LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët përballë fantashkencës së historiografisë serbe

Shqiptarët përballë fantashkencës së historiografisë serbe

Nga: Fatos Kola

Në vend të parantezës së këtij shkrimi, të dashur miq e dashamirë, më lejoni t’ju përcjell pakëz humor të zi, mitomani, mitologji dhe folklorizëm alla-ballkanik, në të cilin kemi rënë sa kohë që “albanologët” tanë bëjnë gjumin e madh, ose punojnë kundër Shqiptarisë… Ndërsa ne të tjerët mundohemi të kthjellojmë sadopak konfuzionin e qëllimshëm në problemet e Albanologjisë edhe kur nuk jemi ekspertë të fushës, çka gjithmonë ha debat dhe kërkon analizë, gjykime e qëndrime. Por, unë Fatos Kola, për konkretizim, thjesht po citoj gjuhëtarin Agron Dalipaj, i cili akuzon stërmbesën akademiste të Enver Hoxhës, “zonjën Anila Omaroviq (siç e quan Dalipaj)”, se po “punon për Beogradin”. Pra, i bie që këta “akademikë” i paguajmë ne shqiptarët e varfër për të punuar për vërtetimin e tezave serbe dhe për të vërtetuar njëkohësisht edhe “autoktoninë” e tyre. Ndërsa serbët i paguajnë “akademikët” tanë me honorare të majme që të punojnë fort e të ndihin bashkatdhetarët e tyre për t’u vetëpërcaktuar si ardhacakë në Ballkan, e që u paskemi “grabitur atdheun dhe trashëgiminë ilire serbëve”, që paskan tetëmijë vjet autoktonë në këto troje!


50 vjet më parë, historiani komunist Kristo Frashëri, këshillonte me zë të ulët dhe me sy të shqyer nga frika e Sigurimit një studiues skrupuloz të provincës, të cilin e vlerësonte për nivelin shkencor: “Miku im, mos u merr me punët e Gjuhësisë dhe mos i dil ndesh tezave zyrtare në Albanologji, se të ikën koka. Merru vetëm me glorifikime të LAN-Çl e të tjera gjepura si këto”.

Afro 20 vjet më parë, Shoqata “Kuçi” me seli në Tiranë, e që në fundvitet 1980 numëronte mbi tremijë anëtarë vetëm në kryeqytet, u mblodh në një “simpozium shkencor” me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, nën drejtimin e akademikes Makbule Çeço, asokohe nënkryetare e Kuvendit dhe njëkohësisht pedagoge e filozofisë në universitetin publik (shtetëror) të Tiranës. U mblodhën kuçiotët tanë për të qarë fatin tragjik të Mbretëreshës angleze Ana Bolena (Anne Boleyn), që mbretëroi vetëm tre vjet (1533-1536), dhe që bashkëshorti, Mbreti Henri VIII, e ekzekutoi me prerje koke në moshën 35-vjeçare, me akuza prej intrigash oborri alla-shekspiriane. Mirëpo, me kontributin e zonjës Çeço, “Simpoziumi” u shndërrua në vajtore publike, ku pjesëmarrësit u ngashëryen për “bijën fatkeqe të Bolenës së Kuçit”, që “e kishin ndëshkuar në mënyrën më mizore ngaqë kish dalë kundër klerit obskurantist e padrejtësive të oborrtarëve dhe kish kërkuar reforma të thella…”. E çfarë ishin Teuta, Vojsava Tribalda, Mamica Kastrioti e Donika Arianiti-Kastrioti para kësaj “bije kuçiote”?

Po në atë kohë, miku im, akademiku Ukë Zenel Buçpapa, më deklaronte me siguri se shumë shpejt do të vërtetohej se Troja e Homerit është Tropoja e sotme, e përshkuar nga lumenjtë Drin e Valbonë dhe me kurorat e alpeve kryebardha…

Unë asokohe qeshja me lehtësinë me të cilën ne intelektualët shqiptarë i marrim gjërat tejet serioze duke rënë në folklorizime bajate alla-ballkanike e pa bazë shkencore, gjithmonë i mbrujtur me mendimin se të parët duhet të flasin e shkruajnë ekspertët, dhe gjithëherët i jepja të drejtë Winston Churchillit që thoshte se ballkanasit prodhojnë më shumë histori e mite sesa konsumojnë…

Por, me “Trojën” kam patur dhe ende kam një lidhje të veçantë, qoftë për shkak të kureshtjes dhe joshjes intelektuale, qoftë për shkak të magjepsjes prej gjenialitetit të Homerit si poeti i parë modern dhe themeluesi i një letërsie hyjnore; dhe, mbi të gjitha, për shkak të trajtimit tejet cilësor të personazheve homerikë në artet pamore, sidomos në vazot greke, por dhe në skulpturë e pikturë. Ndaj sot ju sjell disa nga pikëpamjet e mia, por sidomos e kryesisht pikëpamjet që kanë paraprirë dhe bashkëshoqërojnë debatin 150-vjeçar, që shtron pyetjet: Troja homerike dhe Lufta e saj janë mitologji apo realitet historik?; cili është ndikimi i politikës në arkeologji, shkencat historiografike e në përcaktimin gjeografik të vendndodhjes së Trojës, nëse ka ekzistuar ndonjëherë?; cili është dëmi i tezës serbe të “autoktonisë dhe trashëgimisë ilire” të tyre lidhur me Trojën dhe më gjerë?; cili duhet të jetë reagimi i qarqeve tona shkencore pas reagimeve të qarqeve politike e shkencore sllave ndaj tezave antishqiptare “në shkencat” joekzakte ku interpretimi ka peshë vendimtare dhe ku në emër të lirisë akademike mund të hidhen hapur teza shoviniste e armiqësore, nëpërmjet shndërrimit të të cilave në shkaqe lufte e agresioni armiqtë historikë na kanë bërë gjëmën?…

“Troja” sipas serbëve

Kjo dilemë për ekzistencën ose jo të Trojës të nderuar miq, m’u shpërfaq sërish në këtë kohë pandemie, teksa para disa ditësh ndesha rastësisht me një material afro 11-vjeçar të juristit serb Milutin Jaçimoviq, titulluar “Troja – kryeqendra serbe, Shkodra”, punim të cilin ky joprofesionist në historiografi e paskërka referuar në Kongresin e Historianëve në Shën Petersburg të Rusisë në vitin 2009, “kontribut shkencor” për të cilin është emëruar (jo zgjedhur) edhe Anëtar Korrespondent i Akademisë Ruse të Shkencave (OJQ-je koti të themeluar më 1991, që quhet Akademia e Petrovskës në Shën Petersburg, anëtar i së cilës mund të bëhet kushdo – v.j.), për çka edhe është shpallur me zulmë si shkencëtar i shquar nga organizatorët vendas!!?

Paskëtaj, me ndjenjë “legjitime” triumfalizmi Jaçimoviq ka pohuar se tezën e tij të e ka promovuar qysh në vitin 1991, në organin e atëkohshëm “Shkëndija komuniste”, ku botoi artikullin me titull “Troja është Shkodra”, në të cilin i kumtoi lexuesve se po u sillte këtë të vërtetë të pamohueshme shkruar 25 shekuj pas përkthimit dhe redaktimit nga gjuha staro-sllavjane (frigjiano-serbishtja e lashtë) në greqishten e vjetër, e vërtetë kjo e shkruar asokohe prej përkthyesve dhe redaktorëve të parë antikë.

Në librin që ka botuar së fundmi e në të cilin “thellon argumentet e tezave” të referuara tek “Shkëndija komuniste (Iskra)” krahas atyre të referatit të mbajtur në Rusi, Jaçimoviq trajton, sipas tij, “të vërtetën fatkeqësisht të mohuar me shekuj…”, që gjoja për “shkaqe politike dhe kryekëput keqdashëse antiserbe”, vijon ende të “mohohet” të paktën qysh prej 150 vjetësh, qëkurse arkeologu gjerman Heinrich Schliemann shpalli në vitin 1870 se kish zbuluar rrënojat e Trojës antike në Hisarlik të Azisë së Vogël. Dhe, kjo “e vërtetë e fshehur enkas”, sipas Jaçimoviqit, na dëshmon se Troja e famshme dhe Lufta e Trojës nuk janë mite e legjenda, por realitete, dhe se Troja ndodhet në trevat historike serbe, bash në “Shkodrën seli e mbretërive dhe e mbretërve serbë qysh nga lashtësia e deri në mesin e shekullit XIV, kur mori fund edhe perandoria e Stefan Dushanit”.

Jaçimoviqi pohon se “Troja, ose Ilioni, ishte një qytet i madh që lartësohej mbi një kodër të pjerrët ku frynte era e fortë dhe poshtë këmbëve të tij bashkoheshin dy lumenj, midis të cilëve shtriheshin fusha të mëdha që lageshin edhe nga uji i detit. Në këto fusha u zhvilluan betejat madhështore ku luftuan 50 mijë akejtë dhe po aq trojanë me këmbësorinë, kalorinë dhe karrocat e panumërta të luftës. Këto beteja kishin nevojë për terrene fushë-beteje tepër të gjëra dhe së paku 10 km. të gjata, për të lëvizur dhe luftuar mbi 100 mijë luftëtarë”.

Në vijim ai thekson se “Sipas Iliadës, në anën e majtë të ushtrisë akease (e cila sulmonte nga bregdeti hipur në më shumë se 1000 anije të vogla që zbarkonin në një plazh të madh deti), rrjedh lumi Skimandar, që është Buna, ndërsa në të djathtë është lumi Simonet, domethënë Drini. Nën kështjellën e Trojës lumenjtë bashkohen dhe krijojnë një cekëtinë (va të cekët), që sipas Iliadës i shërbente ushtrisë trojane për të kapërcyer lumin e për të hyrë në fushën e betejës. Sipas Homerit, Mali i Shenjtë i trojanëve është Ida, nga lartësitë e të cilit mbrojtësi i Trojës dhe i trojanëve, perëndia Apulunus (Apolloni), e shikon fushën e betejës duke i parë trojanët në shpinë dhe akejtë në fytyrë”.

Sipas tij “në Hisarlik nuk ka kurrfarë mali që qëndron pas Trojës homerike…, sepse të tillë ka vetëm në Shkodër, e që janë Bjeshkët e Namuna, Mali Sharr dhe Korabi. Padyshim që Ida është kurora e Bjeshkëve të Namuna, kurorë kjo më e madhja në Ballkan, 80 kilometra e gjatë dhe 2694 metër e lartë, që e ka marrë emrin nga populli i saj i krishterë për shkak të shumë faltoreve antike që janë të shpërndara në të. Edhe sot, atje gjenden shumë faltore të krishtera dhe qytete antike. Kështjella e Shkodrës është fortifikimi më i madh dhe më i fuqishëm i tipit kodër në Mesdhe, për të cilin koha e krijimit ende nuk dihet. Ndoshta daton në mijëvjeçarin e dytë ose të tretë para Krishtit. Qyteti është i vendosur në një distancë të mjaftueshme nga deti, në mënyrë që betejat e përshkruara midis dy ushtrive të mëdha të mund të zhvillohen në hapësirën mes dy lumenjve. Në këtë zonë janë të gjithë lumenjtë e përshkruar në Iliada (Jaçimoviqi e ka fjalën për lumin Moraça, me degët Zeta, Ribnica dhe Cem, për lumin Crnojevica Rijeka dhe për lumin e vogël Crmnica – F.K.). Pranë Shkodrës shtrihen edhe vendbanimet e aleatëve të trojanëve, sikurse: Likianët (nga Zeta); Dardanët, të cilët shtrihen ndanë brigjeve të Drinit; Peonasit e brigjeve të Vardarit dhe Thrakët pas tyre; Pellazgët e famshëm të Larisës, si dhe Frigjianët në jug të Ohrit. Të gjithë këta janë vetëm disa ditë më këmbë larg nga Shkodra dhe mund të udhëtojnë drejt Trojës me tokë, siç e përshkruan Iliada. Edhe vetë Enea, i cili, sipas legjendës, pas luftës shkoi në Lacio me një pjesë të trojanëve, mund të dilte lehtësisht nga ky rajon drejt e në det, gjë që do ta kishte të pamundur nga Azia e Vogël. Nuk ka asnjë qytet të vetëm në Mesdhe që ashtu si Shkodra t’i përshtatet përshkrimeve të Iliadës me aq shumë detaje. Për arsye politike, Helenët e zhvendosën Trojën në Azinë e Vogël, në zonën e kolonive të tyre, të cilat ata i vendosën në atë zonë qysh në shekullin VI para Krishtit, kur me kast e emëruan ngushticën e Dardaneleve si ‘Helespont’. Iliada dhe Odisea u redaktuan kur u përkthyen në dialektin grek në Athinë gjatë tiranisë së Pisistratit dhe djemve të tij”.

Tek Iliada, sipas Jaçimoviqit, thuhet se “Troja është pranë një liqeni të mbushur me ngjala, dhe se pranë Trojës së Schliemannit nuk ndodhet asnjë liqen. Iliada thotë se lumi Skimandar rrjedh nga ai liqen dhe derdhet në det me dy krahë (delta e Bunës), ndërkohë që në Hisarlik të Turqisë nuk ka lumë përveçse një përroi të tharë dhe rrënojave të supozuara të ‘Trojës’. Tek Iliada thuhet se aleatët e trojanëve dhe heroi Akil mbërritën në Trojë me kalë ose me këmbë, çka do të thotë se nëse Troja do të ndodhej në Azinë e Vogël, pra në Hisarlik, ata do të kishin mbërritur në Trojë veçse të hipur në anije, apo në varka. Por, le të rikthehemi tek teza se ‘Shkodra është Troja serbe’. Siç e kemi parë, ilirët janë serbë dhe serbët janë sllavë, çka do të thotë se: Trojanët janë etërit tanë autoktonë dhe bartësit e civilizimit serbo-sllav të kohërave antike; Troja e dikurshme është kryeqyteti i lashtë serb i Shkodrës; Iliada si nocion qytetërimor antik i referohet shteteve serbe, qyteteve, mbretërive, mbretërve dhe heronjve serbë të kohës. Pra, përfundimisht mund të pohojmë me bindje shkencore se Iliada dhe Odiseja të Homerit nuk janë poema ditirambike kushtuar shteteve greke, mbretërve grekë, heronjve grekë, por janë dëshmi për shtetet serbe, mbretërit serbë dhe heronjtë serbë të antikitetit…”.

Zbulimi i Shlimanit dhe kundërshtarët

Në vitin 1870, Schliemanni shpalli botërisht se duke u nisur nga përshkrimet e Homerit tek veprat e tij, nëpërmjet gërmimeve të ekspeditës arkeologjike që kryesonte, zbuloi rrënojat e Trojës në Azinë e Vogël, në qytetin Hisarlik, 20 kilometra larg Çanakkalasë së famshme, pranë gadishullit të Galipolit. Ai shpalli se kish zbuluar thesarin e famshëm të mbretit Priam dhe krahas tij edhe artefaktin akoma më të famshëm të përshkrimeve homerike, maskën prej ari të kryekomandantit akeas, mbretit Agamemnon të Mikenës. Paskëtaj Schliemanni hartoi një raport të hollësishëm përshkrues për gjetjet arkeologjike, të cilin ia dërgoi Berlinit zyrtar.

Asokohe ky “zbulim” tronditi mbarë botën shkencore e politike, ndaj dhe qeveria gjermane e Otto von Bismarckut i akordoi Schliemannit fonde të mëdha për të vazhduar gërmimet, të cilat në fakt rezultuan të suksesshme, teksa mundësonin gjetje objektesh të punumërta në një territor që zmadhohej vazhdimisht.

Në ditët e sotme Hisarliku është shndërruar në një qytet të mirëfilltë turistik, teksa administron territorin dhe objektet ndërtimore arkeologjike të 10 kuartiereve, nëntë prej të cilave ishin zbuluar nga pluhuri i kohës qysh në fundvitin 1971.

“Zbulimi i Trojës antike” i dha shtysë të fuqishme financiare e shkencore rritjes dhe strukturimit të shkollës gjermano-austriake të arkeologjisë së antikitetit, ballkanologjisë, bizantologjisë e të tjerave disiplina shkencore, me ç’rast edhe të ilirologjisë e albanologjisë, për të cilat në universitetet gjermane e austriake u ngritën katedra dhe u financuan programe kërkimore-shkencore. Por, mbi të gjitha u rrit skajshëm reputacioni i Greqisë politike të kohës e cila u shpall trashëgimtare dhe përfaqësuese e një qytetërimi gjenial mbi tremijë-vjeçar, që menjëherë u kualifikua, krahas qytetërimit romak, si themelet dhe kolonat mbajtëse të ngrehinës gjeniale të qytetërimit perëndimor.

Tashmë Greqia u vendos në qendër të vëmendjes politike dhe dinastitë mbretërore gjermanike që sundonin në Athinën zyrtare jetësuan aleancat politike me Berlinin dhe kanceleritë e tjera të mëdha evropiane e më gjerë. Por, shpallja e “Trojës së Schliemannit” si margaritari më i ndritshëm dhe më i lashtë i qytetërimit antik grek dhe si kulmimi më i lartë i tij, zgjoi “djajtë” e xhelozisë dhe pretendimeve të sllavëve për përkatësinë etnike të protagonistëve të konfliktit të përgjakshëm që solli “shkatërrimin homerik të Trojës”.

Troja dhe “sllavët-ilirë”

Ishin Novak dhe Dragolub Andesiliq të parët “studiues” serbë që hodhën hipotezën se Troja antike ndodhej në pjesën veriore të Liqenit të Shkodrës, afër Podgoricës. Madje, këta të dy pretendojnë se edhe Herodoti që kish shkruar për Trojën dhe luftën e saj, por edhe autorët e tjerë antikë, gjithashtu kanë gabuar teksa e përcaktuan vendndodhjen e Trojës në Azinë e Vogël. Sipas tyre, autori latin Eliani pohon se: “Iliada dhe Odiseja ishin shkruar në gjuhën frigjiane të frigëve fqinjë të trojanëve, që nuk ishin veçse sllavo-serbë”; se “gjuha e tyre, sikurse edhe ajo e trojanëve-serbë, ishte gjuha e vjetër antike e serbo-sllavëve (staro-sllavjane)”; dhe se veprat homerike “nuk ishin shkruar aspak në gjuhën antike greke të dialektit jonian, pohim të cilin e mbështet edhe autori i quajtur Platoni në Kratil”. Këta autorë gjithashtu theksojnë se “frigët banuan në zonën malore në jug të Ohrit, zonë nga e cila, padyshim që ishte Homeri, që emrin e kishte serbo-sllav, ‘Omir’. Straboni shkruan se ilirët, epirotët dhe maqedonasit flasin të njëjtën gjuhë, që nënkuptohet se është ajo serbo-sllave… Dhe se pikërisht për këtë arsye, meqenëse frigët jetonin në zonën kufitare të kufizuar prej Maqedonisë, Ilirisë dhe Epirit (Tremedia), është logjike që gjuha e tyre të jetë njëkohësisht ilire, maqedonase dhe epirote, pasi ndryshimet midis tyre janë në nivelin e dialektit të së njëjtës gjuhë”. Sipas tyre, edhe “studiuesi skocez i shekullit XIX, John Francis Campbell (i cili në fakt nuk ka qenë aspak historian – F.K.)”, na paskërka shkruar se “Në perëndim të Maqedonisë ishin dardanët dhe ilirët, dy emra që shënojnë të njëjtët njerëz – serbët”.

Schliemann vs serbët

Menjëherë pas rrënojave të “Trojës” në Hisarlik, doli në dritë teza për origjinën “serbo-sllave” të trojanëve dhe kundërshtarëve të tyre, tezë e cila u hodh dy vjet pas “zbulimit” të Schliemannit, në vitin 1872, nga historiani serb Milosh S. Millojeviq, në librin e tij “Pjesë të historisë së serbëve dhe trevave serbo-sllave në Turqi dhe Austri”. Madje Millojeviqi shpalli kundërshtitë e hapura dhe tendencioze me tezat ekzistuese atëkohë të shkollës gjermano-austriake për qytetërimet antike ballkanike, deri tek ato të Schliemannit, i cili sapo kish shpallur me bindje se kish zbuluar bash rrënojat e Trojës antike. “Trojanët ishin serbët e lashtësisë dhe Troja nuk ndodhet aspak në Azinë e Vogël, sikurse shkruan fillimisht Herodoti e pas tij edhe Plutarku”, përmbyll si konkluzion të librit të tij Millojeviqi.

Paskëtaj, në mbështetje të Millojeviqit qarqet akademike serbe risollën si “argument shkencor” prosllav tezat që prifti katolik Andrija Kaçiq-Mioshiq shkroi “për Serbinë para-gjermane” qysh në vitin 1756, në librin me titullin “Bisedë e këndshme për popullin sllav”.

Tezën serbo-sllave për Trojën dhe palët ndërluftuese e ka mbështetur edhe diplomati meksikan Roberto Salinas Price në librin e tij në anglisht me titullin “Auditori i verbër i Homerit”, botuar në San Antonio të ShBA qysh vitin 1984, dhe më pas në librin me titullin “Atlasi i gjeografisë homerike”. “Nuk mund ta pranoj kurrë që sllavët, që janë familja më e madhe e popujve evropianë të kenë ardhur në Ballkan në shekujt VI dhe VII nga askundi…”, trondit me pohimin e tij “shkencor” ky diplomat, që tezë shkencore quan thjesht pohimin arbitrar alla-pyetje retorike së cilës i jep po vetë përgjigje kur deklaron se “Iliada dhe Odiseja janë shkruar nga Homeri në gjuhën e vjetër sllavo-serbe dhe se vetëm pas dy shekujsh janë përkthyer në greqishten e lashtë”. Më pas, ky autor, në librin e tij të dytë me titullin “Atlasi i gjeografisë homerike”, e përcaktoi vendndodhjen e Trojës në Gabela të Bosnjës, midis qytezave Caplina në Hercegovinë dhe Metkoviq në Kroaci.

Pas diplomatit meksikan Salinas Price është ish-ambasadori i Jugosllavisë federative në Meksikë, diplomati serb Branko Vukushiq, që në vitin 2003 shkroi librin me titull “Mbi misterin trojano-sllav”. Në këtë libër ky autor pretendon se Troja dhe rrethinat, të përshkruara kaq bukur nga Homeri tek Iliada dhe Odiseja duhet të jenë në Ballkan dhe se ato “kanë lidhje me civilizimin e sllavëve të Jugut, përkatësisht me atë serb”.

Studiuesi serb Lubomir Domazetoviq pohon se “gjuhëtari maqedonas O. Belçevski gjeti një numër të madh fjalësh tek Iliada dhe Odiseja, të cilat janë të ngjashme, ose të njëjta me fjalët në maqedonishten dhe serbishten e sotme…”, por nuk i precizon se cilat janë këto fjalë. Domazetoviq shënon në të njëjtën faqe se “veprat më të vjetra të shkruara dhe të ruajtura të letërsisë heleno-ilire janë padyshim Iliada dhe Odiseja, të shkruara në të ashtuquajturën heksametri, çka i bën ato të ngjasojnë shumë me shkrimin e poezive të eposit heroik serb. Gjuha e përdorur është jonike, çka tregon se Homeri është ilir dhe se këto gjuhë dhe shkrime janë ilire”. Gjithashtu, ky autor thekson në vijim se “… edhe historiania e antikitetit Fanula Papazoglu mendon se Brigia (Frigia) është një zonë kufitare e Ilirisë dhe se e tillë është edhe Sarda (Dardania), pasi ilirët janë sardë, ose sardanë (Dardanë). Pra, ilirët janë trojanët. Që këtej mua më rezulton se Serbia e lashtë në brendësi quhej Dardania (Sardania), sipas emrit të sundimtarit të Dardanisë, ose Sardanisë, Sarbonusit, qysh nga shekulli i katërmbëdhjetë para Krishtit, dhe se Serbia e lashtë përgjatë detit Adriatik u quajt Iliria”.

Edhe studiuesi Radivoje Peshiq thekson se “analiza gjuhësore krahasuese e veprës së Homerit na dëshmon për një komponent të fortë sllav”. Madje, Peshiq citon gjithashtu edhe hulumtimin e profesorit të Harvardit, Milman Parry, i cili “zbuloi” se “edhe sot rapsodët serbë këndojnë këngë me skenat trimërore që përshkruan Homeri dhe trajtojnë temat e poezisë së Homerit”. Po ashtu, Peshiq thekson se “… edhe autorët sllavë Dankovski e Budimir theksojnë ekzistencën e një thesari të madh leksikor sllav në këngët e Homerit, si dhe në strukturën dhe ritmin e vargut homerik”.

Studiuesi Dragan nga Maqedonia e Veriut, pretendon se Troja ndodhet në afërsi të fshatit Krushevicë të vendit të tij. Ai e bazon këtë teori “në studime shumëvjeçare dhe në interpretimin e drejtë të gabimeve të vërejtura tek Iliada lidhur me përshkrimet e Luftës së Trojës”, si dhe në faktin që në një sit arkeologjik afër Krushevicës u gjetën shumë objekte ari, argjendi dhe qeramike, përfshirë këtu edhe medaljonin e mbretit Gorgon, për të cilin tek Iliada thuhet se ishte mbrojtësi i Agamemnonit.

Jaçimoviqi dhe të ngjashmit

Për të sulmuar Schliemannin dhe për të shpallur si të vërteta tezat vetjake, Jaçimoviqi thërret në ndihmë edhe pensionistin serb prej Sorbone, gjuhëtarin krahasues Milan Ristanoviq, i cili në njërin nga studimet e tij thekson se “… bredhja e Odisesë për t’u kthyer në Itakë pas luftës së Trojës bëhet nëpër Adriatik dhe Jon, nga Korfuzi në Split” dhe se “Poseidoni është një zot ilir, pra serbo-sllav”.

Ristanoviq thekson se “librat e shumtë që janë shkruar për Trojën dhe Homerin, në shumicën e rasteve nuk sjellin asgjë të re, pasi që të gjitha referojnë gabimisht të vërtetën themelore – vendndodhjen e Trojës”. Sipas tij, “edhe Herodoti e Plutarku thonë se gjatë fushatës kundër Persisë, Aleksandri i Maqedonisë dhe kryegjenerali i tij Pausania, pasi kaluan ‘Helespontin’, e kërkuan gabimisht Trojën në Azinë e Vogël”.

Madje, Ristanoviq e hedh poshtë plotësisht zbulimin e pretenduar të Schliemannit për Trojën në Azinë e Vogël, teksa e kritikon ashpër arkeologun gjerman për “mungesë personaliteti” dhe si “mashtrues…”!

Jaçimoviqi, në mbështetje të tezës themelore vetjake, citon gjithashtu një studim mbi Trojën të etnografit serb Aristid Vuçetiq, i cili na bën me dije se “Ritet mortore serbe tek Iliada pas vdekjes së Hektorit janë të njëjta me ato që serbët praktikojnë ende: Pas vdekjes së një të afërmi, ose burrit, gratë visheshin me të zeza. Riti i parë ishte vajtimi për të ndjerin, ku një grua qan me zë të lartë, ndërsa të tjerat qajnë duke ndjekur atë. Sot ky zakon është i pranishëm tek serbët, kryesisht në Mal të Zi, Hercegovinë dhe Bosnjë. Madje, në këto krahina, edhe sot gratë do të qanin për Hektorin siç bëri nëna e tij Hekuba më shumë se para tre mijë vjetëve”.

Gjorgje Jankoviq na e paskërka “konstatuar ngjashmërinë e varrosjes trojane të Hektorit nën bubullimat dhe rrëketë e shiut me një rast të një morti serb në afërsi të krahinave Grahovo dhe Knin”. Madje, ai shkroi një libër për këtë rit varrimesh, duke pretenduar se edhe varret antike të zbuluara nga arkeologët ishin thjesht varre serbe që datonin në shekujt IV dhe V pas Krishtit. Por, intelektualët zyrtarë serbë nuk e pëlqyen dhe e refuzuan këtë “konstatim shkencor” duke e larguar Jankoviqin nga Fakulteti Filozofik i Beogradit me motivacionin se “serbët nuk jetonin në Ballkan në shekujt IV dhe V” (Megjithatë, ata vërtet e hoqën nga universiteti Jankoviqin delirant që diskreditonte publikisht e me zë të lartë serbët nëpër pupitra, auditorë e katedra me pohime joshkencore për “autoktoninë”, por ama e emëruan në institucionet arkeologjike dhe në krye të ekspeditave, ku bëri “zbulime” të rëndësishme dhe shkroi libra e studime që vërtetonin tezat e “ilirëve-sllavë”, të cilat jo vetëm nuk ia mohuan, por përkundrazi ia financuan duke dhënë kësisoj mesazhin se duhet punuar me kujdes e pa rënë në sy, si miu, e jo si ariu – F. K).

Jaçimoviq “shpërndan indulgjenca si të ishte Papë i shkencës”, që të fitojë përkrahjen e opinionit dhe të tërheqë vëmendjen e akademikëve seriozë, teksa deklaron me zulmë: “Gjuha e Homerit është plot me fjalë serbe, ndaj dhe Milutin Açimoviqit duhet t’i njihet kontributi për identifikimin e fjalëve serbe në gjuhën greke të Iliadës”, dhe se “koha ka konfirmuar se Olga Lukoviq-Pjanoviq kishte të drejtë kur në tezën e doktoratës në Sorbonë solli fakte që vërtetonin se shumë fjalë në gjuhën greke janë huazuar nga gjuha serbe”.

Jaçimoviq gjithashtu na bën me dije se edhe historiani italian Giancarlo Tomacoli Tiziano, në Kongresin e Historianëve në Shën Petersburg, në vitin 2009 kishte lexuar një referat në të cilin trajtonte rezultatet e deshifrimit të shkronjave lineare A dhe B nga Kreta, duke përdorur gjuhët sllave. “Nga ky deshifrim”, pohon Tiziano, “arrihet në përfundimin se shteti minoik (themeluar në Kretë 2000 vjet para Krishtit – F. K.) është serb, jo grek, pra jo sikurse mësohet në mbarë botën në të gjitha nivelet e arsimit. Kjo e vërtetë dikur ishte një surprizë, por nuk është më. Madje sot, gjithnjë e më shumë studiues janë dakord me përfundimin se popujt serbë (sllavë) në Mesdhe dhe në pjesë të tjera të Evropës janë autoktonë”, kish deklaruar Tiziano në atë kongres, për çka, sikurse edhe Milutin Jaçimoviqi, gjithashtu ishte emëruar (dhe jo zgjedhur) anëtar korrespondent i asaj “Akademisë” së Shkencave Ruse në Shën Petersburg.

Shkujdesjet e Jaçimoviqit

Unë personalisht kam bindjen se Jaçimoviqi nuk vetëpërmbahet dhe nuk përdor “frena shkencore” kur pretendon hapur dhe me zulmë se heronjtë e Iliadës dhe Odisesë janë serbo-sllavë antikë dhe se ngjarjet e përshkruara në to nuk kanë kurrfarë lidhjeje me trojanët, dardanët, peonët, thrakasit, frigjianët, hititët, skithët dhe aleatët e tyre. Madje ata, sipas tij, nuk kanë lidhje as me akejtë, mikenasit apo grekët e vjetër, pasi që të gjithë këta “pjesëmarrës në Luftën e Trojës” na qenkëshin serbë dhe se Iliada e Odiseja u përkthekan vetëm me serbishten e vjetër dhe gjuhët e dialektet staro-sllavjane, gjithmonë pa përmendur se cili është fondi i leksikut serb që bën kësi mrekullirash.

Palën anti-trojane si inekzistente në këtë përplasje titanësh, Jaçimoviq (por jo vetëm) e skualifikon me argumentin se “grekët antikë janë shfaqur në Ballkan 4-5 shekuj pas Luftës së Trojës…”. Madje, i ndërkryer prej deliri dhe i kooptuar si “shkencëtar” në Rusi, as që do t’ia dijë se arkeologët dhe historianët e antikitetit pretendojnë se në shekullin XII para Krishtit në arealin ballkanik njiheshin si popuj dhe fise parake veçse ilirët (bashkë me degët e tyre sikurse dardanët, dalmatët, liburnët, epirotët e mollosët), mikenasit, akejtë, thrakët, peonët, skithët, frigjianët, hititët (që futen në grupimin e madh të Pellazgëve). Çka do të thotë se nëse vërtet ka ekzistuar Troja dhe është zhvilluar lufta e supozuar e saj, e përshkruar nga Homeri-rapsod (dhe jo bashkëkohës e dëshmitar okular), atëkohë palë ndërluftuese kanë qenë ushtritë e popujve dhe fiseve të mësipërme, të gjithë, ose një pjesë e tyre. Por, asokohe as që mund të bëhej fjalë për parakë të serbëve dhe sllavëve në trevat ballkanike, pasi historiografia serioze e regjistron ardhjen e tyre në Gadishullin Ilirik vetëm në shekujt VI dhe VII pas Krishtit.

Historiografët serbë dhe aleatët e tyre nuk lënë “argument” pa e ndërkallur si “fakt, artefakt dhe provë shkencore”, por arratisen sapo t’u kujtosh se babai medievalist i Bizantologjisë, Sllavistikës dhe i Ballkanologjisë moderne, Konstantin Jireceku gjenial, ua ka vënë gardhin tek thana për pretendimet si parakë dhe autoktonë në Ballkan si “ilirë-sllavë”, në veprën në dy vëllime “Historia e serbëve”. Madje, po këto qëndrime ndaj të vërtetave shkencore kanë mbajtur edhe ballkanologët e shquar Ludwig von Thalloczy, Mavro Orbini dhe Milan Sufflay.

Konsiderata të përgjithshme

Troja mitike pretendohet se është gjetur disa herë në vende të ndryshme, por megjithatë shumica e studiuesve seriozë mendojnë se Troja është një legjendë e mitologjisë antike, çka do të thotë se nuk ka ekzistuar kurrë, përveçse si produkt i fantazisë njerëzore, ndajshtuar me gjetje arkeologjike dhe interpretime “historiografike e linguistike”, që s’bëjnë tjetër përveçse fshehin, injorojnë e keqinterpretojnë faktet, si dhe ngatërrojnë qëllimisht epokat dhe vendndodhjet e ngjarjeve reale.

Për Trojën dhe Luftën e Trojës janë shkruar mbi pesëmijë libra, mijëra artikuj gazetash e revistash, janë filmuar mijëra dokumentarë dhe janë hartuar qindra raporte e reportazhe televizivë, shkencorë e kinematografikë. Por mbi, të gjitha, janë xhiruar dhjetëra filma artistikë, deri edhe me pjesëmarrjen e aktorëve më të shquar të kinematografisë botërore.

Mit apo realitet, eposi homerik i Trojës është kulmimi vetëreferues i vetëglorifikimit të qytetërimit perëndimor (greko-romak), i frustruar me të drejtë përballë madhështisë dhe gjenialitetit të padiskutueshëm të qytetërimeve parake apo bashkëkohëse, sikurse ata egjiptian, minoiko-kretak, mesopotamik, asiro-babilonas, kinez, indian, indokinez, inkas, actek, maja… Gjithashtu, “qytetërimi Trojan” i supozuar dhe i lënë në eter e në fatin e tij edhe nga vetë baballarët e shkencave që nuk pranuan të vetësakrifikonin reputacionin me vetëpërfshirje në probleme të paqarta shkencore, gjithsesi në fundore u përdor si instrumentarium i shkëlqyer në përballjet gjeostrategjike e gjeopolitike të anglo-saksonëve dhe latinëve evropianë me grupimin stërmadh të sllavëve të Veriut dhe të Jugut të kontinentit… Grupim kombesh e shtetesh ky që, bazuar në forcën dhe strategjitë e qarta, synonin ekspansion territorial dhe hapësira jetike qoftë edhe duke spekuluar me shkencat teorike jo ekzakte – për çka do shkruaj edhe më poshtë.

Vërejtjet për Schliemannin

Mbetjet arkeologjike të “Trojës Schliemanniane” në Hisarlik janë bërë të njohura zyrtarisht nga publiku botëror si lokacioni më magjepsës arkeologjik i antikitetit, si referencë dhe adresim i drejtpërdrejtë tek qytetërimi evropiano-perëndimor. Por, shumë studiues e hulumtues amatorë, kryesisht serbë dhe rusë, kanë theksuar se gërmimet e njërës prej disa shtresave të vendbanimeve të vjetra në Hisarlikun ku Schliemanni vendosi Trojën antike, nuk korrespondojnë aspak me kohën e pretenduar të mbretërimit të Priamit. Madje, ironia e kritikëve të Schliemannit arrin kulmin kur theksojnë se ai në Hisarlik, qysh në vitin 1871 nxori në dritë nëntë vendbanime, nga 10 të tilla që përfshin i gjithë siti arkeologjik, por që datojnë qysh nga epoka e Neolitit (mijëvjeçari të katërt para Krishtit) e deri në periudhën Romake. Teksa gjeti me shumicë bizhuteri ari në shtresën e dytë të gërmimeve, Schliemanni krijoi bindjen se bash kjo shtresë kish mbuluar rrënojat e Trojës së Homerit dhe se bash këto thesare i përkisnin mbretit Priam dhe aristokracisë trojane.

Shumë nga zbulimet e mëvonshme arkeologjike në Hisarlik pas Schliemannit dhe përdorimi i metodave e teknikave të reja shkencore të identifikimit kohor të moshës së artefakteve, evidentuan dhe provuan se thesari i supozuar i Priamit në të vërtetë i përkiste një sundimtari tjetër, që kish jetuar e mbretëruar në ato treva disa shekuj para Luftës së Trojës.

Schliemanni nuk e shpiku Azinë e Vogël, por në plan-ekspeditën dhe gërmimet ai orientohej kah Hisarliku ngaqë u bazua fort tek shkrimtarët dhe gjeografët antikë, kryesisht tek Herodoti e Plutarku, por edhe tek të tjerët që përshkruan dyshimet e Aleksandrit dhe Pausanias për vendndodhjen e Trojës. Por, kritiku më i zellshëm dhe më i ashpër i Schliemannit, duhet pranuar se është Jaçimoviqi serb, sipas të cilit “gjurmët e zbehta të kohëve antike, për shekuj me radhë nuk mjaftuan për të precizuar përfundimisht vendndodhjen e saktë të Trojës, ndaj dhe, si shumë arkeologë të tjerë para e pas tij, Schliemanni u përpoq të gjente vendndodhjen e Trojës antike duke u bazuar vetëm në informacionet e siguruara nga analiza e tekstit të Iliadës dhe Odisesë”, për çka Jaçimoviqi nuk është i saktë teksa i mohon padrejtësisht Schliemannit referencat e shumëfishta që theksova më lart.

Megjithatë, Jaçimoviqi në librin dhe prononcimet e panumërta të tij në dy dekada, as vetë nuk na i jep burimet nga të cilat niset dhe kurorëzon sipërmarrjen e tij që e çoi në “Shkodrën serbe”, përveçse analizës së teksteve homerike që ai i citon me saktësi, por që i spekulon si të mos ekzistonin kur nxjerr konkluzionet që beson apo i konvenojnë.

Në fakt, shkrimtarët antikë të sipërcituar janë burimet e para dhe të vetme historike pas Homerit, që indirekt përcaktojnë vendndodhjen e Trojës në kundërshtim me interesat e serbëve dhe pretendimet fantazmagorike të autorëve sllavë. Dhe, për këtë nuk mund të fajësohen për qëllimësi, apo si agjentë të “imperializmit teuton”.

Gjithsesi, Jaçimoviqit nuk mund t’i jepet kurora e meritave si studiuesi i vetëm që hedh dyshime mbi “faktet historike” që datojnë qysh nga mijëvjeçari i dytë dhe i tretë para Krishtit, përfshirë këtu edhe Luftën e Trojës, që pretendohet të jetë zhvilluar rreth 3300 vjet më parë. Kritikë të tjerë, kryesisht sllavë, në thelb pretendojnë njëzëri se zbulimi i Schliemannit u vesh qysh në fillim me një vello misteri, ngaqë i ashtuquajturi Thesari i Priamit, sipas thashethemeve të pakonfirmuara, “u gjet nga vetë Schliemanni në një mbrëmje, pasi më parë kishte larguar punëtorët nga kantieri i gërmimeve”. Më vonë, sipas këtyre kritikëve, rezultoi se Troja e Schliemannit e zbuluar në qytetin Hisarlik u shpall si e tillë në bazë të gërmimeve të gjetura në një shtresë që ishte 1200 vjet më e vjetër se koha kur mendohet se ishte zhvilluar Lufta e Trojës. Për më tepër, kritikët pohojnë se shumë prej objekteve të nxjerra nga gërmimet datonin prej periudhash të tjera kohore dhe se edhe artefakti më i famshëm – “maska prej ari e kryekomandantit akeas, Mbretit Agamemnon të Mikenës”, u gjet më vonë, pothuajse kopje identike, edhe dy herë të tjera në territorin e Maqedonisë së sotme, në vendndodhje ku mendohej se bartnin dhe mbulonin të dhëna arkeologjike nga periudhat e mëvonshme.

Grekë, sllavë, teutonë dhe shqiptarë

E dhëna më e habitshme dhe më tronditëse e historio-grafisë së Trojës antike është deklarimi i Herodotit se “Lufta e Trojës u zhvillua në shekullin XIII para Krishtit, ndërsa grekët mbërritën në Ballkan në shekullin VIII para Krishtit, pra 500 vjet më vonë”. Kësisoj i bie që, sipas Herodotit, rezulton se grekët nuk mund të merrnin pjesë në Luftën e Trojës ngaqë nuk ekzistonin asokohe në ato treva dhe as në Ballkan.

Vetë Jaçimoviqi ua mohon grekëve pjesëmarrjen dhe protagonizmin në luftën e Trojës, duke ua faturuar serbëve. Madje u faturon atyre përkatësinë etnike të të dy palëve ndërluftuese. Por, ai nuk e ka vetëm me grekët, ndaj jo rastësisht aludon ndaj Schliemannit për qasje, ndikim dhe implikim të fortë politik derisa e akuzon hapur si “tendencioz, të ndikuar dhe të lidhur me programin e Shkollës së Historisë Vjenë-Berlin në shekullin XIX”. Shkollë që, sipas tij, dhe sipas historiografisë zyrtare serbe e ruse ishte thjesht një institucion i konformuar politikisht dhe i përshtatur me thelbin e planeve ekspansioniste perandorake gjermane drejt vendeve sllave dhe popujve sllavë.

Schliemanni “heretik” në fakt kish “mëkatuar” ngaqë kish guxuar të shkruante se “sllavët, si fise jo-indigjene (pra jo-autoktone, shënimi im F.K.), nuk kishin mundur të zotëronin shkrim e këndim dhe arritje të tjera civilizuese deri në shekullin IX pas Krishtit, sikurse grekët, romakët dhe gjermanët”. Madje, “mëkati” i tij kishte kulmuar në “blasfemi” kur kish shkruar se “në Gadishullin Ballkanik dhe në Panoni sllavët e Jugut ishin të ardhur nga Rusia, duke pushtuar tokën e kombeve të tjera”.

Pikërisht këtë pohim të “pushtimit të tokës së kombeve të tjera”, historiografia serbe dhe ajo ruse e interpretojnë si vetëmarrje me dhunë nga gjermano-austriakët të tagrit dhe projektit për të vënë në vend të drejtën historike të përzënies së sllavëve nga toka e rrëmbyer… Pohim ky që sipas tyre nënkupton të gjithë aksionin politiko-diplomatiko-ushtarak antisllav në Ballkan dhe më gjerë të “Imperializmit teuton dhe aleatëve të tyre” në dy shekujt e fundit…

Por, Jaçimoviqi, pas shugurimit si “shkencëtar” në Shën Petersburg, nuk i shpalli luftë vetëm Schliemannit që qëndronte si “mur kinez” para teorisë së tij të “Trojë-Shkodrës serbe”. Ai në zjarrminë e delirit “shkencor”, arriti deri aty sa e etiketoi babanë e sllavistikës Konstantin Jirecek si “çirak të Vjenës e të Berlinit dhe ushtar të mjerë të imperializmit teuton”, thjesht dhe vetëm se ai kish guxuar të sfidonte me skrupulozitet shkencor tezat e sajuara për autoktoninë serbe në Ballkan dhe për kryeqendër-kryeqytetin e tyre – Shkodrën.

Po përse Jaçimoviqi e shpall Jirecekun si armik të sllavëve të Ballkanit (pra sllavëve të Jugut), kur ky Konstantin i Madh i Shkencës në periudhën 1779-1784 punoi si ministër i Jashtëm, si ministër i Shkencave dhe më pas si Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Sofjes?!

Jireceku kish marrëdhënie shumë të mira, merrte projekte të financuara dhe paguhej si konsulent i qeverive dhe institucioneve universitare e studimore në të gjitha shtetet sllave të kontinentit, përveç Rusisë dhe Serbisë, ku mbeti non grata derisa u nda nga jeta në vitin 1918, në moshën 64-vjeçare, në kulmin e shkëlqimit të gjenisë shkencore.

Nisur nga logjika e mbrapshtë e etiketimit dhe kualifikimit të studiuesve e shkencëtarëve si “armiq” të aksh kombi apo populli, i bie që shqiptarët, më shumë se kushdo tjetër, të shpallin si “armikun më të madh” Jaçimoviqin e shumë të tjerë para tij, teksa me tendencë, para se ta nxirrte dhe shpallte Shkodrën si “serbe” edhe kur e quan “Trojë”, ka punuar për disa vite dhe ka publikuar në vitin 2007 temën me titullin “Problemi metodologjik i eksplorimit të origjinës së shqiptarëve”, referuar në Beograd më 21 qershor 2007, si dhe temën “Serbët dhe shqiptarët në tokën serbe”.

Shqiptarët janë mësuar me shtetarë dhe ofiqarë shumë të lartë serbë e me qyrk shkencëtari, që kanë hartuar platforma gjenocidale kundër tyre, sikurse Vladan Gjorgjeviqi, Vasa Çubrilloviqi e Ivo Andriqi me shokë, ndaj qeshin me “juristin” Jaçimoviq, që më shumë bërtet sesa bën shkencë edhe kur sponsorizohet me të gjitha mjetet e mënyrat… deri edhe nga Shën Petersburgu kur shërben kërrenja kundër shqiptarëve dhe i nxjerr sllavët si të vetmit banorë autoktonë të Ballkanit, Egjeut dhe Azisë së Vogël në mijëvjeçarët e fundit.

Ne na shqetëson fakti që në të gjithë këtë zallamahi që lartësohet deri në shovinizëm “shkencor” hesht Albanologjia shqiptare, që thuhet se drejtohet nga një personazh me origjinë minoritare sllave, kontributi i të cilit për Albanologjinë është doktorimi në Francë për vlerat e Sartrit në letërsi, dhe si pagator i vartësve që punojnë për Beogradin me studime të ngjashme me ato të Jaçimoviqit – personazh kryesor të këtij shkrimi.

Gjeopolitika dhe Troja antike

Gjithherë kam qenë i bindur se gjeopolitika dhe gjeostrategjia janë kryesisht domene dhe projektime të politikës, e cila për shkak të pushtetit dhe tagrit për administrimin e financave që janë gjaku dhe limfa e shkencave, mund të ndikojë mbi to, t’i injorojë, t’i nënshtrojë apo keqpërdorë, sidomos në shtetet totalitare që hartojnë edhe platforma luftënxitëse. Ndaj mendoj se fasha gjeniale e mendimtarëve, filozofëve dhe shtetarëve antikë athinjotë sikurse Perikliu, Likurgu, Soloni, Lisistrati etj., kanë qenë të parët që e përdorën gjeopolitikën për t’i dhënë trajtën e një Perandorie Politike krijesës së tyre: Perandorisë Kulturore helenike, Perandori kjo që rrezatoi thjesht dhe vetëm në kulturë dhe i zgjeroi kufijtë ndikues kulturorë, por jo ato politikë, të cilët përmbylleshin deri para dy shekujsh në gadishujt e Atikës, Peloponezit dhe në ndoca ishuj të Egjeut.

Këta mendimtaro-shtetarë të shquar e kapën në ajër gjetjen gjeniale të përkthyesve dhe redaktuesve të Iliadës dhe Odisesë homerike për Trojën, “luftën” e së cilës e paskëshin bërë “gjyshërit” e tyre akej! Ndaj dhe u turrën për ta përvetësuar e përdorur politikisht e kulturalisht fabulën historike homeriko-herodotiane…, për ta përvetësuar e zaptuar më pas edhe territorialisht truallin “trojan” në Azinë e Vogël me anë të kolonëve endacakë që i shpërndanin në gjithë Mesdheun… siç bënë pas disa shekujsh (pas pushtimit romak) edhe me Kostandinopojë-kryeqytetin e Perandorisë romake të Lindjes (dhe jo kryeqytet të Greqisë)… atë Kostandinopojë në të cilën ishin bashkëpronarë të gjithë kombet që përbënin Bizantin e të cilën grekët e shpallën “greke” para pushtimit nga turqit selxhukë, por edhe pas pushtimit nga Mehmet Fatihu në vitin 1453. Ashtu sikundër përvetësuan edhe qytetërimin superior minoiko-kretak bashkë me Kretën e më pas Qipron dhe mbarë 3600 ishujt e Egjeut e të Jonit.

Por, natyrisht që Troja ishte margaritari i kurorës për Greqinë e drejtuar nga gjeopolitikanët parakë të kontinentit, dhuratë që liderëve athinjotë të antikitetit ua vendosën mbi tepsi Homeri, Herodoti, përkthyesit dhe redaktorët brilantë të Iliadës dhe Odisesë.

Rilindja evropiane dhe Troja

Ideja për hartimin e një makroprojekti që më pas do të quhej Rilindja evropiane, lindi pas “Periudhës së Errët (argumentum et silentium)”, që zgjati në segmentin kohor të shekujve IV-XI pas Krishtit. Kjo periudhë është më pak e ndriçuara në historinë e qytetërimit perëndimor dhe të dhënat që vijnë prej saj jo vetëm nuk sqarojnë, por e shtojnë misterin rreth zhvillimeve në Evropë gjatë atyre 7-8 shekujve.

Gjithsesi, Rilindja evropiane, qoftë si konceptim, qoftë e vlerësuar nga rrjedhojat, dëshmoi të ishte një projekt madhor filozofiko-arsimor, etno-kulturor dhe etatisto-zhvillimor. Megjithatë, qysh në fillimet e Rilindjes, Perëndimi e kuptoi se ishte tejet i vonuar dhe me të drejtë ndihej tmerrësisht inferior përballë Lindjes dhe trashëgimisë së saj kulturore, që vazhdonte të pasurohej nga kontributet e qytetërimeve epokale lindore që ende zhvilloheshin vrullshëm, apo gjallonin, sikurse ai i shteteve arabe të Kalifatit, kinez, indian, indokinez, inkas dhe actek.

Perëndimi nuk gaboi kur kuptoi se me Athinën dhe Romën tashmë rrënoja, me Kostandinopojën dhe Bizantin e asfiksuar nga shtërngimi asfiksues i morsës së selxhukëve dhe mongolëve, me trashëgiminë e shkruar thjesht të mbijetuar nga pergamenat e rrezikuara, do ta kishte të vështirë të rilindte e ringrihej pa një projekt ndërtimtar e zhvillimor që lipsej të fillonte me “themelet, për të arritur tek strukturat mbajtëse sikurse kolonat, arkitrarët, muret…, e deri tek çatia”.

Ndaj duke përmbushur me saktësi dhe skrupulozitet të gjitha kërkesat e detyrës së projektimit, projekti rilindës filloi dhe po ecte me shpejtësi. Ai pas disa shekujsh mundi të plotësohej me tre këmbë-kolonat, që ishin: Athina e Lashtë; Roma e Lashtë dhe Evropa e qyteteve prej guri me kisha, universitete e shtypshkronja, me mbretëri, shtete, principata, dukate e konte, me flotë e industri metalesh e me avull, si dhe me bujqësi të zhvilluar. Mungonte vetëm këmbë-kolona e katërt: Troja homerike me shkëlqimin e saj marramendës, që bashkë me asetet e tjera do të sfidonte pa droje qytetërimet rivale, pavarësisht të qënit e saj larg si realitet (ende në trajtat e mitit).

E ku mund ta mbanin kolonat e tjera qytetërimin perëndimor pa kolonën kryesore, Trojën… Pritej vetëm rasti që Troja të rilindte nga hiri si Feniksi, me qëllim që Perëndimi të përligjte pretendimet për madhështi qytetërimore dhe t’i jepte krah ëndrrës së shkëlqimit kulturor dhe zhvillimit superior ndaj rivalëve. Dhe rasti erdhi me “zbulimin e saj prej Schliemannit”. Ndofta ky rast u kërkua dhe u stis doemos dhe ndofta Jaçimoviqi serb mund të ketë të drejtë kur thotë se Schliemanni e shpalli zbulimin e thesarit të Priamit pranë muzgut, pasi më parë kish përzënë punëtorët…

Ndaj u investua kaq shumë politikisht projekti i Trojës së Schliemannit, e cila menjëherë iu ridhurua si hipotekë politike e kulturore Greqisë, ndërsa si pronësi dhe administrim territorial iu la Turqisë… të cilën dy dekada më parë Perëndimi e mbështeti dhe e mori nën sqetull pas disfatave të rënda në përballjen me Rusinë dhe pas konflikteve të përgjakshme që i dhanë emrin Krizës Lindore në mesin e shekullit IXX.

Gjeopolitika dhe Troja e Schliemannit

Mbrojtja e Turqisë nga Perëndimi në shekullin IXX ishte projekt i mirëfilltë politik antirus e antisllavo-ballkanik, ndërsa Troja e Schliemannit ishte çelësi dhe kolateral-garancia hipotekore e këtij projekti.

Ky projekt ishte hartuar e ngjizur nga Prusia qysh në fillimshekullin XIX dhe do të potencohej edhe me pavarësimin e Greqisë, çka e shndërroi këtë shtet me mbret prusian në një aktor dhe faktor politik të rëndësishëm në gadishull nëpërmjet investimit politiko-ushtarak e financiaro-njerëzor të Prusisë, principatave gjermane, Britanisë, Francës dhe Austrisë, për t’i përdorur Greqinë dhe Turqinë si diga për ndalimin e ekspansionit të avanposteve rusë të sllavëve ballkanas: Serbisë dhe Bullgarisë drejt zemrës së Mesdheut, nëpërmjet deteve Egje, Adriatik e Jon.

Por, detyra kryesore për të bërë digën e Rusisë iu besua Turqisë, e cila për një shekull u mbajt në këmbë me mbështetjen e Fuqive të Mëdha deri në fillimshekullin XX kur shpërthyen luftërat ballkanike.

Në vitin 1830, Prusia nisi financimin dhe drejtoi modernizimin e ushtrisë turke me gjeneralin e famshëm Moltke, duke u potencuar më pas nga Anglia, e cila kësisoj vulosi protektoratin anglosakson mbi Turqinë antisllave.

Ardhja në fuqi e Bismarckut qysh në fillimvitin 1871, shpallja prej tij e programit për unifikimin e Gjermanisë në formën e një konfederate, furnizimi i Turqisë me armatime dhe teknologji ushtarake, shpallja e zbulimit të Trojës si fitore madhore dhe financimi i bujshëm i saj alarmuan me të drejtë Rusinë së cilës iu mbyll dera e Bosforit.

Shën Petersburgu kuptoi se Kriza Lindore nuk kish mjaftuar për të mposhtur Turqinë që tashmë mbrohej edhe nga Bismarcku dhe së shpejti nga Gjermania e bashkuar. Duheshin nxitur avanpostet sllave të sulmonin Turqinë. Dhe, kështu ndodhi teksa fillimisht, në vitin 1876 u ngrit Serbia që nisi sulmin ndaj trevave shqiptare nën Turiqi në në Nish, Vranjë, Kurshumli, Prokuplje, Leskovc, etj. Pas një viti Bullgaria sulmoi Turqinë në Thraki dhe pas saj Rusia shpërtheu luftën ruso-turke në fillimvitin 1878. Turqit pësuan disfatë në të tre frontet dhe Rusia tutore me Serbinë e Bullgarinë e detyruan Portën e Lartë të nënshkruajë Traktatin e turpshëm të Shën Stefanit.

Evropa u trondit dhe Bismarcku kërkoi mbledhjen urgjente të Kongresit të Berlinit nën kryesimin e tij, ku hodhi poshtë vendimet e Shën Stefanit që e nxirrnin Bullgarinë në Egje. Ndërkohë, për të marrë me të mira Malin e Zi e për ta detyruar t’i bllokojë Serbisë rrugëdaljen në Adriatik, Fuqitë e Mëdha e qerasën atë me krahinat e famshme shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, Rozhajës, Ulqinit e Tivarit.

Që këtejmi u ngjiz projekti përfundimtar gjeopolitik i Perëndimit për bllokimin e avanposteve ruse, serbëve dhe bullgarëve për të dalë në Mesdhe.

Gjatë Luftës së Dytë Ballkanike, ishte Greqia e përkrahur nga Gjermania dhe Anglia që mori me pushtim Selanikun metropolitan mbarëballkanik mesdhetar në fillimvitin 1913, duke i prerë rrugëdaljen në Egje dy aleatëve të saj sllavë kundër shqiptarëve: serbëve dhe bullgarëve. Ky pushtim u ligjërua në Konferencën e Londrës.

Kjo periudhë përkoi me shkartisjen dhe hedhjen nga e para të letrave nga Fuqitë e Mëdha për rindarjen e botës dhe u shoqërua edhe me realizimin e planeve dhe aleancave fluide, nëpërmjet të cilave Fuqitë e Mëdha dhe shtetet e tjera synonin të zgjeronin territoret, kolonitë dhe zonat e influencës.

Skemat e Luftës së Parë Ballkanike dhe më pas vendimet e Versajës pas saj nuk e ndryshuan projektin gjeopolitik antisllav, megjithë rreshtimet plot zell të bullgarëve e serbëve në krah të palëve ndërluftuese.

Për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi i Rusisë, Fuqitë e Mëdha realizuan Jugosllavinë mbretërore dhe pas saj atë komuniste të Titos, por ama çelësat e Adriatikut u mbetën sllovenëve dhe kroatëve katolikë, malazezëve kanakarë të Italisë dhe Perëndimit, si dhe shqiptarëve antisllavë.

Ishin Fuqitë e Mëdha pas Luftës së Parë Ballkanike që e ndanë Thrakinë perëndimore midis Turqisë dhe Greqisë në vitin 1923, duke i mbyllur Bullgarisë dhe Serbisë rrugën për të dalë në Egje.

Para Luftës së Dytë Botërore serbët dhe italianët bënë paktin Çiano-Stojadinoviq për ndarjen e Shqipërisë, por pakti ishte thjesht mashtrim italian pasi Italia sulmoi Shqipërinë, Jugosllavinë dhe Greqinë duke pushtuar dy të parat. Gjatë LDB Bullgaria dhe Kroacia u bënë me Hitlerin e Duçen për të përfituar nëpërmjet zgjerimit të territoreve të synuara, por pa sukses. Pastaj, megjithëse Stalini doli fitimtar absolut, nuk mundi t’i nxjerrë avanpostet e tij në Mesdhe (Adriatik, Jon dhe Egje), sepse çelësat mbetën sërish në të njëjtat duar.

Nga kjo skemë shekullore gjeopolitike përfitoi edhe Enver Hoxha, që mundi të sigurojë pushtetin dhe kufijtë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe pas daljes nga Traktati i Varshavës në vitin 1968.

Do të mjaftonte kjo panoramë gjeopolitike ballkanike për të kuptuar ndërthurjen e interesave dhe kundërvëniet deri edhe me ngjyresa “shkencore” midis ballkanasve, me ndihmën e padyshimtë të Fuqive të Mëdha.

Gjeopolitika dhe “Troja” e Jaçimoviqit

Në prag-shpërbërjen e Jugosllavisë në vitin 1991, kur Shqipërisë i merreshin këmbët dhe filoserbët në politikën shqiptare filluan shkatërrimin e ushtrisë, i yshtur nga trimërimi i Sllobodan Millosheviqit dhe cubat e Rozafa-Moraçës në Shqipëri, serbi Jaçimoviq shpalli “Shkodër-Trojën serbe” tek “Shkëndija komuniste”.

Rifuqizimi i Rusisë dhe ekspansioni Putinian drejt Ukrainës lindore, Krimesë dhe Ballkanit, e shtyu Jaçimoviqin drejt Rusisë ku mori përgëzimet për Tezën e Shkodër-Trojës serbe dhe u kooptua “shkencëtar” në Rusinë Putiniane në vitin 2009.

Që Troja homerike u shndërrua në aspiratë dhe projekt gjeopolitik grek në antikitet për ekspansion ndër të tjera edhe në Azinë e Vogël, tashmë nuk ka kurrfarë dyshimi.

Që Troja e Schliemannit u shndërrua në epiqendrën e projektit gjeopolitik antisllav të Bismarckut dhe mbarë Perëndimit, e ka konstatuar vetë Jaçimoviq dhe unë padyshim që e kam pranuar si tezë të saktë pasi kështu më rezulton nga analiza gjeopolitike.

E, përse të mos vazhdoj me këtë logjikë edhe për analizimin e “zbulimit të Shkodër-Trojës serbe”, që padyshim na çon drejt projektit gjeopolitik ruso-serb në Ballkan, që tanimë na shpërfaqet edhe me trajtat e “Mitrovicë-Trojës serbe” dhe “Zajednicë-Trojës serbe” në Kosovë?!

Gjeopolitika e shteteve sllavo-antishqiptare mbetet po ajo: mijëravjeçarja dhe shekullorja. Madje asaj mund t’i ndajshtohen si vektorë fuqie edhe lobingjet antishqiptare, rusofile e serbofile, krahas klaneve të tradhtarëve brenda nesh.

Ndaj më shqetësoi Jaçimoviqi serb që i takon një shteti të armatosur deri në dhëmbë, me Rusinë nga pas, përballë ne shqiptarëve të keqarmatosur, që presim të na japin armë e të na ndihmojnë nëse na sulmojnë serbët, ndërkohë që 20 vjetët e fundit u kemi dhuruar: kuota strategjike dhe dymijë hektarë tokë shqiptare maqedono-bullgarëve; kuota strategjike dhe tetëmijë hektarë tokë shqiptare malazezëve me mashtrime dhe premtime perëndimore; kurse tash na kërkojnë Trepçën megjithë Mitrovicë e tri komunat, pasi më parë na kanë kërcënuar me Shkodër-Trojën si skemë gjeopolitike ruso-serbe.

Më gjeni një shtet në planet që për minoritete pesë për qind të popullsisë i kërkojnë 16 ër qind të përfaqësimit në Parlament dhe fillimisht autonominë vetëqeverisëse e më pas dhurimin e 25 për qind të territorit?

Dhe, pastaj tradhtarët atdheshitës na flasin për aleatë strategjikë, po kurrë nuk përmendin se nga ata lobistë rusofilë e serbofilë që nuk kanë asnjë detyrim ndaj shqiptarëve dhe nuk u kemi asnjë borxh, na kërkohet të falim atdheun me duart tona.

Jo, trojet armiqve historikë u dorëzohen vetëm me luftë dhe kurrë me marrëveshje. Atë që mezi e rifituam me lumenj gjaku nuk mund ta dhurojmë në tavolinë.

“Jaçimoviqët” antishqiptarë i kemi brenda nesh. Nuk shkruajnë vetëm libra, por shpalosin projekte konkrete. /Telegrafi/