LAJMI I FUNDIT:

“As një centimetër”: Zhbërja e obsesionit vdekjeprurës të Putinit për detajet e historisë

“As një centimetër”: Zhbërja e obsesionit vdekjeprurës të Putinit për detajet e historisë
Ilustrim (Yuri Dyachyshyyn/AFP via Getty Images)

Nga: Mary Elise Sarotte / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Si profesoreshë, unë ligjëroj se si dhe pse historia ka rëndësi. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar edhe unë isha e papërgatitur për temën se sa rëndësi kishte ajo.


Duke e përdorur versionin e shtrembëruar të historisë, si bazë konceptuale për pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin e armatosi të kaluarën. Historia, pretendon ai, e arsyeton përpjekjen e tij disavjeçare për ta nënshtruar Ukrainën përmes dhunës –  përpjekje kjo që u intensifikua më shumë e më shpejtë më 24 shkurt të vitit 2022, kur e urdhëroi forcën prej 190 mijë vetave për të sulmuar.

Vendimi ka qenë shkatërrimtar – si për pushtuesin ashtu edhe për të pushtuarin. Shkojnë në 200 mijë vlerësimet për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve nga ana e trupave ruse në Ukrainë. Në anën ukrainase numri ndoshta është më shumë se 100 mijë, shto këtu numrin e madh të zhvendosjes së civilëve, të të lënduarve dhe të vdekurve.

Përballë kësaj fatkeqësie të vetëshkaktuar, Putini është përpjekur ta bindë popullsinë e vet – me sukses të dukshëm – se veprimet e tij nuk janë vetëm esenciale, por edhe të justifikuara nga historia. Sipas rrëfimit të tij, liderët perëndimorë “tani po thonë hapur se në vitin 1991 arritën ta përçajnë Bashkimin Sovjetik dhe se tani është koha për ta bërë të njëjtën gjë me Rusinë”. Të shoqëruara me represionin e dhunshëm, pretendimet e tilla ia kanë mundësuar presidentit rus që në vendin e vet t’i ndalojë protestat kundër luftës. Në vend të kësaj, kur bota përgatitet ta shënojë njëvjetorin e konfliktit, mbeten jashtëzakonisht të vogla shanset për armëpushim – qoftë në fushatat ushtarake apo propaganduese të Putinit,.

Megjithatë, nëse shtrembërimi i historisë është një nga armët e Putinit, atëherë zbërthimi i saj mund të shërbejë si akt i vogël, por i arritshëm, i çarmatimit në këtë përvjetor të mjerimit. Cilat janë aspektet kryesore të historisë që e obsesionojnë Putinin? Ai e fikson vitin 1991 kur, në vend se të ndiheshin viktima të një plani perëndimor, vetë ukrainasit zgjodhën ta mbajnë referendumin nëse duan të ndahen nga Bashkimi Sovjetik.

Me pjesëmarrjen prej 84 për qind të popullatës – rreth 32 milionë votues – më shumë se 90 për qind zgjodhën pavarësinë, ku çdo rajon rezultoi me shumicën mbështetëse. Vëzhguesit ndërkombëtarë e vërtetuan votimin e dhjetorit 1991 si “të lirë dhe të drejtë”. Njohja dhe shtetësia pasuan menjëherë. Por, sipas pikëpamjes së Putinit, ky divorc nga Moska paraqiste një braktisje të pafalshme, që krijoi rreziqe të reja në kufirin e Rusisë. Në vitin 2014 e filloi fushatën e tij për ta zhbërë këtë ndarje, duke e aneksuar Krimenë dhe duke i filluar inkursionet tjera ushtarake në tokën ukrainase.

Zemërimi ndaj Kievit është baza e hidhërimit të Putinit. Mbështetja e pamatur mbi këtë bazë paraqet një grumbull kuturu dhe të rrezikshëm të ankesave shtesë, përfshirë këtu obsesionin për zgjerimin e NATO-s në detajet më të vogla historike.

Këto detaje qëllojnë të jenë fusha ime e ekspertizës shkencore. Në vitin 1989, isha studente amerikane e shkëmbimit, duke jetuar në atë që ishte Berlini i atëhershëm Perëndimor. Rastësisht, qyteti gjermanolindor i Dresdenit në të njëjtën kohë ishte shtëpia e një oficeri të KGB-së që quhej Vladimir Putin. Ne të dy ishim të huajt në ulësen e rreshtit të parë, duke e parë rrënimin e fuqisë së Moskës në Evropë. Edhe sot e kësaj dite, Putini i konsideron këto ngjarje si “katastrofë e madhe gjeopolitike”.

Për mua, viti 1989 ishte një vit emocional, që ta ndryshonte jetën. Më frymëzoi të fitoja doktoratën në histori nga [universiteti] Yale dhe të bëja kërkime për librin tim Kolapsi: Hapja aksidentale e Berlinit (2014), kur papritmas zbulova dokumentet për rolin e NATO-s në botën pas Luftës së Ftohtë. Ky zbulim çoi në kërkimin tim shumëvjeçar ndërkombëtar, për të deklasifikuar edhe më shumë provat në mënyrë që unë, studiuesit tjerë dhe publiku të mund të kenë qasje në to.

Në vitin 2018, fitova apelin për të deklasifikuar të dhënat e bisedimeve të presidentit Bill Clinton me liderët rusë. U trondita kur publikisht u ankua zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov. Por, unë po ashtu isha e kënaqur nga kjo. Nëse Kremlini ishte i pakënaqur, atëherë duhet të jetë i mirë ai mal i tërë i materialeve që po publikohej. Tri vitet e ardhshme u shpenzuan duke e minuar atë mal (dhe të tjerët si ai) për një libër pasues rreth zgjerimit të NATO-s, të botuar në nëntor të vitit 2021.

Vetëm tre muaj më vonë, filloi pushtimi rus i Ukrainës. Si të tjerët, mbulimin televiziv e shihja me tmerr dhe me pafuqi. Por, gradualisht kuptova se megjithëse nuk mund të bëj shumë në krahasim me vuajtjet e ukrainasve, të paktën ishte një mënyrë e vogël për të ndihmuar. Në një nga arsyetimet e veta, Putini e përdorte një version të përpunuar të detajeve nga historia e NATO-s që unë i njihja mirë. Papritur, të gjithë u interesuan për ato detaje. Shpresa ime ishte që, duke iu përgjigjur atij interesi – qoftë përmes bisedave me autoritetet qeveritare në shumë vende, leksioneve publike apo konsultimeve me drejtuesit e biznesit të prekur nga lufta – të mund të jepja të dhënat për ngjarjet që nxitin obsesionin historik të Putinit.

Nëse shpesh ndryshonin vendet ku kërkuan të flisja, pyetja kryesore mbetej e njëjtë: Cilën histori po e instrumentalizon Putini dhe çfarë thonë dëshmitë e besueshme historike? Presidenti rus është i fiksuar pas katër ngjarjeve të lidhura me NATO-n, siç tregohet jo vetëm nga komentet dhe shkrimet e tij, por edhe nga “traktatet” e dhjetorit 2021 që ia dërgoi Uashingtonit dhe NATO-s. Çdo i ashtuquajtur traktat në fakt ishte ultimatum që në thelb kërkonte që marrësi ta nënshkruante ashtu siç është, ose përndryshe do ta pushtonte Ukrainën.

Versioni i Putinit për ngjarjet është si në vazhdim. Së pari, ai pohon se Moska, në këmbim të lejimit të bashkimit të Gjermanisë më 1990 – duke hequr të drejtat e saj nga dorëzimi i pakushtëzuar i Gjermanisë naziste në 1945 dhe duke i hequr trupat sovjetike që ende ishin në Gjermaninë Lindore – mori premtimin detyrues se NATO nuk do të zgjerohej drejt Lindjes. Së dyti, Putini pretendon se aleanca Atlantike e riafirmoi këtë premtim me Aktin Bazik NATO-Rusi të 27 majit 1997; në një nga “traktatet” e dhjetorit 2021, Putini në mënyrë specifike kërkoi që forcat e NATO-s të ktheheshin në pozicionet e tyre të asaj date.

Së treti, beson se Aleanca e tregoi fytyrën e saj të vërtet kur e bombardoi Serbinë në konfliktin e Kosovës në vitin 1999. Së katërti, sipas Putinit, deklarata e Samitit të Bukureshtit e vitit 2008 – duke thënë se “NATO mirëpret aspiratat për anëtarësime euro-atlantike të Ukrainës dhe Gjeorgjisë” dhe se “këto vende do të bëhen anëtarë të NATO-s” – krijoi rrezik të patolerueshëm për Rusinë, jo vetëm për shkak të “revolucioneve me ngjyra” që kishin ndodhur tashmë në ato vende. Shkurtimisht, pretendon se këto momente e zbuluan aleancën si të pandershme dhe të etur për gjakun sllav. Dhe, Putini u tërbua në një konferencë shtypi më 23 dhjetor 2021: “’Asnjë centimetër [zgjerimi i NATO-s] në Lindje’, na thanë në vitet 1990. Dhe çfarë? Mashtruan, thjesht na mashtruan me pafytyrësi”!

Këto tri fjalë – “asnjë centimetër” – janë citati i një diplomati të lartë amerikan dhe po ashtu titulli i librit tim. Sa herë që Putini thirret tek ato (gjë që shpesh e bën), jam e përmbytur nga një valë e re pyetjesh rreth dëshmive që kam mbledhur. Këto burime tregojnë një histori krejt ndryshe nga ajo e Putinit.

Ato tregojnë se, në fillim të negociatave të vitit 1990 që tejkaluan ndarjen e Gjermanisë, u ngritën spekulimet rreth “juridiksionit” të NATO-s që nuk lëvizte asnjë centimetër drejt Lindjes. Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, dhe homologu i tij gjermanoperëndimor, Hans-Dietrich Genscher, folën me njëri-tjetrin për një ide të tillë, si dhe me udhëheqësit sovjetikë në shkurt të vitit 1990, duke menduar se bashkimin gjerman kjo mund ta bënte më të tolerueshëm për Moskën.

Megjithatë, thelbësore për çdo fakt të saktë është njohuria se ky diskutim ishte spekulativ dhe shumë i rastësishëm – dhe se, në fund të shkurtit, shefi i Bakerit, presidenti i ShBA-së George HW Bush, e bëri të qartë se nuk shihte kufi për të ardhmen e dëshirueshme ose të nevojshme të NATO-s. Ai insistoi që Sekretari i Shtetit të pushojë së përdoruri fjalët e tilla. Duke iu bindur, atë muaj Bakeri në besim u shkroi kolegëve gjermanë se diskutimi i gamës së juridiksionit të NATO-s “duhet të shmanget në të ardhmen”.

Shefi i Genscherit, kancelari Helmut Kohl, kishte rënë dakord me Bushin. Por, pavarësisht kësaj, Genscheri e mbajti të gjallë një version të atij konceptit dhe diplomatët e nivelit më të ulët i dhanë jehonë mendimit të tij. Çështjet arritën kulmin në shtator 1990, kur dy Gjermanitë dhe katër fuqitë fitimtare të Luftës së Dytë Botërore tashti luftuan për formulimin e Marrëveshjes Përfundimtare për bashkimin e Gjermanisë. Aleatët e Genscherit përfundimisht e mposhtën rezistencën e tij. Ata insistuan që gjuha e traktatit të lejojë NATO-n të zgjerojë nenin 5 – garancinë që një sulm ndaj njërit do të trajtohet si sulm ndaj të gjithëve – në drejtim të Lindjes, përgjatë vijës së frontit të ish-Luftës së Ftohtë në ish-Gjermaninë Lindore, dhe gjithashtu në mënyrë eksplicite të lejojë trupat e huaja ta kalojnë atë në përputhje me lejen e qeverisë gjermane. Më e rëndësishmja, nuk kishte asnjë ndalesë të qartë për NATO-n për të shtuar më shumë anëtarë.

Bashkimi Sovjetik, i dëshpëruar për mbështetjen financiare perëndimore, në kohën kur vendi po shkatërrohej, ra dakord me këto kushte. Përfaqësuesit e saj jo vetëm që e nënshkruan, por e ratifikuan Marrëveshjen Përfundimtare dhe presidenti Mikhail Gorbachev merr mbështetjen financiare gjermane, de facto si një karotë për nënshkrimin e Moskës. Si pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, Federata Ruse mbetet e lidhur me këtë ratifikim – por, Putini këtë e injoron.

Gjatë gjithë viteve 1990, edhe para se Putini të bëhej president, kujtimi i atyre negociatave të hershme vazhdoi të shqetësonte marrëdhëniet perëndimore me Rusinë. Të gjitha palët ranë dakord që Marrëveshja Përfundimtare të zbatohej ekskluzivisht për Gjermaninë. Problemi ishte se ata nuk ishin dakord se çfarë do të thoshte kjo. Vendet anëtare të NATO-s e kuptuan zgjidhjen si lejim të zgjerimit të vazhdueshëm, sepse ajo e vendosi precedentin e shtrirjes së Nenit 5 të NATO-s – përgjatë vijës së frontit të ish-Luftës së Ftohtë – dhe në mënyrë eksplicite nuk e përjashtoi shtimin e anëtarëve të rinj të aleancës. Në të kundërtën, Rusia e kuptoi zgjidhjen si ndalim të zgjerimit të vazhdueshëm në Lindje të Gjermanisë së porsabashkuar, kryesisht për shkak të komenteve spekulative të bëra gjatë negociatave.

Një nga qëllimet e Aktit Bazik Nato-Rusi të 27 majit 1997, ishte adresimi i shqetësimeve të Moskës për këtë çështje. Në vend të kësaj, akti u bë burim i më shumë konfuzioneve kur presidenti i atëhershëm rus, Boris Yeltsin, e publikoi duke thënë, në mënyrë të pasaktë, se e ndalonte NATO-n të përdorte çdo infrastrukturë ushtarake të ish-Traktatit të Varshavës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Nuk ishte kështu.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit me shtetet anëtare të NATO-s, Yeltsini e krijoi konfuzionin edhe më të madh duke njoftuar se do të urdhëronte vartësit të kryenin çarmatosjen masive: “Gjithçka që synohet për vendet e pranishme këtu – gjithë ato armë – kokat luftarake do t’i kenë të eliminuara”. Por, vartësit e tij nuk dinin asgjë dhe nuk e kishin ndërmend ta zbatonin deklaratën e habitshme të Yeltsinit. Komentet e krijuan një ndjenjë të rreme të asaj që ishte rënë dakord në vitin 1997. Dhe, më vonë ato e intensifikuan zemërimin si për veprimet e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, ashtu edhe për deklaratën e saj të vitit 2008 për anëtarësimin e Ukrainës, ku që të dy këto përkeqësuan marrëdhëniet Perëndim-Rusi.

Në sharjet e Putinit mungon Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, i cili gjithashtu e kishte origjinën në kolapsin sovjetik. Me marrjen e pavarësisë në vitin 1991, Ukraina lindi si shtet bërthamor, falë arsenalit sovjetik në territorin e saj. Megjithëse ai arsenal ishte projektuar për t’u komanduar nga Moska, posedimi fizik i raketave, i torpedove dhe kokave bërthamore nga ana e Kievit, e bënin atë fuqinë e tretë më të madhe bërthamore në botë, më të madhe se Franca apo Britania.

As Perëndimi dhe as Moska nuk donin që ky status të vazhdonte, kështu që Kievi u bind të bënte marrëveshje. Sipas Memorandumit të Budapestit, në këmbim të çmontimit, shkatërrimit ose zhvendosjes së këtyre armëve në Rusi, Ukraina merr garanci për integritetin e saj territorial – me Moskën si një nga garantuesit.

Memorandumi doli të ishte pa mbrojtje. Nuk pati asnjë përgjigje domethënëse ndaj shkeljeve të integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014, pavarësisht se Ukraina i kishte përmbushur detyrimet e veta. Një aspekt veçanërisht i hidhur i konfliktit aktual është dëshmia se rusët i përdorën disa nga raketat jobërthamore të dorëzuara në Moskë, nga vetë Ukraina në vitet 1990, për t’i sulmuar ukrainasit në vitin 2022.

Këto ngjarje janë veçanërisht tragjike, duke pasur parasysh se politikanët perëndimorë e njohën rëndësinë e madhe të pavarësisë së Ukrainës, sapo ajo ndodhi. Për presidentin Clinton, ishte e qartë “rëndësia strategjike e Ukrainës për të gjithë Evropën e shekullit XXI”. Sipas tij, “paqja në një zonë të gjerë”, në masë të madhe varej nga e ardhmja e saj. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Clintonit, Tony Lake, madje që në vitin 1994 i kërkoi Clintonit ta konsideronte opsionin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Kjo ide rezultoi e kotë.

Shqetësimet për reagimet ruse dhe për agresionin e saj në Çeçeni, u përshtatën me nevojën për të nisur zgjerimin e aleancës me numrin më të vogël të mundshëm të shteteve të reja anëtare në raundin e ri të hapjes. Pasoja ishte një vijë e re e frontit e NATO-s që dështoi në Ukrainë. Edhe kur Kievi tashmë merr ndihmë të gjerë ushtarake perëndimore, mbeten të kufizuara perspektivat e apelit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, të shtatorit të vitit 2022, për “anëtarësimin e përshpejtuar” në NATO.

Nëse kjo histori mund të jetë armë, a ka optimizëm? A mund të jetë gjithashtu udhërrëfyes, për të na paralajmëruar për rreziqet që kemi para? Një këndvështrim krahasues sugjeron se pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 bëri më shumë sesa një përshkallëzim të konfliktit të vazhdueshëm rajonal. Në vend të kësaj, e përshkallëzoi gjithashtu konkurrencën ushtarake të fuqive të mëdha, duke krijuar pasiguri të re për atë që do të vijë më pas. Falë rezistencës së guximshme ukrainase dhe mbështetjes së fortë nga vendet perëndimore, rezultati i luftimeve – që në një mënyrë dukej vështirë i mundur gjatë shkurtit të kaluar – mbetet ende i hapur.

Megjithëse nisi luftën e parë të madhe tokësore evropiane të shekullit XXI dhe se është një nga dy fuqitë e vetme strategjike bërthamore që u ngritën në shekullin XX, Moska ka dështuar në sfidën thelbësore të shekullit XIX. Ka dështuar në inkorporimin perandorak të një territori të afërt. Siç kanë argumentuar historianët nga Yale, Paul Kennedy dhe Arne Westad, shtetet që e zgjerojnë veten në mënyrë kaq të madhe, në planin afatgjatë do të ballafaqohen me fate të pakëndshme. Por, bëjnë shumë dëme në rrugën e tyre të tatëpjetës.

Një vit i tërë bëri të qartë se Moska tashmë ka shkaktuar rezultatet që nuk i donte për veten: më shumë aktivitete të NATO-s, municione dhe madje edhe anëtarë në kufijtë e saj. Suedia dhe Finlanda do të bëhen anëtarë të NATO-s, pavarësisht kundërshtimeve turke. Vetëm Finlanda do të shtojë 830 milje të tjera në kufirin NATO-Rusi. Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane, së bashku me Shtetet e Bashkuara, po dërgojnë tanke – duke e rritur gjithashtu pavarësinë e tyre energjetike nga Rusia.

Dëmi më i madh, natyrisht, u është shkaktuar ukrainasve. Ata me trimëri dhe me dinjitet janë përballur me krimet e papërshkrueshme të luftës dhe me vuajtje të pafundme. Tutje nga fronti, të tjerët gjithashtu do të detyrohen të përshtaten me realitetet e reja të hidhura: një brez i ri politikanësh perëndimorë do të duhet të mësojnë për ashpërsinë e konkurrencës ushtarake të fuqive të mëdha në Evropë. Mjerisht, e kaluara evropiane ofron shembuj të bollshëm për t’u studiuar nga ta. Edhe unë do të ligjërojë përsëri këtë javë, në orët e mia: historia ka rëndësi. Po ashtu ka edhe zbërthimi i rrëfimeve të shtrembëruara. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Fuqia e tulipanit

Fuqia e tulipanit

Kulture
ANTONIO DHE ZONJA E KALTËRUAR

ANTONIO DHE ZONJA E KALTËRUAR

Poezi
Jeta dhe vepra e patriotit Iljaz Agushi: E tradhtoi Bujar Hoxha, e vrau Ymer Pula

Jeta dhe vepra e patriotit Iljaz Agushi: E tradhtoi Bujar Hoxha, e vrau Ymer Pula

Kulture
Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!

Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
LEDHATIMI

LEDHATIMI

Poezi
Kalo në kategori