LAJMI I FUNDIT:

Qeveria dhe SBASHK-u ende pa vullnet për dialog social, kërkohet ndryshimi i Ligjit për greva

Qeveria dhe SBASHK-u ende pa vullnet për dialog social, kërkohet ndryshimi i Ligjit për greva

Viti i ri shkollor i ka gjetur mësimdhënësit në grevë. Tashmë kur kanë kaluar 14 ditë që nga nisja e grevës së përgjithshme, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASH) nuk ka dhënë sinjale për ndërprerjen e saj.

Përkundër thirrjeve të institucioneve, organizatave e prindërve që nxënësve të mos u shkelet e drejta për shkollim, sindikata ka thënë se greva do të vazhdojë, pavarësisht pakos së re të prezantuar nga ekzekutivi, e cila pritet të mbështesë të gjithë sektorin publik me nga 50 euro.


Kërkesa kyçe e sindikalistëve është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Megjithatë, një kërkesë e tillë nuk po gjen mbështetje nga Qeveria e Kosovës, e cila po e konsideron absurde.

Kurti: Kërkesat e sindikalistëve janë absurde, u bëj thirrje mësimdhënësve që të hënën të jenë në shkollë
Lexo po ashtu Kurti: Kërkesat e sindikalistëve janë absurde, u bëj thirrje mësimdhënësve që të hënën të jenë në shkollë

Derisa ekzekutivi dhe sindikata nuk gjejnë zgjidhje, ata që pësojnë më shumë nga kjo situatë janë nxënësit.

Prindërit po kërkojnë që të drejtat e fëmijëve të tyre për kujdes, edukim e arsimim publik të mos shkelen e nëpërkëmbën.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, në një prononcim për Telegrafin tha se palët duhet të dialogojnë dhe greva të marrë fund.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi

Sipas tij, nuk ka asnjë argument që e arsyeton bllokimin e plotë dhe të paafat të sistemit të edukimit dhe arsimimit në vend.

“Duke shkelur qartësisht, e me pasoja e pariparueshme, të drejtën kushtetuese të fëmijëve por edhe zhvlerësuar e degraduar sistemin arsimor publik në Kosovë. Kjo jo vetëm që dëmton të ardhmen e fëmijëve tanë por edhe nxit largimin masiv të qytetarëve nga vendi”, deklaroi Demi.

Kritika pati edhe për Qeverinë, për të cilën tha se është dashur të angazhohet për ta parandaluar këtë krizë.

Kurti: Ligji i Pagave javën tjetër del në diskutim publik, koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se në të kaluarën
Lexo po ashtu Kurti: Ligji i Pagave javën tjetër del në diskutim publik, koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se në të kaluarën

“Kjo krizë dukej qartë prej muajsh se do të vinte, dhe Qeveria nuk po jep shenja se është e interesuar për dialog social”.

Sipas tij, Qeveria dhe institucionet shtetërore ose duhet ta ndryshojnë ligjin e grevave dhe të ndalojnë grevat e tilla në arsim, ose duhet ta zgjidhin këtë krizë e mos të lejojnë sakrifikimin e fëmijëve.

Mes tjerash, Demi tha se qëndrojnë prapa paralajmërimit se do të kundërshtojnë kompensimin e orëve të humbura nga greva.

“Ne i qëndrojmë dhe do ta kundërshtojmë çështjen e kompensimit të ditëve të humbura në grevë gjatë ditëve të fundjavës”.

Ndërprerjen e procesit mësimor si reagim sindikal e sheh të papranueshme dhe mbi të gjitha të padrejtë ndaj nxënësve edhe drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja.

Drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja

Ai për Telegrafin tha se kërkesat e SBASHK për rritje pagash janë legjitime, por se nuk duhet të ndërpritet mësimi për shkak të një kërkese për shujtë.

“Mësimdhënësit tanë meritojnë paga të dinjitetshme dhe për këtë kanë përkrahje e të gjithëve, por nuk kanë përkrahje në ndërprerje të procesit mësimor”.

Ndryshe, sindikalistët gjithashtu po kërkojnë që të formohen grupet e përbashkëta Qeveri-Sindikatë për të punuar në Projektligjin e Pagave, i cili është në konsultime publike që nga mesi i gushtit.

Sipas Projektligjit, paga e mësimdhënësve të institucioneve arsimore parauniversitare do të rritet deri në 690 euro.

Në një deklarim për media, Kurti ka thënë se për mësimdhënësit i kanë parasysh edhe përgjegjësitë menaxheriale të tyre dhe se do t’i vlerësojnë sipas përformancës e përgatitjes profesionale. /Telegrafi/