LAJMI I FUNDIT:

Rembo dhe Migjeni, dy kolosët e pafat

Rembo dhe Migjeni, dy kolosët e pafat

Rembo (Arthur Rimbaud, 1854-1891) dhe Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla, 1911-1938), janë poetë modernë që kanë shumë të përbashkëta në fatet jetësore dhe krijimtaritë e tyre poetike.

Bujar Meholli


Poetika e Migjenit ka afërsi me tiparet e shumta eskpresioniste – temat, personazhet, idetë, vizionet, e mjetet shprehëse. Është një nga thyesit e traditës poetike shqipe dhe me të nis një epokë e formës së hapur ku shpeshherë subjekti është më i fortë se forma. Ai vepron te ngjarjet dhe ajo që shkruan është sociologji e përgjithshme – këtë e dëshmojnë temat e reja e të forta, që rrinë edhe mbi mjetin.

Rembo, poet i jetës boheme, i dhimbjes e dramës njerëzore, është i përafërt me jetën dhe veprën e Migjenit. Pikëtakimi i tyre është padyshim përdorimi i vargut. Migjeni p.sh. përdorë vargun Aleksandrin te “Vargjet e lira”. Por, pikëtakimet vazhdojnë edhe me kohëzgjatjen e krijimtarisë së tyre. Derisa poeti francez dëshpërohet thellë për shkak të indiferencës së parnasistëve për librin e tij “Një stinë në ferr”, Migjeni dëshpërohet për shkak të censurimit të “Vargjeve të lira”. Kur boton librin “Një stinë në ferr” që përmbante vizione tjera nga ato të traditës, e kur asnjë s’merrte mundin ta shihte këtë libër, Rembo i zhgënjyer nis t’i djeg kopjet e tij. Ndaj, Rembo shkruan për veç pesë vite poezi, ndërsa Migjeni nuk shkruan më pas dorëshkrimit të 27 korrikut 1938. E përafërt është edhe jeta e tyre private: Olga, motra e Migjenit, dhe Isabela motra e Rembosë, do t’u qëndrojnë pranë dy poetëve – deri në frymën e tyre të fundit.

Krijimtaria poetike e Migjenit merr hov dhe zhvillohet brenda pak viteve, gjegjësisht nga viti 1932-35, ku shfaqet revolta e tij në mbrojtje të klasave të varfra e të shfrytëzuara. Idetë e tij mëtojnë një shoqëri ndryshe, ku secili individ do të gëzonte të drejtat e barabarta. Derisa më parë poetët himnizonin Shqipërinë, Migjeni nuk ndalet te kjo pjesë. Madje, atij nuk i intereson e kaluara e as lavdi kombëtar. Ai shfryn dufin nëpërmjet vargjeve dhe përshkruan në mënyrë realiste gjendjen që kishte pllakosur Shqipërinë.

Në anën tjetër, Rembo ishte antikonformist. Parnasianët nuk e pranuan në rrethin e tyre, por talentin e tij e vë në pah Verleni (Paul Verlaine, 1844-1896), me të cilin përjeton aventura nga më të çuditshmet. Ata bredhin nëpër Paris – nëpër kabare, bistro e lagjet boheme. Së bashku do të ikin në vende tjera, në “kërkim” të lagjeve libertine që gëlojnë nga prostitutat dhe homoseksualët.

Pasi ndahet nga Verleni, Rembo nis një jetë të re e të vetmuar. Do të ikë në fshatrat e humbura afrikane, shpeshherë i uritur dhe i rrezikuar. Më pas, mjekët do të konstatojnë se ai vuan nga kanceri – nga neoplazma e kofshës që ia kishte dëmtuar gjurin. Për këtë detyrohen t’ia presin këmbën. “Jeta ime është një mjerim i pafund”, do t’i shkruan ai së motrës. Përderisa më parë tallej me Zotin dhe me Krishtin, kah fundi i jetës bëhet besimtar që kërkon paqe me Krijuesin.

As Migjeni nuk e besonte Zotin. Si i ri e shkruan poezinë “Blasfemi“, për të cilën dënohet nga kisha. Ka shumë gjasa që poezia e Migjenit të jetë frymëzuar nga ajo e Rembosë, i cili ishte bërë i njohur atë kohë edhe në Shqipëri. Dihet që Migjeni e kishte lexuar “Anijen e dehur” në italisht dhe se vargu i tij i lirë i ngjasonte Rembosë.

Për ta deshifruar poezinë e Rembosë (që nis të shkruajë si 16-vjeçar), duhet pasur kulturë të veçantë letrare, biblike, mitologjike dhe linguistike. Pastaj, nëse nuk njihet mirë jeta e poetit, poezia e tij duket hermetike.

“Anija e dehur”, që konsiderohet si kryevepra e tij, këput çdo lidhje të mundshme me traditën. Për të nis një aventurë të çuditshme – me komunikimin metaforik dhe subjektin anonim – që anon kah e pamundura, kah surrealja dhe që kërkon të thellën, misteriozen, ndjesinë më të brendshme të mundshme. Qe vetëm 18-vjeçar kur e shkroi këtë poemë madhore – një agoni koherente, ndër më interesantet në letërsinë botërore.

Poezia e tij nuk përligj analiza; ajo i largohet kuptimeve dhe domethënieve. Prandaj, teoricieni i madh i modernizmit frëng, Maurice Blanchot, do të thoshte për Rembonë: “Po ta dija se ç’është Remboja, do ta dija ç’është poezia dhe nuk do të kisha më përse të shkruaja”…

Siç kemi të bëjmë me titull simbolik te “Anija e dehur”, po kështu kemi edhe “Vargjet e lira” të Migjenit – përmbledhje poetike e cila na flet për një botë krejtësisht të lirë, që është qëllimi i qartë i poetit. Ai jo vetëm që nuk i përmbahet formës dhe përmbajtjes, por njëkohësisht e thërret lexuesin në kryengritje deri në çlirimin e plotë të artit poetik.

Moderniteti i poezisë së Migjenit na shfaqet edhe në rrafshin stilistik, me figurën e metaforës, që është kruciale në gjithë shprehjen e tij poetike. Ajo, metafora, është krejt e çliruar dhe përdorimi i saj dallon nga poetët tradicionalë. Metafora te Migjeni është çdoherë në lëvizje dhe mëton t’i lidhë imazhet drejt një muzikaliteti interesant.

Remboja dhe Migjeni janë manifest i poetëve rebelë. Rembo dhe universi i tij na del përpara si një oqean me thellësi mistike, me ujëra të çuditshme, që të shpien te e panjohura, te dykuptimi i fjalëve, dhe ndërtimi i tyre në ajër. Poezitë e tij krijojnë magjepsje që përmban në vete një lloj hermetizmi që ta shton kërshërinë për t’i lexuar dhe shijuar. Fjalët që përdor ai lidhen me të tërën, duke krijuar nevojën e shpjegimeve.

Kështu, derisa Rembo në Francë sjell një tip të ri të poezisë, Migjeni e bën këtë në letërsinë shqipe. Migjeni pra bëhet Remboja shqiptar, duke i sjellë letërsisë shqipe ndjesi, misticizëm dhe imazh tjetër poetik.

Jeta e Rembosë, si dhe e Migjenit, ishte tejet komplekse. Gjatë gjithë jetës së tij, i riu nga Sharlevilli ishte në kërkime intelektuale dhe përgjatë këtij synimi hasi në mohime nga më të ndryshmet. Stili i tij i sjell përbuzjen që e çon në depresion të thellë. Edhe Migjeni, i përcjellë nga fati i keq, kalon nëpër shumë sprova të rënda gjatë jetës së shkurtër: përkundër vullnetit, shumica e dëshirave të tij mbeten të parealizuara, sepse ishte shëndetlig dhe në gjendje jo të favorshme ekonomike.

Remboja nga ana tjetër konsiderohet si mishërim i poetit të mallkuar. Si 16-vjeçar (kur nis të shkëlqejë në thurjen e vargjeve), bëhet refuzues i gjithçkaje, përfshirë familjen, skemat edukuese, bindjen ndaj shablloneve morale. Në poezinë e tij hasim alkoolin, drogën, burgun e homoseksualitetin (lidhje e dashurisë me Verlenin). Ndërkaq, te “Vargjet e lira”, Migjeni nuk i bindet autoritetit; revoltohet kundër dhunës e shfrytëzimit, kundër politikave të këqija e hipokrizisë shoqërore. Poezia migjeniane fton në revolucion; ajo proteston, ëndërron dhe shpreson për ditët e mira.

E botuar në vitin 1936, “Vargjet…” hapen me “Parathënien e parathënieve” që i bën të qarta qëllimet e tij humane, deri te krijimi “Njeriut të Ri” që s’do të mbesë skllav i borgjezëve, por që do të krijojë një jetë të re ku ai do të jetë zot i vetvetes. Te “Këngët e ringjalljes” Migjeni kërkon kryengritje shoqërore, derisa vazhdon me ciklin e këngëve të mjerimit ku godet feudalët. Revolta e tij vazhdon edhe në ciklet pasuese, për çka profesori Sabri Hamiti thekson: “Migjeni nuk asht rreze dielli qi len, por rreze dielli qi perëndon. Asht lajmtar i kohës së re, jo fillues i saj. Bir jo i shekullit të ri, por i mbrami bir, rebel, i shekullit të vjetër”.

Një tjetër pikëtakim mes këtyre dy poetëve, siç e cekëm më parë, është figura e motrës. Të dy motrat e poetëve fatkeq, do t’ju qëndrojnë pranë vëllezërve kur ata do të lëngojnë. “Im vëlla njëzet vjeç u kthye në Shkodër, kërkoi bursë por nuk ia dhanë. Ishte çdoherë delikat. Tek punonte si mësues në Vrakë, atij iu desh të udhëtonte me biçikletë për ditë, në shi e në vapë, me ata pak ushqim që merrte me vete. Kështu iu zgjua sëmundja e mushkërive, dhe pasi s’gjeti shërim askund në Shqipëri, më 22 dhjetor të vitit 1937 erdhi në Torino, ku dëshironte t’i binte mbas shëndetit, dhe të regjistrohej në Fakultetin e Letërsisë. Në fillim u duk sikur po shërohej, mirëpo më vonë sëmundja morri hov. Pas operacionit iu pre oreksi, humbi fuqinë dhe humorin e tij tërheqës. Së fundmi, ia dolëm ta vendosim në ‘Ospedale Valdese’ në Tore Peliçe, afër Torinos. Ndejti me javë aty, pa lëvizur nga shtrati, me ngapak ushqim dhe duke folur tepër rrallë, i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhej”, do të shkruaj Olga më vomë.

Edhe Isabela, motra e Rembosë, në kujtimet e saj të titulluara “Vëllai im Artur Rembo”, shkruan për përsiatjet dhe vështirësitë e poetit, për sëmundjen e rëndë, për tronditjet shpirtërore për dhe kujdesin që ajo s’do ta kursejë për asnjë çast. “Këmba e tij e majtë”, do të kujtojë Isabela, “ishte gjithnjë e ftohtë dhe dridhej nga dhimbjet. Gjatë gjithë ditës e ruaja dhe i përgatisja për të ngrënë, por ai refuzonte të hajë. Tek shihte nga dritarja qiellin pa re, fillonte të qajë duke më thënë: ‘Unë do të futem nën tokë, ndërsa ti do të ecësh në diell!’ Dhe kështu, dëshpërimi i tij ishte i papërkshkrueshëm, ankim pa pushim”…

Kur mbushi 37-vjeç, dhjetë vite më shumë se Migjeni, Rembo ishte i palëvizshëm, me makthin e vdekjes. Vetëm koha e bukur e adoleshencës i shfaqet para syve, e ëmbël, e dhimbshme dhe fluturake. Isabela e di se vdekja po i vinte me hapa të mëdhenj, pasi vendi ku i kishin prerë këmbën ishte fryrë dhe kanceri i qe shpërndarë.

Të dy poetët vdesin të rinj, me shumë ëndrra të parealizuara. Por, ia dolën ta transformojnë poezinë dhe për t’i thyer konditat tradicionale. Vizioni i tyre ishte liria… Poezia e tyre është vet liria. /Telegrafi/