LAJMI I FUNDIT:

Tregtia me popullin dhe vetëpushtuesi

Tregtia me popullin dhe vetëpushtuesi

Flitet se në rajonin e Karadakut, teksa disa fshatarë shqiptarë bisedonin nën hije të një lisi (në kësi rrëfime, shqiptari rrallë është duke punuar), atypari kalon një pop serb. Pasi pyet Popi fshatarët se i kujt ishte lisi, dhe pasi kupton se kush është pronari, Popi kërkon ta blejë, duke dhënë një ofertë të mirë. Por, me kërkesën që lisi të mos shitet e as të pritet!? Pronari pranon. Kështu, derisa lisat tjerë me kohën u prenë, “Lisi i Popit” qëndronte në vend, duke u bërë më vonë edhe pikë referimi për banorët e atij visi.

Lisi dhe interesi


Rrëfimet e tilla janë të shumta, qoftë për “Lisin e Popit”, “Kroin e Popit”, “Shkëmbin e Popit” etj. Këto rrëfime përmenden si dëshmi se si serbët kanë dashur të lënë gjurmët e tyre në Kosovë. Në këtë mënyrë lindin edhe arsyetimet “faktike” se pse toponimet e Kosovës tashti kanë kryesisht emërtime sllave, apo pse “popët” janë pika orientimi edhe në vendet me toponime qoftë shqiptare apo turke (siç është në këtë rast Karadaku)!

Nëse ky rrëfimi i mësipërm është i vërtet – e diçka të vërtet aty ka – kush është fajtor: Popi apo pronari i parë i lisit!? Toponimet e vjetra, që forcojnë të drejtën historike të pretenduar të Serbisë ndaj Kosovës, nuk mund të ndryshohen as me Pakon e Ahtisaarit! Kush i ka tash fajet për këtë: Ahtisaari apo politikanët e Kosovës që nuk menduan me kohë për këtë problem që tash na shqetëson?!

Pronari i parë i “Lisit të Popit” e shihte interesin e tij – njëjtë si politikanët e pasluftës – ndaj pranon çdo ofertë vetëm që për të të jetë e leverdishme. Kështu, lisi, që mund të jetë quajtur “Lisi i Babës”, bëhet “i Popit”. Edhe sot pranohet çdo “Pako”, çdo “Marrëveshje”, çdo “Iniciativë” e “Çdo” tjetër, përderisa ruhet “Lisi” (pushteti) me përfitimet që ky lis (pushtet) sjell. Tregti për interesa personale!

Se ku qëndron problemi, vështirë të dihet, meqë nuk janë bërë studimet e duhura. Dhe, ato nuk do të bëhen kurrë, sepse me siguri do të bien në kundërshtim me shumë gjëra tek të cilat kemi besuar në histori! E keqja është se të njëjtat besime të gabuara mund t’i kenë edhe gjeneratat e ardhshme, për gjërat që ndodhin në ditët e sotme.

Gabimet që ndikojnë në të ardhmen – ku mund të jetë edhe kjo “prirje” për të hequr lehtë dorë nga gjërat që mund të jenë të vlefshme për popullin – shumëkush i arsyeton me termin “psikologjia e robit”. Kjo ndërlidhet me deferencën, që është gjendja e nënshtrimit ndaj ndikimit të eprorit apo eprorëve. Sidoqoftë, janë disa detaje që më shumë se “psikologjia e robit”, duhet të përmendet “psikologjia e pushtuesit” apo në rastin tonë: e vetëpushtuesit!

Unë dhe vetëm unë

Superioriteti i fituesve, pra pushtuesve, ndërlidhet mbi të gjitha me mohimin e ndjenjave. Pushtuesit e natyrës dhe të popullatës vendase pretendonin të drejtën e tyre ndaj çdo gjëje si pronë të tyre. Këtë logjikë e ka shqiptari në raport me shqiptarin!

Ta marrim si shembull një studim. Duke e analizuar tranzicionin e femrës në Evropë në pjesën e parë të shekullit XX, Carl Gustav Jung, në veprën e tij “Contributions to Analytical Psychology”, thoshte se duke u bërë femra anëtar i dukshëm i shoqërisë, ka marrë nuanca të psikologjisë maskuline. Ai madje përmend termin “të bëhesh i zi”, sipas së cilës evropianët nuk mund të jetojnë të padënuar në mesin e zezakëve në Afrikë, sepse pa vetëdije psikologjia e tyre futet tek ta.

Në këtë vepër ai flet edhe për rrënimin shoqëror të Perandorisë Romake: “Çdo romak rrethohej me skllevër. Skllevërit dhe psikologjia e tyre përmbytën Italinë e lashtë dhe çdo romak u kthye brenda vetes, kuptohet pa qenë i vetëdijshëm, në një skllav. Duke qenë se jetonin vazhdimisht në një ambient skllevërish, në mënyrë subkoshiente romakët u infektuan nga psikologjia e tyre. Askush nuk mund të mbrohet nga një ndikim i tillë”.

Kështu, edhe shqiptari, “pa vetëdijshëm”, mbase u kthye brenda vetes në atë që e mbante më parë të pushtuar. Sepse, në të njëjtën mënyrë se si është trajtuar ky vend e ky popull, qoftë nga turqit apo serbët, gati si njëjtë trajtohet nga elita e re politike shqiptare: pa dhimbje, pa mëshirë!

Ta marrim po ashtu si shembull studimin e obediancës (bindjes) të psikologut amerikan Stanley Milgram, që hulumtoi dëmet që shkakton bindja ndaj autoritetit. Në eksperimentin e tij del se 65 për qind e njerëzve që binden verbërisht ndaj urdhrave – në këtë rast jonjerëzore – u shkaktojnë dhimbje viktimave të pafajshme, madje deri në vdekje. Pra, në rrethana të caktuara del se të gjithë mund të jemi mizorë!

A nuk ka shembuj të mizorive të tilla, të kryera nga vet shqiptarët, në të kaluarën nën pushtim – e edhe në të tashmen “nën” liri?

Ka plot! Prandaj, e ardhmja duket e zymtë, e pashpresë; mungon vizioni qëllimmirë për ta bërë këtë popull të madh – me nam e me vepra. Sepse, sundon mentaliteti i pushtuesit!

“Unë jam pronar i lisit dhe unë bëj çfarë të dua me të!”, kështu mbase ka vlerësuar fshatari i Karadakut, kur e shiti lisin e tij. Mbase po. Ndoshta jo. Shpjegime shtesë rreth rezonimit të tij në çastet e asaj tregtie nuk dihen. Por, në rrethanat e sotme, një gjë saktë mund të konkludohet nga ky rrëfim: ai gaboi!

Drejtimi i panjohur

Është lehtë të flitet e të jepen variante për një rrëfim, e madje edhe për opsionet që fshatari i Karadakut i kishte. Nuk ka gjë të keqe këtu. Persiani Nossrat Pesseschkian është themelues i Psikoterapisë Pozitive. Ai e ka një vepër të titulluar “Oriental Stories as Tools in Positive Psychoterapy”. Në këtë vepër, përmes 100 rrëfimeve orientale, Pesseschkian ofron një qasje të re të zhvillimit të fantazisë dhe të intuitës, për të ringjallë potencialin e individit në zgjidhjen e konflikteve.

Pra, të reflektosh nga gojëdhënat nuk ka gjë të keqe. As të thuash se pronari ka gabuar; se është dashur të kërkojë nga dikush që dinte shkrim-lexim ta vërtetonte këtë ngjarje; se ka mundur ta digjte lisin e kështu edhe të mos koritej që e ka dhënë premtimin se nuk do ta priste e as ta shiste!? Ai nuk ka menduar gjatë. Prandaj, nuk është pushtues që sheh përtej pronës së tij, por vetëpushtues që nuk e përfill të tijën e as të popullit të tij.

Mungesa e vizionit për të ardhmen, tek shqiptarët, vërehet në detajet të cilat nuk kërkojnë investime e as mundime “ekstra”. P.sh. të menduarit qëllimmirë për të lënë vepra të mira; puna e ndershme; respekti për kombin dhe shtetin… Por, meqë “rrethanat” nuk ua lejojnë këtë qytetarëve, ta marrim një shembull tjetër që më së miri e pasqyron ambicien e atyre që kanë pushtet, për të ardhmen e vendit: pozicionimi i statujave!

Pak kush e di se në cilin drejtim janë të kthyera statujat e Adem Jasharit. E njëjta vlen edhe për atë të Hasan Prishtinës, Ibrahim Rugovës, apo Skënderbeut; të Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit; të cilësdo figurë që e çmon versioni i tashëm shkollor – zyrtar – i historisë shqiptare. Njëra statujë e Adem Jasharit thonë se është e drejtuar në jug kah Shqipëria, tjetra kah Presheva, ndonjë tjetër… ndoshta kah Tetova. Dika patjetër duhet të jetë!

E, nëse e pyetni kroatin se kah do të duhet drejtuar statuja e heroit të tyre, Banit Josip Jelaçiqit – në sheshin kryesor të Zagrebit që mban emrin e tij – ai me siguri do të thoshte: drejtë Beogradit.

Shpata si synim

Kjo statujë dikur ishte e drejtuar me shpatë kah veriu, për të simbolizuar mbrojtjen nga Hungaria dhe angazhimin e këtij heroi kroat në shtypjen e Revolucionit Hungarez më 1848. Më 1990, kur statuja e Banit më të famshëm të Kroacisë kthehet pas 43 vitesh në vendin e mëparshëm – në sheshin i cili që nga viti 1947 njihej nga komunistët si Sheshi i Republikës – ajo pozicionohet drejt jugut, për ta balancuar gjoja planimetrinë. Apo, siç thoshte Tadija Barbariq, i cili ishte angazhuar në ndërtimin e bazamentit të ri: U kthye “ashtu siç frynin erërat politike”.

Në fakt, Bani ishte drejtuar drejt Kninit, ku serbët kishin formuar Republikën Serbe të Krajinës, me qendër në Knin, që atëherë paraqiste problemin më të madh e më të pazgjidhshëm shtetëror të Kroacisë dhe të ardhmes së popullit të këtij vendi.

E statujat e heronjve tanë?

Për këtë këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar askush nuk ka menduar. Mbase nuk duhet, sepse me rëndësi është që ato të vendosen, të mbahen fjalime për to, të identifikohen me to politikanët – tregtarët – të ruhet monopoli i dominimit ekonomik e politik përmes monumenteve të emrave të respektuar… e, se si punohen, e lëre më ku drejtohen, kjo s’ka fare rëndësi!

Duke ditur se shqiptarët në përgjithësi nuk mendojnë për gjëra edhe më të thjeshta, të kërkosh llogari se ku drejtohen statujat, kjo është e tepërt! Por, duke mos menduar për këtë gjë, shqiptarët tregojnë se nuk mendojnë larg, se nuk kanë vizion për të ardhmen, ashtu siç nuk kanë pasur në të kaluarën.

Ta marrim sërish si shembull Ban Jelaçiqin. Ai në tetor të vitit 1990 drejtohet kah Knini, ku serbët tre muaj më parë shpallin autonominë e tyre. Para se kroatët të shpallin pavarësinë më 25 qershor 1991, Krajina në maj e shpall veten për pjesë të Serbisë, e në dhjetor edhe shtetësinë. Kur Bani vendoset në Sheshin e Zagrebit, kishin kaluar disa muaj nga fillimi i të ashtuquajturit Revolucion i Trungjeve, ku serbët bllokojnë rrugët (njëjtë si në Kosovë), duke ngritur tensionet ndëretnike që më vonë do të shpërthejnë në luftë të përgjakshme. Por, në gusht 1995, pas operacionit Stuhia, Kroacia shtrin sovranitetin në tërë territorin. Shpata e Banit është ende e drejtuar kah jugu! Ndoshta nesër e drejton kah Petrovaradini – vendlindja e këtij heroi – që sot është pjesë e Serbisë. Apo kah Beogradi. Nëse jo si kërcënim lufte, atëherë si paralajmërim se nuk do të lejojnë dominim politik, kulturor apo ekonomik nga fqinji lindor me të cilin dashuria nuk e lidh!

Liria dhe superheronjtë

Këtë e bën kroati. Këtë e bën çdo popull evropian që ka jetë më të ndershme, më të sigurt, më të guximshme e më të mirë se shqiptari; të gjithë ata që i fituan vet luftërat; të gjithë ata që shohin e synojnë më larg se hunda e tyre. Kjo nuk arrihet me fjalë, por me vepra, me ambicie për zgjerim të dominimit përtej kufijve shtetëror.

Në mendjen e shqiptarit “vetëpushtues” është ngulitur bindja se gjatë historisë kurrë nuk kanë bërë luftëra pushtuese. Madje, kjo potencohet me krenari si një virtyt, si gjoja simbol i mirësisë dhe i drejtësisë. Por, kjo bindje është e turpshme, sepse nuk tregon asgjë tjetër pos pazotësisë, njëjtë siç thotë fjala “e urtë” nga “thesari” popullor: dorën që nuk mund ta rrëzosh – puthe!

Ta marrin si shembull Anglinë. Po të mos ishin anglezët, nuk do të ishin as amerikanët, shpëtimtarët tanë. Atë që e nisi Anglia më 1607 në Jamestown të Virginias, e vazhduan trashëgimtarët e tyre: nga kjo koloni në Lindje, u zgjeruan deri në cepin e fundit të Perëndimit, e madje shkuan edhe në Hënë ku e vunë një flamur në një sipërfaqe të madhe të cilën vetëm i verbri nuk e sheh natën. Ata nuk u ndalën me kaq: krijuan edhe superheronj që mundin ligësitë më të mëdha. Ata bëjnë filma me jashtëtokësorët që sulmojnë vetëm në SHBA; për komplotet botërore që nisin duke sulmuar SHBA-të; për anijet galaktike që kanë mbishkrimet USA; për kiametin që detektohet në SHBA; për ngricat apo bërthamën e Tokës që nxehet në SHBA… dhe, çdo herë, ngulitet bindja tek çdo spektator në botë se vetëm amerikani mund ta shpëtojë botën, e madje edhe kozmosin. Kushdo tjetër, i cilësdo përkatësi etnike që do të synonte diçka të tillë, del joserioz! Madje qesharak!

Amerikanët e vendosën p.sh. Statujën e Lirisë në Fort Wood, dikur bazë mbrojtëse kundër sulmeve eventuale të evropianëve. E, meqë u bënë të fortë e të sigurt për të ardhmen, e drejtuan atë në juglindje si simbol i mirëpritjes së anijeve që vinin po nga Evropa. Kështu, konkurrentëve politikë, ekonomikë dhe kulturorë – përtej Atlantikut – ua shfaqnin edhe forcën dhe madhështinë përmes simbolit të lirisë dhe epitetit të mbrojtësit të lirisë. Kosova këtë e di.

Rozafa në Prizren

E, kush i ka punët më mirë: Ai që lufton apo ai që flet? Ai që synon apo ai stagnon? Ai që krijon të ardhmen apo ai që jeton në të kaluarën? Ai që e krijon me vepra historinë apo ai që e krijon me tela të sharkisë?

Dikush do të thoshte se shqiptari ishte përmes toke përherë i rrethuar me armiq, i vetmuar e pa krahë gjatë tërë historisë. Tash vjen në shprehje prirja për ta luajtur rolin e viktimës, që glorifikohet që nga miti i Rozafës. E dini rrëfimin? Tre vëllezër të martuar ndërtonin një kështjellë. Çka ndërtonin ditën, prishej natën. Një ditë një plak u thotë ta lidhin besën dhe të mos përhapin këtë “plan”: ajo nuse që nesër do t’ua sjellë ushqimin, ajo duhet të muroset e gjallë në kështjellë. Dy vëllezërit e mëdhenj paralajmërojnë gratë, ndërsa e vogla, Rozafa, bie në grackë: muroset dhe e lë jetim djalin e vogël.

Pra, miti i viktimizimit tonë, ndërlidhet me tradhti. Rozafa u tradhtua! Tradhti të tilla, ku bien viktimë njerëz të pafajshëm, ka shumë gjatë historisë sonë. Madje, të gjithë heronjtë që i njohim, që prej Teutës, që të gjithë janë tradhtuar.

Një si zgjidhje simpatike për këtë mund të gjendet tek animatori Gjon Marku. Në një strip të tijin, ai po ashtu e trajton mitin e Rozafës. Por, e bën kryengritëse, që shkatërron atë që vëllezërit ndërtuan, pasi kupton tradhtinë që ia kanë bërë.

Versioni i tij është më për mburrje. Mund të merret si reagim ndaj padrejtësive, ngritje e vetëdijes, luftë kundër së keqes, shkatërrim i gjërave që kanë nisur mbrapsht, ndryshim pozitiv apo projektim i duhur i së ardhmes për të cilin kemi nevojë. Sepse, kur e kanë pyetur pleqnarin Tahir Berisha se kur shqiptarët do ta kenë selametin, ai ka thënë: “Atëherë kur dimë sa s’dimë, kur duam sa s’duam”!

Pra, duhet një transformim shoqëror për 180 shkallë. Që ta shohim edhe Rozafën ndryshe. Sipas Gjon Markut thuhet se ajo është parë diku në Prizren. Le të besojmë se do t’i drejtojë edhe statujat tek Lidhja e Prizrenit?!

Në trend

Më shumë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën

Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën

Shëndetësi
Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Fun
Kosova nuk hyri në agjendë të Komitetit të Ministrave, arsyetohet ministrja Gërvalla: Letrës me ofertën për draft-statutin e Asociacionit i ka humbur relevanca

Kosova nuk hyri në agjendë të Komitetit të Ministrave, arsyetohet ministrja Gërvalla: Letrës me ofertën për draft-statutin e Asociacionit i ka humbur relevanca

Lajme
Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Magazina
Tre kandidatët favorit që po përfliten si zëvendësues të Xavit tek Barcelona

Tre kandidatët favorit që po përfliten si zëvendësues të Xavit tek Barcelona

La Liga
Kalo në kategori