LAJMI I FUNDIT:

Rusia me dezinformata këmbëngul në ‘viktimizimin’ e Serbisë në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s

Rusia me dezinformata këmbëngul në ‘viktimizimin’ e Serbisë në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s

Më 24 mars 1999, Aleanca Veri-Atlantike (NATO) kishte filluar operacionin ushtarak kundër Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas NATO-s, fushata ajrore në shkallë të gjerë kishte për qëllim të ndalonte spastrimin etnik nga forcat serbe të shqiptarëve në Kosovë. Bombardimet përfunduan më 10 qershor 1999, pasi presidenti i ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq nënshkroi kapitullimin duke tërhequr trupat ushtarake nga Kosova.


Refugjatët shqiptarë u lejuan të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe Kosovës iu dha vetë-qeverisja, duke hapur rrugën për pavarësi të plotë. Millosheviq vdiq në vitin 2006, deri sa ishte duke u gjykuar për krime lufte në Hagë.

Këtë javë, Rusia, e cila gjithmonë ka dënuar sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, në 22 vjetorin e fushatës ajrore, ka publikuar një deklaratë përmes Ambasadës së saj në Britani të Madhe.

“Në këtë ditë në vitin 1999, NATO filloi agresionin e saj ushtarak kundër Jugosllavisë. Gjatë bombardimeve barbare, mbi 2 mijë civilë, përfshirë fëmijë, humbën jetën. Ky agresion ushtarak i NATO-s u bë vepra e parë e armatosur kundër një shteti sovran në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, shkroi në Twitter Ambasada, përcjell Telegrafi.

Përshkrimi i fushatës së bombardimeve të vitit 1999 si “agresion ushtarak” nga Rusia ka një rëndësi të madhe. NATO nuk kishte mbështetjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të filluar sulmet ajrore. As Jugosllavia nuk kishte sulmuar ndonjë anëtar të NATO-s, duke lejuar vetëmbrojtjen kolektive sipas nenit 51 të kartës së KB-së.

Sidoqoftë, përpjekjet e përsëritura për të detyruar Millosheviqin që t’i jepte fund agresionit ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk patën asnjë efekt.

Rreth 250 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre deri në vjeshtën e vitit 1998 dhe me një katastrofë humanitare që po afronte, ngjarjet sikurse masakra e Reçakut kontribuuan në vendimin për të përdorur forcën ushtarake.

Ditën kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s, sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i KB-së, Kofi Annan sulmin ushtarak e karakterizoi si veprim për të ardhur keq por të domosdoshëm.

“Gjatë vitit të kaluar [1998], në shumë raste, unë u kam bërë thirrje autoriteteve jugosllave dhe atyre shqiptare të Kosovës që të arrijnë paqe mbi luftën. Më vjen shumë keq që përkundër të gjitha përpjekjeve të bëra nga bashkësia ndërkombëtare, autoritetet jugosllave kanë këmbëngulur duke refuzuar për gjetjen e një zgjidhje politike, e cila do të ndalonte gjakderdhjen në Kosovë dhe të siguronte paqe për popullatën. Është me të vërtetë tragjike që diplomacia ka dështuar, por ka raste kur përdorimi i forcës mund të jetë i ligjshëm në kërkim të paqes”, kishte thënë Annan.

Diplomacia ruse gruan refugjate nga Kosova e quan viktimë serbe në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s
Lexo po ashtu Diplomacia ruse gruan refugjate nga Kosova e quan viktimë serbe në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s

Një raport i NATO-s, i publikuar një vit pas përfundimit të fushatës ushtarake kishte rënditur qëllimin dhe sfidat e operacionit.

“Pjesa më e madhe e përpjekjeve të NATO-s kundër shënjestrave kishte për qëllim objektet dhe automjetet ushtarake, forcat fushore, armatimin e rëndë dhe formacionet ushtarake në Kosovë dhe në jug të Serbisë. Shumë prej këtyre objektivave ishin vështirë për t’u gjetur, veçanërisht gjatë motit të ligë dhe fazës së hershme të fushatës. Sulmet u komplikuan nga përdorimi i shtëpive dhe ndërtesave civile nga forcat serbe për t’i fshehur armët dhe automjetet, gjithashtu përzierja e automjeteve ushtarake me autokolona civile dhe ndonjëherë, përdorimi i mburojave njerëzore”, thuhet në raport.

Të dhënat e disponueshme konfirmojnë se NATO kishte për synim ushtrinë jugosllave dhe jo civilët.

Gjatë fushatës ajrore 78-ditore, avionët e NATO-s realizuan 38,400 fluturime, duke përfshirë 10,484 sulme, në të cilat u hodhën 23,614 predha.

Human Rights Watch (HRW) arriti në përfundimin se, “u vranë jo më pak 489 dhe jo më shumë se 528 civilë”. Po ashtu, organizata vuri në dukje se 66 për qind e këtyre vdekjeve ndodhën në 12 incidente.

Ambasada e Rusisë në Britani të Madhe nuk ka shpjeguar se si arriti në shifrën e 2 mijë vdekjeve të shkaktuara nga fushata e bombardimeve të NATO-s.

Përkundrazi, sipas Librit të Kujtesës së Kosovës, e cila dokumenton vdekjet nga viti 1998–2000, numri i përgjithshëm i viktimave të luftës është 13,535. Aty thuhet se, “10,317 civilë humbën jetën ose u zhdukën që kanë lidhje me luftën, nga të cilët 8,676 ishin shqiptarë”.

Për sa i përket vdekjeve civilëve, 1,196 janë serbë dhe 445 janë romë dhe të tjerë që kanë humbur jetën. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori