LAJMI I FUNDIT:

Trumbetari Zorzi që interpretoi para Skënderbeut!

Trumbetari Zorzi që interpretoi para Skënderbeut!
Ilustrim (trumbetarët mesjetarë)
Muzikë nga trumbetari Zorzi nga Modoni, sipas dorëshkrimeve që Robert Cotton mblodhi në shekullin XVII (dorëshkrimi Cotton Titus A. XXVI që ruhet në Bibliotekën Britanike në Londër) 

Nga: Matteo Mandalà (titulli origjinal: Skënderbeu dhe muzika flamande: disa shënime mbi trumbetarin Zorzi)

Disa kohë më parë, në një post që botova në mediat sociale, përmenda një koncert muzikor që ishte ekzekutuar në prani të Skënderbeut. Këtë të dhënë e pata nga kolegu dhe miku Ivano Cavallini, muzikolog i njohur, që është marrë shpesh me heroin kombëtar të shqiptarëve. Cavallini ka pranuar të marrë pjesë në një konferencë shkencore, organizuar nga Katedra e Albanologjisë e Universitetit të Palermos në kuadrin e kursit të doktoratës për Kulturën Pamore, që do të mbahet në dhjetor me temën: Skënderbeu në Fushat e Elisit. Receptimi multimedial i një heroi të epokës së Humanizmit. Aty do të trajtohet figura e personazhit historik, por edhe reflekset e tij mitike, letrare dhe artistike falë kontributeve të disa studiuesve (Lucia Nadin, Francesco Altimari, Aurel Plasari, Ferid Hudhri, Nicola Scaldaferri, Gëzim Gurga), por edhe të Edi Ramës që do të marrë pjesë si artist. Me këtë rast e shoh me vend ta rimarr shënimin e dikurshëm dhe ta shtjelloj më mirë për lexuesit e ExLibris-it.


***

Në një artikull të botuar në vitin 1981, muzikologu anglez Daniel Leech-Wilkinson analizoi dorëshkrimin Cotton Titus A. XXVI që sot gjendet në Bibliotekën Britanike (British Library), por që më parë ruhej në bibliotekën private të sir Robert Cottonit (1571-1631).[1] Ky dorëshkrim u hartua mes viteve 1444-1449 nga trumbetari Zorzi, emri i të cilit shfaqet në fletën e parë (fl. 2r: in nomine domini 1444 se fatto questo libro per zorzi t(rom)betta da modon). Zorzi ishte një venedikas (ose me gjasa grek i venetizuar) i lindur në Methoni (it. Modone), qytezë bregdetare e Peloponezit, që bashkë me Koronën përbënin dy zotërime strategjike për rrugët e tregtisë detare të Venedikut të cilat, sipas historianit Alain Ducellier, mbaheshin si “syri i djathtë i Republikës”. Prej kohësh Zorzi shërbente si muzikant nëpër anijet veneciane që lundronin në ujërat e Adriatikut.

Në këtë dokument, historia e shkrimit të të cilit shtron një sërë problemesh filologjike që kanë të bëjnë me ductus-in, pra me grafitë e ndryshme që përmban, me ngjyrat e bojës së shkrimit, me lidhjen anormale të fashikujve, veç të tjerash gjenden edhe një sërë shënimesh të përgjithshme me interes historik mbi shfaqjet artistike që kreu trumbetari gjatë lundrimit.

Zorzi në këtë dorëshkrim, që përmbante disa pjesë të shkruara nga autorë të tjerë anonimë, kopjoi apo shkroi disa poezi italisht dhe latinisht, lutje, nocione të mjekësisë, shënime të përditshme, epigrame morale, llogari shpenzimesh mbi të cilat do të ndalemi më poshtë, si edhe disa shënime mbi ndërtimin e velave dhe të anijeve. Rëndësi të veçantë paraqesin shënimet muzikore, paçka se ndonjëherë të pasakta dhe të paplota, që me gjasa ishin vetëm për përdorim vetjak, tekstet e nëntë kompozimeve rondeaux të kompozitorëve franko-flamandë të kohës. Bëhet fjalë për krijime të përbëra nga 2-3 pjesë për t’u kënduar në frëngjishte, të cilat sipas zakonit të atëhershëm, në raste solemne mund të shoqëroheshin edhe me muzikë instrumentale. Nga titujt që po i sjellim këtu poshtë ashtu siç janë shkruar nga vetë Zorzi:

Jour a jour la vie (f. 3v),
Qu’en puis je mais (f. 4r),
Une fois avant que mourir (f. 4v),
Ttenor d’una balattina franzese (f. 5r),
Je me recommande (f. 5v),
Puische m’amour m’a pris (f. 6r-v),
En ce prumttemps souentt mes pas (dy variante)(f. 7r-v),
Puische m’amour gie se far danser le dames (f. 8r).

Por, sidomos nga vendndodhja e teksteve, muzikologët kanë nxjerrë në pah një dëshmi të jashtëzakonshme që na lejon të rindërtojmë sot kontekstin historiko-artistik, si edhe përhapjen e këtyre krijimeve rondeaux. Heinrich Besseler[2] u ka kushtuar këtyre teksteve disa studime të rëndësishme historiko-muzikore ku parashtron një sërë vëzhgimesh kritike me vlerë të madhe muzikologjike dhe filologjike, të cilat së bashku kontribuojnë në rindërtimin e suazës së qarkullimit të muzikës dhe sidomos të ndryshimeve që pësonin tekstet dhe partiturat kur kopjoheshin nga një dorëshkrim te tjetri. Për të pasur një ide të përgjithshme të pasurisë e të kompleksitetit të teksteve gjatë procesit të përçimit dorëshkrimor, duhen lexuar studimet ekdotike dhe muzikologjike të Leech-Wilkinsonit, i cili, në hullinë e kontributeve pararendëse që H. Besseler, P. Möller, W. H. Kemp dhe sidomos H. Schoop u kushtuan dorëshkrimeve të ngjashme me atë të Cotton Titus A. XXVI, erdhi në përfundimin, paçka se hipotetik (“të përkohshëm” shkruan muzikologu anglez), se “priremi […] t’i konsiderojmë këto pesë burime si një grup dorëshkrimesh të lidhura mes tyre, që vijnë nga Venediku rreth viteve 1420-1430”. Këto përfundime na lejojnë të rindërtojmë profilin “artistik” të trumbetarit Zorzi, si edhe të qëmtojmë lidhjet e thella me traditën muzikore të kohës së tij: muzikanti i Methonisë jo vetëm që i njihte mirë traditat e kohës së tij historike, por i interpretonte ato sipas shijes dhe mënyrës së vet subjektive. Këtë vlerësim e konfirmojnë punimet e ndryshme që Rodolfo Baroncini i ka kushtuar Zorzit, sidomos studimi i vitit 2002,[3] ku rindërtohet profili biografik dhe artistik i trumbetarit tonë.

Zorzi ishte pajtuar për të luajtur në një anije “chapettagna”, pra në një galerë të madhe, dhe punonte në ortakëri me njëfarë Girardo, edhe ai muzikant, dhe me fyelltarin Borttolamio, që me gjasa kishte qenë nxënës i një muzikanti nga Poreçi (në Istria). Asokohe ishte zakon që të përdoreshin vegla të ndryshme muzikore për të paralajmëruar lëvizjet e anijeve ne det dhe pranë porteve. Përbërja e muzikantëve që kryenin këtë punë ndryshonte sipas llojit të anijes: për shembull, “anijet e përmasave të vogla përdornin dy trumbeta; ato me tonazh të madh kishin një trumbetë, një tambur dhe dy timpane”.[4] Natyrisht, grupi i muzikantëve mund të ndryshonte sipas numrit të anëtarëve dhe llojit të veglave dhe, siç shënon Leech-Wilkinson, “një pjesë të kohës së tyre në udhëtime të gjata, ka të ngjarë që ata (muzikantët) të argëtonin edhe oficerët dhe ekuipazhin, nëse do të kishin përgatitje të mjaftueshme muzikore”. Përveç veprimtarisë kryesore që zumë ngoje më lart, muzikantët përpiqeshin të shtonin fitimet duke u marrë me tregti dhe me veprimtari të tjera: kështu për shembull, dimë se Zorzi jo vetëm që shiste verë kur gjente rast, por gjatë ndalimeve në portet e Arbërisë venedike, së bashku me shokët muzikantë organizonte shfaqje muzikore me kërkesën e të parëve të vendit. Këtë e dimë me siguri sepse Zorzi shënonte me përpikëri në një ditar të gjitha fitimet shtesë për çdo lloj pune që kryente a malli që shiste. Pikërisht në një nga këto shënime gjendet edhe një njoftim me vlerë të jashtëzakonshme.

Mes viteve 1448 dhe 1449, galera ku gjendej Zorzi lundroi përgjatë bregut lindor të Adriatikut, duke ndaluar në portet Zarë, Traù, Budvë, Dubrovnik, Kotor, Lezhë, Korfuz, Patras dhe Lepanto, pra në ato brigje të Dalmacisë, të Malit të Zi, të Shqipërisë dhe të Greqisë që asokohe gjendeshin nën sundimin e Venedikut. Disa dokumente përmbajnë pagesa për shfaqje muzikore në raste festash a dasmash nëpër qytetet e lartpërmendura ku qëndronte anija, me ftesën e bujarëve të vendit.

Në prill të vitit 1449, me gjasa i shoqëruar nga muzikantë të tjerë, Zorzi u ftua të luante në Lezhë nga Skënderbeu (“Scanderbecho”), prej të cilit mori si shpërblim një shumë parash më të lartë se në raste të tjera, siç rezulton nga shënimi i ditës 17 prill: 10 lira dhe 10 solde (shih f. 25v të dshk. Cotton Titus A. XXVI dhe transkriptimin e tekstit te f. 36 të artikullit të cituar të Leech-Wilkinson që sjell listën e plotë të llogarive). Ende sot e gjithë ditën historianët e Venedikut dhe muzikologët nuk e kanë vënë re përkimin onomastik mes trajtës popullore veneciane “Scanderbecho” dhe emrit të Skënderbeut. Në fakt nuk ka asnjë dyshim se “Schanderbecho” i përmendur nga Zorzi është Gjergj Kastrioti ynë, sikurse nuk ka dyshim se vendi ku u zhvillua shfaqja e muzikantëve ishte qyteti bregdetar i Lezhës. Në bazë të shpërblimit të paguar, mund të themi se Kastrioti do të ketë mbetur vërtet i kënaqur nga shfaqja e grupit të drejtuar prej Zorzit, çka tregon se heroi i ardhshëm i shqiptarëve, pak vite pas braktisjes së oborrit të Sulltanit, dëshmonte se kishte shije muzikore të njëjta me fisnikërinë e Francës, të Italisë, të Belgjikës dhe të vendeve të Evropës Qendrore, ku ajo lloj muzike ishte në modë ndër familjet aristokratike më të rafinuara. Ky fakt rihap çështjen e formimit që kishte marrë Skënderbeu gjatë periudhës së qëndrimit në Turqi si peng i Sulltan Muratit II. Me siguri nuk do të ketë qenë një formim i njëkahshëm dhe kryekëput lindor, përderisa Kastrioti dëshmoi interes për modat perëndimore. Kjo arsye e fundit e bën edhe më të rëndësishëm faktin që Kryezoti i Arbrit ka pajtuar tre muzikantë për të luajtur një lloj muzike të panjohur për kulturën osmane. Nuk mund të përjashtohet ta ketë bërë këtë jo vetëm për të dëfryer mysafirët e rastit nga Evropa perëndimore, por edhe për kënaqësinë e vet, çka na ndihmon ta njohim më mirë profilin kulturor të heroit kombëtar të shqiptarëve. /Gazeta “ExLibris”/

___________

[1] Shih Daniel Leech-Wilkinson, Il libro di appunti di un suonatore di tromba del quindicesimo secolo, në Rivista Italiana di Musicologia, XVI, 1981, f. 16-39.

[2] Heinrich Besseler, Studien zur Musik des Mittelalters. I. Neue Quellen des 14. und beginnenden 15. Jahrhunderts në Archiv für Musikwissenschaft, 7. Jahrg., H. 2. (Jun., 1925), f. 167-252.

[3] Shih R. Baroncini, Zorzi trombetta e il complesso di piffari e tromboni della Serenissima. Per una storia ‘qualitativa’ della musica strumentale del XV secolo, në Studi Musicali, XXXI, 2002, f. 57-87.

[4] Althea Wiel, The navy of Venice, E. P. Dutton and Company, New York, 1910, f. 324.