngrohtë për qindra-mijëra refugjatë të ardhur ukrainas. Një grua e vetmuar në qytetin rus të Nizhni Novgorodit u arrestua sepse e mbante një fletë të bardhë në një protestë simbolike kundër luftës. Grossmani me siguri do ta kishte ulur kokën në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për këto akte të vogla të simpatisë dhe dashamirësisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Grossmani shkroi se ka parë aq shumë vuajtje sa që nuk e dinte se si i futi të gjitha ato brenda vetes. “Është detyrë e shkrimtarit ta thotë të vërtetën e tmerrshme dhe është detyrë qytetare e lexuesit ta mësojë këtë të vërtetë”, shkroi Grossman. “Ta kthesh shpinën, t’i mbyllësh sytë dhe të vazhdosh pa kokëçarje para, është si ta fyesh kujtimin për ata që janë tretur”.

Pavarësisht nga kohërat e errëta në jetën e tij, Grossmani e ruajti optimizmin e lindur dhe kokëfortësinë për të besuar në mirësinë së njerëzve. “Nuk ka pasur kohë më mizore se kjo e jona, por nuk lejuam që të tretet ajo që është njerëzore te njeriu”, shkroi ai. Ne vetëm mund të lutemi se sot do ta ndeshim më shumë shembullin e Grossmanit. /Telegrafi/