LAJMI I FUNDIT:

Rreziku për mbijetesë, reduktimi i numrit të punëtorëve dhe humbjet financiare – disa nga pasojat e COVID-19 në bizneset e Kosovës

Humbja e aftësisë për të punuar, rreziku për mbijetesë, reduktimi i numrit të punëtorëve dhe rritja e humbjeve financiare janë disa nga efektet e deritanishme që ka sjell pandemia e COVID-19 në bizneset e Kosovës.

Kështu thuhet në raportin e përgatitur nga pesë odat ekonomike në vend.


Sipas kësaj ankete, e cila është kryer me 462 biznese në fillim të muajit prill rezulton se, rreth 84 për qind e bizneseve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre për të punuar, shkruan Telegrafi.

Sa i përket perceptimit të ndërmarrjeve të anketuara, rreth 95 për qind e bizneseve e vlerësojnë krizën e COVID-19 si negative.

Gati 92 për qind e bizneseve kanë deklaruar se shitjet janë zvogëluar si pasojë e krizës.

“Nga të dhënat e zbërthyera sipas madhësisë së kompanisë, duket se më të ndikuarat nga rënia e nivelit të shitjeve janë ndërmarrjet mikro kanë rënie mbi 50 për qind dhe ato të vogla kanë shënuar përgjysmim të shitjeve”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Raporti tregon se, mbi 60 për qind e bizneseve besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e tyre.

“Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndjehen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65 për qind të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8 për qind e ndërmarrjeve të mesme dhe 40 për qind ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre”, thuhet në anketë.

Odat thonë se ndërtimtaria është sektori më i rrezikuar.

“Sipas sektorëve, më i rrezikuari është sektori i ndërtimtarisë me 75 për qind, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë me 57.3 për qind, prodhimtaria me 56.6 për qind dhe tregtia me shumicë me 54.7 për qind”, thuhet në raportin e përgatitur nga odat, përcjell Telegrafi.

Për sa i përket numrit të punonjësve, 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

“Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ku vetëm 10 për qind e tyre kanë larguar deri në 30 për qind të fuqisë punëtore. Ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla ku rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve”, thuhet në anketë.

Në fund, 76 për qind të bizneseve shprehen se janë të kënaqura me qartësinë e vendimeve të Qeverisë së Kosovës. /Telegrafi/