LAJMI I FUNDIT:

Një vëllazëri poetike: Alphonse de Lamartinit dhe Jeronim de Rada

Një vëllazëri poetike: Alphonse de Lamartinit dhe Jeronim de Rada
Fotokolazh: Alphonse de Lamartin dhe Jeronim de Rada

Nga: Moikom Zeqo

Alphonse de Lamartine, poet romantik dhe burrë shteti. Figurë komplekse dhe e shumanshme. Ka një karakterizim të Marksit (Karl Marx) për Alphonse de Lamartine-in: “Ai ishte mishërimi i vetë Revolucionit të shkurtit 1848, i kryengritjes së përgjithshme me iluzionet e saj, me poezinë e saj, me përmbajtjen e saj imagjinare, me frazat e saj. Nga gjendja e vet dhe nga pikëpamjet e veta, ky përfaqësues i revolucionit të shkurtit i përkiste borgjezisë”. Kemi të bëjmë me një status, pak të thjeshtëzuar.


Figura e Alphonse de Lamartine-it është e paharrueshme. Gjatë sundimit të Francës nga mbreti Lui Filipi (Louis Philippe I) situata ishte shpërthyese. Më 28 shkurt 1848, Alphonse de Lamartine-i mbajti në një restorant të Madlenës një diskutim grishës, ku protestonte ashpër dhe me një stil elegant (siç i kishte hije Alphonse de Lamartine-it) kundër veprimeve të qeverisë mbretërore. Ai bëri thirrje “për një revoltë të ligjshme”. Ai tha: “Nëse duket se bajonetat shkatërrojnë ligjin, unë e di zotërinj se ne do ta mbrojmë lirinë dhe të ardhmen e popullit, në fillim me fjalët tona, pastaj me jetët tona”.

Mbrëmjen e 21 shkurtit 1848, ministrat e Lui Filipit as nuk e kishin idenë se mund të ekzistonte rreziku i një revolucioni. Më 22 shkurt, studentët dhe punëtorët, duke kënduar “Marsejezën” e kryen revolucionin.

Emri i Lamartine-it në këtë rast kishte shkëlqimin e një steme. Lui Filipi, ky mbret kokëfortë abdikoi.

Më 3 mars 1848, në muzg, dy persona hipën në portën e Havrit, në një anije të vogël me avull të marrë me qira nga konsulli i Britanisë së Madhe. Pasaportat e tyre ishin britanike – bëhej fjalë për znj. dhe z. Smith. Z. Smith mbante syze të mëdha, të errëta. Znj. Smith shpërtheu në lot, duke u futur me ngut në kabinën e saj.

Ky çift i maskuar nuk ishte gjë tjetër veçse mbreti i francezëve Lui Filipi me të shoqen. Njëzet minuta më vonë, anija lëvizi mes mjegullës detare. Mbi mbretin e rrëzuar figura e poetit u ngrit!

Ndërkohë, Lamartine-i ishte në krye të triumfit. Ky njeri ende ishte deri atëherë në dilemën e zgjedhjes së rolit mes letërsisë dhe revolucionit. Lamartine-i e ndjeu shijen e athët të madhështisë së revolucionit.

Sa hap e mbyll sytë, fjalët e Alphonse de Lamartine-it krijuan rizgjimin e popullit, në fakt hapjen e një porte të re të historisë. Në Qeverinë e Përkohshme republikane Alphonse de Lamartine-i ishte një ministër që nuk i përkiste në të vërtetë asnjë partie, por që ndihej mbi të gjitha partitë. Ai ishte një idealist kalorësiak, aristokrat në gjak dhe në shpirt, por edhe një politikan radikal.

Alphonse de Lamartine-i adhuronte Rusonë (Jean-Jacques Rousseau), parimin e sovranitet popullor dhe republikanizmin, por urrente socializmin.

Revolucioni i shkurtit kishte megjithatë diçka kaotike. Lamartine-i u përpoq të shmangte një terror të ushtruar në rrugë, por përpjekjet e tij ishin shpesh kërcime në boshllëk. Pjesa tjetër e Lamartine-it ka një karakter më pak epik. Ai kishte qenë dikur burri i shtetit për të krijuar një yll në kujtesë, por në tërësi ishte Lamartine-i, poeti i madh francez.

Ky karakter i dyzuar midis politikës dhe artit e ka skalitur individualitetin e tij. Historia do të thandrojë shumë imtësira dhe motive të imagjinatës së këtij poeti.

Romantizmi i tij ishte i përzierë me politikë aq sa të mos satanizohej nga politika.

Kryevepra e tij poetike “Liqeni” (Le lac) është meditimi i një udhëtimi nëpër ujëra. Ai flet për kohën e kaluar, për përjetësitë plot hije, për një qetësi të shqetësuar të sendeve dhe të universit. Alphonse de Lamartine-i pyet: “Ju sende të pashpirta, mos keni një shpirt vallë, që lidhet fort me timin dhe e lidh të dashurojë?”

Një poezi e shkurtër e Lamartine-it ka një simbolikë domethënëse:

***

Libri më i rëndësishëm
është libri i jetës së vet,
që s’mbyllet dot e s’çelet kur
qejfi do ta ketë.
Pasazhi interesant aty
dy herë s’lexohet,
Që fleta e pashmangshme
vetiu rrotullohet:
Të ktheheshim do deshëm
te faqja që na kënda,
Dhe ja ku na zë gishti faqen
me vdekjen brenda.

***

Lamartine-i ka pasur lidhje me dy poetë shqiptarë: një lidhje të drejtpërdrejtë (një takim historik) me De Radën dhe një lidhje shpirtërore (pa asnjë takim fizik) me Naim Frashërin.

Më 1895, Naim Frashëri boton librin e tij poetik në greqisht “O Eros” (Dashuria). Në një nga poezitë e librit është edhe kjo strofë katërvargëshe.

S’kërkoja ato të Homerit
derisa s’ka mundësi,
o Lamartin shumë i dashur,
i kërkoj hiret nga ty!

A është esklamative dhe e sinqertë kjo gjë te Naimi?

Në 1896, Naim Frashëri përkthen këngën e parë të “Iliadës”, që e shoqëron me një shënim eseistik të shkurtër. Naimi përmend si poetë të mëdhenj të njerëzimit Homerin, Pindarin, Euripidin, Sofokliun. Virgjilin e quan Homeri II, lartëson Danten, pas Dantes flet për Torkuato Tason që “shkroi luftërat e Jerusalemit”.

Gjithashtu, Naimi përmend për Evropën, John Milton-in, që shkroi “Parajsa e humbur”.

Dhe nënvizon (pra, jo në mënyrë të rastësishme) se në mesin e poetëve të Evropës “gjatë të mbajë kryet përpjetë Lamartini”.

Naimi nuk e ka ditur, se nuk kish se si ta dinte, adhurimin e de Radës për Lamartine-in. Ata ishin dy shqiptarë që i bashkonte një francez i madh.

Nuk kemi të bëjmë me një trill, por as me një rastësi.

Ndërkaq, historia e lidhjeve të de Radës me Lamartine-in ka diçka memoriale. Ka një theks deri diku patetik, por në substancë të vërtetë. Gati një gjest kalorësiak, ndër ato që ndodhin rrallë nëpërmjet shkrimtarëve të letërsisë së ndryshme të Evropës.

Është vetë de Rada që shkruan për takimin me Lamartine-in.

Po çfarë shkruan de Rada? De Rada kishte një vetëdije për famën. Ai ka shkruar me një sinqeritet çarmatosës se “dëshira për famë u bë për mua një makth i vërtetë”.

Në shtator të vitit 1844 (pra, katër vjet më përpara sesa Lamartine-i të arrinte në apoteozën e burrit të shtetit të Revolucionit të shkurtit 1848) poeti francez vjen nga Franca për një udhëtim dhe për pushime në banjat e Iskias.

De Rada shënon: “Ai ishte në kulm të karrierës së vet të shkëlqyer e të brohoritur. I shtyrë nga padurimi për të ditur (për të kuptuar) se nëse ndjenja krenare që kisha për veten ngrihej mbi ndonjë bazë të shëndoshë, kur Ai (Lamartine-i) kaloi nga Iskia, i dërgova, me anë të një marinari, një kopje të ‘Milosaos’ me ‘Këngët e Serafinës’.

U fol, në rrethin e miqve të mi, për këtë guxim (thuhej se kishte pritur letrarët e Napolit me mirësjelljen e një njeriu që nuk i njeh) dhe shumë nga familjarët e mi pritnin që mendjemadhësia ime të merrte dënimin e merituar.

Unë kisha zënë shtratin nga dhimbjet e shpirtit, kur pas pesë ditësh, marinari u kthye me këtë letër:

‘Zotni,

Jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërie politike mes jush dhe meje.

Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe aty duhet të kthehet.

Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse e kam parandjerë dhe që kam shprehur dëshirat e para për rilindjen dhe ringjalljen e Shqipërisë.

Ju më shpërblyet së tepërmi.

Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh, dhe ju lutem që të pranoni falënderimet dhe përgëzimet e mia.’

Lamartine-i,

Iskia, 8 shtator 1844.

Kur u kthye nga Iskia, i bëra një vizitë në Hotelin e të Huajve në bregdetin e Kiarias. Më tha fjalë që do të ngjallnin një farë krenarie në zemrën e cilitdo.

Pastaj, disa ditë më vonë, ndërsa po largohesha nga vila bashkë me dy miq të mi, na kaloi pranë me familjen e Kontit Lë Fevrë, në karrocë.

Hoqa kapelën dhe e përshëndeta.

Ndërsa karroca ngjitej në të përpjetën e rrugës, vura re se zonjushat Lë Fevrë u ngritën në karrocë, kthyen kokat nga unë e më shikuan, duke m’i ngulur sytë.

Gëzimi i madh ma dehte shpirtin.”

Dëshmi lakonike, me disa detaje pikante.

Teksti i letrës së Lamartine-it ka koncizitetin e një njeriu që është në lëvizje. Por idetë i ka të qarta.

Letra e Lamartine-it nënkupton se vetë de Rada i ka shoqëruar dy librat e tij me një letër, tekstin e së cilës ne nuk e njohim. Kjo nënkuptohet te fraza: “Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse e kam parandjerë dhe kam shprehur dëshirat e para për rilindjen dhe ringjalljen e Shqipërisë”.

Kjo frazë parakupton shumë.

Në veprën e Lamartine-it ka disa shkrime për Shqipërinë. Lamartine-i e vishte shpesh petkun e historianit – kërkonte dhe analizonte epokat. Ai flet për kombin shqiptar dhe Skënderbeun. Ai njeh burime historike dhe kronika. Pra, emri i Shqipërisë është gati si një parafjalë për të shpjeguar atë që vjen më pas. Ai nuk e njihte de Radën, këtë poet të provincës letrare evropiane.

De Rada dukej si një plebe i letërsisë, ndërkohë që Lamartine-i ishte një aristokrat sqimatar dhe njëkohësisht një rebel revolucionar.

Lamartine-i e zotëronte famën, madje pa pasur nevojë për ta kërkuar. De Rada ishte në mospraninë e famës. Kërkimi i famës për të ishte vetëdija e një intimiteti. Një intimitet naiv, por edhe ngulmues.

De Rada besonte se ekziston një marrëdhënie e ndërsjellë dhe aspak rutinore midis pjesëtarëve të vëllazërisë universale të shkrimtarëve në botë. Ai e ndjente se si vëlla i vogël mund t’i drejtohej një vëllai më të madh.

Përtej rregullit hierarkik, marrëdhëniet dhe kontaktet midis shkrimtarëve ngjajnë më të çlirshme, përtej titujve dhe emrave. De Rada ishte i ndrojtur, nuk kishte se si të ishte i ndrojtur. Ai ka mësuar nga gazetat e kohës ardhjen e Lamartine-it në Itali. Lamartine-i ishte në një mënyrë jo totemike, idhulli i tij i shpirtit.

Takimi i De Radës me Lamartine-in duket gati i pamundur. Po ja, që edhe përtej pamundësisë së kohës së lirë – vetë Lamartine-i në letër shënon: “Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh”, prapë se prapë takimi më në fund ndodhi në një ditë ku poetët – i Famshmi dhe i Panjohuri – takuan duart dhe biseduan.

Dialogu, biseda do të ketë qenë intime dhe shumë e ngrohtë. Jo aq sqimë e mirësjelljes nga ana e të parit, sesa një frymëzim rilindës për të dytin.

Vetë Lamartine-i flet për një “vëllazëri poetike”. Ndërkohë nuk duhet harruar se togfjalëshi është akoma më i plotë “vëllazëri poetike dhe politike mes jush dhe meje”. Ç’do të thotë vëllazëri politike mes Lamartine-it dhe De Radës?

Pse Lamartine-i e nënvizon këtë gjë? Pse i ka bërë përshtypje Lamartine-it ajo që i ka shprehur, kuptohet entuziazëm dhe adhurim De Rada? Kemi këtu një nyje konceptuale për të parë një ndërlidhje ose dhe një paritet pikëpamjesh. De Rada pa dyshim i ka folur për idetë revolucionare që gëlonin, tronditnin Francën dhe Evropën, kështu që, theksimi i rrafshit politik përbën një tipar.

Ne nuk mund ta dimë se çfarë konkretisht kanë diskutuar të dy, por dimë aprovimin e Lamartine-it. Dhe kjo është tejet e veçantë dhe historike.

Ndërkohë, nuk duhet harruar se Lamartine-i thotë në mënyrën më sinkretike dhe të hatashme një ide të papritur, por edhe qendrore.

Pasi ka lexuar poezitë e De Radës, ndoshta edhe kalimthi, në një gjuhë të dytë, jo në origjinalin e arbërishtes (dihet që përkthimet përherë i zbehin vargjet origjinale), Lamartine-i përjeton një ndjesi gjenuine.

Dhe ai shkruan: “Poezia ka ardhur nga brigjet dhe aty duhet të kthehet”.

Një pasazh që duket sikur ka esencën e mijëra librave. Lindja e poezisë e konceptualizuar në brigjet ballkanike të këtij gadishulli nistor dhe parak të epikës dhe të lirikës antike.

Lamartine-i në shkrimet e tij e di në mënyrë të mirëfilltë se shqiptarët dhe grekët janë popuj të ndryshëm.

Prandaj, në sintagmën “brigjet tuaja” ai nuk mund të mos kishte parasysh trojet e shqiptarëve.

Pjesa tjetër e frazës ka një karakter dëshiror dhe të sigurt, d.m.th. poezia “aty duhet të kthehet”.

Po si të kthehet? Nuk mund të themi me plot gojën as me luksin e rremë të një mburracakërie se gjoja Lamartine-i e ka njohur traditën poetike shqiptare të shekujve. Informacioni ka qenë fatalisht i mangët.

Ndoshta, atë ditë ose ato ditë kur Lamartine-i ka shfletuar librat e De Radës, ka parandjerë, ashtu siç dinë të perceptojnë shpirtrat e mëdhenj të njerëzve pa paragjykime, më tepër të ardhmen e një poezie të shqiptarëve të përshkënditur në imagjinatë, qoftë edhe nga disa vargje të “Milosaos” dhe të “Serafinës”. Poezia e De Radës ishte e panjohur për Lamartine-in, por ai nuk kishte nevojë të lexonte gjithçka. Ai e dinte se fjalët e mira krijojnë shpresë. Ai e dinte se shpresa rindërton njeriun. Ai e dinte se vetë kombi në vetvete është projeksioni i një Shprese të Përjetshme. Evropa po ndryshonte. Liria e kombeve buronte nga individualiteti i tyre. Qytetërimi evropian plurarizohej fuqishëm nga kulturat kombëtare.

Një ringjallje poetike do të ishte për shqiptarët, para së gjithash, edhe një ringjallje politike.

Do të mbetet një enigmë se çfarë i ka thënë Lamartine-i në karrocë dy zonjushave elegante Lë Fevrë. Pse ato u bënë kurioze, u ngritën dhe kthyen kokat për të parë De Radën?

Ç’ishin këto zonjusha të bukura dhe delikate? Vërtet tashmë ato janë hije njerëzore të humbura, të tretura dhe të tejdukshme në kronikën e kohës? Apo ndoshta ato ishin dy rimishërime plot hire vajzërore të muzave të mitizuara që frymëzonin, ose kinse frymëzonin poetët që nga burimësia dhe ftillëzimi i kohërave të lashta?

Takimi i papërsëritshëm i Lamartine-it me De Radën mbetet edhe sot një rast i rrallë.

Dita e takimit ishte pafundësisht një ditë e vetme, pa një të dytë.

Është tjetër gjë takimi i shumëfishtë i poetëve që s’janë takuar kurrë, që reflektohet dhe pulson nga vargjet dhe thagma e veprave të tyre artistike, autonome në vetvete, por që gjithashtu janë përbërje e detyrueshme e një universi vlerash.

Në trend Kultura

Më shumë
Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Ferri i shqipëruesit të “Komedisë Hyjnore”

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Shkrim i vitit 1903, në “The Spectator”: Revolta në Kosovë dhe kërcënimi i paqes evropiane!

Shkrim i vitit 1903, në “The Spectator”: Revolta në Kosovë dhe kërcënimi i paqes evropiane!

Kulture
Gorbi!

Gorbi!

Kulture
Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale e kulturës sonë

Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale e kulturës sonë

Fjala+
Kalo në kategori