LAJMI I FUNDIT:

“Mos shiko lart”: Rrëfimet që reflektojnë frikën tonë

“Mos shiko lart”: Rrëfimet që reflektojnë frikën tonë

Komedia e katastrofës apokaliptike, “Don’t Look Up” – me regji nga Adam McKay – është filmi i fundit në serinë e zhanrit letrar që flet për kërcënimet që vijnë nga hapësira, shkruan Dorian Lynskey për BBC. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell si më poshtë.

Më 24 nëntor, disa javë para se të shfaqej në kinema komedia e Adam McKayt, “Don’t Look Up” (Mos shiko lart), NASA e nisi një anije kozmike të quajtur “Dart” (Testi i Ridrejtimit të Dyfishtë të Asteroidit) për të parë nëse është e mundur të ndryshohet trajektorja e hënës së vogël të quajtur Dimorphos. Ajo copë e veçantë shkëmbi rezulton të jetë pa ndonjë rrezik për Tokën. Por, jo edhe kometa me madhësinë e Everestit te “Don’t Look Up”, që – në fillim të filmit – është gjashtë muaj larg Toke. Me një kastë aktorësh të udhëhequr nga Leonardo DiCaprio, Jennifer Lawrence dhe Meryl Streep, ky film është shembull i mrekullueshëm i asaj që mund ta quash “letërsi e përplasjes” – një nënzhanër i larmishëm i letërsisë apokaliptike që shkon deri te Edgar Allen Poe dhe që për momentin është duke shijuar (nëse shijimi është fjala e duhur) një ringjallje të madhe.

Kometat dhe asteroidët me arsye janë të pranishme në letërsinë e tillë. Të dyja këto janë copa të mbetura nga formimi i sistemit diellor. Kometa është glob akulli, shkëmbi, pluhuri dhe gazi me origjinë nga sistemi i jashtëm diellor. Kur kometat e kalojnë Diellin, lënë gjurmë gazi dhe mbeturinash, pra bishtin: fjala greke kometë do të thotë flokëgjatë. Asteroidi (që do të thotë diçka si yll) është copë shkëmbi dhe mineralesh nga brezi i asteroidëve mes Jupiterit dhe Marsit: pa akull e pa bisht.

Pavarësisht dallimeve mes tyre, efekti i përplasjes me Tokën do të ishte pothuajse i njëjtë, prandaj të gjithë trupat potencialisht të rrezikshëm janë nën ombrellën e Objekteve Afër Tokës (NEO). Ngjarja më me ndikim në historinë e regjistruar është shpërthimi prej 12 megatonësh pranë lumit Tunguska në Siberi, më 30 qershor 1908, por ky është veç një guralec në krahasim me atë që i eliminoi dinozaurët te zhdukja kretako-paleogjene (K-Pg) 66 milionë vjet më parë. Studimet e K-Pg-së – objekt ky prej gjashtë deri në nëntë milje i gjerë që arrin në Tokë me një forcë të vlerësuar prej 100 milionë megatonesh – tregojnë se si do të ishte një përplasje. Së pari, valët e shpërthimit do të rrafshonin gjithçka brenda rrezes prej disa qindra miljesh, duke shkaktuar tërmete, cunami dhe shpërthime vullkanike. Për më keq, përplasja do ta gërmonte një krater disa milje të thellë duke hedhur miliarda tonë shkëmbinj, pluhur dhe squfur në gjysmë të rrugës drejt Hënës. Objektet më të rënda do të digjeshin kur futen në atmosferë dhe do të krijonin kështu shi meteorësh vdekjeprurës, duke shkaktuar stuhi zjarri. Mbeturinat më të vogla do të formonin një re të trashë që e bllokon Diellin përreth planetit, duke na zhytur në një “dimër të thellë” njëvjeçar. Bimësia do të zhdukej brenda javëve dhe shumica e kafshëve brenda muajve – nëse jo nga uria, atëherë nga shiu sulfurik po aq gërryes sa acidi i baterisë ose rrezatimi ultraviolet që derdhet përmes shtresës së shqyer të ozonit. Sipërfaqja e Tokës do të pushojë së mbajturi jetën e gjallë.

NASA i llogarit shanset vjetore të një përplasjeje të barabartë me K-Pg-në si një në një milion, por, siç thotë në mënyrë dramatike narracioni në fillim të filmit “Armageddon” (Armagedoni) me regji nga Michael Bay (1998): “Kjo ka ndodhur më parë. Do të ndodhë përsëri. Pyetja është se kur”?

Asteroidi i parë Ceres nuk u zbulua me teleskop deri në vitin 1801, por kometat që u zbuluan për herë të parë më 1680, për shekuj të tërë i kanë frymëzuar besëtytnitë. Ndër tjerash mendohej se ato sillnin murtajën dhe dështimin e të korrurave, si dhe e paralajmëronin përmbysjen e mbretërive. “Çdo gjë që lëviz në qiell në mënyrë të pazakontë, është shenjë e zemërimit të Zotit”, ka thënë Martin Luther në shekullin XVI.

Falë punës së astronomit Edmond Halley – i cili më 1758 kometën e famshme e emëroi sipas tij – kometat u kuptuan si rrezik fizik e jo mbinatyror, megjithëse Halley u përpoq t’i përshtaste teoritë e tij me shkrimet biblike. Në vitin 1694 tha se përmbytja në “Zanafillë” mund të ishte shkaktuar nga “përplasja e rastësishme e një komete ose një trupi tjetër kalimtar”. Bashkëkohësi i tij, William Whiston, parashikoi se një kometë e ngjashme do ta sillte fundin e botës më 16 tetor 1736. Në fund të shekullit, polimati francez Pierre-Simon Laplace pohoi se “… një prej kometave mund ta shkatërrojë Tokën”. Laplace shkroi se pasojat e një përplasjeje të tillë do të ishin katastrofike, por se kjo ishte e pamundur të ndodhte.

Arti apokaliptik i viteve 1890 e ktheu interesin për NEO-të. Në vitin 1894, astronomi francez Camille Flammarion e botoi një roman të quajtur “La Fin du Monde” (Fundi i botës), i cili më shumë është një si simpozium sesa rrëfim. Flammarion e përdori kometën si “pretekst për diskutimin e çdo faze të mundshme të kësaj teme të madhe dhe të rëndësishme – fundin e botës”, megjithëse nuk ia del të na e ofrojë këtë. Romani i tij u pasua nga novela e shkurtë e HG Wellsit, “The Star” (Ylli, 1897), ku fatkeqësitë natyrore dhe ngrohja globale e shkaktuar nga kalimi i një komete, e shtyjnë popullsinë e mbijetuar të vendoset në rajonet polare të freskëta e të gjelbëruara. Me kuptimin e “dimrit të përplasjes” supozohej se bota do të digjej në vend se të ngrijë.

Regjisori danez August Blom e bëri përpjekjen e parë për ta shfaqur përplasjen e NEO-së në ekran, me filmin e tij të frikshëm të vitit 1916, “The End of the World” (Fundi i Botës). Filmi u frymëzua nga shfaqja e kometës Halley në vitin 1910, por qasja e tij e pasqyronte temperamentin revolucionar në Evropë dhe tmerrin e Luftës së Parë Botërore: shiu i meteorëve duket si bombardim me mortaja, ndërsa qyteti i shkatërruar nga i cili del një i mbijetuar, ngjan me shumë qytete të Francës së asaj kohe.

Rrëfimi më me ndikim për përplasjen, në vitet mes dy luftërave, ishte “When Wolds Collides” (Kur botët përplasen) nga Edwin Balmer dhe Philip Wylie, i bërë seri më 1932 dhe i botuar në formë romani vitin e ardhshëm. Balmeri që ishte redaktor i revistës “Redbook”, kishte talent për rrëfime, por nuk kishte aftësi për t’i shprehur ato. Kështu që e gjeti bashkëpunëtorin e përsosur tek Wylie – shkrimtari ambicioz dhe shkencëtari i mprehtë amator. Teksa punonte në Hollivud në fillim të viteve 1930, Wylie u miqësua me fizikanët atomikë në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, me të cilët më vonë u konsultua për aspektet e veprës “When Wolds Collides”. Romani fillon me zbulimin e tmerrshëm se si dy planete janë shkëputur nga sistemet diellore dhe se po nxitojnë drejt Tokës. Kur Bronson A dhe Bronson B afrohen, shkaktojnë dëme të pallogaritshme. Në largimin e tyre e shkatërrojnë planetin. Pjesa më e madhe e romanit merret me ndërtimin e një rakete (të quajtur Arka e Noës) për t’i transportuar disa qindra të mbijetuar e Bronson B që ka një atmosferë të përshtatshme për të jetuar aty, por kapitujt më tërheqës i përshkruajnë shkatërrimet e kalimit të parë. Imagjinata e Wyliet për shkatërrimin në masë e tejkaloi edhe atë të Wellsit. Ta lexosh romanin ose të shikosh versionin e filmit të vitit 1951, është gjë magjepsëse sepse sheh se sa histori përplasjesh janë aty: zbulimi tronditës shkencor, alarmi nga autoritetet, trishtimi dhe paniku, trazirat dhe plaçkitjet, plani teknologjik për mbijetesë, referenca për Noën dhe format e shumta të mohimit. “Fundi i botës nuk do të besohet kurrë, derisa të vijë”, thotë shkencëtari Cole Hendron.

Është e paqartë nëse dramaturgu austriak Jura Soyfer e ka lexuar këtë vepër para se ta shkruante dramën e tij të vitit 1936, “The End of the World” (Fundi i botës), por me siguri se i pëlqente idetë e Balmerit dhe Wyliet. Soyfer – një marksist hebre 23-vjeçar, në një vend që po rrëshqiste drejt luftës – ka parë potencialin e jashtëzakonshëm satirik të letërsisë së përplasjes. Shfaqja nis me Diellin që vendosi se Toka duhet të spastrohet nga njerëzimi, për çka e dërgon një kometë për ta dhënë goditjen vrastare. Një astronom e identifikon kërcënimin, por atij nuk i besojnë. Profesori Peep lufton për t’i bërë bashkë udhëheqësit botërorë, që t’ia vënë veshin paralajmërimeve të tij. “Kometa do t’i shkatërrojë të gjithë”, e paralajmëron ai Hitlerin. “Shkatërrimi i të gjithëve është puna ime”, përgjigjet Hitleri. Kur rreziku është një javë pranë, Peep e dizajnon një makinë që do ta devijojë kometën, por një burokrat e udhëzon të aplikojë për një patentë para se ta kërkojë ndonjë financim për këtë. Gjithçka duket se do të shkoj huq, derisa kometa nuk ndien keqardhje për njerëzimin dhe largohet në momentin e fundit.

Letërsia e përplasjes shënoi rënie pas Luftës së Dytë Botërore, për arsyen e qartë se bomba atomike e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e letërsisë apokaliptike. Në esenë e vitit 1965, “The Imagination of Disaster” (Paramendimi i shkatërrimit) – që nuk i përmend as kometat, as asteroidet – Susan Sontag ia atribuon fuqinë e fantashkencës së pasluftës njohurive se “djegia dhe zhdukja kolektive … mund të vijnë në çdo kohë, pa paralajmërim”. Për shumicën e shkrimtarëve të pasluftës, shkaku i asgjësimit global nuk do të ishte ndërhyrja e frikshme nga hapësira, por lakmia, keqdashja dhe marrëzia e njerëzimit. Deri sot, bomba është mënyra se si e matim përplasjen (kometa te filmi “Don’t Look Up” thuhet se është e barabartë me “një miliard Hiroshima”) dhe se si synojmë ta parandalojmë. Mundësia e devijimit ose shkatërrimit të një NEO-je me koka bërthamore u parashtrua për herë të parë nga Projekti “Icarus” i Institutit Teknologjik të Masaçusetsit, në vitin 1967, ndërsa u dramatizua në filmin me titull “Meteor” (Meteori) të vitit 1979, ku luan Sean Connery.

Fundi i Luftës së Ftohtë përkoi me qasje të re në lidhje me kërcënimin e NEO-ve. Në mars të vitit 1989, asteroidi 1989 FC, gjysmë milje i gjerë, iu afrua 430 mijë milje Tokës: më së afërmi, që nga viti 1942. Fakti se astronomët nuk e zbuluan këtë deri kur kometa u largua, e nxiti Kongresin e ShBA-së për ta financuar një raport të NASA-s për gjurmimin e NEO-ve. U emërua “Spaceguard”, sipas sistemit të paralajmërimit të hershëm te vepra “Rendezvous with Rama” (Takimi me Ramën), roman ky i vitit 1973 nga Arthur C Clarke që thuhet se do të jetë projekt i ri filmik i regjisorit të filmit “Dune” (Duna), Denis Villeneuve.

Në vitet 1990 u pranua se një përplasje asteroidi ose komete e kishte shkaktuar zhdukjen e dinozaurëve dhe katastrofën në Tunguska. Agjencitë hapësinore i kanë identifikuar rreth 2000 NEO të gjera sa 1989 FC-ja, që po e kryqëzojnë orbitën e Tokës. Gjatë negociatave për Traktatin Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore më 1996, Kina tha se njerëzimi duhet të ketë armë bërthamore në rast se një asteroid afrohet. Kështu, kur Clarke më 1994 e botoi romanin e tij “The Hammer of God” (Çekani i Zotit), në lidhje me një përpjekje të tillë, veprën nuk e konsideroi si fantashkencë. “Ishte detyra ime të tregoja çfarë mund të bëhej për kërcënimin nga asteroidi”, shkroi ai. “Duke e krijuar një profeci, mund ta shpëtoja botën”. Vitin tjetër, 21 fragmente të kometës Shoemaker-Levy 9 u përplasën me Jupiterin, duke ua dhënë vëzhguesve të NEO-ve pamjen e asaj që mund të na ndodhë. Njëra prej përplasjeve ishte e barabartë me gjashtë milionë megaton TNT, duke krijuar re mbeturinash të gjera sa Toka.

Steven Spielberg e zgjodhi veprën “The Hammer of God”, i cili më pas u “bashkua” me “When Worlds Collide” për ta krijuar bazën për filmin e vitit 1998, “Deep Impact” (Përplasja e madhe). Megjithëse asnjë nga romanet nuk u citua, ndikimi i tyre ishte i pamohueshëm. Një kometë pritet ta shkaktojë zhdukjen e jetës në Tokë. Qeveritë e botës bëjnë plane për ta goditur atë me bomba atomike ose, nëse kjo dështon, për t’i ruajtur disa mijëra jetë në shpellat nëntokësore (“Arka jonë e re e Noes”, thotë presidenti) derisa sipërfaqja të jetë përsëri e banueshme. Në realitet, hedhja në erë e një NEO-je në vend të devijimit do të ishte shumë e rrezikshme, sepse ka të ngjarë të krijojë breshëri bombash. Siç shkruan Arthur C Clarke: “Cila është më e mirë – një mega-katastrofë e vetme përnjëherë, apo qindra më të vogla”?

“Deep Impact” dhe “Armageddon” ishin filma të suksesshëm, por që kanë shteruar oreksin e shikuesve për ngatërresat astronautike. Në dekadat e fundit kemi parë filma më të zymtë rreth asaj që ndodh kur humbë çdo shpresë për ta shmangur katastrofën. “Melancholia” (Melankolia) e Lars Von Trierit (2011) përfundon me planetin që e fshin Tokën në mënyrë jashtëzakonisht të bukur. “Filmi është afër estetikës së filmave të zakonshëm amerikanë”, ka thënë Von Trier. “I vetmi faktor shpengues është se bota merr fund”.

“Seeking a Friend for the End of the World” (Duke e kërkuar një shok për fundin e botës, 2012), me regji nga Lorene Scafaria, ia del të jetë komedi romantike nga një skenar i pashpresë. Nisur nga dështimi i një misioni të devijimit, ajo i injoron shkencëtarët, politikanët dhe astronautët e fokusohet te njerëzit e zakonshëm që nuk mund të bëjnë asgjë përveçse të vendosin se si t’i kalojnë ditët e fundit. Përgjigja sigurisht se është kjo: me dikë që e doni. Filmi i vitit të ardhshëm, “These Final Hours” (Këto orët e fundit), me skenar e regji nga Zak Hilditch, merret me të njëjtën ide. Të dy këta filma janë udhëtime rrugore të shoqëruara nga vetëvrasjet, nga festat me orgji dhe me të mbijetuarit delirantë. Të dy filmat përfundojnë me dy të dashuruar të gëlltitur nga flaka e bardhë teksa fundi po vjen.

Këta filma e refuzojnë këmbënguljen për mbijetesë dhe rilindjen më të mirë që nis me filmat “When Worlds Collide” dhe “Deep Impact”, e deri “The Wandering Earth” (Toka endacake, 2019) – që është filmi i pestë me fitimet më të mëdha në Kinë – dhe “Greenland” (Grenlanda, 2020).

Por, pse këto histori janë tërheqëse për kineastët?

Kjo letërsi është e përshtatshme për të strehuar zhanre të shumta. NEO-të janë gjithashtu shqetësim në rritje për botën reale. Pasi një meteor shpërtheu mbi Çeliabinsk në Rusi, më 14 shkurt 2013, NASA filloi me simulimet vjetore të goditjeve nga asteroidi. Më 2015, një grup shkencëtarësh, astronautësh dhe artistësh të udhëhequr nga Stephen Hawking, e nisën Ditën e Asteroideve – ngjarje vjetore e mbështetur nga OKB-ja në përvjetorin e Tunguskës – me synimin për ta përshpejtuar gjurmimin e NEO-ve dhe kërkimin e strategjive të ballafaqimit me to.

Në letërsi, megjithatë, një kometë nuk është thjesht kometë. Në të njëjtën mënyrë sesi fantashkenca e pasluftës ishte në nivel me bombën, apokalipsi i ngadaltë i ndryshimeve klimatike është nënteksti i shumicës së tregimeve të fatkeqësive të shekullit XXI. Në vitet e fundit janë botuar shumë romane që ndërlidhen me klimën. Edhe Adam McKay ka folur për krizën klimatike me kometën si alegori e përsosur.

“Don’t Look Up” që u shfaq në Netflix në prag të Krishtlindjeve, është kryqëzim i filmave të sipërpërmendur, duke e kombinuar satirën me ankthin e vërtetë. Sa më e zezë të jetë komedia, aq më i mirë bëhet filmi. Tre astronomët e ngjashëm me profesorin Peep janë arketipë të njohur të zhanrit të ringjallur nga konteksti i përpjekjeve për ta paralajmëruar botën kundër politikanëve populistë, moderatorëve të cekët, guruve të teknologjisë dhe nga teoricienët e konspiracionit në internet. Mund ta vëreni lutjen e regjisorit për t’i dëgjuar shkencëtarët, si kritikë ndaj përgjigjeve irracionale dhe partizane ndaj pandemisë: mohuesit e kometave refuzojnë të shikojnë lart. “Don’t Look Up” tenton pra ta shmangë politikën për ta vënë energjinë satirike te përpjekjet e njerëzve për t’i marrë seriozisht kërcënimet ekzistenciale.

Siç vëren heroi te “When Worlds Collide”: “Ata dhe ai nuk mund ta kuptonin se bota ishte e dënuar, ashtu siç nuk mund ta dijë një njeri se duhet të vdes. Vdekja është ajo që u ndodh të tjerëve! Kështu që botët tjera mund të zhduken, por jo e jona mbi të cilën qëndrojmë”. Vala e re pesimiste e letërsisë së përplasjes na detyron ta shqyrtojmë skenarin më të keq e jo vetëm të shikojmë lart, por të shikojmë edhe përbrenda. /Telegrafi/