LAJMI I FUNDIT:

Në kohët e vështira, Rusia kthehet te shokët e Luftës së Ftohtë

Në kohët e vështira, Rusia kthehet te shokët e Luftës së Ftohtë

Nga: Jeremi Suri / CNN
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pas dekadave të të tëra të marrëdhënieve disi nga distanca, Rusia dhe Kuba sërish po punojnë së bashku – shumë ngushtë, këtë herë si pjesë e luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë.


Aty kah përvjetori i pushtimit, nga fillimi i shkurtit 2023, zyrtarët e nivelit të lartë rusë filluan me një rrjedhë të qëndrueshme të vizitave publike në Kubë. Mezi ka kaluar një muaj pa ndonjë vizitë të profilit të lartë Rusi-Kubë.

Në mars, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolaj Patrushev, si dhe Igor Seçini – drejtori i fuqishëm i kompanisë shtetërore ruse të naftës, Rosneft – u takuan me drejtuesit kubanë në Havanë.

Më pas, në prill, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrovi, e vizitoi ishullin si pjesë e një turneu rajonal që përfshinte dy kundërshtarët e tjerë të amerikanëve – Venezuelën dhe Nikaraguan.

Vizitat vazhduan në të dy drejtimet. Në qershor, kryeministri kuban, Manuel Marrero Cruz, e vizitoi Rusinë për më shumë se dhjetë ditë, përfshirë një takim me Putinin.

Alvaro Lopéz Miera, ministri kuban i Mbrojtjes, udhëtoi në Moskë kah fundi i muajit të kaluar, për diskutime me homologët e tij rusë – përfshirë këtu Sergej Shoigun, një prej arkitektëve famëkeq të luftës në Ukrainë.

Shoigu njoftoi se “Kuba ka qenë dhe mbetet aleati më i rëndësishëm i Rusisë në rajonin e Karaibeve”. Shoigu premtoi se Moska është “e gatshme të japë ndihmë për ishullin e lirisë dhe t’jua japë përkrahjen miqve tanë kubanë”.

Po kështu, zëvendësministri i Jashtëm kuban, Gerardo Peñalver, i përshkroi të dy vendet si “aleatë strategjikë” që bashkëpunojnë kundër “masave shtrënguese e të njëanshme” të Uashingtonit.

Kjo ishte më shumë sesa një retorikë. Rusia u zotua t’ia jepte Kubës naftën dhe furnizimet e ndryshme industriale. Sipas një vlerësimi, Moska këtë vit ia ka dërguar ishullit naftën me vlerë prej më shumë se 160 milionë dollarëve. Ndërsa, agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se do të pasojnë furnizimet shtesë.

Kuba tani ka fluturime direkte nga Rusia (fluturimet ishin pezulluar, pas pushtimit të Ukrainës), dhe ajo i është bashkuar sistemit të pagesave “Mir” që Moska e krijoi për të lehtësuar konvertimin e rublave në pezosë dhe në monedhat e tjera – për turizëm, tregti dhe ndihmë. Mbi një mijë drejtues dhe staf nga industria ruse e naftës, pritet ta vizitojnë Kubën deri në fund të vitit.

Ka pasuar ndihma ushtarake. Në fillim të këtij muaji, anija detare ruse, Perekop, u devijua drejt Kubës – nga flota shtetërore e Detit Baltik, më shumë se shtatë mijë milje larg. Anija transportonte në Kubë rreth 100 kadetë të marinës ruse, ndihma humanitare dhe pajisje të ndryshme.

Ambasadori rus dhe zëvendëskomandanti i Marinës ruse, morën pjesë në ceremoninë e mbërritjes së anijes, duke simbolizuar se ky ishte fillimi i një bashkëpunimi më të thellë.

Lidhjet ushtarake midis Moskës dhe Havanës janë krijuar qartazi për ta sfiduar ShBA-në, për të treguar atë që presidenti kuban Miguel Diaz-Canel e ka quajtur “mbështetje të pakushtëzuar” për “përplasjen e Rusisë me Perëndimin”. Edhe pse administrata e Obamas filloi t’i hapte marrëdhëniet me Kubën, në vitin 2014, administratat Trump dhe Biden janë rikthyer tek izolimi i regjimit, duke e theksuar konfliktin mbi bashkëpunimin.

Përveç lidhjeve të thelluara me Rusinë, Kuba e ka lejuar Kinën që ta ndërtojë një objekt sekret spiunazhi në ishull. Baza kineze është pjesë e asaj që komuniteti i inteligjencës amerikane e identifikon si përpjekje më e gjerë kineze për të përgjuar komunikimet amerikane, për të vjedhur sekretet dhe për t’u përgatitur për rritjen e konkurrencës. Ajo ta kujton gjithashtu objektin e inteligjencës së sinjaleve Lourdes – një postë dëgjimi që u ndërtua nga sovjetikët dhe që më pas u braktis nga Rusia në fillim të viteve 2000.

Këto provokime nga Rusia, Kina dhe Kuba, tashmë kanë shkaktuar një përgjigje të fortë nga Pentagoni. Teksa anija ruse lundroi për në Kubë, ShBA-ja e dërgoi nëndetësen me energji bërthamore, USS Pasadena – në bazën e mbajtur nga amerikanët në Gjirin e Guantanamos.

Zyrtarisht si “ndalesë logjistike”, ishte paralajmërim dhe një shfaqje fuqie. Ministria e Punëve të Jashtme e Kubës, e dënoi vizitën e nëndetëses si “përshkallëzim provokues”. Marina amerikane tha se masa nuk ishte “pa precedent”.

Të dy palët kanë të drejtë. Rusia dhe ShBA-ja kanë hyrë në një spirale përshkallëzimi, rreth Kubës: Putini po i zgjeron aktivitetet ushtarake ruse pranë ShBA-së, në përgjigje të asaj që e sheh si prani kërcënuese e armatosur nga Amerika pranë kufijve të vet, ndërsa Uashingtoni po përgjigjet duke i treguar muskujt e vet shumë më të mëdhenj në Karaibe.

Shtëpia e Bardhë do që Kremlini (dhe Kina) të pranojnë se duhet ta kufizojnë mbështetjen e tyre për Kubën dhe t’i respektojnë interesat amerikane.

Kjo dinamikë e hakmarrjes e kërcënon një katastrofë të shpejtë. Kështu ishte, natyrisht, në fillim të viteve 1960. Nga frika e rrethimit ushtarak dhe e izolimit nga Perëndimi, udhëheqësi sovjetik, Nikita Hrushovi, iu drejtua Kubës si pikë e përshtatshme e presionit kundër Uashingtonit.

Hrushovi shpresonte të ngacmonte ish-presidentin John F. Kennedy, që të tërhiqej nga mbështetja e përpjekjeve antikomuniste në Berlinin Perëndimor dhe në pjesë të tjera të Evropës. Hrushovi besonte se vendosja në Kubë e raketave bërthamore, me rreze të shkurtër veprimi, do ta bindte presidentin amerikan se është shumë i rrezikshëm sfidimi i pushtetit sovjetik në rajonet e tjera.

Putini ka të ngjarë të besojë në gjërat e ngjashme sot. Por, ai gjithashtu gabon. Kur Shtëpia e Bardhë mësoi për përshkallëzimin e Moskës, në tetor të vitit 1962, presidenti Kennedy dhe këshilltarët e tij reaguan menjëherë me forcë – një karantinë detare ndaj Kubës dhe përgatitjet për të nisur një sulm në ishull, nëse raketat nuk hiqen menjëherë.

Gjashtë dekada më pas, edhe presidenti Biden dhe këshilltarët e tij ka të ngjarë të ndërmarrin përgjigje të ngjashme, nëse mësojnë për përshkallëzimin e vazhdueshëm ushtarak rus në jug të Floridës. Strategjia aktuale e sigurisë kombëtare e përfshin angazhimin për ta parandaluar ndërhyrjen e huaj në rajon. Ashtu si në tetor të vitit 1962, ShBA-ja dhe Rusia mund të gjenden pranë konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak rreth Kubës – në fund të vitit 2023 ose në fillim të vitit 2024.

Sa më shumë shtohet dëshpërimi i Putinit në Ukrainë, aq më shumë do ta sfidojë ShBA-në në Karaibe. Mundësia është shumë joshëse për një diktator – qoftë Hrushov apo Putin – që kërkon të shkëpusë angazhimet amerikane në Evropë.

Sa më shumë që administrata e Bidenit ndihet e sfiduar nga Rusia dhe nga Kina, në Kubë, aq më shumë do të dëshirojë ta tregojë forcën. Uashingtoni do t’i përgjigjet përshkallëzimit ushtarak rus në Kubë me forcën e vet përshkallëzuese, siç ka bërë tashmë me lëvizjet e fundit të një nëndetëseje bërthamore.

Në një vit të zgjedhjeve presidenciale, presionet për tregim të muskujve vetëm se do të rriten, veçanërisht pasi imazhet përvëluese të vdekjeve amerikane, gjatë tërheqjes nga Afganistani në vitin 2021, po shfrytëzohen nga kundërshtarët republikanë të Bidenit.

Si mundet Uashingtoni ta shmang këtë kurth përshkallëzues? Presidenti Biden dhe këshilltarët e tij duhet të veprojnë me vendosmëri, siç bëri ekipi i Kennedyt në tetor të vitit 1962, për të përmbysur tundimet ruse dhe oportunizmin e Kinës në Kubë. Administrata duhet të dërgojë një mesazh të qartë se ndërhyrja ushtarake e huaj në atë rajon, vetëm se do t’i forcojë angazhimet amerikane – si në Evropë ashtu edhe në Karaibe.

Bideni duhet të tregojë se do të veprojë në mënyrat e disiplinuara, për ta kufizuar hyrjen ruse dhe kineze, përfshirë këtu ndalimin e anijeve të huaja – aty ku është e nevojshme dhe e ligjshme sipas sanksioneve ekzistuese.

Presidenti duhet gjithashtu t’ia ofrojë Putinit nxitjet për t’u tërhequr nga Kuba, siç bëri Kennedy me Hrushovin. Në vitin 1962, ShBA-ja publikisht u zotua të mos e pushtonte Kubën dhe fshehtas ra dakord të hiqte raketat e vjetra “Jupiter” nga Turqia, pasi Rusia i tërhoqi raketat e veta nga Kuba.

Në vitin 2023, ShBA-ja duhet të ripohojë angazhimin e vet për të shmangur sulmet e drejtpërdrejta në territorin sovran rus, pavarësisht nga mbështetja e vazhdueshme ushtarake amerikane për Ukrainën, dhe Uashingtoni duhet të vazhdojë në heshtje bisedimet me Moskën që synojnë tërheqjen paqësore të forcave ruse nga e gjithë Ukraina.

ShBA-ja duhet të pengojë përshkallëzimin e Putinit dhe të inkurajojë përmbajtjen. Duhet të pengojë në mënyrë aktive aktivitetet e spiunazhit kinez në Karaibe.

Historia e ngjarjeve që ndodhën 60 vjet më parë, tregon se ekziston një imperativ i fortë për të shmangur llogaritjet e gabuara, përpara se të jetë tepër vonë. Përshkallëzimi ushtarak rreth Kubës është tundim i rrezikshëm për Rusinë dhe një kurth i vështirë për ShBA-në.

Veprimet e Kennedyt nuk ia dhanë fund Luftës së Ftohtë – pas Krizës Kubane të Raketave – por, ato i vendosën udhëzimet për marrëdhëniet e qëndrueshme ruso-amerikane rreth ishullit, që zgjatën deri në fund të shekullit XX.

Presidenti Biden duhet ta bëjë të njëjtën gjë, përpara se ta shohim veten në një krizë tjetër kubane. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
'Selfie' me Xhakën i kushtoi shtrenjtë tifozit të vogël kosovar, babai i tij i tronditur: Një djalë 10-vjeçar nuk përbën rrezik për askënd

'Selfie' me Xhakën i kushtoi shtrenjtë tifozit të vogël kosovar, babai i tij i tronditur: Një djalë 10-vjeçar nuk përbën rrezik për askënd

Ndërkombëtare
Miratohet Kodi i Sjelljes për deputetët, ata që ofendojnë dhe bëjnë shkelje tjera do të dënohen me 50 përqind të pagës së tyre

Miratohet Kodi i Sjelljes për deputetët, ata që ofendojnë dhe bëjnë shkelje tjera do të dënohen me 50 përqind të pagës së tyre

Lajme
Luizi dhe Kiara bëhen prindër për herë të parë, publikojnë fotografi nga spitali

Luizi dhe Kiara bëhen prindër për herë të parë, publikojnë fotografi nga spitali

Magazina
Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Rusia humb kontrollin e ishullit kyç

Botë
Keni planifikuar të kaloni 1 Majin në natyrë? Kështu do të jetë moti në qytetet e Kosovës

Keni planifikuar të kaloni 1 Majin në natyrë? Kështu do të jetë moti në qytetet e Kosovës

Lajme
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Kalo në kategori