LAJMI I FUNDIT:

LEDHATIMI

LEDHATIMI
Fadil Bajraj pranë varrit të Jim Morrisonit (foto e vitit 1982)

Poezi nga: Jim Morrison
Përktheu: Fadil Bajraj

Mund ta gëzosh jetën nga largësia.
Mund t’i shikosh gjërat ama s’mund t’i shijosh.
Mund ta ledhatosh nënën sall me sy.


I

A janë këta miqtë tanë
që garojnë dhe dridhen
lugjeve të qeta të parlamentit

Im bir nuk do të vdes në luftë
Ai do të kthehet
tha me zë të topitur peshkatari i katundit nga
Orienti

Herën e fundit pate thënë
se kjo ishte e vetmja mënyrë
zëri i vashës shtalb

Qeverisja dhe të folurit
infektuan xhungllat
e blerta

konsultoje orakullin
përroin e sertë
zvarritu
ata jetojnë nga uji i shiut

dashuri majmunash
çift mantre
prodhues brendi

Ishuj helmues
Helm

Merre këtë kokrrizë të vocërr
të zhardhokut
nga bregu
jugor

një mrekulli e çuditshme
do të të gjej

Helikopteri shkrepëtoi
një prekje e butonit dhe mbushja e sigurtë
e eksplozivit liroi
bombat me sahat
në vendet lebroze
të shkretuara nga uria
dhe këmbëngulja në ligj

Të lutem
tregona kokën tënde sukullare
dhe sytë të buzëqeshur të mbushur me lym
të qetë gjatë hapjes së zjarrit
këmishën e mëndafshtë të luluar
që t’i vë në dukje sytë, të shkathtë
si merimangë, surratin
e largët rrenës

eja, ti e përvuajtura
të shijosh jetën

tashmë si grua
e heshtur, e harbuar, e dalldisur
e shfrenuar, e bëshme dhe qullashe
Pas saj ngarendin si pas tokës së premtuar
legjione lapërdharësh tutkun
në marshim

Ç’po ngjet me sjelljet tua
atje në shkretëtirën e rrahur nga
dielli
galaksi të pakufishme të pluhurit
gjemba kaktusi, rruaza
gurë të zbardhur, shishe
dhe automobila të ndryshkur, të lënë mënjanë
për përpunim të mëvonshëm

Ai i sapoardhuri, ushtar-udhëtar nëpër kohë
mezi që u përbirua
nëpër gërmadhat
e qytetit të dikurshëm hijerëndë, e tash
është bërë qesharak me mi kanalizimesh
dhe insekte që kanë gjetur aty strehim

Ai jeton në automobila
kalon kotnasikoti nëpër
shkollat të breshtura
dhe nuk gjen vend
në hijet e dëgjesës

kujdestarët janë të heshtur
kullat roje madhështore prej zhavorri
të neveritshme në plazhin në drejtim të perëndimit
aq të lodhura nga vëzhgimi
po të kishte mbetur sall një kalë
për të kalëruar nëpër djerrinë
qenin me vete
për t’i nuhatur mishrat-vashat
të lidhura me vargonj për shtylla publike

s’ka më zënka
në krevate, natën
errësira digjet
I ke zgurdulluar sytë në sallonet e qytetit
ku një grua
në rrobë europiane
vallëzon valset madhështore
kjo do të ishte zbavitëse
për ta qeverisur shkretëtirën

II

Palme ngjyrë qershie
Brigje të frikshme
dhe më shumë
dhe shumë më shumë

Këtë e dimë
se të gjithë janë të lirë
në librat
shkollor të të pafalshmëve

buzëqeshje të rreme
vështirësi të pabesueshme vuajnë
ata që mezi ia dalin
të rrojnë

ama e gjitha do të kalojë
shtrihu në barin e gjelbërt
dhe buzëqeshu, dhe persiat, dhe kundro
ngjashmërinë e saj
të shtruar
me Mbretëreshën-matkën
e cila duket
se ka rënë në dashuri
me kalorësin

epo, a nuk është e këndshme
Zotëri, a nuk është kjo njohuri
me një shikim të pakujdesshëm kryeneç
prapa shpatullave

24 korrik 1968,
Los Angjelos, Shtetet e Bashkuara, Havai

Fadil Bajraj pranë varrit të Jim Morrisonit (foto e vitit 1982)