LAJMI I FUNDIT:

Rruga e gjatë e Kosovës

Ku ndodhet Kosova? Banorët e saj janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në vendet e BE-së. Për këtë, njëri nga shkaqet është dobësia e shtetit ligjor, por edhe të mosunitetit të BE-së. Ajo ende nuk është e pjekur për anëtarësim të shpejtë në Bashkimit Evropian, por duhet shpresuar se ajo mund të bëjë hapa përpara në drejtim të një demokracie me vlera dhe standarde evropiane. Mirëpo, Kosova ka nevojë për ndihmë.

Integrimi evropian i Kosovës është prioritet strategjik i institucioneve të vendit, por shpesh herë kjo mbetet një objektiv vetëm brenda kuadrit retorik të klasës sonë politike. Parë në kontekst, ky proces për Kosovën në fakt është sa i gjatë aq edhe i komplikuar, gjë që demanton pohimet e drejtuesve politik se ne ndodhemi në prag të integrimit. E vërteta është se Kosova ende nuk është e pjekur për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropiane. Dhe këtë fjali do t’i dëgjojmë gjithnjë e më shumë nga Brukseli gjatë viteve të ardhshme, sa më shumë që Kosova do të fokusohet në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që dalin nga agjenda për integrim. Dhe kjo është e pritshme. Masat dhe arsyet e identifikuara për të adresuar sfidat që dalin nga dokumentet e BE-së, si përmes Raportit të Progresit, Dokumentit të Planifikimit Indikativ Shumëvjeçar të BE-së (MIPD) dhe dokumenteve të tjera, do të jenë sfidat e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës, në rend të parë të ekzekutivit të vendit, i cili për dallim deri më tani, duhet të bëj reforma rrënjësore për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen dhe për të realizuar objektivat e afrimit me BE-në.

Pra, kush bëhet se integrimi (anëtarësimi) i një vendi të varfër si Kosova dhe me papunësi më të lartë në Evropë ndodhet para dyerve, është një agjendë e afërt, është jorealist. Të gjitha parametrat tregojnë se procesi i anëtarësimit të Kosovës, duke pasur parasysh se Kosova është i vetmi vend që nuk ka nënshkruar ende Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, do të zgjasë ta paktën edhe dhjetë vite. Dhe gjithçka, çfarë i është premtuar Kosovës deri më tani, mjafton që në këtë periudhë kohore të transformohet në një vend, ku do të mbisundojnë vlerat dhe normat evropiane. Vetëm atëherë BE-ja do të pranonte në mesin e saj. Këtë shans Kosova duhet ta meritoj, dhe kjo do të ishte, jo vetëm fitore e jona, por edhe e BE-së.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, që shënon fazën e fundit të periudhës së gjatë konfliktuoze në Ballkan, drejtuesit e politikës evropiane nuk kanë reshtur së inkurajuari dhe mbështetur politikisht, institucionalisht, por edhe financiarisht, vendet e rajonit, në këtë kuadër edhe Kosovën, me synim konsolidimin e stabilitetit në rajonin. Në këtë kuadër, duhet parë edhe dialogun e paralajmëruar midis Kosovës dhe Serbisë, i cili, për dallim nga të gjitha palët, nga Beogradi synon të përdoret për arritjen e koncesioneve të reja për pakicën serbe, gjë e cila pastaj do të përdoret si një strategji dalëse nga Kosova, respektivisht kur të jetë realizuar planimetria serbe për defunksionalizimin e Kosovës si shtet. Dhe nëse BE-ja tregohet e gatshme, ashtu si deri më tani, për t’i bërë lëshime Beogradit, ose kompromiset eventuale do të rezultojnë për shkak të mungesës së kohezionit në të Brukselit në planin e politikës së jashtme, ashtu siç ndodhi me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës (mosnjohja nga pesë vende anëtare) dhe me rastin e vendosjes së EULEX-it (statusi neutral), një gjë e tillë do të shkaktojë frustrim të madh të shqiptarët e Kosovës, të cilët, kur e krahasojnë (keq)trajtimin e bashkëkombësve të tyre në Luginë e Preshevës nga autoritetet e Serbisë dhe në Maqedoni nga pala maqedonase, ankohen se BE dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar po përdor dy kute për trajtimin e çështjeve etnike.

Frustrimi

Po kështu, siç dihet për shkak të pritjeve të mëdha, shqiptarët e Kosovës e përjetuan me frustrim dhe zhgënjim anashkalimin e tyre në procesin e liberalizimit të vizave. Kështu, aktualisht banorët e saj janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në vendet e BE-së. Për këtë, njëri nga shkaqet është dobësia e shtetit ligjor, por edhe mosuniteti i BE-së në raport me Kosovën, respektivisht për faktin se 22 vendet e BE-së, të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës, kanë pranuar t’i nënshtrohen qëndrimit të pesë vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Për më tepër, kur i shtohet kësaj fakti se Maqedonia dhe Kroacia qysh në vitin 2004, përkatësisht në vitin 2005 ratifikuan Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit, pastaj, Shqipëria dhe Mali i Zi, me 2006 dhe 2007, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 2008 dhe Serbia me 2010, atëherë shohim se Kosova ka para vetes një rrugë të gjatë dhe të vështirë, pasi askund nuk duket në procesin e ratifikimit të kësaj marrëveshje. Në të njëjtën kohë, analiza e përvojave të vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, të cilat tani janë anëtare të BE-së, dhe atyre të Ballkanit që janë në fazën e anëtarësimit, mund të ndihmojë shumë në përgatitjen dhe implementimin e infrastrukturës ligjore dhe planifikimit buxhetor kompatibil me kërkesat që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian. Reforma e tyre kërkon një kornizë e cila do të mundësojë përmirësimin e kapaciteteve absorbuese të Kosovës dhe përdorimin e atyre fondeve për të adresuar sfidat eintegrimit në fazat e mëvonshme.

Përvoja ka treguar që resurset e brendshme shtetërore për bashkëfinancim të projekteve, kapacitetet adekuate administrative në nivel qendror dhe lokal, një qasje praktike për implementim të procedurave, një proces i suksesshëm i planifikimit, dhe një koordinim ndër-institucional dhe, janë çështjet më të rëndësishme për shfrytëzimin e fondeve të BE-së.Në një vështrim të përditshmërisë politike në Kosovë, nuk është e vështirë të shohim deficitet e shoqërisë kosovare në plan, veçanërisht sundimi i ligjit dhe korrupsioni janë faktor frenues për mirëqenien e qytetarëve, e që nuk janë çështje që janë identifikuar vetëm nga Brukseli, por edhe nga vetë kosovarët. Prandaj, sfidat janë të jashtëzakonshme për një shtet të ri dhe të brishtë, gjë që nganjëherë frustrimi është i madh. Dhe kjo bënë që qytetarët të humbin besimin tek klasa politike dhe institucionet e vendit, kur në horizonte nuk duket akoma një agjendë e qartë nacionale, e cila do të bënte që Kosova të përjetoj një transformim historik.

Por, nëse shikojmë vetëm një dekadë para, para 10 qershorit 1999 – një vit vendimtar për rrugëtimin tonë në Evropë: për Kosovën që luftonte kundër një regjimit diktatorial, me një regjim që përfaqësonte vetëm dhunë dhe represion, me synimin për zhbërjen etnike. Pastaj erdhi qershori i vitit 1999. Kosova u vendos nën protektoratin ndërkombëtar dhe administrimin e Kosovës e mori OKB. Dhe Kosova u desh të priste gati një dekadë për adresimin e statusit të saj, në mënyrë që perspektiva evropiane të bëhej më e qartë. Dhe nëse shikojmë pas më shumë se dhjetë viteve, Kosova ka arritur shumë, por jo aq sa ka pasur mundësi dhe aq sa asaj i nevojitet për integrim në BE.

Në fazën e pas pavarësisë ajo ende ka mbetur peng e temave të mëdha nacionale, si njohja ndërkombëtare e shtetësisë, vendimi i Gjykatë Ndërkombëtare të Hagës, pastaj çështja e anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar, integrimi i veriut të vendit dhe sërish çështja e dialogut me Serbinë. Por njëkohësisht Kosova kurrë nuk ka qenë me kaq mundësi të mëdha, ashtu si tani për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe konsolidim të demokracisë. Për këtë, Kosova ka një shoqëri të re dhe potencial, që do të duhej dhënë mundësia dhe shansi për ndërtimin e një sistemi kompatibil me vlerta dhe standardet evropiane. Në të kundërtën, ndaj Kosovës do të përdoret modeli turk, prolongimi i anëtarësimit të largët në BE.

E ardhmja evropiane

Lidershipi i Kosovës, veçanërisht disa zyrtarë të lartë politikë të pozitës, të cilët si asnjëherë deri më tani ishin cak përfoljeve të disa medieve perëndimore, që si pikënisje kishin raportin diskreditues të zviceranit Dick Marty, i cili duket se është i hartuar sa me thashetheme aq edhe me raporte të hetuesve dhe policisë politike serbe, në të ardhmen u mbetet të demonstrojnë më fuqishëm përkushtimin e tyre, jo vetëm për riparimin e reputacionit të tyre të tronditur, por edhe për një të ardhme evropiane të Kosovës. Sidoqoftë, dëmtimi i imazhit të drejtuesve politik shqiptarë në Perëndim- pa marrë parasysh a janë apo jo ata fajtor, do të jetë një hendikep për drejtimin e vendit dhe për ta një barrë e madhe në këtë rrugëtim, por megjithatë ata duhet konfirmuar se ndërtimi i sistemit të mirëfilltë demokratik dhe shtetit ligjor nuk ka alternativë, si predispozitë i domosdoshëm për integrim në BE.

Tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, Prishtina zyrtare ende nuk ka bindur qendrat ndërkombëtare të vendosjes për kapacitetet e saj qeverisëse, veçanërisht në sundimin e ligjit. Derisa Brukseli me qendrat tjera ballkanike bisedon për agjendat integruese, me Prishtinën për ironi agjenda është fokusuar kryesisht në çështje dhe problematika të individëve të caktuar në skenën politike, dhe në këtë mënyrë çështjet gjyqësore duke u shndërruar në agjenda politike dhe mediale.

Kosova në 10 vjetët e ardhshme, si anëtare e BE-së, nuk do të jetë Kosova e vitit 2011. Ajo në planin ekonomik dhe në rrugën e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike do të jetë shumë më lartë dhe për këtë, ajo ka nevojë për ndihmë nga Brukseli, e cila do të ishte shpresë se edhe ne do të “udhëtojnë në shina të njëjta”. Kosova duhet të marrë vetë në dorë iniciativën dhe të ardhmen e saj evropiane. Sido që të jetë, Kosova ndodhet para një rrugë të gjatë dhe të vështirë për integrim në Bashkimin Evropiani.

(Autori është drejtor i Arkivit Shtetëror të Kosovës)